Për shkruesit dhe farisenjtë
(Mk 12.38-40Lk 11.37-52Lk 20.45-47)
1 Atëherë Jezui u tha turmave e dishepujve: 2 «Shkruesit e farisenjtë janë ulur në katerdrën e Moisiut. 3 Bëni e zbatoni gjithçka që ju thonë ata, por mos veproni sipas veprave të tyre, se nuk veprojnë siç thonë. 4 Lidhin barrë të rënda që mbahen me vështirësi e ua vënë njerëzve mbi shpatulla, por vetë nuk duan t'i lëvizin as me gisht. 5 Të gjitha veprat i bëjnë për t'u dukur para njerëzve. Thekët i mbajnë të gjera e cepat e petkut të gjata. 6 U pëlqen të kenë vendin e nderit nëpër festa dhe vendet e para nëpër sinagoga. 7 Duan që njerëzit t'i përshëndesin nëpër sheshe e t'i thërrasin “mësues” .
8 Por ju mos lejoni t'ju thërrasin mësues, sepse një është mësuesi juaj dhe ju jeni të gjithë vëllezër. 9 Mos quani askënd mbi tokë atë, se Ati juaj është një: ai që është në qiell. 10 Mos lejoni t'ju thërrasin prijës, se e keni një prijës, Krishtin. 11 Kush është më i madhi ndër ju, të jetë shërbëtori juaj. 12 Kush lartëson veten, përulet dhe kush përul veten, lartësohet».
13-14 «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë, që u mbyllni njerëzve mbretërinë e qiellit! As vetë nuk hyni brenda e as lejoni të hyjnë ata që duan ».
15 «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë, që përshkoni detin e tokën për të kthyer një njeri në besim dhe më pas e bëni bir të Gehenës dy herë më shumë se veten tuaj!».
16 «Mjerë ju, o udhërrëfyes të verbër, që thoni: “Nëse dikush betohet për tempullin, s'ka gjë, por nëse betohet për arin e tempullit, është i detyruar ta mbajë betimin”. 17 Të marrë e të verbër! Çfarë është më i rëndësishëm, ari apo tempulli që e shenjtëron arin? 18 Ju thoni: “Nëse dikush betohet për altarin, s'ka gjë, por nëse betohet për dhuratën që gjendet mbi altar, është i detyruar të mbajë betimin”. 19 Të verbër ! Çfarë është më e rëndësishme, dhurata apo altari që e shenjtëron dhuratën? 20 Sepse kush betohet për altarin, betohet për të dhe për gjithçka që gjendet mbi altar. 21 Kush betohet për tempullin, betohet për të dhe për atë që banon në tempull. 22 Kush betohet për qiellin, betohet për fronin e Perëndisë dhe për atë që rri ulur mbi fron».
23 «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë! Ju i kushtoni Perëndisë një të dhjetën e mendrës, të koprës e të kuminit, por lini pas dore gjërat më me peshë të ligjit: drejtësinë, mëshirën e besnikërinë. Këto duhet të zbatoni, pa lënë pas dore të tjerat. 24 Udhërrëfyes të verbër! Ju kulloni pijen për të hequr mushkonjën, por gëlltitni devenë!».
25 «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë! Ju pastroni anën e jashtme të kupës e të pjatës, por brenda ato janë plot me vjedhje e shfrenim. 26 Farise i verbër, pastro më parë anën e brendshme të kupës e të pjatës, që të jetë e pastër edhe ana e jashtme».
27 «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë! Ju ngjani me varre të zbardhura që duken të bukura nga jashtë, por brenda janë plot me eshtra të vdekurish e gjithfarë ndyrësish. 28 Kështu, nga jashtë ju shfaqeni para njerëzve si të drejtë, por përbrenda jeni plot hipokrizi e paudhësi».
Mjerë ju
29 «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë, se ndërtoni varret e profetëve e stolisni përmendoret e të drejtëve! 30 Ju thoni: “Po të kishim jetuar ne në kohën e etërve tanë, nuk do të kishim marrë pjesë në derdhjen e gjakut të profetëve”. 31 Kështu dëshmoni kundër vetes suaj, se jeni bij të atyre që vranë profetët. 32 Çojeni deri në fund veprën e nisur nga etërit tuaj. 33 Gjarpërinj e pjellë nepërkash, si do t'i shmangeni dënimit të Gehenës? 34 Prandaj unë po ju dërgoj juve profetë, të urtë dhe shkrues. Disa prej tyre do t'i vrisni e do t'i kryqëzoni, të tjerë do t'i rrihni në sinagogat tuaja e do t'i përndiqni nga qyteti në qytet 35 dhe kështu do të bjerë mbi ju tërë gjaku i drejtë i derdhur mbi tokë, që nga gjaku i Abelit të drejtë, deri te gjaku i Zakarisë, birit të Barakut, që e vratë mes shenjtërores e altarit. 36 Me të vërtetë po ju them se të gjitha këto gjëra do të bien mbi këtë brezni».
Vajtimi për Jerusalemin
(Lk 13.34-35)
37 «Jerusalem, Jerusalem, ti që vret profetët e që me gurë i vret të dërguarit e Perëndisë! Sa herë kam dashur t'i mbledh bijtë e tu, siç mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët! 38 Ja, shtëpia juaj do të mbetet e shkretë. 39 Unë po ju them se nuk do të më shihni më, derisa të thoni:
bekuar qoftë
ai që vjen në emër të Zotit! ».
1 Atëhere Jisuj i foli gjëndëjesë edhe nxënësëvet ti,
2 Tuke thënë: “Shkronjësit’ edhe Farisejtë ndenjnë mbi front të Mojsiut.
3 Gjithë sa t’u thonë pra juve t’i ruani, ruani edhe bëni; po pas punëravet atyre mos bëni; sepse thonë edhe nukë bënjënë.
4 Sepse lithnjënë barrë të rënda që nukë mbahenë, edhe i vënë përmbi kurrist të njerëzëvet; po me gjishtin’ e tyre nukë duanë t’i luanjënë.
5 Edhe gjithë punët’ e tyre i bënjënë që të dukenë ndër njerëzit; edhe sgjeronjënë ruajtëjet’ e tyre, edhe madhonjënë cepat’ e rrobevet tyre;
6 Edhe duanë kryet’ e mësallësë ndëpër darkat, edhe vëndet’ e parë ndëpër sinagogjit;
7 Edhe të përshëndeturatë ndëpër tregjet, edhe të qjuhenë nga njerëzitë: Ravvi, Ravvi.
8 Po ju mos qjuhi Ravvi, sepse një është mësonjësi juaj, Krishti. Edhe të gjithë ju jeni vëllezërë.
9 Edhe mos qjuani ndonjë atë për ju mbi dhet; sepse një është Ati juaj, ay që është ndë qiejet.
10 As mos qjuhi mësonjësë; sepse një është mësonjësi juaj, Krishti.
11 Po më i madhi prej jush do të jetë punëtori juaj.
12 Edhe kush të lartësonjë vetëhen’e ti, do t’ungjetë; edhe kush të ungjnjë vetëhen’e ti, do të lartësonetë.
13 Po mierët ju Shkronjës’ edhe Farisenj, ipokritërë; sepse mbyllni mbëretërin’ e qiejevet përpara njerëzëvet; sepse nukë hyni ju, nukë lini të hynjënë as ata që hynjënë.
14 Mierët ju shkronjës’ edhe Farisenj, ipokritërë, sepse hani shtëpiat’ e të vejavet, edhe këtë e bëni me shkak se bëni të falura të gjata, përandaj do të merrni më tepërë mundim.
15 Mierët ju shkronjës’ e Farisenj, ipokritërë; se kërkoni detin’ edhe tokënë për të bërë një të këthyerë; si të bënetë, e bëni atë bir gjehene dy piesë më tepërë se vetëhenë tuaj.
16 Mierët ju udhëheqësë të verburë, që thoni, se: “Kush të bënjë be për tempullinë, nuk’ është gjë; po kush të bënjë be për arin’ e tempullit, bënetë detuar.”
17 Të marrë edhe të verburë! Sepse cili është më i math: ari, apo tempulli që shënjtëron arinë?
18 Edhe Kush të bënjë be për therorenë, nuk’ është gjë; po kush të bënjë be për dhurëtinë që është mbi atë, bënetë detuar.
19 Të marrë edhe të verburë! Sepse cila është më e madhe, dhurëtia, apo therorja që shënjtëron dhurëtinë?
20 Ay pra që të bënjë be mbë therorenë, bën be për atë, edhe për gjith’ ato që janë përmbi atë.
21 Edhe ay që të bënjë be për tempullinë, bën be për atë, edhe për atë që rri nd’atë.
22 Edhe ay që bën be për qiellt, bën be për front të Perëndisë, edhe për atë që rri mbi atë.
23 Mierët ju shkronjës’ edhe Farisenj, ipokritër; sepse epni të dhietën’ e mendrëzë, e marajt, e qiminonit; edhe keni lënë më të rëndat’ e nomit, gjyqin’ edhe përdëllimin’ edhe besënë; këto gjan t’i bëni, edhe ato mos t’i lini.
24 Udhëheqësë të verburë, që shtrythni mishkonjënë, edhe kamillen’ e përpini.
25 Mierët ju shkronjës’ edhe Farisenj, ipokritërë; sepse qëroni të përjashtëmen’ e potirit edhe të kupësë, po përbrënda janë plot me rrëmbyerëje edhe me të pambajturë vetëhesë.
26 Farise i verburë, qëro më përpara të përbrënçimen’ e potirit edhe të kupësë, që të bënet’ e qëruarë edhe e përjashtëmeja e atyre.
27 Mierët ju shkronjës’ edhe Farisenj, ipokritërë; sepse gjani me varre të lyerë me këlqere, të cilëtë përjashta dukenë të bukurë, po përbrënda janë plot me eshtëra të vdekurish, e çdo farë ndryrësire.
28 Kështu edhe ju, përjashta dukeni të drejtë te njerëzitë, po përbrënda jeni plot me ipokrisi e me panomi.
29 Mierët ju shkronjës’ edhe Farisenj, ipokritërë; sepse ndërtoni varret’ e profitëvet, edhe stolisni mnimoret’e të drejtëvet.
30 Edhe thoni: Ndë qoftë se ishëm ne ndë dit të atërëvet tanë, nukë do të ishëm piesëtarë me ata ndë gjak të profitëvet.
31 Kaqë sa martirisni për vetëhenë tuaj, se jeni të bijt’ e atyre që vranë profitëritë.
32 Mbushni edhe ju masën’ e atërëvet tuaj.
33 Gjarpinj, këlysh nepërkash, qysh do t’ ikni nga dënimi gjehenësë?
34 Përandaj, ja unë te do të dërgonj te ju profitërë, edhe të diturë, edhe shkronjësë, edhe ca nga ata do t’i vrisni e do t’i kryqëzoni, edhe ca nga ata do t’i rrihni ndëpër sinagogjit tuaja, edhe do t’i ndiqni prej një qyteti mbë tiatrinë qytet;
35 Që të vinjë mbë ju çdo gjak i drejtë që është derdhurë mbi dhet, që nga gjaku i Avelit të drejtë e gjer mbë gjakt të Zaharisë, të birit të Varahiut, të cilin’ e vratë ndë mest të tempullit edhe të theroresë.
36 Me të vërtetë po u them juve: Gjithë këto do të vinjënë përmbi këtë bres.
37 Jerusalim, Jerusalim, që vret profitëritë, edhe rreh me gur’ ata që janë dërguarë te ti, sa herë desha të mbëledh bijt’ e tu, sikundrë pula mbëleth zoqt’ e saj ndënë fletët, po nukë deshtë?
38 Ja shtëpia juaj te po u lihetë e shkretë.
39 Sepse po u them juve: Nukë do të më shihni paskëtaj, gjersa të thoni: I bekuar’ ësht’ ay që vien mb’emërit të Zotit.