Përshëndetje
1 Pali, Silvani e Timoteu, i shkruajmë kishës së selanikasve që i përket Perëndisë Atë e Zotit Jezu Krisht: paçi hir dhe paqe !
Shembulli i selanikasve
2 E falënderojmë gjithmonë Perëndinë për ju të gjithë dhe ju përmendim pa pushim në lutjet tona. 3 Ne kujtojmë para Perëndisë dhe Atit tonë besimin tuaj të gjallë, dashurinë tuaj vepruese dhe shpresën tuaj të palëkundur, që e keni në Zotin tonë Jezu Krisht.
4 O vëllezër, ne e dimë se Perëndia ju do dhe se ju ka zgjedhur, 5 sepse ungjilli që ju predikuam nuk erdhi te ju vetëm me fjalë, por edhe me fuqi, edhe me anë të Shpirtit të shenjtë, edhe me sigurinë e plotë se ai është i vërtetë. Ju e dini se kur ishim mes jush, çdo gjë që bëmë, e bëmë për të mirën tuaj. 6 Ju u bëtë shkërbimi ynë e i Zotit dhe megjithëse vuajtët shumë, i pranuat fjalët e ungjillit me gëzimin që vjen nga Shpirti i shenjtë.
7 Kështu, ju u bëtë shembull për të gjithë besimtarët në Maqedoni dhe në Akai. 8 Fjala e Zotit jehoi prej jush jo vetëm në Maqedoni e në Akai, por edhe në çdo vend ku u përhap besimi juaj në Perëndinë. Kështu, ne nuk kemi nevojë të themi ndonjë gjë. 9 Ata vetë tregojnë sesi na pritët kur erdhëm te ju e sesi ju hoqët dorë prej idhujve e u kthyet për t'i shërbyer Perëndisë së gjallë e të vërtetë. 10 Tani ju prisni Birin e tij, Jezuin, të vijë prej qiejve, të cilin ai e ngjalli prej të vdekurve dhe që na shpëton nga zemërimi që po vjen.
1 Pavli edhe Silluani edhe Timotheu, te qisha e Thessallonikasvet mbë Perëndinë, Atinë, edhe mbë Zotinë Jisu Krisht; hirë qoftë mbë ju edhe paqtim prej Perëndisë, Atit tënë, edhe prej Zotit Jisu Krisht.
2 I falemi ndersë përherë Perëndisë për gjithë ju, edhe u përmëntmë juve ndë të falurat tona,
3 Tuke kujtuarë pa pushim punën’ e besësë suaj, edhe mundimin’ e dashurisë, edhe durimin’e shpëresësë mbë Zotinë tënë Jisu Krishtinë, përpara Perëndisë edhe Atit tënë;
4 Tuke diturë, o vëllezër të dashurë prej Perëndisë, të sgjedhuritë tuaj.
5 Sepse ungjilli ynë nuk’ u bë te ju me fialë vetëmë, po edhe me fuqi, edhe me Frymë të Shënjtëruarë, edhe me shumë të mbushurë mëndëjesë, sikundrë e dini çfarë qemë ndërmest tuaj për ju.
6 Edhe ju bëtë sikundrë bëm neve edhe Zoti, sepse prittë fialënë ndër shumë shtrëngim, me gëzimin’ e Frymësë Shënjtëruarë;
7 Kaqë sa u bëtë shëmbëllesë mbë gjith’ ata që besonjënë ndë Maqedhoni e ndë Ahaj.
8 Sepse prej jush u përhap fiala e Zotit, jo vetëmë ndë Maqedhoni e ndë Ahai, po edhe mbë çdo vënt harriu zëri i besësë tuaj mbë Perëndinë; kaqë sa neve s’kemi nevojë të flasëmë gjë;
9 Sepse ata tregonjënë për ne, çfarë të hyri gjetëm te ju, edhe qysh u këthyetë te Perëndia nga idhujtë, që t’i shërbeni Perëndisë gjallë edhe të vërtetit,
10 Edhe të prisni Birin’ e ti nga qiejet, të cilin’ e ngjalli prej së vdekurish, Jisunë, që na shpëton nga zemërimi që vien.