Përshëndetje
1 Unë, Pali, jam shërbëtor i Perëndisë dhe apostull i Jezu Krishtit, për t'u predikuar besimin të zgjedhurve të Perëndisë e për t'u bërë të njohur të vërtetën e besimit tonë, 2 që të kenë shpresën e jetës së amshuar. Perëndia që nuk gënjen, e premtoi këtë jetë që përpara fillimit të kohëve 3 dhe në kohën e duhur e bëri të njohur me fjalën e tij në predikimin që m'u besua sipas urdhrit të Perëndisë, shpëtimtarit tonë.
4 Po të shkruaj ty, o Tit, që je për mua bir i vërtetë në besimin tonë të përbashkët: hiri dhe paqja nga Perëndia Atë dhe nga Krishti Jezu, shpëtimtari ynë, qofshin me ty!
Puna e Titit në Kretë
5 Arsyeja pse të lashë në Kretë është që të rregullosh gjërat e papërfunduara e të caktosh pleq nëpër kisha në çdo qytet, ashtu siç të urdhërova.
6 Plaku i kishës duhet të jetë i paqortueshëm, bashkëshort i një gruaje, t'i ketë fëmijët besimtarë që nuk përfliten për shthurje a për mosbindje.
7 Peshkopi, si kujdestar i shtëpisë së Perëndisë, duhet të jetë i paqortueshëm, jo përbuzës, as gjaknxehtë, as i dhënë pas verës, as i dhunshëm, as lakmitar përfitimesh të pandershme. 8 Por ai duhet të jetë mikpritës, dashamirës, i urtë, i drejtë, i shenjtë e i matur. 9 Ai duhet t'i qëndrojë besnik fjalës së besueshme të mësimit që mori, që të jetë i aftë të këshillojë të tjerët me mësimin e shëndoshë e të bindë ata që e kundërshtojnë.
10 Në të vërtetë ka shumë të pabindur, dërdëllitës e mashtrues, veçanërisht mes besimtarëve të rrethprerë. 11 Atyre u duhet mbyllur goja, sepse për të përfituar në mënyrë të pandershme po shkatërrojnë familje të tëra, duke u mësuar njerëzve gjëra që nuk duhen. 12 Njëri nga ata, njëri nga profetët e tyre, ka thënë: «Kretasit janë gjithnjë gënjeshtarë, shtazarakë të ligj dhe grykës përtacë».
13 Kjo dëshmi është e vërtetë. Prandaj qortoji rreptë që të jenë të shëndetshëm në besim, 14 pa përfillur përrallat e judenjve dhe urdhërimet e njerëzve që shtrembërojnë të vërtetën.
15 Të gjitha gjërat janë të pastra për të pastrit, por për të ndoturit e të pafetë asgjë nuk është e pastër. Atyre u është ndotur edhe mendja, edhe ndërgjegjja. 16 Pohojnë se e njohin Perëndinë, por me veprat e tyre e mohojnë duke qenë të neveritshëm, të pabindur e të paaftë për ndonjë vepër të mirë.
1 Pavli, shërbëtori i Perëndisë, edhe apostoli i Jisu Krishtit, pas besësë të sgjedhurëvet të Perëndisë, edhe pas të njohurësë së vërtetësë që është pas besësë mirë,
2 Për shpëresën’ e jetësë pasosurë, që ka zotuarë Perëndia që s’gënjen përpara motevet pasosurë,
3 Edhe çfaqi ndë kohëra të urdhëruara fialën’ e ti me anë të leçiturit, që m’u besua pas porosisë Perëndisë Shpëtimtarit tënë;
4 Mbë Titonë, të thieshtinë dialë pas besësë që kemi së bashku, qoftë hirë (përdëllim), paqtim prej Perëndisë Atit, edhe prej Zotit Jisu Krishtit, Shpëtimtarit tënë.
5 Përandaj të lashë ndë Kritë, që të ndreqç të mbeturatë, edhe të vëç pleq qytet mbë qytet pleq, sikundrë të kam urdhëruar unë;
6 Kush të jetë i pahequrë për faj, burr i një gruaje, që ka bij besëtarë, që të mos u ketë dalë zëri për plank-prishësa, a për të pabindurë.
7 Sepse episkopi duhetë të jetë i pahequrë për faj, posi kujdestar i Perëndisë; jo kryelartë, jo zemërak, jo pianec, jo rrahës, jo asi që lakëmon mbë fitim të lik;
8 Po derë-hapëtë, miku i së mirësë, i urtë, i drejtë, shënjt, asi që përmban vetëhen e ti;
9 Tuke qëndruarë ndë fialë të vërtetë pas mësimit, që të muntnjë të ngusnjë të tierë me mësimin’ e shëndoshë, edhe të qërtonjë ata që flasënë kundrë.
10 Sepse janë shumë të pabindur’ edhe që flasënë kot e prishnjënë mëndëjenë, më fort ata që janë nga rrethpresëja;
11 Atyreve duhetë t’u mbëçelmë gojënë; të cilëtë këthenjënë përmbys shtëpira të tëra, tuke mësuarë sa s’duhenë, për fitim të ndyrë.
12 Një nga ata tha, vetë profiti i atyreve: “Kritasitë janë kurdo gënjeshtarë, bisha të liga, barqe të ngeshim.’’
13 Këjo martiri ësht’ e vërtetë; për atë punë qërtoi ata fort, që të jenë të shëndoshë ndë besët;
14 Edhe të mos u vënë vesh përrallavet Judhenjet, edhe porsivet njerëzet që i këthenjënë kurrizinë së vërtetësë.
15 Të gjitha janë të qëruarë të të qëruaritë; po te të ndyrët’ e te të pabesët’ asndonjë gjë s’ësht’ e qëruara, po edhe mëndëja e atyreve edhe ndërgjegjëja janë të pëgëra.
16 Rrëfenjënë me gojë se njohënë Perëndi, po me punë e mohonjënë, sepse janë të ndyrë edhe të pabindurë, edhe të paprovuarshim mbë çdo farë pune të mirë.