Një shenjë
(Mk 8.11-13Lk 12.54-56)
1 Atëherë erdhën farisenjtë e saducenjtë dhe, për ta vënë në provë Jezuin, i kërkuan një shenjë nga qielli. 2 Por ai iu përgjigj: «Kur bie mbrëmja, ju thoni se do të bëjë mot i mirë, sepse qielli është i kuq. 3 Ndërsa në agim thoni: “Sot kemi stuhi, se qielli është i kuq e i vranët”. Ju që dini të shpjegoni dukuritë e qiellit, nuk mundkeni të shpjegoni shenjat e kohës? 4 Kjo brezni e ligë dhe e pafe kërkon shenjë, por asaj nuk do t'i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së Jonait». Pastaj u largua prej tyre.
Tharmi i farisenjve dhe saducenjve
(Mk 8.14-21)
5 Kur arritën në bregun tjetër, dishepujt panë se kishin harruar të merrnin bukë. 6 Atëherë Jezui u tha: «Kini kujdes e ruhuni nga tharmi i farisenjve e saducenjve». 7 Ndërsa ata i thanë njëri-tjetrit: «Nuk kemi marrë bukë me vete». 8 Por Jezui e dinte këtë gjë e u tha: «Çfarë po i thoni njëri-tjetrit, o besimpakë? Se nuk keni bukë? 9 Nuk kuptoni? A nuk ju kujtohen pesë bukët që iu ndamë pesë mijë vetave e sesa shporta mblodhët? 10 Po shtatë bukët që iu ndamë katër mijë vetave? Sa shporta mblodhët? 11 Si nuk e kuptoni që nuk ju fola për bukën? Ruhuni, pra, prej tharmit të farisenjve e saducenjve». 12 Atëherë e kuptuan se nuk u kishte thënë të ruheshin nga tharmi i bukës, por nga mësimi i farisenjve e saducenjve.
Pohimi i Pjetrit
(Mk 8.27-30Lk 9.18-21)
13 Kur erdhi në krahinën e Cezaresë së Filipisë, Jezui i pyeti dishepujt e vet: «Kush thonë njerëzit se është Biri i njeriut?». 14 Ata i thanë: «Disa thonë se është Gjon Pagëzori, të tjerë se është Elia e të tjerë se është Jeremia ose njëri nga profetët». 15 Ai u tha: «Po ju, kush thoni se jam unë?». 16 Atëherë Simon Pjetri u përgjigj: «Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë». 17 Jezui i tha: «Lum ti, Simon, biri i Jonait, se as mishi, as gjaku nuk ta zbuluan këtë gjë, por Ati im që është në qiej! 18 Dhe unë po të them: ti je Pjetri. Mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe portat e skëterrës nuk do ta mposhtin. 19 Ty do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve. Çfarëdo që të lidhësh në tokë, do të jetë e lidhur në qiej dhe çfarëdo që të zgjidhësh në tokë, do të jetë e zgjidhur në qiej». 20 Pastaj i urdhëroi dishepujt të mos i tregonin askujt se ai ishte Krishti.
Paralajmërimi i parë i Pashkës
(Mk 8.31—9.1Lk 9.22-27)
21 Që nga ajo kohë, Jezui filloi t'u tregonte dishepujve se duhej të shkonte në Jerusalem e të vuante shumë për shkak të pleqve, kryepriftërinjve e shkruesve. Pastaj do ta vrisnin, por ditën e tretë do të ngjallej. 22 Pjetri e mori mënjanë dhe filloi ta qortonte e i tha: «Larg qoftë, o Zot! Kjo mos të ndodhtë kurrë». 23 Por Jezui u kthye nga ai e i tha: «Largohu prej meje, Satan! Ti po më bëhesh pengesë, sepse nuk mendon sipas Perëndisë, por sipas njerëzve». 24 Pastaj Jezui u tha dishepujve: «Kush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë kryqin e vet e të më ndjekë. 25 Sepse kushdo që dëshiron ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kushdo që e humbet jetën e vet për shkakun tim, do ta gjejë atë. 26 Ç'dobi do të kishte njeriu po të fitonte mbarë botën, por të humbte jetën e vet? Apo çfarë do të jepte njeriu në këmbim të jetës së vet? 27 Biri i njeriut do të vijë me engjëjt e tij në lavdinë e Atit të vet dhe do të shpërblejë çdo njeri sipas veprave të veta. 28 Me të vërtetë po ju them se disa nga ata që janë këtu nuk do të provojnë vdekjen pa e parë Birin e njeriut duke ardhur në mbretërinë e tij».
1 Edhe erthnë përanë Farisenjtë edhe Sadhdhuqenjtë, edhe tuke ngar’ atë, kërkoninë t’u dëftente atyre shenjë nga qielli.
2 Po ay u përgjeq e u tha atyre: “Kur bënetë mbrëmie, thoni se Do të bënetë koh’e mirë; sepse qielli ësht’ i kuq.
3 Edhe ndë mëngjes, se “Sot do të bënetë koh’ e ligë, sepse qielli ësht’ i kuq e vrërëtë. Ipokritërë, faqen’ e qiellit dini ta shquani, po shenjet’e kohëravet nukë muntni?
4 Brez’ i lik edhe kurvar kërkon shenjë; edhe shenjë nukë do t’i epet’ ati, përveç shenjësë profitit Jona.” Edhe i la ata e iku.
5 Edhe nxënësitë si erthnë përtej, harruanë të marrënë bukë.
6 Edhe Jisuj u tha atyre: “Ruhi edhe kini kujdes nga brumi i Farisevet e Sadhdhuqevet.”
7 Edhe ata mendoneshinë me vetëhen’ e tyre, tuke thënë, se “Nukë muarëm bukë.”
8 Edhe Jisuj si e kupëtoj, u tha atyre: “Ç’mendohi me vetëhenë tuaj, o besë-pakë, se nukë muartë bukë?
9 Edhe nukë po kupëtoni, as nukë mbajni mënt pesë bukët’ e pesë mijëvet, edhe sa kosha muartë?
10 As shtatë bukët’ e katrë mijëvet. edhe sa shporta muartë?
11 Qysh nukë kupëtoni se nuk’ u thashë juve për bukë, të ruhi nga brumi i Farisevet e i Sadhdhuqevet?”
12 Atëhere e kupëtuanë, se nuk’ u tha të ruhenë nga brum’ i bukësë, po nga mësimi i Farisevet e Sadhdhuqevet.
13 Edhe Jisuj kur erdhi mb’ anët të Qesarisë Filippit, pyeste nxënësit’e ti, tuke thënë: “Cili thonë njerëzitë se jam un’ i Bir’i njeriut?”
14 Edhe ata thanë: “Ca thonë , Joann Pagëzori, e të tierë Ilia; e të tierë Jeremia, a një nga profitëritë.”
15 U thot’ atyre: “Po ju cili thoni se jam unë?”
16 Edhe Simon Pietri u përgjeq e tha: “Ti je Krishti, i bir’ i Perëndisë gjallë.”
17 Edhe Jisuj u përgjeq e i tha: “I lumurë je ti, Simon biri Jonajt, sepse mish edhe gjak nukë ta sbuloj ty këtë, po im Atë që është ndë qiejet.
18 Edhe unë po të them, se ti je Pietër [shkëmp guri ], edhe përmbi këtë shkëmp guri do të ndërtonj qishënë time; edhe dyert’ e hadhit nukë do të kenë fuqi përmbi atë.
19 Edhe do të t’ap tyj qjyçet’ e mbëretërisë qiejevet; edhe ç’të lithç mbi dhet, do të jetë lidhurë ndë qiejet; edhe ç’të sgjithç mbi dhet, do të jetë sgjidhurë ndë qiejet.
20 Atëhere porositi nxënësit’ e ti të mos i thonë asndonjërit, se ay është Jisu Krishti.
21 Që atëhere Jisuj zuri t’u dëftenjë nxënësëvet ti, se duhetë të vejë ndë Jerusalim, edhe të pësonjë shumë nga pleqt’ e nga kryepriftërit’ e nga shkronjësitë, edhe të vritetë, edhe të tretënë ditë të ngjalletë.
22 Atëhere Pietri e mori mbënjanë , e zuri ta qërtonjë, tuke thënë: “Le të dhëmbetë vetëheja jote, Zot; mos u bëftë këjo te ti”.
23 Po ay u këthye e i tha Pietrit: “Ik prej meje, Satana, se më je skandhall; sepse s’ke ndër mënt punët’ e Perëndisë, po punët’ e njerëzëvet.”
24 Atëhere Jisuj u tha nxënësëvet ti: “Kush të dojë të vinjë prapa meje, le të mohonjë vetëhen’ e ti, edhe le të ngrerë kryqin’ e ti, edhe le të vinjë pas meje.
25 Sepse ay që të dojë të shpëtonjë jetën’ e ti, do ta humbasë atë; edhe ay që të humbasë jetën’ e ti për punë time, do ta gjenjë atë.
26 Sepse ç’dobi ka njeriu, ndë fitoftë tërë botënë, e të dëmtonjë shpirtin’ e ti? Apo ç’do të apë njeriu për këmbyerie të shpirtit të ti?
27 Sepse ka për t’ardhur’ i Bir’ i njeriut ndë lavdi t’Atësë ti bashkë me engjujt’e ti; edhe atëhere do t’ia shpaguanjë gjithë-se-cilit pas punuës’ ati.
28 Me të vërtetë u them juve, se janë ca nga ata që rrinë këtu, të cilëtë nukë do të ngjëronenë vdekëje, gjer sa të shohënë të Bir’ e njeriut tuke ardhurë ndë mbëretëri të ti.