Hananiahu e Sapfira
1 Një burrë që quhej Hananiah, bashkë me gruan e tij Sapfirën, shiti një pronë. 2 Një pjesë të fitimit e fshehu, me dijeninë e gruas, ndërsa pjesën tjetër ua dorëzoi apostujve. 3 Atëherë Pjetri i tha: «Hananiah, pse ta pushtoi zemrën Satani, që të gënjesh Shpirtin e shenjtë e të fshehësh një pjesë të fitimit të tokës? 4 Sa ishte pa shitur, a nuk ishte e jotja? Dhe kur e shite, a nuk e kishe ti në dorë të bëje ç'të doje me fitimin? Si vallë zuri vend në zemrën tënde ky veprim? Ti nuk ke gënjyer njerëzit, por ke gënjyer Perëndinë». 5 Kur dëgjoi këto fjalë, Hananiahu u rrëzua e dha shpirt. Të gjithë ata që i dëgjuan këto, i zuri një frikë e madhe. 6 Atëherë disa të rinj u ngritën, e mbështollën, e morën dhe e varrosën.
7 Rreth tri orë më vonë hyri gruaja e Hananiahut, e cila nuk dinte çfarë kishte ndodhur. 8 Pjetri e pyeti: «Më thuaj, për kaq e shitët tokën?». Ajo i tha: «Po, për kaq». 9 Atëherë Pjetri i tha: «Pse u bëtë në një mendje për të vënë në provë Shpirtin e Zotit? Ja, janë te dera ata që varrosën burrin tënd dhe që do të të mbartin edhe ty që këtej». 10 Dhe menjëherë ajo u rrëzua te këmbët e tij e dha shpirt.
Kur të rinjtë hynë brenda, e gjetën të vdekur. Atëherë e morën edhe atë që andej dhe e varrosën pranë burrit të vet. 11 Të gjithë kishën e të gjithë ata që dëgjuan këto i zuri një frikë e madhe.
Apostujt shërojnë shumë veta
12 Në popull bëheshin shumë shenja e mrekulli përmes duarve të apostujve. Të gjithë mblidheshin bashkë te Portiku i Solomonit. 13 Askush prej të tjerëve nuk guxonte të bashkohej me ta, ndërsa populli i nderonte.
14 Kështu numri i burrave dhe i grave që besonin në Zotin rritej gjithnjë e më shumë. 15 Të sëmurët i nxirrnin nëpër sheshe e i vendosnin nëpër shtroja e vigje, që kur të kalonte Pjetri, të paktën hija e tij të binte mbi ndonjë prej tyre. 16 Në Jerusalem u mblodh një numër i madh njerëzish nga qytetet përreth. Ata sollën të sëmurët e ata që mundoheshin nga shpirtrat e ndyrë dhe të gjithë u shëruan.
Apostujt përndiqen
17 Atëherë kryeprifti e të gjithë ata që ishin me të, domethënë sekti i saducenjve, u mbushën me smirë 18 dhe i kapën apostujt e i futën në burg . 19 Por gjatë natës një engjëll i Zotit hapi dyert e burgut, i nxori prej andej e u tha: 20 «Shkoni, hyni në tempull e ia shpallni popullit të gjitha fjalët e kësaj jete të re ». 21 Kur dëgjuan këtë gjë, ata hynë në tempull në agim e filluan të mësonin njerëzit.
Kur arriti kryeprifti dhe ata që ishin me të, mblodhi sinedrin e tërë pleqësinë e bijve të Izraelit dhe dërguan disa roja që të sillnin apostujt nga burgu. 22 Por kur rojat arritën te burgu, nuk i gjetën apostujt atje. Atëherë u kthyen e njoftuan: 23 «Ne e gjetëm burgun të mbyllur e të siguruar mirë dhe rojat e tij duke qëndruar më këmbë te dyert. Por kur i hapëm dyert nuk gjetëm askënd brenda». 24 Kur kryeroja i tempullit dhe kryeprifti i dëgjuan këto fjalë, u hutuan prej tyre dhe vrisnin mendjen se çfarë po ndodhte.
25 Pastaj erdhi dikush e u tha: «Shikoni, njerëzit që kishit burgosur janë në tempull e po mësojnë popullin». 26 Atëherë kryeroja bashkë me rojat shkuan dhe i morën pa dhunë, nga frika se mos populli i vriste me gurë. 27 Ata i sollën apostujt para sinedrit dhe kryeprifti i pyeti: 28 «A nuk ju kemi urdhëruar që të mos u mësoni njerëzve për Jezuin? Ja, pra, ju e keni mbushur Jerusalemin me mësimin tuaj e doni të rëndojë mbi ne gjaku i këtij njeriu». 29 Pjetri e apostujt u përgjigjën: «Duhet t'i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve. 30 Perëndia i etërve tanë e ngjalli Jezuin, të cilin ju e vratë duke e varur në drurin e kryqit. 31 Perëndia e lartësoi Jezuin në të djathtën e vet, si prijës e shpëtimtar, për t'i dhënë Izraelit pendimin dhe faljen e mëkateve. 32 Dhe ne jemi dëshmitarët e këtyre gjërave, bashkë me Shpirtin e shenjtë që Perëndia ua ka dhuruar atyre që i binden atij».
33 Kur dëgjuan këto fjalë, ata u zemëruan e donin t'i vrisnin. 34 Por një farise i sinedrit me emrin Gamaliel, një mësues i ligjit të Moisiut, që gëzonte respektin e të gjithë popullit, u ngrit dhe urdhëroi që t'i nxirrnin apostujt jashtë për pak kohë. 35 Pastaj u tha atyre: «Burra izraelitë, kini kujdes se çfarë keni ndër mend të bëni me këta njerëz. 36 Para pak kohësh na doli Teuda e na thoshte se ishte dikushi dhe rreth tij u mblodhën gati katërqind burra. Por ai u vra e të gjithë ata që i shkuan pas u shpërndanë e u zhdukën. 37 Pas tij, në kohën e regjistrimit të popullsisë, na doli Judë Galileasi e njerëzit i shkuan pas. Edhe ai vdiq e të gjithë ata që i shkuan pas u shpërndanë. 38 Prandaj, tani, po ju them t'u rrini larg këtyre njerëzve e t'i lini të shkojnë, se nëse shestimi apo vepra e tyre është prej njerëzve, do të dështojë. 39 Por nëse është prej Perëndisë, nuk do të mund t'i shkatërroni ata. Për të mos thënë që do të bëheni edhe armiq të Perëndisë».
Ata e dëgjuan Gamalielin 40 dhe si i thirrën apostujt, i rrahën, i urdhëruan të mos flisnin për Jezuin dhe pastaj i lanë të lirë.
41 Atëherë apostujt dolën nga sinedri tërë gëzim, sepse Perëndia i kishte çmuar të denjë të poshtëroheshin për emrin e Jezuit. 42 Çdo ditë, edhe në tempull, edhe nëpër shtëpitë e njerëzve, u mësonin e u shpallnin pareshtur ungjillin e Krishtit Jezu.
1 Edhe një burr që e kishte emërinë Anani, bashkë me Sapfirënë gruan’ e ti, shiti një copë dhe;
2 Edhe fshehu nga të çëmuarëtë, tuke ditur’ edhe gruaja e ti; edhe pruri një piesë nga aspratë , edhe e vuri ndër këmbët t’apostojvet.
3 Edhe Pietri tha: “O Anani, përse mbushi zëmrënë tënde Satanaj të gënjënjç Frymën’ e Shënjtëruarë, edhe të fshehç nga të çëmuarët’ e arësë?
4 Ndë qoftë se e mbanje, a nuk’ ishte joteja? Edhe si e shite, a nuk’ ishte ndënë pushtet tënt? Ç’pate që vure ndë mënt këtë punë ? Nukë gënjeve njerëzitë, po Perëndinë.”
5 Edhe Anania, tuke dëgjuarë këto fialë, ra përdhe edhe dha shpirtinë; edhe u hyri frik’ e madhe gjith’atyreve që dëgjuanë këto.
6 Edhe si u ngritnë më të ritë, e mbështuallnë, edhe e nxuarnë jashtë, edhe e kallnë ndë dhet.
7 Edhe si kishinë shkuarë sindonja tri orë, hyri edhe gruaja e ati pa diturë se ç’u bë.
8 Edhe Pietri iu përgjeq asaj: “Thuamë, ndë qoftë se për kaqë e shittë arënë?” Edhe ajo tha: “Po, për kaqë.”
9 Atëherë Pietri i tha asaj: “Përse u bëtë mbë një fialë të ngisni Frymën’ e Zotit? Ja ku janë te dera këmbët’ e atyreve që kallnë ndë dhet burrinë tënt, edhe do të nxierrë jashtë edhe tyj. “
10 Edhe ajo ra përnjëherë përanë këmbëvet tati, edhe dha shpirtinë; edhe si hynë dialoshat’ e gjetnë të vdekurë, edhe si e nxuarnë jashtë, e kallnë ndë dhet përanë burrit asaj.
11 Edhe i hyri frik’ e madhe gjithë qishësë, edhe gjith’ atyreve që dëgjoninë këto.
12 Edhe bëneshinë shumë shenje e çudira ndë llaust nga duarët’ e apostojvet, edhe të gjithë ishinë me një zëmërë ndë kamaret të Sollomonit.
13 Edhe asndonjë nga të tierëtë nukë kuxonte të ngjitej tek ata; po llauzi i madhëronte ata.
14 Edhe më shumë shtoneshinë tuke besuarë mbë Zotinë, shumicë burrash e grash;
15 Kaqë sa nxirinë jashtë ndëpër rrugat të sëmurëtë, e i vininë mbi shtresa e mbi shtratëra, që kur të shkonjë Pietri të zërë hieja e ati ndonjë nga ata.
16 Edhe mbëlidhej ndë Jerusalim shumica që ishte prej qytetesh përqark, e bininë të sëmurët’ edhe ata që ngiteshinë nga frymat’ e pëgëra, të cilëtë shëroneshinë të gjithë.
17 Edhe atëhere u ngrit kryeprifti edhe gjith’ ata që ishinë bashkë me atë, të cilët’ ishinë prej eresisë Sadhdhuqenjet, edhe u mbushnë me smir.
18 Edhe vunë duart’ e tyre mbi apostojt, edhe i vunë ndë burk të gjëndëjesë.
19 Po ëngjëll’ i Zotit hapi dyert’ e burgut natënë, edhe si i nxori ata, u thaatyre :
20 Shkoni, edhe rrini e flisni ndë hieroret te llauzi gjithë fialët’ e kësaj jete.
21 Edhe si dëgjuanë, hynë ndë hieroret mbë të vagëlluarë, edhe mësoninë. Po kur erdhi kryeprifti edhe gjith’ ata që ishinë bashkë me atë, thërritnë bashkë-ndenjëjen’ edhe gjithë pleqësin’ e të bijvet Israilit, edhe dërguanë ndë burkt, t’i bien ata.
22 Edhe shërbëtorëtë, kur vanë, nuk’ i gjetnë ata ndë burk; edhe u këthyen’ e u dhanë zë atyre,
23 Tuke thënë se: “Burgun’ e gjetmë mbyllurë me shumë siguri, edhe ata ruajtësitë tuke ndenjurë jashtë përpara dyervet; po kur hapëm, nukë gjetëm brënda asndonjë.
24 Edhe kur dëgjuanë këto fialë prifti edhe i pari hieroresë edhe kryepriftëritë, vrisninë mëndëjenë për ata, se si do të bënetë këjo punë .
25 Atëhere erdhi një njeri e u dha zë atyreve, tuke thënë, se: “Ja ata burra që pattë vënë ndë burk te janë tuke ndenjurë ndë hieroret, e po mësonjënë llauzinë.”
26 Atëhere vate kryeushtëtori bashkë me shërbëtorëtë, e i prunë, jo me shtrëngatë, sepse kishinë frikë llauzinë, mos i vrasënë me gurë.
27 Edhe si i prunë, i nxuarnë përpara bashkë-ndenjëjesë; edhe kryeprifti i pyeti ata,
28 Tuke thënë: “Nuk’ u porositëm juve shtrënguarë të mos mësoni mbë këtë emërë? Edhe ju ja tek mbushtë Jerusalimnë me mësimnë tuaj, edhe doni të bini mbi ne gjakun’ e këti njeriu.”
29 Atëhere Pietri edhe apostojt’ e tierë u përgjeqnë e thanë: “Duhetë t’i dëgjojmë Perëndisë më tepër se njerëzet?
30 Perëndia i atërëvet tanë ngjalli Jisunë, të cilinë ju e vratë edhe e varët mbi drut.
31 Këtë Perëndia e lartoj me anë të së diathtësë ti, edhe e bëri të parë edhe shpëtimtar, që të apë pendim Israilit, edhe ndëjesë fajesh.
32 Edhe ne jemi martirët’ e ati për këto fialë, edhe Frym’ e Shënjtëruarë, që ua dha Perëndia atyreve që i dëgjonjën’ ati.”
33 Edhe ata kur dëgjuanë, kërcëllininë dhëmbëtë, edhe bëninë këshillë t’i vrasënë.
34 Atëhere u ngrit ndë bashkë-ndenjëjet një Farise, që qjuhej Gamaliil, mësonjës’ i nomit, edhe i nderëshim ndër gjithë llausnë, edhe urdhëroj t’i nxierrënë jashtë apostojtë një çikë herë.
35 Edhe u thot’ atyreve: “O burra Israilitë, vështroni mirë ç’kini për të bërë këtyre njerëzëve.
36 Sepse përpara këtyre ditve u ngrit Thevdhau, tuke thënë për vetëhen’ e ti se diç është, edhe iu ngjitnë prapa sindonja katër qint vetë; ay u vra edhe gjith’ ata që i dëgjonin’ ati u përndanë, edhe u bënë për asgjë.
37 Pas këti u ngrit Judhë Galileasi, nd’ ato dit që shkruheshin’ emëratë, edhe hoqi pas vetiu mjaft llaus; edhe ay humbi, edhe gjith’ ata që i dëgjuanë ati u përndanë.
38 Edhe tashi po u them juve: Largohi nga këta njerës, edhe lirini, sepse ndë qofttë se këjo këshillë a këjo punë është prej njerëzish, do të prishetë.
39 Po ndë qoftë nga Perëndia, nukë munt ta prishni atë; edhe vështroni mos ndothni të bëni luftë edhe me Perëndinë.”
40 Edhe ata i dëgjuan’ati; edhe si thirrnë apostojtë, i rrahnë e i porositnë të mos flasënë mb’ emërit të Jisujt, edhe i lëshuanë.
41 Ata pra iknë nga faqeja e bashkë-ndenjëjesë tuke gëzuarë, se u bënë të zotë të shpërnderonetë për emërin’ e ati.
42 Edhe përditë nukë pushoninë tuke mësuarë, e tuke dhënë zën’ e mirë për Jisu Krishtinë ndë hieroret e ndëpër shtëpi.