Ligji apo besimi
1 O galatas të marrë, kush jua mori mendtë si me magji juve, para syve të të cilëve Jezu Krishti u përshkrua i kryqëzuar? 2 Vetëm këtë dua të marr vesh prej jush, a e morët Shpirtin falë veprave që kërkon ligji apo falë dëgjesës së besimit? 3 Kaq të marrë qenkeni? Pasi filluat të jetonit në Shpirtin, tani po përfundoni në një jetë sipas trupit njerëzor? 4 Më kot i përjetuat gjithë këto gjëra? A thua vërtet më kot? 5 Ai, pra, që ju jep Shpirtin e vepron me fuqi ndër ju, a mos i bën këto falë veprave që kërkon ligji apo falë dëgjesës së besimit?
6 Kështu Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo iu numërua për drejtësi.
7 Dijeni, pra, se ata që besojnë janë bij të Abrahamit. 8 Prandaj Shkrimi, duke paraparë se Perëndia do t'i bënte të drejta kombet përmes besimit, ia dha Abrahamit që më parë lajmin e mirë: gjithë kombet do të bekohen në ty. 9 Kështu, ata që besojnë janë të bekuar bashkë me besëtarin Abraham.
10 Ata që mbështeten në veprat që kërkon ligji janë nën mallkim, sepse Shkrimi thotë: qoftë mallkuar kushdo që nuk vazhdon të bëjë gjithçka që është shkruar në librin e Ligjit. 11 Është e qartë se askush nuk bëhet i drejtë para Perëndisë me anë të ligjit, sepse i drejti do të jetojë prej besimit.
12 Ligji nuk buron prej besimit, por kush i zbaton urdhërimet e tij do të jetojë prej tyre. 13 Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit duke u bërë vetë mallkim për ne, sepse Shkrimi thotë: i mallkuar është cilido që varet në dru. 14 Prandaj, bekimi i Abrahamit u vjen kombeve me anë të Krishtit Jezu dhe premtimin e Shpirtit ne e marrim përmes besimit.
Ligji dhe premtimi
15 Vëllezër, po flas si njeri. Asnjeri nuk i heq e nuk i shton gjë një besëlidhjeje njerëzore pasi kjo të jetë vulosur. 16 Premtimet iu bënë Abrahamit dhe pasardhësit të tij. Shkrimi nuk thotë: «Edhe pasardhësve » si për shumë të tillë, por për një të vetëm: «Dhe pasardhësit tënd » që është Krishti. 17 Ja çfarë po them: ligji, që u dha katërqind e tridhjetë vjet më vonë, nuk e zhvleftëson besëlidhjen e bërë më parë nga Perëndia e as premtimin. 18 Nëse trashëgimia do të vinte prej ligjit, nuk do të vinte nga premtimi. E, pra, Perëndia ia dhuroi atë Abrahamit me anë të premtimit.
19 Pse u dha ligji, atëherë? Ai u shtua për shkak të paudhësive, derisa të vinte pasardhësi, të cilit iu bë premtimi. Ligji u shpall prej engjëjve me anë të një ndërmjetësi, 20 por nuk mund të ketë ndërmjetës për një palë të vetme. E Perëndia është një i vetëm.
Skllevërit dhe bijtë
21 A u kundërvihet ligji premtimeve të Perëndisë? Larg qoftë! Po të ishte dhënë një ligj që mund të jepte jetë, atëherë njeriu do të bëhej me të vërtetë i drejtë prej ligjit. 22 Por Shkrimi thotë se gjithçka i është nënshtruar mëkatit. Kështu, premtimi i Perëndisë u jepet me anë të besimit atyre që besojnë në Jezu Krishtin.
23 Para se të vinte besimi, ne mbaheshim të burgosur nën fuqinë e ligjit, në pritje të besimit që Perëndia do të zbulonte. 24 Kështu ligji u bë kujdestari ynë deri në ardhjen e Krishtit, që të bëhemi të drejtë me anë të besimit. 25 Me ardhjen e besimit, nuk jemi më nën kujdestarin.
26 Ju të gjithë jeni bij të Perëndisë përmes besimit në Krishtin Jezu. 27 Të gjithë ju që u pagëzuat në Krishtin, u veshët me Krishtin. 28 Nuk ka më jude a helen, nuk ka më skllav a të lirë, nuk ka më mashkull a femër, sepse të gjithë ju jeni një në Krishtin Jezu. 29 Nëse jeni të Krishtit, atëherë jeni pasardhës të Abrahamit, trashëgimtarë sipas premtimit të Perëndisë.
1 O Gallatiannë të marrë, kush u mori mbë sy juve, (të mos bindeni mbë të vërtetënë,) që përpara sysh tuaj Jisu Krishti qe shkruarë ndër ju i kryqëzuarë?
2 Këtë vetëmë dua të marr vesh prej jush: Prej punërash nomit e muartë Frymënë, a prej së dëgjuarësë besësë?
3 Kaqë të marrë jeni? E nistë me Frymë, ndashti e mbaroni me mish.
4 Kot pësuatë kaqë punëra ? Ndë qoftë se vetëmë mbë kot.
5 Ay pra që u ep juve Frymënë, edhe vepëron çudira ndër ju, prej punërash nomit i bën këto, a prej së dëgjuarësë besësë?
6 Sikundrë “Avraami i besoj Perëndisë, edhe iu numërua për drejtëri.”
7 “Dineni pra, se ata që janë prej besësë, këta janë të bijt’e Avraanit.
8 Edhe shkronja tuke parë që përpara se Perëndia nxier kombetë të drejtë prej besësë, i dha zë Avraamit që përpara: “Se gjithë kombetë do të bekonenë mbë tyj.”
9 Përandaj ata që janë prej besësë bekonenë bashkë me besëtarin’ Avraam.
10 Sepse sa njerës janë prej punërash nomit, janë ndënë mallëkim; sepse është shkruarë: “I mallëkuar’ është cilido që s’qëndron mbë gjith’ ato që janë shkruarë ndë vivli të nomit, për të bër’ ato.”
11 Po, se asndonjë s’del i drejtë me anë të nomit përpara Perëndisë, është shpërfaqurë, se: “I drejti do të rronjë prej besësë.”
12 Edhe nomi nuk është prej besësë, po “ay njeri që bën ato, do të rronjë prej atyreve.”
13 Krishti na shpërbleu nga mallëkimi nomit, sepse u bë mallëkim për ne; sepse është shkruarë: “I mallëkuar’ është cilido që varetë mbi drut.”
14 Që të vinjë bekimi i Avraamit ndër kombet me anë të Jisu Krishtit, që të marrëmë të zotuarët’e Frymësë me anë të besësë.
15 O vëllezër, si njeri flas; po edhe një dhiatë që është bërë nga njeriu, asnjeri s’e heth poshtë, a shton gjë mb’atë .
16 Edhe të zotuarat’ iu folnë Avraamit edhe farës’ ati; nukë thotë: Edhe farave, si për shumë, po si për një: “Edhe farësë sate”, që është Krishti.
17 Edhe këtë e them, se dhiatënë që qe bërë që përpara mbë Krishtinë prej Perëndisë nomi që qe pas katrë qint e tri-dhietë vieç nuk’ e heth poshtë, që të prishnjë të zotuarëtë.
18 Sepse ndë qoftë trashëgimi prej nomit, nuk’ është më prej të zotuarit; po Perëndia ia fali këtë Avraamit me anë të zotuarit.
19 Përse u dha pra nomi? U vu për punë të shkelurësë porosivet, gjersa të vinte ajo fara, që qe zotuarë mb’ atë që qe udhëruarë prej ëngjëjsh ndë dorët të mestarit.
20 Edhe mestari s’ësht’ i njërit vetëmë ; po Perëndia është një.
21 Nomi pra qënëka kundrë të zotuaravet të Perëndisë? Qoftë lark! Sepse ndë ishte dhënë nom që munt të epte jetë, atëhere drejtëria do t’ ishte me të vërtetë prej nomit.
22 Po shkronja i mbyll bashkë të gjitha ndënë fajinë, që t’u epetë të zotuarëtë prej besësë Jisu Krishtit atyreve që besonjënë.
23 Edhe përpara se të vinte besa, ruheshim ndënë nom, mbyllurë brënda nd’ atë besë, që ishte për të sbuluarë.
24 Përandaj nomi u bë mësonjësi ynë mbë Krishtinë, që dalëmë të drejtë prej besësë.
25 Po passi erdhi besa, s’jemi më ndënë mësonjës.
26 Sepse të gjithë jeni të bijt’ e Perëndisë me anë të besësë që është mbë Jisu Krishtinë. 27 Sepse sa jeni pagëzuarë mbë Krishtinë, keni besuarë Krishtinë.
28 Nuk’ është Judhe as Grek; nuk’ është shërbëtuar as i lirë; nuk’ është mashkull’ e femërë; sepse ju të gjithë jeni një mbë Jisu Krishtinë.
29 Edhe ndë qofshi ju të Krishtit, vallë jeni far’ e Avraamit, edhe trashëgimtarë pas të zotuarit.