Një vrasje dhe një burgosje
1 Në atë kohë, mbreti Herod filloi të përndjekë disa nga besimtarët e kishave. 2 Jakobin, vëllanë e Gjonit, ai e vrau me shpatë. 3 Kur pa se kjo gjë u pëlqeu judenjve, urdhëroi të kapnin edhe Pjetrin. Ishin ditët e festës së Bukëve të ndorme. 4 Pasi e kapi, Herodi e futi në burg dhe ua dorëzoi katër grupeve me nga katër ushtarë që ta ruanin, me qëllim që pas Pashkës ta nxirrte para popullit. 5 Ndërsa Pjetri ishte në burg, kisha i lutej Perëndisë me gjithë zemër për të.
Pjetri lirohet nga burgu
6 Natën, përpara se Herodi ta nxirrte Pjetrin para popullit, Pjetri, i lidhur me dy zinxhirë, po flinte mes dy ushtarëve, ndërsa rojat para derës ruanin burgun. 7 Papritur u shfaq një engjëll i Zotit dhe qelinë e ndriçoi një dritë. Ai e preku Pjetrin në brinjë e i tha: «Ngrihu shpejt!». Dhe menjëherë zinxhirët i ranë nga duart. 8 Pastaj engjëlli i tha: «Vëre brezin e mbathi sandalet». Pjetri u bind. Pastaj i tha: «Hidh gunën e më ndiq». 9 Pjetri doli e shkoi pas tij pa e ditur nëse ajo që po i ndodhte me engjëllin ishte e vërtetë apo jo. Ai mendonte se po shihte një vegim. 10 Kur kaluan rojën e parë e të dytë, arritën te dera e hekurt, që të çonte në qytet. Ajo u hap vetë. Ata dolën dhe ecën në një rrugë dhe engjëlli u largua nga ai menjëherë.
11 Atëherë Pjetri erdhi në vete e tha: «Tani e di me të vërtetë se Zoti dërgoi engjëllin e tij e më çliroi nga duart e Herodit e nga gjithçka që judenjtë kishin ndër mend të bënin me mua».
12 Si e kuptoi këtë gjë, shkoi në shtëpinë e Marisë, nënës së Gjonit, të cilin e quanin edhe Mark. Aty ishin mbledhur shumë veta e po luteshin. 13 Ai trokiti në derën e jashtme. Një shërbëtore me emrin Rodë erdhi të hapte derën. 14 Kur dëgjoi zërin e Pjetrit, ajo u gëzua aq shumë, saqë në vend që të hapte derën, shkoi me vrap brenda dhe lajmëroi se Pjetri ishte te dera.
15 Ata i thanë: «Ti nuk je në vete». Por ajo nguli këmbë se ishte e vërtetë. Ata i thanë: «Është engjëlli i tij». 16 Ndërsa Pjetri vazhdonte të trokiste. Kur e hapën derën, ata e panë dhe mbetën të mahnitur. 17 Ai ua bëri me dorë që të mos flisnin dhe u tregoi sesi Zoti e kishte nxjerrë nga burgu. Atëherë u tha: «Tregojani këtë Jakobit e vëllezërve». Pastaj doli e shkoi në një vend tjetër.
18 Kur zbardhi dita, rojat i zuri paniku kur panë se Pjetri nuk ishte aty. 19 Herodi e kërkoi, por nuk e gjeti. Atëherë i mori në pyetje rojat dhe urdhëroi që t'i vrisnin. Pastaj Herodi shkoi nga Judeja në Cezare dhe qëndroi aty.
Vdekja e Herodit
20 Herodi ishte shumë i zemëruar me banorët e Tirit e të Sidonit. Atëherë ata ranë në një mendje, shkuan tek ai dhe, pasi ia mbushën mendjen Blastit, nëpunësit të dhomës së mbretit, kërkuan paqe, sepse vendi i tyre i merrte ushqimet nga mbretëria e tij. 21 Në ditën e caktuar Herodi u vesh me rrobat mbretërore, u ul në fron dhe mbajti një fjalim. 22 Populli brohoriste: «Ky është zë perëndie e jo njeriu». 23 E menjëherë një engjëll i Zotit e goditi Herodin, meqë ai nuk i dha lavdi Perëndisë. Ai dha shpirt i brejtur nga krimbat.
24 Dhe fjala e Perëndisë përhapej gjithnjë e më shumë. 25 Barnaba e Sauli, pasi e përfunduan shërbesën në Jerusalem, u kthyen dhe morën me vete Gjonin që quhej edhe Mark.
1 Edhe nd’ atë kohë mbëreti Iroth vuri duartë t’u bënjë keq cave që ishinë nga qisha.
2 Edhe vrau me thikë Jakovinë të vëllan’ e Joannit.
3 Edhe kur pa se këjo u pëlqen Judhenjet, vuri ndër mënt të zërë edhe Pietrinë (edhe atëhere ishinë dit e të pabrumievet).
4 Edhe si e zuri, e vuri ndë burk, edhe e dha ndë duar katrë palë ushtëtorëve nga katrë vetë që ta ruanjënë, sepse donte ta nxirte përpara llauzit pas pashkësë.
5 Pietri pra po ruhej ndë burk; po qisha ishte tuke falurë Perëndinë gjithënjë për atë.
6 Edhe kur do ta nxirte atë Irodhi përpara, atë natë Pietri ishte tuke fjeturë ndërmest dy ushtëtorëve, lidhurë me dy hekura, edhe ruajtësitë ruaninë burgunë përpara derësë.
7 Edhe ja ëngjëlli i Zotit tek erdhi papriturë, edhe ndriti një dritë nd’ atë vënt; edhe si i ra Pietrit ndë brinjët, e sqoj, tuke thënë: “Ngreu shpejt.” Edhe i ranë hekuratë nga duartë.
8 Edhe ëngjëlli i tha: “Ngjishu, edhe mbath këpucët’ e tua”; edhe ay bëri ashtu. Edhe i thotë: “Vish rrobenë tënde, edhe eja pas meje.”
9 Edhe ay si dolli e i vinte pas, edhe nuk’ e dinte, se është me të vërtetë këjo që u bë nga ëngjëlli, po i dukej se po sheh ëndërrë.
10 Edhe si kapëtuanë ruajtëjen’ e parë, edhe të dytënë, erthnë ndë derë të hekurtë, që shpie ndë qytet, e cila u hap atyreve prej vetiu; edhe si duallnë, shkuanë ndëpër një rrugë; edhe përnjëherë ëngjëlli u nda nga ay.
11 Edhe Pietri, si erdhi ndër vetëhe, tha: “Ndashti e di me të vërtetë, se Zoti dërgoj ëngjëllin’ e ti, edhe më shpëtoj nga dor’ e Irodhit, edhe nga gjithë shpëresa e llauzit Judhenjet.”
12 Edhe passi u mendua me vetëhe, erdhi ndë shtëpi të Marisë, s’ëmësë Joannit që qjuhej përmbiemërë Mark, atie tek ishinë mbëledhurë mjaft vetë tuke falurë.
13 Edhe (Pietri) kur trokolliti ndë portët të avllisë, erdhi një shërbëtore që qjuhej Rodhë, për të dëgjuarë;
14 Edhe ajo kur njohu zën’ e Pietrit, nga gëzimi nukë hapi portënë, po shkoj me vrap brënda edhe dha zë, se Pietri po rri përpara portësë.
15 Edhe ata i thanë asaj: “Shkallove”; po ajo qëndronte mbë fialët: se kështu është. Edhe ata thoshinë, se : “Ësht’ ëngjëlli ati.”
16 Po Pietri po priste tuke trokolliturë, edhe si i hapnë, edhe e pan’ atë, u manitnë.
17 Po ay u bëri atyre me dorë të mos bënjënë zë, e u tregoj atyre, qysh e nxori Zoti nga burgu; edhe tha: “Epini zë Jakovit edhe vëllëzëret për këto.” Edhe dolli e vate mbë një tiatërë vënt.
18 Edhe si u gëdhi, u bë shumë trazyrë ndër ushtërorët, vallë ç’u bë Pietri.
19 Edhe Irodhi kur e kërkoj, e s’e gjeti, gjykoj ruajtësitë, e urdhëroj të vritenë, edhe sbriti nga Judhea ndë Qesari, e shkonte kohënë atie .
20 Edhe Irodhi ishte fort zëmëruarë me Tyrasit’ e me Sidhonasitë; po ata erthnë me një zëmërë tek ay, edhe si i mbushnë mëndëjenë Vllastit kamarierit mbëretit, lypninë të bëninë paqtim; sepse vëndi atyreve ushqehej prej vëndit mbëretit.
21 Edhe një ditë që e kishinë vënë Irodhi veshi rroben e mbëretërisë, edhe ndenji mbë front, e u lëgjironte atyre.
22 Edhe llauzi thoshte me zë të math: “Zë Perëndieështë , e jo njeriu.”
23 Edhe përnjëherë ëngjëll’ i Zotit e goditi atë, sepse nuk’ i dha lavdinë Perëndisë; edhe si u hëngrë nga krymbatë, dha shpirtinë.
24 Edhe fial’ e Perëndisë shtonej e shumonej.
25 Edhe Varnava e Savlli passi mbaruanë punënë që patnë , u këthyenë nga Jerusalimi, edhe muarnë me vetëhe edhe Joanninë që u qjuajti përmbi-emërë Mark.