Vazhdo veprat e mira
1 Kujtoju besimtarëve t'u nënshtrohen parive e pushtetarëve, të jenë të bindur, të gatshëm për çdo vepër të mirë, 2 të mos fyejnë askënd, të jenë të paqtë, të durueshëm dhe të tregojnë butësi me të gjithë njerëzit. 3 Dikur edhe ne ishim të marrë, të pabindur, të mashtruar, skllevër të dëshirave e të epsheve të ndryshme. Ne jetonim në ligësi e në smirë, të urryer e duke urryer njëri-tjetrin.
4 Por kur u shfaq për njerëzit
mirësia dhe dashuria e Perëndisë,
shpëtimtarit tonë,
5 ai na shpëtoi,
jo për shkak të ndonjë vepre drejtësie
që bëmë ne,
por për shkak të mëshirës së tij,
përmes larjes së rilindjes e përtëritjes
që Shpirti i shenjtë kryen në ne.
6 Këtë Shpirt të Shenjtë
ai e dikoi mbi ne
pa u kursyer,
përmes Jezu Krishtit,
shpëtimtarit tonë,
7 që ne, duke u bërë të drejtë
prej hirit të tij,
të bëhemi trashëgimtarë të jetës së amshuar
që është shpresa jonë.
8 Kjo fjalë është e besueshme.
Unë dua që këto gjëra t'i pohosh me siguri, me qëllim që ata që i kanë besuar Perëndisë të përkushtohen për të kryer vepra të mira. Këto gjëra janë të mira dhe të dobishme për njerëzit. 9 Por ti shmangu nga bisedat e marra, gjenealogjitë, grindjet e zënkat për ligjin, pasi ato janë të padobishme dhe të kota. 10 Shmangu edhe nga përçarësit, pasi t'i kesh qortuar një ose dy herë. 11 Ti e di se njerëz të tillë janë çoroditur dhe mëkatojnë duke dënuar veten.
Porosi dhe përshëndetje vetjake
12 Kur të dërgoj te ti Artemain ose Tikikun, nxito të vish tek unë në Nikopojë, se kam vendosur ta kaloj dimrin aty.
13 Kujdesu për udhëtimin e Zenës, juristit, dhe të Apolonit, që të mos u mungojë asgjë.
14 Edhe tanët le të mësojnë t'u kushtohen veprave të mira, që të mund të përballojnë nevojat e ngutshme e që jeta e tyre të jetë e frytshme.
15 Të përshëndesin të gjithë ata që janë me mua. Përshëndeti ata që na duan në besim.
Hiri qoftë me ju të gjithë!
1 Ua bierë ndër mënt atyreve të unjënë kryetë ndën’ urdhërat e ndënë pushtetet, t’u dëgjonjënë të parëvet, të jenë gati për çdo farë pune të mirë,
2 Të mos vllasfimisnjën’ asndonjë, të mos zihenë, të jenë të butë, të dëftenjënë çdo butësirë mbë gjithë njerëzitë.
3 Sepse edhe neve ishim njëherë të marrë, të pabindurë, të gënjyershim, tuke u shërbyerë dëshërimevet e kënaqëjevet, e tuke shkuarë jetënë ndë të ligë e ndë cmir, të mërziturë e tuke pasurë mëri njëri jatërinë.
4 Po kur u çfaq e mira edhe dashuria e njerëzisë nga Perëndia Shpëtimtari ynë,
5 Jo prej punërash drejtërisë që punuam neve, po pas përdëllimit ti na shpëtoj prej së larësë të lindurit përsëri, edhe prej të përtërijturit Frymësë Shënjtëruarë,
6 Që derdhi mbë ne me dorë të hapëtë me anë të Jisu Krishtit, Shpëtimtarit tënë;
7 Që të dalëmë të drejtë me hirin’ e ati, e të bënemi trashëgimtarë pas shpëresësë jetësë pasosurë.
8 Për të besuar’ është fiala; edhe dua të vërtetonjç këto, që të kenë kujdes ata që i kanë besuarë Perëndisë të jenë gati për punëra të mira. Këto janë të mirat’ edhe të vëjyeratë për njerëzit.
9 Edhe kërkuarëje të marra, e breza njerëzish, e të ngrëna me fialë, edhe luftëra nomi t’i lëç mbënjanë; sepse janë të pavëjyera edhe të kota.
10 Njerinë eretik, si t’a mësonjç një herë e dy herë, hiq dorë nga ay,
11 Tuke e diturë që kyj ka dalë jasht’ udhësë, edhe fëjen, sepse është gjukuarë nga vetëheja e tij.
12 Kur të dërgonj Artemanë a Tyqikunë te ti, shpejto të vinjç tek unë ndë Nikopolë, sepse atje gjukova për të dimëruarë.
13 Dërgo përpara shpejt Zitanë nomtarinë edhe Apollonë, që të mos u shteretë gjë atyre.
14 Le të nxënë edhe tanëtë të jenë gati për punëra të mira për nevojatë që duhenë, që të mos jenë të papemë.
15 Të falenë me shëndet gjith’ ata që janë bashkë me mua. Falu me shëndet atyreve që na duanë ndë besët.
Hiri qoftë bashkë me gjithë ju. Amin.