Predikimi i Gjon Pagëzorit
(Mt 3.1-12Lk 3.1-9, Lk 15-17Gjn 1.19-28)1 Fillimi i ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë. 2 Ndodhi sikurse është shkruar te profeti Isai:
ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim
përpara teje,
që të përgatisë udhën tënde.
3 Ai është zëri
që thërret në shkretëtirë:
bëni gati udhën për Zotin,
drejtoni shtigjet e tij.
4 Gjon Pagëzori doli në shkretëtirë dhe u predikonte njerëzve të pendoheshin e të pagëzoheshin, që t'u faleshin mëkatet. 5 Njerëz nga e gjithë krahina e Judesë dhe të gjithë banorët e Jerusalemit shkonin tek ai e pagëzoheshin prej tij në lumin Jordan, duke rrëfyer haptazi mëkatet e tyre. 6 Gjoni ishte i veshur me një rrobë prej leshi deveje, mbante një brez lëkure rreth ijëve e hante karkaleca e mjaltë të egër. 7 Ai predikonte e thoshte: «Pas meje vjen ai që është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i denjë të ulem as për t'i zgjidhur lidhëset e sandaleve. 8 Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t'ju pagëzojë me Shpirtin e shenjtë».
Pagëzimi i Jezuit
(Mt 3.13-17Lk 3.21-22)9 Gjatë atyre ditëve Jezui erdhi nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua prej Gjonit në Jordan. 10 Menjëherë, ndërsa po dilte nga uji, pa qiejt që po hapeshin dhe Shpirtin si një pëllumb duke zbritur mbi të. 11 Atëherë u dëgjua një zë nga qielli: «Ti je Biri im i dashur. Me ty jam i kënaqur».
Tundimi i Jezuit
(Mt 4.1-11Lk 4.1-13)12 Menjëherë Shpirti e çoi Jezuin në shkretëtirë. 13 Ai qëndroi në shkretëtirë dyzet ditë, i tunduar nga Satani. Rrinte me egërsira dhe engjëjt i shërbenin.
Shërbesa në Galile
(Mt 4.12-17Lk 4.14-15)14 Pasi e kapën Gjonin, Jezui shkoi në Galile, ku predikonte ungjillin e Perëndisë 15 e thoshte: «Erdhi koha, mbretëria e Perëndisë është afër; pendohuni e besoni në ungjill».
Thirrja e katër peshkatarëve
(Mt 4.18-22Lk 5.1-11)16 Ndërsa kalonte bregut të liqenit të Galilesë, Jezui pa Simonin e Andrean, vëllanë e Simonit, që po hidhnin rrjetat në liqen. Ata ishin peshkatarë. 17 Jezui u tha: «Ejani pas meje e unë do t'ju bëj peshkatarë njerëzish». 18 Ata lanë menjëherë rrjetat e shkuan pas tij. 19 Pak më tutje Jezui pa Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, të vëllanë, që ishin në varkë duke arnuar rrjetat 20 dhe i thirri menjëherë. Ata lanë në varkë Zebedeun, atin e tyre, bashkë me shërbëtorët e shkuan pas tij.
I pushtuari nga një shpirt i ndyrë
(Lk 4.31-37)21 Pastaj shkuan në Kafarnaum dhe menjëherë, ditën e shtunë, Jezui hyri në sinagogë e filloi të mësonte njerëzit. 22 Ata mahniteshin nga mësimi i tij, se i mësonte me pushtet e jo si shkruesit. 23 Në sinagogë ishte një njeri i pushtuar nga një shpirt i ndyrë 24 që filloi të thërriste: «Çfarë ke me ne, o Jezu i Nazaretit? A ke ardhur të na shkatërrosh? Unë e di kush je: ti je i shenjti i Perëndisë». 25 Por Jezui e qortoi e i tha: «Hesht e dil prej tij!». 26 Shpirti i ndyrë doli prej tij duke e shkundur e duke thirrur me zë të lartë. 27 Të gjithë u mahnitën e pyesnin njëri-tjetrin: «Ç'është kjo? Një mësim i ri, i dhënë me pushtet! Ai urdhëron deri edhe shpirtrat e ndyrë e ata i binden».
28 E sakaq fama e tij u përhap kudo nëpër rrethinat e Galilesë.
Shërimi i shumë njerëzve
(Mt 8.14-17Lk 4.38-41)29 Kur doli nga sinagoga, Jezui shkoi menjëherë në shtëpinë e Simonit e të Andreas, bashkë me Jakobin e Gjonin. 30 Sapo hyri, i treguan për vjehrrën e Simonit që dergjej në shtrat me ethe. 31 Ai iu afrua, e mori për dore dhe e ngriti. Atëherë atë e lanë ethet e filloi t'u shërbente.
32 Në mbrëmje, në perëndim të diellit, sollën tek ai të gjithë të sëmurët dhe të pushtuarit nga djalli. 33 I tërë qyteti ishte mbledhur te dera. 34 Jezui shëroi shumë veta që vuanin nga sëmundje të ndryshme e dëboi shumë djaj. Ai nuk i lejonte djajtë të flisnin, sepse ata e dinin kush ishte.
Predikimi i ungjillit
(Lk 4.42-44)35 Në mëngjes herët, shumë kohë përpara se të agonte, Jezui u ngrit e shkoi në një vend të shkretë për t'u lutur. 36 Simoni dhe të tjerët që ishin me të shkuan pas tij, 37 e gjetën e i thanë: «Të gjithë po të kërkojnë». 38 Ai u tha: «Le të shkojmë më tej në fshatrat e tjera, që të predikoj edhe atje, sepse për këtë gjë kam ardhur». 39 Dhe shkonte nëpër gjithë Galilenë, duke predikuar në sinagogat e tyre e duke dëbuar djajtë.
Pastrimi i të lebrosurit
(Mt 8.1-4Lk 5.12-16)40 Një i lebrosur shkoi tek ai dhe, duke iu përgjëruar e duke i rënë në gjunjë, i tha: «Po të duash, ti mund të më pastrosh». 41 Jezui ndjeu dhembshuri, shtriu dorën, e preku e i tha: «Dua. Pastrohu!». 42 Dhe lebra e la menjëherë e ai u pastrua. 43 Jezui e largoi menjëherë dhe e urdhëroi rreptësisht: 44 «Mos i trego njeriu, por shko paraqitu te prifti dhe kushto për pastrimin tënd atë që ka urdhëruar Moisiu. Kjo do t'u shërbejë si dëshmi». 45 Por sapo doli, ai filloi të hapte fjalë e ta shpallte këtë gjë, saqë Jezui nuk mundi të hyjë më haptas në qytet, por qëndroi jashtë nëpër vende të shkreta. Dhe njerëzit vinin tek ai nga çdo anë.
1 Të nisurit’ e ungjillit të Jisu Krishtit, të Birit Perëndisë;
2 Sikundrë është shkruarë ndë profitërit: “Na unë te po dërgonj ëngjëllinë tim përpara faqesë sate, ay do të ndreqjë udhënë tënde përpara teje”.
3 “Zëri ati që bërtet ndë shkretëtirët: Bëni gati udhën’ e Zotit, bëni rrugat’ e ati të drejta.”
4 Joanni ishte tuke pagëzuarë ndë shkretëtirët, edhe tuke leçiturë pagëzim pendimi për ndëlesën’ e falevet.
5 Edhe gjithë vëndi i Judhesë edhe Jerosolimitëtë dilninë tek ay, edhe të gjithë pagëzoneshinë nga ay ndë lumë të Jordhanit, tuke rrëfyerë falet’ e tyre.
6 Edhe Joanni ishte veshurë me qime kamilleje, edhe ngjeshurë me bres të lëkurtë ndë mes të ti, edhe hante karkaleca e mialtë t’egërë.
7 Edhe leçiste, tuke thënë: “Prapa meje vien më i forti se unë, të cilit s’jam i zoti të unjem e t’i sgjith rrypin’ e këpucëvet.
8 Un’ u pagëzova juve me ujë; po ay do t’u pagëzonjë juve me Frymë të Shënjtëruarë.”
9 Edhe nd’ato dit Jisuj erdhi nga Nazareti i Galilesë, edhe u pagëzua nga Joanni ndë Jordhan.
10 Edhe përnjëherë, tuke dalë nga ujëtë, pa qiejetë hapurë, edhe Frymën’e Shënjtëruarë posi pëllump tuke sbriturë mbi atë.
11 Edhe erdhi një zë nga qiejetë, tuke thënë : “Ti je Biri im i dashuri, që pëlqeva.”
12 Edhe përnjëherë Fryma e nxier ndë shkretëtirët.
13 Edhe ish atie ndë shkretëtirët dyzet dit, e ngitej nga Satanaj; edhe ish bashkë me egërsirat, edhe ëngjëjt’ i shërbeninë.
14 Edhe Joanni passi u dha ndër duar, Jisuj erdhi ndë Galilet, tuke leçitur’ ungjillin’e mbëretërisë Perëndisë, e tuke thënë:
15 “Se u mbush koha, edhe u afrua mbëretëria e Perëndisë; pendohi, edhe i besoni ungjillit.”
16 Edhe tuke ecurë ndaj detit Galilesë, pa Simonë edhe Andrenë, të vëllan’ e ati, tuke hedhurë rrietë ndë det; sepse ishinë peshkatorë.
17 Edhe Jisuj u tha atyre: :Ejani pas meje, edhe do t’u bëj juve të bëneni peshkatorë njerëzish.”
18 Edhe ata përnjëherë lanë rrietat’ e tyre, edhe vanë pas ati.
19 Edhe posa vate prej andej pak më tej , pa Jakovinë, të birr ë e Zevedheut, edhe Joanninë, të vëllan’ e ati, edhe ata ishinë ndë lundrët tuke ndrequrë rrietat.
20 Edhe përnjëherë thirri ata, edhe ata lanë tatën’ e tyre Zevedhenë ndë lundrët bashkë me punëtorëtë, e vanë pas ati.
21 Edhe shkojënë brënda ndë Kapernaum; edhe Jisuj përnjëherë për të shëtunë hyri ndë sinagogji, e mësonte.
22 Edhe çuditeshinë për mësimin’ e ati; sepse ishte tuke mësuar’ ata sikur kish urdhër, edhe jo posi shkronjësitë.
23 Edhe ishte ndë sinagogjit t’atyreve një njeri që kish frymë të ndyrë, edhe bërtiti tuke thënë:
24 “Mjer! Ç’ke me ne edhe ti, Jisu Nazarinas? Erdhe të na humbaç? Të di cili je, Shënjti i Perëndisë.”
25 Po Jisuj e qërtoj, tuke thënë: “Mbëçil golënë, edhe dil nga ay.”
26 Edhe frym’ e ndyrë, si e shkleu, edhe bërtiti me zë të math, dolli nga ay.
27 Edhe të gjithë u habitnë, kaqë sa pyesninë njëri tiatrinë, tuke thënë: “Ç’është këjo punë ? Ç’është kyj mësim i ri? Sepse urdhëron me pushtet edhe frymat’ e ndyra, edhe i dëgjojënë.”
28 Edhe përnjëherë i dolli zëri ndëpër gjith’ atë vënt rreth Galilesë.
29 Edhe përnjëherë si duallnë nga sinagogjia, erthnë ndë shtëpit të Simonit e të Andhreut, bashkë me Jakovin’ e më Joanninë.
30 Edhe e viehërra e Simonit po dirgjej ndër ethe; edhe ata përnjëherë i thonë për atë.
31 Edhe ay u afrua, edhe e rroku për dore, edhe e ngriti; edhe e lanë ethetë përnjëherë, edhe u shërbente atyre.
32 Edhe si u ngrys, mbë të perënduarët të diellit, prunë tek ay gjith’ ata që kishinë keq edhe të diallosuritë.
33 Edhe gjithë qyteti ish mbëledhurë te dera.
34 Edhe ay shëroj shumë nga ata që kishinë keq prej gjithë çfarë sëmundëjesh; edhe kërreu shumë diaj, edhe s’linte diajtë të flasënë, sepse e njihninë.
35 Edhe u ngre me natie fort shpejt, e dolli, edhe vate ndë një vënt të shkretë, edhe falej atie.
36 Edhe Simoni, edhe ata që ishinë bashkë me atë, e ndoqnë prapa.
37 Edhe kur e gjetnë, i thonë se: “Të gjithë po të kërkojënë.”
38 Edhe ay u thotë atyre: “Le të vemi ndër kryefshatra të afëra, që të leçis edhe atie; sepse për këtë punë kam dalurë.
39 Edhe ishte tuke leçiturë ndëpër sinagogjit t’atyre, ndëpër gjithë Galilenë, edhe tuke kërryerë diajtë.
40 Edhe një i krromosur’ vien tek ay, e i lutetë, edhe bie ndë gjunj përpara ati, e i thotë, se: “Ndë daç, munt të më qërojç.”
41 Edhe Jisujt iu dhëmp, ngjati dorënë, edhe e preku e i thotë: “Dua, qërohu.”
42 Edhe ay posa tha këtë , përnjëherë i shkoj krroma, edhe u qërua.
43 Edhe si e porositi me shtrëngim, përnjëherë e kërreu jashtë, Edhe i thotë:
44 “Vështro mos i thuaç gjë ndonjërit, po shko, e dëfto vetëhenë tënde te prifti, edhe bierë për të qëruarëtë tat ato që ka urdhëruarë Mojsiu për martiri mb’ata.”
45 Po ay si dolli nisi të leçisë shumë, edhe të hapë fialënë, kaqë sa ay s’munt të hynte më faqeza ndë qytet; po ish jashtë ndëpër vënde të shkretë, edhe vijnë atie tek ay nga gjith’ anëtë.