Çështje të martesës
1 Sa për ato që më shkruat, mirë është që njeriu të mos prekë grua. 2 Por për të mos rënë në kurvëri, çdo burrë le të ketë gruan e vet dhe çdo grua të ketë burrin e vet. 3 Burri le të përmbushë detyrimin e tij martesor ndaj gruas dhe po ashtu edhe gruaja ndaj burrit. 4 Gruaja nuk e zotëron trupin e vet, por e zotëron burri i saj. Po ashtu edhe burri nuk e zotëron trupin e vet, por e zotëron gruaja e tij. 5 Mos iu privoni njëri-tjetrit, përveçse kur keni vendosur që për pak kohë t'i përkushtoheni lutjes . Pastaj bashkohuni përsëri, që për shkak të mospërmbajtjes suaj të mos ju tundojë Satani. 6 Këtë nuk e them si urdhër, por si diçka që është e lejueshme. 7 Unë do të doja që të gjithë njerëzit të ishin si unë, por secili ka dhuntinë e vet nga Perëndia, njëri kështu e tjetri ashtu.
8 Të pamartuarve dhe vejushave u them se është mirë të qëndrojnë si unë. 9 Por, nëse nuk përmbahen dot, le të martohen, sepse është më mirë të martohen se të digjen nga dëshirat.
10 Të martuarve u urdhëroj, jo unë, por Zoti, që gruaja të mos ndahet nga burri. 11 Nëse ndahet, le të qëndrojë e pamartuar ose të pajtohet me burrin. Dhe burri të mos e lërë gruan.
12 Ndërsa të tjerëve u them unë, jo Zoti, se nëse një vëlla ka për grua një jobesimtare dhe ajo pranon të jetojë me të, të mos e lërë. 13 Dhe nëse një grua ka për burrë një jobesimtar dhe ai pranon të jetojë me të, të mos e lërë burrin. 14 Sepse burri jobesimtar do të shenjtërohet nga gruaja dhe gruaja jobesimtare do të shenjtërohet nga burri. Përndryshe fëmijët tuaj do të ishin të papastër, por tani janë të shenjtë.
15 Nëse jobesimtari dëshiron të ndahet, le të ndahet. Besimtari ose besimtarja nuk janë më të lidhur nga këto gjëra, sepse Perëndia ju ka thirrur në paqe. 16 Nga e di ti, o grua? Ndoshta do ta shpëtosh burrin. Nga e di ti, o burrë? Ndoshta do ta shpëtosh gruan.
Jeto sipas thirrjes
17 Sa për të tjerat, secili të jetojë ashtu siç i ka dhënë Zoti dhe ashtu siç ka qenë kur e thirri Perëndia. Kështu urdhëroj për të gjitha kishat. 18 Nëse dikush u thirr kur ishte i rrethprerë, të mos mundohet ta ndreqë rrethprerjen. Nëse dikush u thirr kur ishte i parrethprerë, të mos rrethpritet. 19 Rrethprerja dhe parrethprerja nuk janë asgjë, por ajo që ka rëndësi është zbatimi i urdhërimit të Perëndisë. 20 Secili të mbetet siç ishte kur e thirri Perëndia. 21 Ishe skllav kur u thirre nga Perëndia? Mos u shqetëso për këtë, por nëse të jepet mundësia të fitosh lirinë, atëherë më mirë shfrytëzoje. 22 Ai që u thirr nga Zoti kur ishte skllav, mori lirinë prej tij. Po ashtu edhe ai që u thirr kur ishte i lirë, është skllav i Krishtit. 23 Perëndia ju bleu me një çmim. Mos u bëni skllevër të njerëzve! 24 Vëllezër, secili të mbetet para Perëndisë siç ishte kur u thirr prej tij.
Të pamartuarit dhe vejushat
25 Për virgjëreshat nuk kam ndonjë urdhër nga Zoti, por po shpreh mendimin tim si njeri që, nga mëshira e Zotit, jam i besueshëm. 26 Mendoj se për shkak të vështirësive të tanishme mirë është që njeriu të qëndrojë siç është. 27 Je i martuar? Mos kërko të ndahesh! Je i pamartuar? Mos kërko grua! 28 Nëse martohesh, nuk mëkaton. Edhe një virgjëreshë nëse martohet, nuk mëkaton. Por të martuarit hyjnë në mundime trupore dhe këtë dua t'jua kursej.
29 Këtë e them, o vëllezër, sepse koha që mbetet është aq e shkurtër, saqë edhe ata që kanë gra, duhet të jetojnë si të mos kishin; 30 ata që qajnë, si të mos qanin; ata që gëzohen, si të mos gëzoheshin; ata që blejnë, si të mos kishin asgjë; 31 dhe ata që i gëzojnë të mirat e kësaj bote, si të mos i gëzonin, sepse trajta e kësaj bote po kalon.
32 Dua që të mos keni kokëçarje. I pamartuari shqetësohet për gjërat e Zotit dhe kërkon si t'i pëlqejë Zotit, 33 ndërsa i martuari shqetësohet për gjërat e botës dhe kërkon si t'i pëlqejë gruas 34 dhe është i ndarë më dysh. Po ashtu, si gruaja e pamartuar, edhe virgjëresha shqetësohen për gjërat e Zotit, që të jenë të shenjta në trup e në shpirt, ndërsa e martuara shqetësohet për gjërat e botës dhe kërkon si t'i pëlqejë burrit. 35 Edhe këto gjëra po jua them për të mirën tuaj dhe jo për t'ju vënë lakun në fyt, por që të jetoni sa më hijshëm e sa më të përkushtuar ndaj Zotit, pa shqetësime.
36 Por, nëse dikush shikon se do të sillej në mënyrë të pahijshme ndaj të fejuarës së tij, sepse digjet nga dëshira dhe mendon se duhet të martohet, le të bëjë si të dojë, le të martohet, nuk mëkaton. 37 Ndërsa ai që është i palëkundur në zemër dhe ndien se nuk ka nevojë, por i zotëron dëshirat dhe e ka vendosur me gjithë zemër që ta ruajë të fejuarën e vet, bën mirë. 38 Kështu, ai që martohet me të fejuarën e vet bën mirë; ai që nuk martohet bën edhe më mirë.
39 Gruaja është e lidhur me burrin e saj për sa kohë ai jeton. Nëse vdes burri, ajo është e lirë të martohet me kë të dojë, veçse martesa të bëhet në Zotin. 40 Ajo do të jetë më e lume nëse mbetet siç është. Ky është mendimi im dhe unë mendoj se e kam Shpirtin e Perëndisë.
1 Edhe për ato punë që më shkruatë, mirë është për njerinë të mos i piekë gruasë.
2 Po për kurvëritë gjithësecili le të ketë gruan’ e ti, edhe gjithësecila le të ketë burrin’ e saj.
3 Burri le t’i apë gruasë atë dashurinë që duhetë; ashtu edhe gruaja burrit.
4 Gruaja s’urdhëron trupin’e saj, po burri; ashtu edhe burri s’urdhëron trupin’ e ti, po gruaja.
5 Mos ia shterni njëri tiatrit, përveç se ndë qofshi me një fialë për pak kohë, që t’i bini prapa agjerimit e të falurit, edhe përsëri afrohi bashkë mb’ atë punë , që të mos u ngasë juve Satanaj për të pambajturit’ e vetëhesë suaj.
6 Edhe këtë po ua them juve pas mëndëjesë sime , jo se kam urdhërë.
7 Sepse dua të jenë gjithë njerëzitë posi vetëheja ime; po gjithësecili ka dhuratën’ e ti nga Perëndia, njëri kështu, e tiatri ashtu.
8 Edhe po u them të pamartuarëvet edhe të vavet, se mirë është për ata, mbë mbeçinë sikundrë jam edhe unë.
9 Po ndë mos përmbajçinë vetëhen’e tyre, le të martonenë; sepse më mirë është të martonetë njeriu se të nxehetë.
10 Edhe të martuarit’ i porosit, jo unë, po Zoti, të mos ndahetë gruaja nga burri.
11 Po edhe ndë u ndaftë, le të mbesë pa martuarë, a le të pajtonetë me burrinë; edhe burri të mos e lërë gruanë.
12 Edhe të tierëvet u them unë, jo Zoti: Ndë pastë ndonjë vëlla grua të pabesë, edhe asaj i pëlqen do të rrinjë bashkë me atë, le të mos e lërë atë.
13 Edhe një grua që ka burr të pabesë, edhe ati i pëlqen të rrinjë bashkë me atë, le të mos ta lërë.
14 Sepse burr’ i pabesë është shënjtëruarë nga gruaja; edhe gruaja e pabesë është shënjtëruarë nga burri; sepse tietrazi bijtë tuaj do t’ishinë të pëgërë; po ndashti janë të shënjtëruarë.
15 Po ndë u ndaftë i pabesi, le të ndahetë. Vëllaj a motëra nukë janë bërë robëra ndë të tilla punëra; po Perëndia na ka thirërurë ndë paqtim.
16 Sepse ç’di ti, o grua, ndë qoftë se do të shpëtonjç burrinë? A ç’di ti, o burr, ndë qoftë se do të shpëtonjç gruanë?
17 Po sikundrë Perëndia ndau gjithësecilit, edhe sikundrë Zoti thërriti gjithësecilinë, kështu le t’ ecënjë; edhe kështu urdhëronj mbë gjithë qishat.
18 U thërrit ndë besët ndonjë i rrethprerë? Le të mos bënet’ i parrethprerë. U thërrit ndonjë i parrethprerë, le të mos rrethpritetë.
19 Rrethpresëja s’është gjë, edhe parrethpresëja s’është gjë, po të ruajturit’ e porosivet të Perëndisë.
20 Gjithësecili mb’ atë të thërriturë që u thërrit, mb’ atë le të mbesë.
21 U thërrite kur qe rop? Mos kij kujdes; po ndë munç të bënesh i liruarë, përndore këtë më mirë.
22 Sepse ay që u thërrit mbë Zotinë kur qe rop, ësht’ i liruari Zotit; kështu edhe ay që u thërrit kur qe i liruarë, është robi Krishtit.
23 U bletë me çëmim; mos bëhi robër njerëzish.
24 Gjithësecili, o vëllezër, mb’ atë që u thërrit, mbë këtë le të mbesë ndaj Perëndisë.
25 Edhe për vërgjirëshatë s’kam urdhër nga Zoti; po ap mëndëjenë time si i përdëllyerë prej Zotit të jem besëtar.
26 Kujtonj pra se këjo punë ësht’ e mirë për këtë nevojë ndashti, se është mirë për njerinë të jetë kështu.
27 Je lidhurë me grua? Mos kërko të sgjidhurë. Je sgjidhurë nga gruaja? Mos kërko grua.
28 Po edhe ndë u martofsh, nukë fëjeve; edhe vërgjiresha ndë u martoftë, nukë fëjeu; po të tillë njerës do të kenë shtrëngim ndë misht; e un’ u kurcenj juve.
29 Edhe këtë e them, o vëllezër, se koha paskëtaj ësht’ e shkurtërë; kaqë sa edhe ata që kanë gra të jenë posikur s’kanë;
30 Edhe ata që qjanjënë, posikur s’qanjënë; edhe ata që gëzonenë, posikur s’gëzonenë; edhe ata që blenjënë, posikur të mos i kenë ndën’ urdhër të tyre.
31 Edhe ata që përndorënë këtë botë, posikur të mos e përndorënë; sepse forma e kësaj bote shkon.
32 Edhe dua të jeni të pakujdesçim; i pamartuari ka kujdes për punërat’ e Zotit, qysh t’i pëlqenjë Zotit;
33 Po i martuari ka kujdes për punërat’ e botësë, qysh t’i pëlqenjë gruasë.
34 Ndan gruaja prej vërgjireshësë; e pamartuara ka kujdes për punërat’ e Zotit, që të jet’ e shënjtëruarë edhe ndë trupt edhe ndë shpirt; e martuara ka kujdes për punërat’ e botësë, qysh t’i pëlqenjë burrit.
35 Edhe këtë po ua them juve për të mirënë tuaj; jo që t’u vë juve lak mbë qafë , po për atë që t’u ketë hije juve edhe që të afrohi ndë punë të Zotit pa kujdes.
36 Po ndë kujtoftë ndonjë se bë punë të shëmtuarë mbë vërgjireshën’ e ti, ndë i shkoftë koha martesësë asaj edhe duhetë të bënetë kështu, le të bënjë ç’të dojë; nukë fëjen; le të martonenë.
37 Po ay që rri qëndruarshim ndë zemërë, e s’ka nevojë, po ka pushtet për dashurimin’e ti, edhe e pa me udhë këtë ndë zemërë të ti, për të ruajturë vërgjireshën’ e ti, bën mirë.
38 Përandaj edhe ay që e marton, bën mirë; edhe ay që s’e marton, bën më mirë.
39 Gruaja është lidhurë (nga nomi) sa kohë që rron burri asaj; po ndë i vdektë burri asaj, ësht’ e liruarë të martonetë me cilinë të dojë, veç këjo punë të bënetë mbë Zotinë.
40 Po më e lumur’ është, ndë mbetë kështu, pas mëndëjesë sime; edhe më duketë, se edhe unë kam Frymë Perëndie.