Dorëzimi te Pilati
(Mk 15.1Lk 23.1-2Gjn 18.28-32)1 Në mëngjes herët të gjithë kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit vendosën së bashku ta dënonin Jezuin me vdekje. 2 Pasi e lidhën, e morën e ia dorëzuan Pilatit, qeveritarit.
Vdekja e Judës
(Vp 1.18-19)3 Kur pa Juda, ai që e tradhtoi, se Jezuin e dënuan, u pendua, ia ktheu kryepriftit e pleqve tridhjetë monedhat e argjendta 4 e u tha: «Kam mëkatuar se tradhtova gjakun e pafajshëm». Ata i thanë: «E ç'na duhet neve! Kjo është punë për ty». 5 Pasi i hodhi monedhat e argjendta në tempull, u largua dhe shkoi e vari veten.
6 Kryepriftërinjtë morën monedhat e argjendta e thanë: «Nuk është e lejueshme t'i vëmë këto para në thesarin e tempullit, sepse janë para gjaku». 7 Atëherë vendosën të blinin me to arën e një poçari për ta bërë varrezë të huajsh. 8 Për këtë arsye ajo arë është quajtur deri më sot «Ara e Gjakut». 9 Kështu u përmbush çfarë qe thënë nga profeti Jeremi:
i morën tridhjetë monedhat e argjendta,
çmimi që kishin dhënë bijtë e Izraelit,
10 e blenë me to Arën e Poçarit,
siç më kishte urdhëruar Zoti.
Te Pilati
(Mk 15.2-5Lk 23.3-5Gjn 18.33-38)11 Jezui qëndronte para qeveritarit dhe ai e pyeti: «A je ti mbreti i judenjve?». Jezui i tha: «Ti vetë po e thua». 12 Por, kur e padisnin kryepriftërinjtë dhe pleqtë, nuk jepte asnjë përgjigje. 13 Atëherë Pilati i tha: «A nuk dëgjon sa gjëra po dëshmojnë kundër teje?». 14 Por Jezui nuk iu përgjigj asnjë padie, gjë që e çuditi shumë qeveritarin.
Dënimi me vdekje
(Mk 15.6-15Lk 23.13-25Gjn 18.39—19.16)15 Për çdo festë Pashke qeveritari e kishte bërë zakon të lironte një të burgosur sipas kërkesës së turmës. 16 Në atë kohë kishin në burg një të burgosur shumë të njohur që quhej Jezu Baraba. 17 Kur u mblodh turma, Pilati u tha: «Cilin doni t'ju liroj, Jezu Barabën apo Jezuin që quhet Krisht?». 18 Sepse e dinte se Jezuin e kishin dorëzuar nga smira.
19 Ndërsa Pilati ishte i ulur në fronin e gjykatësit, e shoqja i çoi fjalë: «Mos u ngatërro me atë njeri të drejtë, sepse sot kam vuajtur shumë në ëndërr për shkak të tij». 20 Por kryepriftërinjtë e pleqtë ia mbushën mendjen turmës që të kërkonin Barabën e të vrisnin Jezuin. 21 Qeveritari u tha përsëri: «Cilin nga të dy doni t'ju liroj?». Ata iu përgjigjën: «Barabën!». 22 Pilati i pyeti: «Atëherë çfarë të bëj me Jezuin që quhet Krisht?». Të gjithë i thanë: «Të kryqëzohet!». 23 Ai u tha: «Përse, ç'të keqe ka bërë?». Por ata thirrën edhe më fort: «Të kryqëzohet!». 24 Kur Pilati e pa se nuk po arrinte asgjë, por përkundrazi, po fillonte rrëmuja, mori ujë, lau duart para turmës e tha: «Unë nuk kam faj për gjakun e këtij njeriu. Është puna juaj!». 25 I gjithë populli u përgjigj: «Gjaku i tij rëntë mbi ne e mbi fëmijët tanë!». 26 Atëherë Pilati liroi Barabën, ndërsa Jezuin, pasi e fshikulluan, e dorëzoi që ta kryqëzonin.
Tallja
(Mk 15.16-20Gjn 19.2-3)27 Atëherë ushtarët e qeveritarit e futën Jezuin në pretorium dhe mblodhën tek ai tërë kohortën. 28 E zhveshën dhe e mbështollën me një petk të kuq. 29 Pastaj thurën një kurorë me gjemba e ia vunë në kokë. Në dorë i dhanë një kallam dhe, duke rënë në gjunjë para tij, talleshin me të e i thoshin: «Tungjatjeta, o mbreti i judenjve!». 30 E pështynë, morën një kallam dhe e godisnin në kokë. 31 Pasi e tallën, ia hoqën petkun, e veshën me rrobat e veta dhe e çuan për ta kryqëzuar.
Kryqëzimi
(Mk 15.21-32Lk 23.26-43Gjn 19.17-27)32 Kur dolën përjashta, ndeshën një njeri nga Kirena, që quhej Simon, të cilin e detyruan të mbartte kryqin e Jezuit. 33 Kur arritën te një vend që quhet Golgota, që do të thotë «Vendi i Kafkës», 34 i dhanë të pijë verë me një përzierje të hidhur, por kur e provoi, Jezui nuk deshi ta pijë.
35 Pasi e kryqëzuan, hodhën short për të ndarë rrobat e tij. 36 Pastaj u ulën e po e ruanin. 37 Mbi kokë i vunë shkrimin me shkakun e dënimit: «Ky është Jezui, mbreti i judenjve». 38 Bashkë me të kryqëzuan edhe dy kusarë, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë.
39 Kalimtarët e fyenin, tundnin kokën 40 e thoshin: «Ti që do ta shkatërroje tempullin e do ta ndërtoje për tri ditë, shpëto veten nëse je Biri i Perëndisë e zbrit nga kryqi!». 41 Edhe kryepriftërinjtë me shkruesit dhe pleqtë e tallnin e thoshin: 42 «Të tjerët i shpëtoi, ndërsa veten nuk e shpëtuaka dot. Ky që qenka mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi e atëherë do t'i besojmë. 43 Ky ka besuar në Perëndinë e ka thënë se është Biri i Perëndisë! Atëherë le ta shpëtojë Perëndia nëse e do». 44 Edhe kusarët që ishin kryqëzuar bashkë me të e përqeshnin në të njëjtën mënyrë.
Vdekja
(Mk 15.33-41Lk 23.44-49Gjn 19.28-30)45 Që nga mesdita e deri në orën tre pasdite u bë errësirë në gjithë tokën. 46 Rreth orës tre pasdite Jezui thirri me zë të lartë: «Eli, Eli, lema sabakthani ?» që do të thotë: «Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise ?». 47 Disa nga ata që ishin aty kur e dëgjuan, thanë: «Ky po thërret Elinë». 48 Njëri prej tyre vrapoi, mori një sfungjer, e ngjeu në uthull, e vuri në një kallam e ia dha për ta pirë. 49 Të tjerët thoshin: «Prisni të shohim nëse do të vijë Elia për ta shpëtuar».
50 Jezui thirri përsëri me zë të lartë e dha shpirt. 51 Atëherë veli i tempullit u gris më dysh nga lart deri poshtë, toka u drodh e shkëmbinjtë u çanë. 52 Edhe varret u hapën e shumë trupa të shenjtësh që kishin vdekur u ngjallën 53 dhe, pasi dolën nga varret pas ngjalljes së tij, shkuan në qytetin e shenjtë e iu shfaqën shumë njerëzve.
54 Kryeqindësi dhe të tjerët që ishin me të për të ruajtur Jezuin, kur panë tërmetin dhe gjithçka që ndodhi, u frikësuan shumë e thanë: «Me të vërtetë ky qenka Biri i Perëndisë».
55 Aty gjendeshin edhe shumë gra që kishin shkuar pas Jezuit që nga Galilea dhe i kishin shërbyer. Ato po shikonin nga larg. 56 Ndër to ishte Maria Magdalena, Maria, nëna e Jakobit dhe Jozefit, si dhe nëna e bijve të Zebedeut.
Varrimi
(Mk 15.42-47Lk 23.50-56Gjn 19.38-42)57 Në mbrëmje erdhi një njeri i pasur nga Arimateja me emrin Jozef. Edhe ai kishte qenë dishepull i Jezuit. 58 Ai shkoi te Pilati e i kërkoi trupin e Jezuit. Atëherë Pilati urdhëroi t'ia jepnin.
59 Jozefi e mori trupin e Jezuit, e mbështolli me një pëlhurë të pastër prej liri 60 dhe e vendosi në varrin e ri që kishte hapur për vete në shkëmb. Pastaj rrokullisi një gur të madh te gryka e varrit e u largua.
61 Maria Magdalena dhe Maria tjetër po rrinin përballë varrit.
Rojat te varri
62 Të nesërmen ishte e shtunë . Kryepriftërinjtë dhe farisenjtë u mblodhën te Pilati 63 e i thanë: «Zotëri, na kujtohet se ai mashtrues, kur ishte ende gjallë, pati thënë: “Pas tri ditësh do të ngjallem”. 64 Prandaj jep urdhër që të sigurohet varri deri ditën e tretë, që të mos shkojnë dishepujt e tij për ta vjedhur trupin e pastaj t'i thonë popullit: “U ngjall prej të vdekurve”. Kështu mashtrimi i fundit do të jetë më i madh se i pari». 65 Pilati u tha: «Merrni roja dhe shkoni e siguroni varrin sa më mirë». 66 Ata shkuan dhe pasi e vulosën gurin e vendosën roja, e siguruan varrin.
1 Edhe si u gëdhi, gjithë kryepriftërit’ edhe pleqt’ e llauzit dhan’ e muarnë këshillë kundrë Jisujt, që ta vrasënë.
2 Edhe si e lithnë, e shpunë edhe e dhanë ndër duart të Ponti Pillatit, qivernitarit.
3 Atëhere kur pa Judha, ay që e trathtoj, se u gjykua për vdekëje, u pendua, edhe këtheu prapë tridhietë argjëndatë te kryepriftërit’edhe te pleqtë, tuke thënë:
4 “Fëjeva që dhash ndër duar gjak të pafaj.” Edhe ata thanë: Ç’punë kemi neve? Ti ke për të parë.
5 Edhe ay hodhi argjëndatë ndë tempullë e iku; edhe vate e u var.
6 Edhe kryepriftëritë si muarnë argjëndatë, thanë: “Nuk’ësht’ e udhësë t’i vëm’ ato ndë thesar të tempullit, sepse janë nder gjaku.”
7 Edhe si muarn’ e dhanë këshillë, blenë arën’ e shtëmbarit me ato, për të kallurë ndë varr të huajtë.
8 Përandaj ajo arë u qjuajt Arë gjaku, gjer mbë ditë të sorme.
9 Atëhere u mbush ç’është thënë nga an’ e profitit Jeremi, që thotë: “Edhe muarnë tridhiet’ argjëndatë, nderin’e të çëmuarit, të cilin e çmuanë nga të bijt’e Israilit,
10 edhe i dhanë nd’ arë të shtëmbarit, sikundrë më porositi Zoti”.
11 Edhe Jisuj ndenji përpara qivernitarit; edhe qivernitari e pyeti, tuke thënë: “Ti je mbëreti Judhenjvet?”
12 Edhe Jisuj i tha: “Ti po thua.” Edhe ay kur përflitej nga kryepriftëritë edhe nga pleqtë, nukë përgjigjej fare.
13 Atëhere Pillati i thotë: “Nukë dëgjon sa martirisinë kundrë teje?”
14 Po ay nuk’ iu përgjeq as mbë ndonjë fialë, kaqë sa qivernitari çuditej fort.
15 Edhe qivernitari kishte zakon për të kremte t’i lëshonte gjëndëjesë një të lidhurë, cilinë të doninë ata.
16 Edhe atëhere kishinë një të lidhurë me emërë, që thuhej Varavva.
17 Edhe ata kur ishinë mbëledhurë, Pillati u tha atyre: “Cilinë doni t’u lëshonj juve, Varavvanë, apo Jisunë që thuhetë Krisht?”
18 Sepse e dinte, se e dhanë ndër duar nga cmiri.
19 Edhe ay tuke ndenjurë mbi front të gjyqit, gruaja e ati dërgoj tek ay, e i tha: “Ti mos i bëj gjë ati të drejti, sepse sot pësova shumë nd’ ëndërrë për atë.”
20 Edhe kryepriftërit’ edhe pleqtë i mbushnë mëndëjenë gjëndëjesë që të lypnjënë Varavvanë, edhe Jisunë ta prishnjënë.
21 Edhe qivernitari u përgjeq e u tha atyre: “Cilinë doni nga këta të dy t’u lëshonj juve?”
22 Edhe ata thanë: “Varavvanë”. Pillati u thot’ atyre: “Ç’do ta bënj pra Jisunë, që thuhetë Krisht?” Të gjith’i thonë: “Le të kryqëzonetë.”
23 Edhe qivernitari tha: “Përse, ç’të keqe ka bërë?” Po ata bërtisninë më tepërë, tuke thënë: “Le të kryqëzonetë.”
24 Edhe Pillati si pa, se s’ka dobi, po më tepërë trazyrë bënetë, mori ujë e lau duartë përpara gjëndëjesë, tuke thënë: “Pa faj jam nga gjaku i këti të drejti; ju e keni për të parë.”
25 Edhe gjithë llauzi u përgjeq e tha: “Gjaku i ati qoftë mbi ne edhe mbi bijtë tanë.”
26 Atëhere u lëshoj atyre Varravanë; edhe Jisunë si e rrahu me shufrë, e dha ndër duar që të kryqëzonetë.
27 Atëhere ushtëtorët’ e qivernitarit muarnë me vetëhe Jisunë ndë vënt të gjyqit, edhe mbëlothnë mbi atë gjithë tufën’ e ushtëtorëvet.
28 Edhe e sveshnë, e i veshnë ati një hllamidhë të kuqe.
29 Edhe gërshëtuanë një kurorë ferrash, e ia vunë mbi kryet, edhe i dhanë një kallam ndë dorë të diathtë; edhe ranë mbë gjunjë përpara ati, edhe e përqeshninë, tuke thënë: “Gëzonu, o mbëret i Judhenjvet.”
30 Edhe si e pështytnë, muarnë kallamin’ e i bininë kres’ ati.
31 Edhe passi e përqeshnë, i sveshnë hllamidhënë, edhe i veshnë rrobet’ e tija; edhe e shpunë ta kryqëzonjënë.
32 Edhe tuke dalë, gjetnë një njeri Qyrineas, që e kishte emërinë Simon; këtë e zun’ angari që të ngrerë kryqin’ e ati.
33 Edhe kur erthnë ndë vënt që thuhetë Gollgotha, ay është që thuhetë vëndi i Kresë,
34 I dhanë të pijë uthullë përzierë me t’ëmbëlë; po ay si u ngjërua, nukë desh të pijë.
35 Edhe si e kryqëzuanë, hothnë shortë, e ndanë rrobet’ e ati; që të mbushetë ç’është thënë nga profiti: “Ndanë rrobet’ e mija mbë vetëhe të tyre, edhe hothnë shortë mbi të veshurit tim.”
36 Edhe tuke ndenjurë ruanin’ atë atie.
37 Edhe vunë sipër kresë ati punën’ e ati shkruarë: K y j ë s h t ë J i s u j m b ë r e t i J u d h e n j v e t.
38 Atëhere kryqëzonenë bashkë me atë dy kursarë, një mb’anë të diathtë, edhe një mb’anë të mëngjërë.
39 Edhe ata që shkoninë përanë vllasfimisinë tuke tundurë krerët’ e tyre, e tuke thënë:
40 “Ti që prish tempullinë, edhe e ndërton për tri dit, shpëto vetëhenë tënde; ndë je i bir’ i Perëndisë, sbrit nga kryqi.”
41 Kështu edhe kryepriftëritë tuke e përqeshurë bashkë me shkronjësit’ edhe me pleqtë thoshinë:
42 “Të tierë shpëtoj, vetëhen’ e ti nukë munt ta shpëtonjë; nd’ është mbëret i Israilit, le të sbresë ndashti nga kryqi, edhe t’i mbesojmë.
43 Shpërente mbë Perëndinë; le ta shpëtonjë ndashti ndë e dashtë; sepse tha: “Se jam bir Perëndie.”
44 Ashtu edhe kursarëtë që ishinë kryqëzuarë bashkë me atë e shaninë.
45 Edhe që mbë të gjashtën’ orë u bë një errësirë mbi gjithë dhenë, gjer mbë të nëntën’ orë.
46 Edhe mbë të nëntën’ orë Jisuj bërtiti me zë të math, tuke thënë: “Ili, Ili, llama savahthani?” që do me thënë: “Perëndia im, Perëndia im, përse hoqe dorë prej meje?”
47 Edhe ca nga ata që ishinë atie kur dëgjuanë, thanë, se “Kyj po thërret Ilinë.”
48 Edhe përnjëherë u lëshua një nga ata, e mori një sfungar, edhe e mbushi me uthullë, edhe e vuri mbë një kallam, e i epte të pijë.
49 Edhe të tierëtë thoshinë: “Le të shohëmë, ndë qoftë se vien Ilia ta shpëtonjë.”
50 Edhe Jisuj përsëri bërtiti me zë të math, e dha shpirtinë.
51 Edhe ja kurtin’ e tempullit tek u ça mbë dy, prej së larti gjer poshtë; edhe dheu u tunt; edhe gurëtë plasnë;
52 Edhe varret’ u hapnë, edhe shumë trupe shënjtorësh që kishinë vdekurë u ngjallnë.
53 Edhe duallnë nga varretë pas të ngjallurit’ ati, e hynë ndë qytet të shënjtëruarë, edhe u duknë mbë shumë vetë.
54 Edhe urdhër-qindësi edhe ata që ishinë bashkë me atë tuke ruajturë Jisunë, kur panë tërmetin’ edhe ç’punëra u bënë, u frikësuanë fort, e thanë: “Me të vërtetë kyj paska qënë bir Perëndie.”
55 Edhe atie ishinë shumë gra tuke vënë re prej së largu, të cilatë kishinë vaturë prapa Jisujt nga Galilea, tuke i shërbyer’ ati;
56 Ndër ato ishte Maria Magdhalini, edhe Maria e ëm’ e Jakovit edhe Josiut, edhe e ëm’ e të bijvet të Zevedheut.
57 Edhe si u ngrys, erdhi një njeri i pasurë nga Arimathea që e kishte emërinë Josif, që edhe ay vetë kishte pasurë qënë nxënës te Jisuj.
58 Kyj vate te Pillati, e lypi trupin’ e Jisujt. Atëhere Pillati urdhëroj t’i epetë trupi.
59 Edhe Josifi mori trupnë edhe e pështolli me pëlhurë të pastrë;
60 Edhe e vuri ndë varrt të ti të rinë, që e kishte rëmuarë ndë shkëmpt të gurit , edhe si rrukullisi një gur të math ndë derët të varrit, iku.
61 Edhe atie ishte Maria Magdhalini, edhe Maria tiatërë, tuke ndenjurë kundruell varrit.
62 Edhe mbë të nesërmenë, që është pas së premtesë, u mblothnë kryepriftërit’ edhe Farisejtë te Pillati, tuke thënë:
63 “Zot, neve mbajmë mënt, se ay gënjeshtari tha kur qe gjallë, se: Pas tri diç do të ngjallem.
64 Urdhëro pra të ruhetë varri gjer mbë të tretënë ditë, se mos vinjënë nxënësit’ e ati natën’ edhe e viedhënë, edhe i thonë llauzit, se: U ngjall nga të vdekuritë; edhe gënjeshtr’ e pastajme do të jetë më e keqe se e para.”
65 Edhe Pillati u tha atyre: “Keni ruajtësa, shkoni, e siguroeni si të dini.”
66 Edhe ata vanë e siguruanë varrinë, tuke vulosurë gurinë, bashkë me ruajtësit.