Përshëndetje
1 Unë Pali, që përmes vullnetit të Perëndisë jam apostull i Krishtit Jezu për të predikuar jetën e premtuar, që është në Krishtin Jezu, 2 po i shkruaj Timoteut, birit tim të dashur: hiri, mëshira e paqja nga Perëndia Atë dhe nga Krishti Jezu, Zoti ynë, qofshin me ty!
Besnikëria ndaj ungjillit
3 Falënderoj Perëndinë që e adhuroj me ndërgjegje të pastër si të parët e mi ndërsa të kujtoj ty pa pushim në lutjet e mia natë e ditë. 4 Kur kujtoj lotët e tu, kam shumë dëshirë të të shoh, që të mbushem me gëzim. 5 Më kujtohet besimi yt i sinqertë, që përpara teje e kishte Loida, gjyshja jote, dhe Eunika, nëna jote. Jam i bindur se këtë besim e ke edhe ti. 6 Për këtë arsye po të kujtoj ta mbash gjallë dhuntinë që Perëndia të dha përmes vënies së duarve të mia. 7 Perëndia nuk na dha shpirtin e frikës, por të fuqisë, të dashurisë e të maturisë.
8 Prandaj mos ki turp as nga dëshmia për Zotin tonë, as nga unë, i burgosuri i tij, por vuaj bashkë me mua për ungjillin, i mbështetur në fuqinë e Perëndisë.
9 Perëndia na shpëtoi
e na thirri me një thirrje të shenjtë,
jo sipas veprave tona,
por sipas qëllimit të tij
e hirit që na u dha përmes Krishtit Jezu
përpara fillimit të kohëve.
10 Ky hir u bë i dukshëm tani
përmes ardhjes së shpëtimtarit tonë,
Krishtit Jezu,
i cili e shfuqizoi vdekjen
dhe nxori në dritë
jetën e pavdekësinë përmes ungjillit.
11 Për këtë ungjill unë u caktova predikues, apostull e mësues . 12 Për këtë arsye po vuaj gjithë këto gjëra. Por nuk kam turp, se e di kujt i kam besuar e jam i bindur se ai është i aftë ta ruajë thesarin që më ka besuar, deri në atë ditë.
13 Ndiqe shembullin e mësimit të drejtë, që dëgjove prej meje, me besimin e me dashurinë që vijnë përmes Krishtit Jezu.
14 Ruaje thesarin e mirë me ndihmën e Shpirtit të shenjtë që banon në ne.
15 Ti e di se të gjithë ata që janë në Azi më braktisën, ndër ta edhe Figeli e Hermogjeni.
16 Zoti tregoftë mëshirë për shtëpinë e Onesiforit, se më ngushëlloi shpesh e nuk pati turp nga prangat e mia. 17 Madje, kur erdhi në Romë, më kërkoi me ngulm e më gjeti. 18 Dhëntë Zoti që ai të gjejë mëshirë prej Zotit atë ditë. Ti e di shumë mirë sesa më shërbeu ai në Efes.
1 Pavli, apostol i Jisu Krishtit me dashurimin’ e Perëndisë, pas të zotuarit jetësë që është mbë Jisu Krishtinë,
2 Mbë Timothenë, birin’ e dashurë, qoftë hirë, përdëllim, paqtim prej Perëndisë, Atit, edhe prej Jisu Krishtit, Zotit tënë.
3 I falem ndersë Perëndisë, të cilinë lus që nga përint’ e mi me ndërgjegjëje të këthiellëtë, se pa pushim të kujtonj ndë të luturat të mia nat’ e ditë,
4 Edhe kam mallë të shoh, kur kujtonj lot’ e tu, që të mbushem me gëzim;
5 Sepse bie ndër mënt besënë pa ipokrisi që është te ti, e cila ndenji më përpara te jot gjyshe Llojdha, edhe te jot ëmë Evnika; edhe më është mbushurë mëndëja se ka ndënjur’ edhe te ti.
6 Për atë punë të përmënt tyj , që të ngjallç përsëri dhurëtin’ e Perëndisë, e cila është te ti nga të vënët’ e duarvet mia mbi tyj.
7 Sepse Perëndia s’na ka dhënë frymë frike, po frymë fuqie e dashurie e urtësie.
8 Mos kij turp pra për martirin’ e Zotit tënë, edhe për mua të lidhurin’ e ati; po hiq keq bashkë me mua për ungjillinë pas fuqisë Perëndisë,
9 I cili na shpëtoj, edhe na thërriti me të thërriturë të shënjtëruarë, jo pas punëravet tona, po pas së thënësë ti, edhe pas hirit që na u dha me anë të Jisu Krishtit që përpara motevet pasosurë,
10 Edhe që u çfaq ndashti me të dukurit’ e shpëtimparit tënë Jisu Krishtit, i cili prishi vdekëjenë, edhe nxori ndë dritë jetën’ edhe pavdekëjenë me anë të ungjillit.
11 Për atë u vuç’ unë leçitës edhe apostol edhe mësonjës i kombevet;
12 Që për atë punë edhe pësonj këto; po s’kam turp; sepse e di se kujt i kam besuarë, edhe më është mbushurë mëndëja, se ay munt të ruanjë ndorëjenë time gjer mb’atë ditë.
13 Ruaj formën’ e fialëvet shëndosha, që dëgjove prej meje, me besë e me dashuri që është mbë Jisu Krishtinë.
14 Ndorjen’ e mirë ruaje me anë të Frymësë Shënjtëruarë që rri ndër ne.
15 Ti e di këtë, se gjith’ata që janë nd’ Asi më këthyenë kurrizinë, nga ata është Fygjelli edhe Hermogjeni.
16 Zoti dhashtë përdëllim ndë shtëpi të Onisiforit; sepse shumë herë më dha zemërë, edhe s’pat turp për hekurat’ e mia,
17 Po kur erdhi ndë Romë, më kërkoj me shumë nxitim, edhe më gjeti.
18 Zoti i dhashtë ati të gjenjë përdëllim nga Zoti nd’ atë ditë. Edhe sa më shërbeu ndë Efesë, ti e di më mirë.