Besimi i kryeqindësit
(Mt 8.5-13Gjn 4.43-54)
1 Kur mbaroi së thëni të gjitha fjalët për popullin që po e dëgjonte, Jezui shkoi në Kafarnaum. 2 Aty gjendej një kryeqindës që kishte një shërbëtor, të cilin e vlerësonte shumë, por që ishte shumë i sëmurë, gati duke vdekur. 3 Kur dëgjoi për Jezuin, kryeqindësi dërgoi tek ai disa pleq të judenjve, që t'i luteshin të vinte për t'i shëruar shërbëtorin. 4 Si arritën te Jezui, ata iu lutën me këmbëngulje e i thanë: «Ai e meriton ta ndihmosh, 5 sepse e do popullin tonë e na ka ndërtuar edhe sinagogën». 6 Atëherë Jezui shkoi me ta, por nuk ishin larg nga shtëpia kur kryeqindësi dërgoi disa miq për t'i thënë: «O Zot, mos u shqetëso! Unë nuk jam i denjë të hysh nën çatinë time. 7 Prandaj nuk m'u duk vetja i denjë të vija vetë, por thuaj një fjalë e shërbëtori im do të shërohet. 8 Sepse edhe unë jam nën urdhrat e eprorëve të mi e kam nën vete ushtarë. Kur i them njërit “shko”, ai shkon dhe kur i them tjetrit “eja”, ai vjen. Kur i them shërbëtorit tim “bëje këtë”, ai e bën». 9 Kur dëgjoi këto fjalë, Jezui u mrekullua me kryeqindësin. Atëherë u kthye e i tha turmës që po e ndiqte: «Po ju them se as në Izrael nuk e kam gjetur një besim kaq të madh».
10 Pastaj të dërguarit u kthyen në shtëpinë e kryeqindësit dhe e gjetën shërbëtorin të shëruar.
Ngjallja e djalit të vejushës
11 Jezui shkoi në një qytet që quhej Nain, i shoqëruar nga dishepujt e tij dhe nga një turmë e madhe. 12 Kur iu afruan portës së qytetit, pa se po çonin për të varrosur një të vdekur. Ai kishte qenë djalë i vetëm dhe e ëma ishte e ve. Një turmë e madhe nga qyteti po e shoqëronte. 13 Kur Zoti e pa, ndjeu dhembshuri për të e i tha: «Mos qaj!». 14 Pastaj u afrua dhe preku vigun. Ata që e mbanin, u ndalën. Jezui tha: «Djalosh, po të them: ngrihu!». 15 I vdekuri u ngrit e filloi të fliste. Jezui e çoi tek e ëma. 16 Të gjithë i zuri frika dhe përlëvdonin Perëndinë duke thënë: «Një profet i madh është shfaqur mes nesh» dhe: «Perëndia i ka kthyer sytë mbi popullin e vet».
17 Atëherë u përhap fjala për të në mbarë Judenë e në krahinat përreth.
Të dërguarit e Gjon Pagëzorit
(Mt 11.2-19)
18 Dishepujt e Gjonit i treguan atij për gjithçka. Gjoni thirri dy prej tyre 19 e i dërgoi te Zoti për ta pyetur: «A je ti ai që duhet të vijë apo duhet të presim një tjetër?». 20 Kur arritën te Jezui i thanë: «Gjon Pagëzori na ka dërguar te ti për të të pyetur: “A je ti ai që duhet të vijë apo duhet të presim një tjetër?”». 21 Jezui sapo kishte shëruar shumë njerëz nga sëmundjet e nga mundimet, i kishte çliruar nga shpirtrat e këqij e u kishte kthyer shikimin shumë të verbërve. 22 Atëherë u përgjigj: «Shkoni e i tregoni Gjonit për ato që patë e dëgjuat. Të verbrit po shohin përsëri e të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen e të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen e të varfërve po u shpallet ungjilli. 23 Lum ai, të cilit unë nuk i bëhem pengesë».
24 Kur u larguan të dërguarit e Gjonit, Jezui filloi t'u fliste turmave për Gjonin e tha: «Çfarë shkuat të shihnit në shkretëtirë? Një kallam që e lëkund era? 25 Çfarë shkuat të shihnit, pra? Një njeri të veshur me rroba të buta? Ata që vishen me rroba të kushtueshme e që jetojnë në kënaqësi gjenden në pallatet mbretërore. 26 Çfarë shkuat të shihnit, atëherë? Një profet? Po, po ju them, madje më shumë se një profet. 27 Gjoni është ai për të cilin është shkruar:
ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim
përpara teje,
që të përgatisë udhën tënde.
28 Me të vërtetë po ju them se asnjë grua nuk ka lindur njeri më të madh se Gjon Pagëzorin. Por më i vogli në mbretërinë e Perëndisë është më i madh se ai».
29 Të gjithë ata që e dëgjuan këtë gjë, përfshirë edhe tagrambledhësit, pranuan se Perëndia është i drejtë dhe u pagëzuan nga Gjoni. 30 Por farisenjtë dhe mësuesit e ligjit iu kundërvunë vullnetit të Perëndisë e nuk u pagëzuan nga Gjoni.
31 Pastaj Jezui tha: «Me kë t'i krahasoj njerëzit e kësaj breznie, me kë ngjajnë? 32 Ata u ngjajnë fëmijëve që ulen shesheve dhe i thërrasin njëri-tjetrit e i thonë:
“I ramë fyellit për ju
e nuk kërcyet,
vajtuam
e ju nuk qatë”.
33 Erdhi Gjon Pagëzori, që as ha bukë e as pi verë, e ju thoni: “Është i pushtuar nga djalli”. 34 Erdhi Biri i njeriut, që ha e pi, e ju thoni: “Ja grykësi e pijaneci, miku i tagrambledhësve e i mëkatarëve”. 35 Por urtia e Perëndisë del e drejtë nga të gjithë bijtë e saj».
Falja e gruas mëkatare
36 Një farise e ftoi Jezuin për të ngrënë me të. Jezui shkoi në shtëpinë e fariseut dhe u ul në tryezë. 37 Një grua nga ai qytet, që ishte mëkatare, kur mori vesh se Jezui ishte në shtëpinë e fariseut, solli një enë alabastri me mirrë. 38 Ajo rrinte prapa Jezuit te këmbët e tij duke qarë e filloi t'ia lagte këmbët me lot e t'ia thante me flokët e saj. Pastaj vazhdoi t'ia puthte këmbët e t'ia lyente me mirrë. 39 Kur fariseu që e kishte ftuar Jezuin e pa këtë gjë, tha me vete: «Po të ishte profet ky njeri, do ta dinte kush është e çfarë është kjo grua që po e prek: ajo është mëkatare». 40 Jezui i tha fariseut: «Simon, kam diçka për të të thënë». Simoni iu përgjigj: «Fol, mësues». 41 I tha: «Dy njerëz kishin detyrime ndaj një huadhënësi. Njëri detyrohej pesëqind denarë e tjetri pesëdhjetë. 42 Meqë as njëri e as tjetri nuk mund ta shlyenin detyrimin, ai ua fali atë të dyve. Cili prej të dyve do ta dojë më shumë?». 43 Simoni iu përgjigj: «Ma do mendja se ai të cilit i fali detyrimin më të madh». E Jezui i tha: «Ke gjykuar drejt». 44 Pastaj u kthye nga gruaja e i tha Simonit: «A e sheh këtë grua? Erdha në shtëpinë tënde e ti nuk më dhe as ujë për këmbët, ndërsa ajo m'i lau me lotët e saj e m'i thau me flokët e saj. 45 Ti nuk më përshëndete me puthje, ndërsa ajo nuk ka pushuar së puthuri këmbët e mia sapo hyra brenda. 46 Ti nuk ma leve kokën me mirrë, ndërsa ajo m'i leu këmbët me mirrë. 47 Po të them se dashuria e madhe që ajo shfaqi tregon se mëkatet e saj të shumta janë falur. Por ai të cilit i është falur pak, tregon pak dashuri». 48 Pastaj i tha asaj: «Të janë falur mëkatet». 49 Por ata që ishin me të në tryezë filluan të thoshin me njëri-tjetrin: «Kush është ky që falka edhe mëkatet?». 50 Ndërsa Jezui i tha gruas: «Besimi yt të shpëtoi, shko në paqe».
1 Edhe passi mbaroj gjithë fialët’ e ti ndë veshët të llauzit, hyri ndë Kapernaum.
2 Edhe shërbëtori i një kryeqindësi, që e kishte shumë të vëjyerë, ishte keq për të vdekurë.
3 Edhe kur dëgjoj për Jisunë, dërgoj pleqt’ e Judhevet tek ay, tuke lutur’ atë që të vij e t’i shpëtonjë shërbëtorin’ e ati.
4 Edhe ata erdhë te Jisuj, e i luteshinë me nxitim, tuke thënë:
5 Se vëjen t’ia bënjç këtë; sepse ay do kombinë tënë, edhe ay na ka ndërtuarë sinagogjinë.
6 Edhe Jisuj ecënte bashkë me ata.
Edhe atie tek nuk’ ishinë lark shtëpisë, kryeqindësi dërgoj miq tek ay, tuke i thënë: “Zot, mos u mundo, sepse nukë jam i zoti që të hynjç ndënë strehët time.
7 Përandaj as vetëhenë time e gjeta të zonë të vinj te ti; po thuaj një fialë, edhe shërbëtori im do të shëronetë.
8 Sepse edhe unë jam një njeri ndën’ urdhër, edhe kam ndënë vetëhenë time ushtëtorë; edhe i them këti: “Ecë”, edhe vete; edhe tiatrit: “Eja”, edhe vien; edhe shërbëtorit tim: “Bën këtë”, edhe e bën.”
9 Edhe Jisuj kur ndigjoj këto, u çudit për atë, edhe u këthye, e i tha gjëndëjesë që i vinte pas: “Po u them juve, se as ndë Israil s’kam gjeturë kaqë besë.”
10 Edhe ata që ishinë dërguarë, kur u këthyenë ndë shtëpi, gjetnë shërbëtorin’ e sëmuarë të shëndoshë.
11 Edhe mbë të nesërmet Jisuj vij ndë një qytet që qjuhej Nain; edhe vijnë bashkë me atë edhe mjaft nga nxënësit’ e ti, edhe shumë gjëndëje.
12 Edhe kur u afrua ndë portët të qytetit, javoka te sillinë përjashta një të vdekurë, të cilin’ e ëma e kishte bir të vetëmë, edhe ajo ishte e ve; edhe bashkë me atë ishte shumë gjëndëje prej qytetit.
13 Edhe Zoti kur pa atë, i erdhi keq për atë, edhe i tha asaj: “Mos qjaj.”
14 Edhe u afrua e zuri shtratnë; (edhe ata që e mbaninë qëndruanë); edhe tha: “Dialosh, po të them, ngreu.”
15 Edhe i vdekuri u ngrit e ndenji, edhe zuri të flasë. Edhe ia dha s’ëmësë.
16 Edhe të gjithëve u hyri frikë, edhe lavdoninë Perëndinë, tuke thënë, se: “Profit i math është ngriturë ndër ne, edhe se Perëndia vuri re llauzin’e ti.”
17 Edhe kjo fialë për atë dolli jashtë ndëpër gjithë Judhenë, edhe ndëpër gjithë vëndet rrotullë.
18 Edhe nxënësit’ e ati i dhanë zë Joannit për gjithë këto.
19 Edhe Joanni thirri përanë dy vetë nga nxënësit’ e ti, e i dërgoj te Jisuj, tuke thënë: “Ti je ay që ka për t’ ardhurë, apo presmë tietrë?”
20 Edhe njerëzitë, si erdhë tek ay, thanë: “Joann pagëzori na ka dërguarë te ti, tuke thënë: Ti je ay që ka për t’ ardhurë, apo presmë tietrë?”
21 Edhe nd’atë orë ay shëroj shumë vetë nga sëmundëjet’ e nga mundimet’e nga frymat’ e liga, edhe shumë të verburve u fali të parëtë.
22 Edhe Jisuj u përgjeq e u tha: “Ecëni e epni zë Joannit për gjithë sa patë e ndigjuatë, se të verburë hapnjënë sytë, të çalë ecënjënë, të krromosurë qëronenë, të shurdhërë ndigjonjënë, të vdekurë ngjallenë, të vobegjë ndigjonjënë zën’ e mirë.
23 Edhe lum ay që të mos skandhalisetë mbë mua.”
24 Edhe passi iknë ata që ishinë dërguarë nga Joanni, zuri t’i thoshte gjëndëjesë për Joanninë: “Përse keni dalë ndë shkretëtirët të shihni? Kallam që tundetë nga era?
25 Po përse keni dalë të shihni? Njeri veshurë me rrobe të buta, na ata që janë veshurë me rrobe rrobe të ndritura, edhe ndër të kënaqura, te janë ndëpër dyerët të mbëretëravet.
26 Po përse keni dalë të shihni? Profit? Po u them juve, edhe më tepërë se profit.
27 Kyj është’ ay që është shkruarë për atë: ”Na unë te po dërgonj ëngjëllinë tim përpara faqesë sate, ay do të ndreqnjë udhënë tënde përpara teje.”
28 Sepse po u them juve: Më i math profit se Joan Pagëzori asndonjë nuk është nga sa kanë lindurë prej grash; po më i vogëli ndë mbëretërit të Perëndisë është më i math se ay.”
29 Edhe gjithë llauzi kur ndigjuan’ atë , edhe kumerqarëtë, nxuarë të drejtë Perëndinë, tuke pagëzuarë vetëhen’ e tyre me pagëzimn’ e Joannit.
30 Po Farisenjt’ edhe nomtarëtë e hodhë poshtë prej vetëhesë tyre andën’e Perëndisë, sepse nuk’ u pagëzuanë prej ati.
31 [Edhe Zoti tha] Me se t’i gjanj pra njerëzit’e këti brezi? Edhe me se shëmbëllenjënë?
32 Këta gjanjënë me çuna që rrinë ndë trek, edhe thërresënë njëri jatrinë, e thonë: U ramë fyellit, edhe nukë këcyetë; u bëm vajë, edhe nukë qjatë.
33 Sepse erdhi Joann Pagëzori, që as bukë ha, as verë pi; edhe thoni, se : Ka diallë. Erdhi i bir’ i njeriut tuke ngrënë e tuke pirë, edhe thoni:
34 Na njeri hamës e verë-pirës, miku i kumerqarëvet e i fajtorëvet.”
35 Edhe dituria dolli e drejtë prej gjithë të bijvet saj.
36 Edhe një prej Farisevet i lutej të hajë bashkë me atë; edhe ay hyri ndë shtëpit të Fariseut, edhe ndenji ndë mësallë.
37 Edhe javoka, një grua nd’atë qytet, e cila ishte fajtore, kur ndieu, se kish rënë ndë shtëpit të Fariseut, pruri një allavastrë me vaj erërash.
38 Edhe ndenji prapa përanë këmbëvet ati tuke qjarë, edhe zuri e lakte këmbët' e ati me lot, edhe ia fshinte me flokët’ e kresë saj, edhe puthte këmbët’ e ati, edhe ia lyente me vaj erërash.
39 Edhe ay Fariseu që e kish thërriturë, kur pa, tha me vetëhe të ti, tuke thënë: “Kyj ndë ishte profit, do të njihte cila edhe çfarë gruaje ësht ’ ajo që e prek, sepse është fajtore.”
40 Edhe Jisuj u përgjeq e i tha ati: “Simon, diç kam të të them.”
41 Edhe ay i thotë: “Mësonjës, thuaj.” “Një hua-dhënës kishte dy detorë; njëri i kishte detyrë pesë qint dinarë, edhe tiatri pesë-dhietë.
42 Edhe passi nukë kishinë t’ia laninë, ua fali të dyve. Thuaj pra, cili nga ata do t’e dojë më teprë?”
43 Edhe Simoni u përgjeq e tha: “Më duketë, se ay , të cilit i fali më të shumënë.” Edhe ay i tha: “Gjykove drejtë.”
44 Edhe si u këthye nga gruaja, i tha Simonit: “A e sheh këtë grua? Hyra ndë shtëpit tënde, ti nukë më dhe ujë për të larë këmbëtë; po ajo më lagu këmbëtë me lot, edhe i fshiu me flokët’ (e kresë saj).
45 Ti nukë më puthe; po ajo, që kur hyra, nukë pushoj tuke puthurë këmbët’ e mia.
46 Ti nukë më leve kryetë me vaj, po ajo më leu këmbëtë me vaj erërash.
47 Përandaj po të them: Janë ndëjerë fajet’ e asaj të shumatë; sepse deshi shumë; sepse ay që do pak, pak i ndëjenenë fajetë .”
48 Pastaj i tha asaj: “Të janë ndëjerë fajetë.”
49 Edhe ata që kishinë ndenjurë ndë mësallët zunë të thonë me vetëhen’ e tyre: “Cili është kyj që ndëjen edhe faje?”
50 Edhe ay i tha gruasë: “Besa jote të shpëtoj; hiq ndë paqtim.”