Lyerja me mirrë
(Mt 26.6-13Mk 14.3-9)1 Gjashtë ditë përpara Pashkës, Jezui shkoi në Betani, ku jetonte Lazari, të cilin e kishte ngjallur prej të vdekurve. 2 Atje i shtruan darkën. Marta u shërbente, ndërsa Lazari ishte një nga ata që rrinin në tryezë me Jezuin. 3 Atëherë Maria mori rreth gjysmë litri mirrë prej nardi të kulluar, shumë të shtrenjtë, e ia leu me të këmbët Jezuit. Pastaj ia fshiu ato me flokët e saj. Shtëpia u mbush me aromën e mirrës. 4 Judë Iskarioti, njëri prej dishepujve, ai që do ta tradhtonte, tha: 5 «Përse të mos shitej kjo mirrë për treqind denarë e t'u jepeshin të varfërve?». 6 Këtë e tha, jo se shqetësohej për të varfrit, por sepse ishte vjedhës. Ai mbante qesen e parave e merrte prej saj çfarë hidhej në të. 7 Por Jezui tha: «Lëre të qetë! Ajo e bëri këtë për ditën e varrimit tim! 8 Të varfrit i keni gjithmonë me ju, ndërsa mua nuk më keni gjithmonë».
Kërkojnë të vrasin Lazarin
9 Një turmë e madhe judenjsh morën vesh se Jezui ndodhej atje e shkuan jo vetëm për të, por edhe të shikonin Lazarin që Jezui e kishte ngjallur prej të vdekurve. 10 Kryepriftërinjtë vendosën të vrasin edhe Lazarin, 11 sepse shumë nga judenjtë largoheshin prej tyre për shkakun e tij e besonin në Jezuin.
Hyrja në Jerusalem
(Mt 21.1-11Mk 11.1-11Lk 19.28-40)12 Të nesërmen, turma e madhe që kishte ardhur në festë, kur dëgjoi se Jezui po vinte në Jerusalem, 13 mori degë palmash e i doli para duke thirrur:
«Hosana!
Bekuar qoftë
ai që vjen në emër të Zotit,
mbreti i Izraelit!».
14 Jezui gjeti një kërriç e hipi në të, siç është shkruar:
15 Mos ki frikë,
o bijë e Sionit!
Ja, mbreti yt po vjen
hipur mbi një kërriç!
16 Në fillim dishepujt nuk i kuptonin këto, por kur Jezui u ngrit në lavdi, u kujtuan se këto gjëra i kishin bërë për të, siç ishin shkruar.
17 Turma që kishte qenë me Jezuin, kur ai kishte thirrur Lazarin të dilte nga varri dhe e kishte ngjallur prej të vdekurve, dëshmonte për të. 18 Prandaj turma i kishte dalë para, sepse kishin dëgjuar për këtë shenjë që kishte bërë. 19 Atëherë farisenjtë i thanë njëri-tjetrit: «A e shihni se nuk keni ç'bëni? Ja, gjithë bota po shkon pas tij!».
Disa helenë kërkojnë Jezuin
20 Midis atyre që kishin shkuar në Jerusalem për të adhuruar gjatë festës ishin edhe disa helenë. 21 Ata shkuan te Filipi, që ishte nga Betsaida e Galilesë, e iu lutën: «Zotëri, duam të takojmë Jezuin». 22 Filipi shkoi e i tha Andreas. Pastaj Andrea dhe Filipi shkuan e i thanë Jezuit. 23 Jezui u përgjigj: «Erdhi ora që të përlëvdohet Biri i njeriut! 24 Me të vërtetë po ju them se nëse kokrra e grurit, që ka rënë në tokë, nuk vdes, mbetet e vetme, por nëse vdes, jep shumë fryt. 25 Kush e do jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e amshuar. 26 Nëse dikush më shërben mua, le të vijë pas meje dhe ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im. Nëse dikush më shërben mua, Ati do ta nderojë».
Për kryqëzimin
27 «Tani shpirti im është i tronditur, por çfarë të them? Të them: “Atë, shpëtomë nga kjo orë”? Por unë erdha pikërisht për këtë orë.
28 O Atë, përlëvdoje emrin tënd!». Atëherë erdhi një zë nga qielli: «E kam përlëvduar e përsëri do ta përlëvdoj». 29 Turma që rrinte e dëgjonte, tha: «Ishte një bubullimë». Të tjerë thanë: «I foli një engjëll». 30 Jezui u përgjigj: «Ky zë nuk erdhi për mua, por për ju. 31 Tani bëhet gjykimi i kësaj bote! Tani do të hidhet jashtë sundimtari i kësaj bote! 32 Kur unë të lartësohem nga toka, do t'i tërheq të gjithë pranë vetes». 33 Këtë e tha për të treguar me ç'vdekje do të vdiste.
34 Turma iu përgjigj: «Ne kemi dëgjuar nga ligji se Krishti mbetet përjetë. Si mund të thuash ti se Biri i njeriut duhet të lartësohet? Kush është ky Biri i njeriut?». 35 Jezui u tha: «Edhe për pak kohë drita është me ju. Ecni sa keni dritë, që të mos ju zërë errësira. Kush ecën në errësirë nuk e di ku shkon. 36 Për sa kohë keni dritën, besoni në dritën, që të bëheni bij të dritës».
Mosbesimi i judenjve
Pasi tha këto, Jezui iku e u fsheh prej tyre. 37 Megjithëse kishte bërë kaq shenja para syve të tyre, ata nuk besonin në të, 38 që të përmbushej fjala e profetit Isai që ka thënë:
Zot, kush i besoi lajmit tonë?
Kujt iu zbulua fuqia e Zotit?
39 Prandaj nuk mund të besonin, sepse Isaia ka thënë edhe:
40 i verboi sytë e tyre
dhe i ngurtësoi zemrat e tyre,
që të mos shohin me sy,
apo të kuptojnë me zemër
që të mos kthehen tek unë
për t'i shëruar.
41 Këto tha Isaia, sepse e pa lavdinë e Jezuit dhe foli për të. 42 Megjithatë shumë nga krerët e judenjve besuan në Jezuin, por nuk e rrëfenin haptas, nga frika e farisenjve, që të mos përjashtoheshin nga sinagogat. 43 Ata donin më shumë lavdinë e njerëzve se lavdinë e Perëndisë.
Kush na gjykon?
44 Jezui tha me zë të lartë: «Kush beson në mua, nuk beson në mua, por në atë që më dërgoi. 45 Kush më sheh mua, sheh atë që më dërgoi. 46 Unë, drita, erdha në botë, që kushdo që beson në mua, të mos mbetet në errësirë. 47 Nëse dikush dëgjon fjalët e mia, por nuk i zbaton, unë nuk e gjykoj, sepse nuk kam ardhur për ta gjykuar botën, por për ta shpëtuar atë. 48 Atë që më hedh poshtë mua e nuk pranon fjalët e mia, ka kush e gjykon. Fjala që fola, ajo do ta gjykojë në ditën e fundit. 49 Sepse unë nuk fola nga vetja ime, por Ati që më dërgoi, ai më urdhëroi ç'të them e ç'të flas. 50 Unë e di se urdhërimi i tij është jetë e amshuar. Ato që them, unë i them siç m'i tha Ati».
1 Jisuj pra gjashtë dit përpara pashkësë erdhi ndë Vithani, atie ku ishte Llazari që pat vdekurë, të cilin’ e ngjalli prej së vdekurish.
2 Edhe i bënë darkë atie; edhe Martha shërbente; edhe Llazari ishte një prej atyre që rrininë ndë mësallë bashkë me atë.
3 Atëhere Maria mori një litrë vaj ere prej nardhi të papërzierë shumë të shtrenjtë, edhe leu këmbët’ e Jisujt, edhe fshiu këmbët’ e ati me flokët’ e saj; edhe shtëpia u mbush me erën’ e vajit erësë.
4 Një pra nga të dy-mbë-dhietë nxënësit’ e ati, Judhë Iskarioti, i biri Simonit, ay që do ta trathtonte, thotë:
5 “Përse të mos shitej kyj vaj ere tre qint dhinarë, e të epej ndëpër të vobeq?”
6 Edhe këtë e tha, jo se kishte kujdes ay për të vobeqit, po sepse ishte viedhës, edhe kishte kuletën’ e aspravet, edhe mbante ç’viheshinë nd’atë .
7 Jisuj tha pra: “Lëre, se e ruajti për ditën’ e të kallurit tim ndë varr.
8 Sepse të vobeqtë i keni përherë bashkë me vetëhenë tuaj, po mua nukë më keni përherë.”
9 Shumë gjëndëje pra prej Judhenjet muarnë vesh se ësht’ atie; edhe erthnë jo për Jisunë vetëmë, po që të shohën’ edhe Llazarinë, të cilin’ e ngjalli prej së vdekurish.
10 Po kryepriftëritë bënë këshillë, që të vrasën’ edhe Llazarrë;
11 Sepse shumë vetë prej Judhenjet shkoninë për atë, edhe i besoninë Jisujt.
12 Mbë të nesërmet shumë gjëndëje që kishin’ ardhurë për të kremtenë, kur dëgjuanë se vien Jisuj ndë Jerusalim,
13 Muarnë dega hurmash, edhe duallnë përpara ta presënë, edhe thërrisninë: “Hosanna, i bekuar’ ësht’ ay që vien mb’ emërë të Zotit, mbëreti i Israilit.”
14 Edhe Jisuj gjeti një pulisht, edhe ndenji mbi atë, sikundrë është shkruarë:
15 “Mos ki frikë, bij’ e Sionësë; na mbëreti yt tek po vien ndenjurë mbi pulisht gomareje.”
16 Edhe nxënësitë nukë kupëtuanë këto herën e parë, po kur u lavdua Jisuj, atëhere u ranë ndër mënt atyre, se këto ishinë shkruarë për atë, edhe këto ia bënë ati.
17 Gjëndëja pra që ishte bashkë me atë martiriste, se thirri Llazarinë nga varri, edhe e ngjalli nga të vdekuritë.
18 Përandaj edhe gjëndëja i dolli përpara, sepse dëgjoj, se ay kishte bërë këtë çudi.
19 Farisenjtë pra thanë njëri tiatrit: “A shihni ju, se nukë bëni gjë të mirë? Na bota te vate prapa ati.”
20 Edhe ishinë ca Grekë ndërmest atyreve që kishinë hipurë të falenë për të kremtenë.
21 Këta pra erthnë te Filippi që ishte prej Vithsajdhasë Galilesë, edhe i luteshinë, tuke thënë: “Zot, duamë të shohëmë Jisunë.”
22 Filippi vien e i thot’ Andhreut; edhe përsëri Andhreu edhe Filippi i thonë Jisujt.
23 Edhe Jisuj u përgjeq atyre, tuke thënë: “Erdhi ora që të lavduronet’ i bir’ i njeriut.
24 Me të vërtetë, me të vërtetë po u them juve: Ndë mos rëntë koqeja e grurit ndë dhet e të vdesë, mbet vetëmë; po ndë vdektë, bie shumë pemë.
25 Ay që do jetën’ e ti, do ta humbasë; edhe ay që mërzit jetën’ e ti ndë këtë botë, do ta ruanjë për jetën’ e pasosurë.
26 Ndë më shërben ndonjë, le të më vinjë pas; edhe ku të jem unë, atie do të jetë edhe shërbëtori im; edhe ndë qoftë se më shërben ndonjë, Ati do ta nderonjë.
27 Ndashti shpirti im ësht’ përzierë; edhe ç’të them? Atë, shpëtomë nga këjo orë. Po përandaj erdha ndë këtë orë.
28 Atë, lavduro emërinë t’ënt.
Erdhi pra një zë nga qielli, Edhe lavdurova, edhe përsëri do ta lavduronj.”
29 Gjëndëja pra që kishte ndenjurë, edhe dëgjoj zënë , thoshte, se u bë bumbullimë; të tierë thoshinë, se: “I foli ëngjëllë.”
30 Jisuj u përgjeq e tha: “Kyj zë nuk’ u bë për mua, po për ju.
31 Ndashti është gjyqi i kësaj bote; ndashti urdhërtari i kësaj bote do të hidhetë jashtë.
32 Edhe unë nd’ u ngriça nga dheu, do të heq të gjithë pas vetëhesë sime.”
33 — (Edhe këtë e thoshte tuke dëftyerë me çfarë vdekëjeje do të vdiste.)
34 Gjëndëja iu përgjeq: “Neve kemi dëgjuarë nga nomi, se Krishti mbet për gjithë jetënë; qysh thua pra ti, se: I bir’ i njeriut duhetë të ngrihetë lart? Cili është kyj i bir’ i njeriut?”
35 Jisuj pra u tha atyre: “Edhe pakëzë kohë është drita bashkë me ju. Ecëni gjersa keni dritënë, që të mos u zërë juve errësira; sepse ay që ecën nd’ errësirët, nukë di se ku vete.
36 Gjersa të keni dritënë, i besoni dritësë, që të bëneni të bijt’ e dritësë.” – Këto foli Jisuj, edhe iku e u fsheh prej atyreve.
37 Po ndonëse bëri kaqë çudira përpara atyreve, nuk’ i besuanë;
38 Që të mbushetë fjal’ e profitit Isaj që tha: “Zot, kush i besoj mësimit tënë? Edhe mbë cilinë u sbulua krahu i Zotit?”
39 Përandaj nukë munt të besoninë, sepse Isaia tha përsëri:
40 “Verboj syt’ e atyreve, edhe ashpëroj zemërën’ e atyreve, që të mos shohënë me sytë, edhe të mos kupëtonjënë me zemërënë, edhe të këthehenë e t’i shëronj”.
41 Këto tha Isaja, kur pa lavdin’ e ati, edhe foli për atë.
42 Po shumë vetë edhe prej të parëvet besuanë; po nga frik’ e Farisevet nukë rrëfeninë, që të mos bënenë jashtë sinagogjisë;
43 Sepse deshnë lavdin’ e njerëzet më tepërë se lavdin’ e Perëndisë.
44 Edhe Jisuj bërtiti e tha: “Ay që më beson mua, nukë më beson mua, po ati që më dërgoj;
45 Edhe ay që më vë re mua, vë re atë që më dërgoj.
46 Unë kam ardhurë dritë te bota, që të mos mbesë nd’ errësirët kushdo që të më besonjë.
47 Edhe ndë dëgjoftë ndonjë fialët’ e mia, edhe të mos besonjë, unë nuk’ e gjykonj; sepse nuk’ erdha të gjykonj botënë, po që të shpëtonj botënë.
48 Ay që më heth poshtë, edhe nukë pret fialët’ e mia, ka se kush ta gjykonjë; fiala që fola, ajo do ta gjykonjë ndë ditë të pastajme.
49 Sepse unë nukë fola prej vetiu, po Ati që më dërgoj, ay më dha porosi, ç’të them, e ç’të flas;
50 Edhe e di, se porosia e ati është jet’ e pasosurë; unë pra sa flas, sikundrë më ka thënë Ati, kështu flas.”