1 Më shkërbeni mua, sikurse unë shkërbej Krishtin.
Sjellja gjatë adhurimit
2 Ju përgëzoj, se më kujtoni në çdo rast dhe i ruani traditat ashtu siç jua kam dhënë. 3 Por dua ta dini se kreu i çdo burri është Krishti, kreu i gruas është burri dhe kreu i Krishtit është Perëndia. 4 Çdo burrë që lutet apo profetizon me kokë mbuluar, turpëron kryet vet.
5 Çdo grua që lutet apo profetizon me kokë zbuluar, turpëron kryet e vet, sepse është njësoj si të kishte rruar kokën. 6 Nëse gruaja nuk mbulon kokën, atëherë le të qethet. Por, nëse për të është turp të qethet a të rruajë kokën, atëherë le ta mbulojë kokën.
7 Burri nuk duhet ta mbulojë kokën, sepse është shëmbëllimi dhe lavdia e Perëndisë, ndërsa gruaja është lavdia e burrit. 8 Nuk u krijua burri nga gruaja, por gruaja nga burri. 9 Burri nuk u krijua për gruan, por gruaja për burrin. 10 Prandaj, për shkak të engjëjve, gruaja duhet të mbajë mbi kokë një shenjë varësie.
11 Megjithatë në jetën tonë me Zotin as burri nuk është i pavarur nga gruaja dhe as gruaja nga burri. 12 Sikurse gruaja u krijua nga burri, ashtu edhe burri lindet nëpërmjet gruas dhe gjithçka vjen nga Perëndia. 13 Gjykoni vetë: a i ka hije gruas t'i lutet Perëndisë pa mbuluar kokën? 14 A nuk na mëson vetë natyra se për burrin është çnderim nëse i mban flokët të gjatë, 15 ndërsa për gruan është nder? Flokët i janë dhënë asaj si mbulesë. 16 Por, nëse ndokush mendon ndryshe për këtë çështje, duhet ta dijë se një zakon të tillë nuk e kemi as ne, as kishat e Perëndisë.
Parregullsi në Darkën e Zotit
17 Megjithatë, për këto që do t'ju them tani, nuk mund t'ju përgëzoj. Kur mblidheni bashkë, është për më keq e jo për mirë. 18 Së pari, dëgjova se kur mblidheni së bashku në kishë, mes jush ka përçarje dhe pjesërisht e besoj. 19 Njëmend që duhet të ketë edhe ndasi ndër ju, që të dalin në pah të sprovuarit.
20 Dëgjoj se kur mblidheni në një vend, nuk mblidheni për të ngrënë darkën e Zotit. 21 Secili nga ju ha më përpara darkën që ka sjellë me vete dhe, kështu, njëri mbetet i uritur, ndërsa tjetri dehet. 22 A nuk keni shtëpi për të ngrënë e për të pirë? Apo doni të përbuzni kishën e Perëndisë e të turpëroni ata që nuk kanë? Çfarë t'ju them? T'ju përgëzoj? Për këtë nuk ju përgëzoj.
Themelimi i Darkës së Zotit
(Mt 26.26-29Mk 14.22-25Lk 22.14-20)23 Ajo që mora prej Zotit dhe jua dhashë edhe juve është kjo: Zoti Jezu atë natë që po tradhtohej mori bukën, 24 tha lutjen e falënderimit, e theu e tha: «Ky është trupi im për ju . Bëjeni këtë në përkujtimin tim». 25 Po ashtu, pas darkës, mori edhe kupën dhe tha: «Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim. Sa herë që të pini prej saj, bëjeni këtë në përkujtimin tim».
26 Sa herë që hani nga kjo bukë dhe pini nga kjo kupë, ju lajmëroni vdekjen e Zotit derisa të vijë ai.
Padenjësisht në Darkën e Zotit
27 Prandaj ai që ha bukën e Zotit, apo pi kupën e tij padenjësisht, është fajtor për trupin dhe për gjakun e Zotit. 28 Kështu, secili të shqyrtojë më parë veten dhe pastaj të hajë nga buka e të pijë nga kupa. 29 Kush ha e kush pi pa e dalluar trupin e Zotit, ha e pi dënimin e vet. 30 Për këtë arsye ka mes jush shumë të dobët, të sëmurë dhe mjaft kanë vdekur. 31 Sepse po të shqyrtojmë veten, nuk do të dënohemi. 32 Kur na gjykon Zoti, na gjykon për të na ndrequr e jo për të na dënuar bashkë me botën.
33 Kështu, o vëllezër, kur të mblidheni për të ngrënë darkën e Zotit, prisni njëri-tjetrin. 34 Kush ka uri, le të hajë në shtëpi, që të mos mblidheni për të marrë gjykimin e Zotit.
Të tjerat do t'i rregulloj kur të vij vetë.
1 Bëni si bënj unë, sikundrë edhe unë bënj si Krishti.
2 Edhe u lavdonj juve, o vëllezër, se më kujtoni mbë gjithë punërat, edhe mbani porositë që u lashë, sikundrë ua dhashë juve.
3 Edhe dua ta dini ju, se kryet’ e çdo burri është Krishti; edhe kryet’ e gruasë është burri; edhe kryet’ e Krishtit është Perëndia.
4 Çdo burr kur falet’ a kur profiteps, ndë pastë mbuluarë kryetë, turpëron kryet’e ti.
5 Edhe çdo grua, kur falet’a kur profiteps me krye të sbuluarë, turpëron kryet’e saj, sepse është gjithënjë sikur ta ketë rruarë kryetë .
6 Sepse ndë mos u mbuloftë gruaja, le të qethetë. Po ndë është turp për gruanë të qethetë, a të rruhetë, le të mbulonetë.
7 Sepse burri nukë gjan të mbulonjë kryetë, sepse ësht’ ikonë edhe lavdi e Perëndisë; po gruaja është lavdi e burrit.
8 Sepse burri nuk’ është prej gruasë, po gruaja prej burrit;
9 Sepse nuk’ u kriua burri për gruanë, po gruaja për burrinë.
10 Përandaj gruaja gjan të ketë pushtet mbi kryet të saj , për ëngjëjtë.
11 Po as burri pa gruanë, as gruaja pa burrinë është mbë Zotinë.
12 Sepse sikundrë gruaja është prej burrit, kështu edhe burri është me anë të gruasë; po të gjitha janë prej Perëndisë.
13 Gjykoni ju ndër vetëhet tuaja: i ka hije gruasë t’i faletë sbuluarë Perëndisë?
14 Apo as ay fisi nuk’ u dëften juve, se burri ndë pastë flokë të gjatë, është turp për atë?
15 Po gruaja ndë pastë flokër të gjatë, është lavdi për atë; sepse floku i është dhënë asaj ndë vënt të mbuluarit.
16 Po ndë duketë ndonjë se do të bënjë qartë, neve s’kemi të tillë zakon, as qishat’ e Perëndisë.
17 Edhe tuke porositurë këtë, nukë lavdonj, se mbëlidheni jo për më të mirënë, po për më të ligënë.
18 Sepse më përpara, kur mbëlidheni ju ndë qishë, dëgjonj se janë të shqyear ndërmest juve; edhe gjer mbë një anë besonj.
19 Sepse gjan të jenë edhe eresia ndërmest juve, që të shpërfaqen’ ata që janë të provuarshim ndërmest juve.
20 Kur mbëlidheni pra bashkë mbë një vënt, nuk’ është për të ngrënë darkën’ e Zotit;
21 Sepse mbë të ngrënët gjithësecili merr përpara tiatrit darkën’ e ti; edhe njëri ka uri, e tiatri është dejturë.
22 Mos nukë keni shtëpia për të ngrën’ e për të pirë? Apo s’e zini për gjë qishën’ e Zotit, edhe turpëroni ata që s’kanë? Ç’t’u them juve? T’u lavdonj për këtë? Nuk’ u lavdonj.
23 Sepse un’ e mora nga Zoti atë që u dhash’ edhe juve, se Zoti Jisu mb’ atë natë që do t’ epej ndër duar, mori bukë,
24 Edhe si u fal ndersë theu, edhe tha: Merrni e hani; kyj është trupi im që thyhetë për ju; këtë bëni për kujtiminë tim.
25 Kështu edhe potirinë, passi kishte darkuarë, tuke thënë: Kyj potir është dhiata e re ndë gjakunë tim; këtë bëni sa herë të pini, për kujtiminë tim.
26 Sepse sa herë të hani këtë bukë, edhe të pini këtë potir, dëfteni vdekëjen’ e Zotit gjer mb’ atë kohë që të vinjë.
27 Përandaj ay që të hajë këtë bukë, a të pijë këtë potirin’ e Zotit, pa qën’ i vëjyerë, do të jetë fajtuar i trupit edhe i gjakut Zotit.
28 Po njeriu pra le të vëshgonjë vetëhen’ e ti, e kështu le të hajë nga ajo bukë, edhe le të pijë nga ay potir.
29 Se ay që ha e pi pa qën’ i vëjyerë, ha e pi gjykim për dëm për vetëhen’ e ti, sepse nukë shquan trupin’ Zotit.
30 Përandaj janë shumë të dobë edhe të sëmurë ndër ju, edhe vdesënë mjaft vetë .
31 Sepse ndë shquanim vetëhetë tona, s’do të gjykoneshim.
32 Po kur gjykonemi, mundonemi prej Zotit, që të mos gjukonemi për të keq bashkë me botënë.
33 Përandaj, o vëllezër, kur mbëlidheni për të ngrënë, prisni njëri tiatrinë.
34 Po ndë i arthtë uri ndonjërit, le të hajë ndë shtëpi, që të mos mbëlidheni për të gjykuarë për dëm .
35 Edhe të tieratë, kur të vinj, do t’i vë me taks.