1 Dua t'ju bëj të njohur luftën e madhe që bëj për ju, për ata të Laodicesë dhe për të gjithë ata që nuk më kanë njohur personalisht. 2 Unë luftoj që zemrat e tyre të gjejnë ngushëllim, që ata të jetojnë të bashkuar me dashuri e të pasuruar me sigurinë që jep dija e plotë. Kështu ata mund të njohin të fshehtën e Perëndisë , Krishtin. 3 Në të gjenden të fshehura të gjitha thesaret e urtisë e të dijes. 4 Këtë jua them që të mos ju gënjejë askush me fjalë joshëse. 5 Edhe pse me trup nuk jam aty, shpirtërisht jam me ju dhe gëzohem kur shikoj rregullin dhe qëndrueshmërinë e besimit tuaj në Krishtin.
Plotësia e jetës
6 Kështu, përderisa e keni pranuar Jezu Krishtin si Zot, jetoni të bashkuar me të. 7 Tek ai t'i keni rrënjët e mbi të ta ndërtoni jetën tuaj. Bëhuni më të qëndrueshëm në besim, ashtu siç ju kanë mësuar, dhe jini plot mirënjohje.
8 Kujdes se mos ju mashtron ndokush me fjalë filozofike, mashtruese e të kota, fjalë që vijnë nga tradita njerëzore, nga fuqitë shpirtërore të kësaj bote e jo nga Krishti.
9 Në të vërtetë, gjithë plotësia e natyrës hyjnore banon trupërisht në Krishtin 10 dhe të bashkuar me Krishtin edhe ju e keni këtë plotësi. Ai është mbi çdo pari e pushtet. 11 Të bashkuar me Krishtin, ju keni rrethprerjen e vërtetë, jo rrethprerjen e bërë nga duar njerëzore, por rrethprerjen që vjen nga Krishti dhe që është zhveshja e trupit të mëkatit. 12 Ju u varrosët me Krishtin gjatë pagëzimit, por edhe u ngjallët bashkë me të nëpërmjet besimit te fuqia e Perëndisë që e ngjalli Krishtin prej të vdekurve. 13 Ju ishit të vdekur për shkak të paudhësive tuaja dhe të parrethprerjes, por Perëndia ju dha jetë e jua fali paudhësitë.
14 Ai e fshiu dhe e zhduku dorëshkrimin që na padiste dhe që ishte kundër nesh për shkak të urdhërimeve të tij, duke e mbërthyer në kryq. 15 Kështu Perëndia i çarmatosi paritë e pushtetet djallëzore dhe i turpëroi botërisht kur ngadhënjeu kryqi.
16 Mos lejoni t'ju gjykojë askush për çështje ushqimesh a pijesh, për çështje festash, hënash të reja a të shtunash. 17 Këto nuk janë veçse hije të gjërave që duhej të vinin, domethënë të pranisë së vërtetë të Krishtit.
18 Mos lejoni t'ju gjykojë ndonjëri që hiqet si më i lartë për shkak të vegimeve që ka parë apo që këmbëngul në përulësi të jashtme e në adhurime engjëjsh, sepse ky njeri krekoset më kot për shkak të mendjes së tij njerëzore. 19 Ai njeri nuk ka lidhje me kreun e trupit, Krishtin, nga i cili ushqehet i gjithë trupi dhe mbahet i lidhur me anë të nyjave dhe të kyçeve, duke u rritur sipas vullnetit të Perëndisë.
Jeta e re me Krishtin
20 Përderisa vdiqët bashkë me Krishtin e u çliruat nga fuqitë shpirtërore që sundojnë këtë botë, përse jetoni si t'i përkisnit botës? Përse u nënshtroheni rregullave, si: 21 «Mos e merr këtë!», «Mos e shijo atë!», apo «Mos e prek këtë!»? 22 Këto janë gjëra që janë caktuar për t'u kalbur pasi të përdoren, janë rregulla e mësime njerëzish. 23 Sigurisht, ato duken sikur kanë urti, se vishen me fetari sipas dëshirës së njerëzve, me përulësi e me një trajtim të ashpër të trupit, por në të vërtetë nuk kanë asnjë vlerë, përveçse kënaqin dobësinë njerëzore.
1 Sepse dua ta dini sa luftë të madhe kam për ju edhe për ata që janë ndë Llaodhiqi, edhe për gjithë sa s’kanë parë faqenë time me trup,
2 Që të ngushullonenë zemërat’ e atyreve, tuke bashkuarë ndë dashuri, edhe mbë çdo farë pasëje të mbushurit mëndëjesë, që të njohënë fshehësirën’ e Perëndisë edhe Atit edhe të Krishtit;
3 Ndë të cilinë janë fshehurë gjithë thesarët’ e diturisë edhe të mëndëjesë.
4 Edhe them këtë, që të mos u gënjenjë juve ndonjë me fialë të holla.
5 Sepse ndonëse nukë përpara jush me trup, po me shpirt jam bashkë me ju, tuke gëzuarë e tuke parë taksinë tuaj, edhe qëndresën’ e besësë mbë Krishtinë.
6 Sikundrë pra e keni marrë Zotinë Jisu Krisht, kështu ecëni mb’ atë,
7 Tuke zënë rrënjë e tuke ndërtuarë mb’atë, edhe tuke forcuarë ndë besët, sikundrë u mësuatë, tuke tepruarë mb’ atë me të falurë ndersë.
8 Vështroni mos u gënjenjë ndonjë me anë të fillosofisë edhe të kobimit kotë, pas fialëvet njerzet, që kanë lënë pas stiqiavet botësë, e jo pas Krishtit.
9 Sepse tek ay rri gjithë të mbushurit’ e hierisë trupërisht;
10 Edhe jeni mbushurë tek ay, i cili është kryet’ e çdo urdhëri e çdo pushteti;
11 Ndë të cilin’ edhe jeni rrethprerë me rrethpresje që s’bënetë me dorë, tuke sveshurë trupin’ e fajevet të mishit me rrethpresëje pa bërë me dorë, sepse keni sveshurë trupin e fajevet’ mishit me anë të rrethpresëjesë Krishtit.
12 Jeni kallurë ndë varr bashkë me atë ndë pagëzimt, prej ati edhe jeni ngjallurë me anë të besësë vepërimit Perëndisë, i cili ngjalli atë nga të vdekuritë.
13 Edhe juve, tuke qënë të vdekurë ndë fajet e ndë parrethpresëjet të mishit tuaj, u bëri të gjallë bashkë me atë, passi u fali juve gjithë fajetë;
14 Edhe passi shoj dorëshkronjën’ e porosivet që ishte kundrë nesh, edhe e hoqi atë nga mezi, si e mbërtheu mbë kryqt;
15 Edhe passi sveshi urdhërat’ edhe pushtetetë, i dëfteu ndër sy, passi thriamvepsi kundrë atyre mbi atë.
16 Le të mos u gjykonjë juve pra asndonjë për të ngrënë a për të pirë, a për dica dit të së kremtesë, a për hëna të ra, a për të shëtuna;
17 Të cilatë janë hijeja e punëravet që do të vinjënë, po trupi ësht’ i Krishtit.
18 Asndonjë le të mos u marrë juve bravurënë me të shtyrë urtësie, edhe me të lutur’ ëngjëjsh, tuke hyrë mbë ato punë që s’ka parë, tuke fryturë vetëhenë kot nga mëndeja e mishit ti,
19 Edhe nukë mban kryetë, Krishtinë, që ruhetë gjithë trupi prej ati, edhe është lidhurë me nyejet e me të lidhurat, rritetë pas të rriturit Perëndisë.
20 Ndë qoftë pra se vdiqtë bashkë me Krishtinë nga këto stiqiat’ e botësë, përse sikur jeni të gjallë ndë botët, kështu rrini ndën’ urdhërat,
21 (Mos pieksh me dorë, mos ngjëronesh, mos rroksh,
22 Që gjith’ ato prishenë nga të përndoruritë); sikundrë se jan’ urdhëratat’ edhe mësimet’ e njerëzet?
23 Të cilatë punëra dukenë se kanë dituri mbë lutëjenë prej vetiu e mbë urtësi, e mbë të pakurcyerë të trupit, sepse s’kanë për ndonjë farë nderi mishinë, po e kujtonjënë për tepëricë.