Përshëndetje
1 Pali, Silvani dhe Timoteu, po i shkruajmë kishës së selanikasve që i përket Perëndisë, Atit tonë, dhe Zotit Jezu Krisht: 2 paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë dhe nga Zoti Jezu Krisht!
Gjykimi kur të vijë Krishti
3 Ne duhet ta falënderojmë gjithnjë Perëndinë për ju, o vëllezër, dhe kjo është e drejtë, sepse besimi juaj po rritet shumë dhe dashuria e secilit prej jush për njëri-tjetrin po shtohet. 4 Prandaj ne vetë krenohemi me ju para kishave të Perëndisë për durimin tuaj dhe për besimin që keni në tërë përndjekjet e vuajtjet që po kaloni.
5 Kjo tregon se Perëndia gjykon me drejtësi dhe do t'ju bëjë të denjë për mbretërinë e tij, për shkak të së cilës po vuani. 6 Perëndia do të bëjë atë që është e drejtë dhe do t'u japë mundime atyre që po ju mundojnë, 7 ndërsa ju do t'ju çlirojë nga mundimet që po kaloni, ashtu si do të na çlirojë edhe ne kur të vijë Zoti Jezu nga qielli bashkë me engjëjt e tij të fuqishëm. 8 Ai do të vijë me zjarr flakërues për të marrë shpagim nga ata që nuk e njohin Perëndinë dhe që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezu. 9 Këta do të ndëshkohen me shkatërrimin e amshuar, të ndarë nga prania e Zotit dhe nga lavdia e fuqisë së tij. 10 Atë ditë ai do të vijë për t'u përlëvduar bashkë me të shenjtët e vet e për t'u admiruar bashkë me të gjithë ata që i kanë besuar, sepse ju i besuat dëshmisë sonë.
11 Ne lutemi gjithnjë për ju, që Perëndia t'ju bëjë të denjë për të përmbushur thirrjen e tij dhe që me fuqinë e tij të arrini çdo qëllim të mirë e të përsosni çdo vepër të besimit tuaj. 12 Kështu, emri i Zotit tonë Jezu do të përlëvdohet prej jush dhe ju do të përlëvdoheni prej tij, sipas hirit të Perëndisë tonë dhe të Zotit Jezu Krisht.
1 Pavli edhe Silluani edhe Timotheu te qisha e Thessallonikasvet, mbë Perëndinë, Atinë tënë, edhe mbë Zotinë Jisu Krisht;
2 Hirë qoftë mbë ju edhe paqtim nga Perëndia, Ati ynë, edhe nga Zoti Jisu Krisht.
3 Duhetët’i falemi ndersë përherë Perëndisë për ju, o vëllexër, sikundrë se vëjen, sepse besa juaj po shtonetë fort, edhe dashuria e kujdo prej jush mbë njëri tiatrinë po tepron;
4 Kaqë sa ne vetë mburremi për ju ndë qishat të Perëndisë, për durimnë tuaj edhe për besënë ndër gjithë të ndiekurat tuaja e ndër shtrëngimet që hiqni;
5 Që ajo është një dëftim i gjyqit drejtë të Perëndisë, që të bëhi ju të zotërit e mbëretërisë Perëndisë, që pësoni për atë.
6 Sepse ësht’ e udhësë përpara Perëndisë’ t’u apë shtrëngim atyreve që u shtrëngonjënë juve;
7 Po juve që shtrëngohi, të prëjturë bashkë me ne, kur të sbulonetë Zoti Jisu nga qielli bashke me ëngjëjt’ e fuqisë ti,
8 Me flakë ziarri, tuke ua shpaguar’ atyreve që nukë njohënë Perëndi, edhe atyreve që nuk’ i dëgjonjën ungjillit Zotit tënë Jisu Krishtit;
9 Të cilëtë do të mundonenë me të prishurë të pasosurë nga faqeja e Zotit, edhe nga lavdia e fuqis’ s’ati,
10 Kur të vinjë të lavdëronetë ndër shënjtorët të ti, edhe të bënet’ i çudiçim ndër gjith’ ata që besonjënë (sepse ju i zutë besë martirisë tonë), nd’atë ditë.
11 Përandaj edhe ne falemi përherë për ju, që t’u bënjë juve Perëndia ynë të zotërit’ e të thërriturit’ti, edhe të mbushë çdo pëlqimin’ e së mirësë, edhe punën e besësë me fuqi;
12 Që të lavdonetë emëri i Zotit tënë Jisu Krishtit ndër ju, edhe ju mb’ atë, pas hirit të Perëndisë tënë edhe Zotit Jisu Krisht.