1 Të gjithë ata që janë nën zgjedhën e skllavërisë le të tregojnë nderim për zotërinjtë e tyre, që të mos shahen emri i Perëndisë dhe mësimi ynë. 2 Ata që i kanë besimtarë zotërinjtë e tyre le të mos i shpërfillin, sepse janë vëllezër. Përkundrazi, t'u shërbejnë edhe më mirë, sepse u shërbejnë vëllezërve besimtarë e të dashur.
Besimi është pasuri
Këto gjëra mësoju e këshilloju të tjerëve. 3 Kush u mëson njerëzve një mësim tjetër e nuk ndjek fjalët e vërteta të Zotit tonë Jezu Krisht dhe mësimet e besimit tonë, 4 ai është mburravec e nuk di asgjë. Atij i janë bërë sëmundje rragatjet e kapja pas fjalëve. Nga këto vijnë smira, grindjet, fyerjet, dyshimet e liga, 5 zënkat pa fund të njerëzve me mendje të shthurur, të privuar nga e vërteta dhe që e shohin besimin në Perëndinë si mjet përfitimi . 6 Besimi në Perëndinë është pasuri e madhe për atë që kënaqet me aq sa ka, 7 sepse asgjë nuk kemi sjellë në këtë botë dhe asgjë nuk mund të marrim prej saj. 8 Nëse kemi ushqim e veshmbathje, le të mjaftohemi me kaq. 9 Ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në kurthin e djallit dhe në shumë dëshira të marra e të dëmshme, që i fundosin njerëzit në rrënim e shkatërrim. 10 Lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave. Duke rendur pas parasë, disa u larguan nga besimi dhe i shkaktuan vetes shumë dhimbje.
Lufta e mirë e besimit
11 Por ti, o njeri i Perëndisë, largohu nga këto gjëra. Përkundrazi kërko drejtësinë, përkushtimin ndaj Perëndisë, besimin, dashurinë, durimin e zemërbutësinë. 12 Lufto luftën e mirë të besimit dhe rrok jetën e amshuar, për të cilën të thirri Perëndia e për të cilën ke dhënë dëshminë e mirë të besimit para shumë dëshmitarëve. 13 Të bëj thirrje para Perëndisë, që i jep jetë gjithçkaje dhe para Krishtit Jezu, që dha dëshminë e mirë në kohën e Ponc Pilatit, 14 që ti ta zbatosh këtë urdhërim të panjollë e të paqortueshëm deri në ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht.
15 Kur të vijë koha,
ardhjen e tij do ta tregojë Perëndia,
i lumi,
i vetmi sundues,
mbreti i mbretërve
e Zoti i zotërve.
16 Vetëm ai është i pavdekshëm
e banon në dritën
që asnjeri nuk i afrohet dot.
Atë nuk e ka parë asnjë njeri
e as nuk mund ta shohë.
Atij i qoftë
nderi
dhe fuqia e amshuar!
Amen!
17 Pasanikët e kohës së tanishme urdhëroji të mos u rritet mendja, as të mos e mbajnë shpresën në pasigurinë e pasurisë, por në Perëndinë që na jep gjithçka me zemërgjerësi për të mirën tonë. 18 Urdhëroji të bëjnë të mirën, të jenë të pasur në vepra të mira, të jenë zemërgjerë dhe të gatshëm për të dhënë. 19 Kështu ata do të grumbullojnë për vete një thesar e do të vënë themel të mirë për të ardhmen, që të marrin jetën e vërtetë .
20 O Timote, ruaje çka t'u besua! Largohu nga fjalët e zbrazëta, që janë kundër besimit, si dhe nga kundërthëniet e së ashtuquajturës dituri, 21 të cilën disa e pranuan dhe humbën besimin.
Hiri qoftë me ju!
1 Sa shërbëtorë janë ndënë sgjedhë, le t’i kujtonjënë të zotërit’ e tyre të vëjyerë për çdo farë nderie, që të mos vllasfimiset’ emëri i Perëndisë edhe mësimi.
2 Edhe ata që kanë zotërinj besëtarë, le të mos i hedhënë poshtë, sepse janë vëllezër; po më shumë le t’u punonjënë, sepse ata që fitonjënë punën’ e mirë janë besëtarë edhe të dashurë. Këto mëso edhe porosit.
3 Ndë mësoftë ndonjë mësime të tiera, edhe ndë mos vaftë prapa fialëvet shëndosha të Zotit tënë Jisu Krishtit, edhe mësimit që është pas besësë mirë,
4 Kyj mban vetëhen e ti mbë të math, edhe nukë di gjë, po është i sëmurë për të zëna e për të ngrëna me fialë, nga të cilatë del cmir, qartë, vllasfimia, mendime të liga,
5 Fialë të kota njerëzish të prishurë mënç, edhe që u shteret’ e vërteta, sepse ata kujtonjënë, se bes’ e mirë është për fitim. Mërgohu nga të tillëtë.
6 Po bes’ e mirë me mbastiminë mbë të pakët është fitim i math.
7 Sepse as gjë s’kemi prurë ndë botët; edhe e kupëtojmë fort mirë se as nukë munt të marëmë gjë jashtë me vetëhe.
8 Po kur kemi të ngrëna e të mbuluara, le të na mbastonjënë këto.
9 Po ata që duanë të bënenë të pasurë, bienë ndë ngasëje edhe ndë lak, edhe ndër shumë dëshërime që janë të marra e dëmtore, të cilatë kredhënë njerëzitë ndë prishëje e ndë humbëje.
10 Sepse rrënja e gjithë të ligavet është dashuria e argjëndit; ca që i pëlqyen’ asaj duallnë jasht udhësë besësë, edhe depërtuanë vetëhen’ e tyre me shumë të dhëmbura.
11 Po ti, o njeriu i Perëndisë, ik nga këto; edhe ndiq drejtëri, besë të mirë, besë, dashuri, butësirë.
12 Lëfto luftën’ e mirë të besësë, rrok jetën’ e pasosurë, që edhe u thirre mb’ atë, edhe rrëfeve rrëfimin’ e mirë përpara shumë martirëve.
13 Të porosis përpara Perëndisë që u ep jetë të gjithave, edhe përpara Jisu Krishtit që martirisi ndë ditë të Pont Pillatit,
14 Të ruanjç porosinë pa lyerë, pa palavi, gjer mbë të dukurit të Zotit tënë Jisu Krishtit,
15 Të cilinë ndë kohëra të tia do ta dëftenjë i lumuri edhe i vetëmi Fuqitar, Mbëreti i mbëretërave, edhe Zoti i zotëravet,
16 Ay që ka vetëmë pavdekëjenë, edhe që është ndenjurë ndë dritë të paafruarë, të cilinë asndonjë nga njerëzitë nuk’ e pa, as munt ta shohnjë; mb’ atë qoftë nderë edhe pushtet i jetëshim. Amin.
17 Porosit të pasuritë ndë këtë jetë të mos mbahenë mbë të math, as të mos shpërenjënë mbë pasëjet që s’dihetë, po mbë Perëndinë e gjallë, që na ep të gjitha me dorë hapurë për fitim.
18 Të punonjënë punëra të mira, të bënenë të pasurë me punëra të mira, të jenë dorë hapurë, të shoqëruarshim,
19 Të vënë mbënjanë thesarë për vetëhen’ e tyre që është themeli e mirë për pastaj, që të fitonjënë jetën’ e pasosurë.
20 O Timothe, ruaj ndorëjenë, edhe mërgonu nga të ndyratë fialët’ e të kota, edhe nga të ngrënatë me fialë asaj diturisë që qjuhetë gënjeshtare,
21 Të cilënë tuke punuarë ca vetë , dualnë nga udha e besësë.
Hiri qoftë bashkë me ty. Amin.