Pali te Feliksi në Cezare
1 Pas pesë ditësh erdhi kryeprifti Hananiah bashkë me disa pleq dhe me një gojëtar që quhej Tertul. Ata i shpjeguan qeveritarit çfarë kishin kundër Palit. 2 Kur thirrën Palin, Tertuli filloi të parashtronte padinë kundër tij e tha: «I nderuar shkëlqesi Feliks, falë teje kemi gëzuar paqe për shumë kohë e falë përkujdesjes sate janë bërë ndryshime të mëdha për këtë popull. 3 Ne ndiejmë mirënjohje të thellë për këtë gjë, gjithmonë e kudo. 4 Por, pa dashur të të mërzit më shumë, të lutem të kesh mirësinë të na dëgjosh shkurtimisht.
5 Ne kemi parë se ky njeri nxit trazira dhe i shtyn të gjithë judenjtë nëpër botë për kryengritje. Ai është kryetari i sektit të nazaretasve. 6 Madje, ai u mundua të përdhoste edhe tempullin, por ne e kapëm . 7-8 Ti do ta gjykosh vetë dhe do të mund të mësosh prej tij gjithçka për të cilën po e padisim».
9 Me këtë padi u bashkuan edhe judenjtë e tjerë dhe thanë se gjërat qëndronin ashtu.
Mbrojtja e Palit para Feliksit
10 Kur qeveritari i bëri me shenjë të fliste, Pali u përgjigj: «Meqenëse e di se ke vite që je gjykatës i këtij populli, kam besim te ti për të bërë mbrojtjen time.
11 Ti mund ta vërtetosh se nuk ka më shumë se dymbëdhjetë ditë që kam shkuar në Jerusalem për të adhuruar në tempull. 12 Këta nuk më kanë gjetur duke biseduar me ndokënd në tempull apo duke nxitur ndonjë turmë as nëpër sinagoga, as në qytet. 13 Ata nuk mund ta vërtetojnë padinë ndaj meje.
14 Por, po të dëshmoj se sipas Udhës së Zotit Jezu, të cilën ata e quajnë sekt, unë adhuroj Perëndinë e etërve tanë, duke besuar gjithçka që është shkruar në ligjin dhe në librat e profetëve. 15 Unë kam shpresë në Perëndinë, atë shpresë që edhe ata vetë e pranojnë, se të drejtët dhe të padrejtët do të ngjallen. 16 Prandaj përpiqem ta kem ndërgjegjen të panjollosur para Perëndisë e para të gjithë njerëzve.
17 Tani, pas shumë vitesh, u ktheva në Jerusalem për t'i sjellë ndihma popullit tim e për t'i kushtuar flijime Perëndisë. 18 Kur po kryeja ritin e pastrimit, judenjtë më gjetën në tempull dhe aty nuk kishte as turma e as trazirë. 19 Aty gjendeshin disa judenj nga Azia dhe po të kishin ndonjë gjë kundër meje duhej të vinin ata te ti për të ngritur padi. 20 Megjithatë, le ta thonë këta vetë çfarë faji kanë gjetur tek unë kur dola për t'u gjykuar para sinedrit, 21 me përjashtim ndoshta të atyre fjalëve që thashë me zë të lartë para tyre: “Unë po gjykohem sot nga ju, sepse shpresoj në ngjalljen e të vdekurve”».
22 Por Feliksi, që e njihte mirë Udhën e Zotit Jezu, u tha: «Do të vendos për çështjen tuaj kur të vijë Lisia, kryemijësi» dhe kështu e shtyu gjyqin. 23 Pastaj e urdhëroi kryeqindësin ta ruante Palin, por t'i lejonte edhe njëfarë lirie e të mos pengonte asnjë nga miqtë e tij të kujdesej për nevojat që kishte .
Pali nën mbikëqyrje
24 Pas disa ditësh, kur erdhi Feliksi me gruan e vet Drusilën, që ishte judease, thirri Palin dhe dëgjoi prej tij për besimin në Krishtin Jezu. 25 Kur Pali foli për drejtësinë, vetëpërmbajtjen dhe gjykimin e ardhshëm, Feliksi u tremb e i tha: «Tani për tani mund të shkosh. Do të të thërras kur të kem kohë». 26 Ndërkohë shpresonte se Pali do t'i jepte para , prandaj e thërriste shpesh e fliste me të.
27 Si kaluan dy vjet, pas Feliksit erdhi Porc Festi dhe Feliksi, meqë donte t'u bënte një nder judenjve, e la Palin në burg.
1 Edhe pas pesë diç sbriti Anania kryeprifti bashkë me pleqt, edhe me një farë fialori që qjuhej Tertyl, të cilëtë duallnë përpara qivernitarit kundrë Pavlit.
2 Edhe si u thirr, Tertyli zuri të përflasë, tuke thënë:
3 “Neve kemi shumë prej teje, o i pushteçim Filik, edhe bënenë punëra të mëdha te kyj komp prej paramëndëjesë sate, edhe përherë e mbë çdo vënt i presëmë me shumë të falurë ndersë.
4 Po që të mos të të mundonj tepërë, të lutem të na dëgjonjç pak fialë me butësirënë tënde.
5 Sepse e gjetëm këtë njeri se është murtajë, edhe shtynë të gjithë Judhenjtë që janë ndëpër botënë, të ngrenë krye, edhe ësht’ i pari eresisë Nazoreaset,
6 I cili deshi të ndyrnjë edhe hierorenë; edhe neve e zum, edhe deshëm ta gjykojmë pas nomit tënë.
7 Po erdhi Lysia kryemijësi, edhe na e rrëmbeu prej duarsh me pahir.
8 Edhe urdhëroj ata që e përflasënë të vinjënë te ti; ti vetë si ta pyeç do të munç të marrç vesh për këto të gjitha që e përflasëmë.”
9 — Rrëfyenë bashkë me atë edhe Judhenjtë, tuke thënë, se këto janë kështu.
10 Atëhere Pavli, passi i bëri shenje qivernitari të flasë, u përgjeq: “Passi e di, se ke shumë viet që je gjyqtar te kyj komp, ap fialë për vetëhenë time me zëmërë të gëzuarë.
11 Sepse munt të marrç vesh, se nukë janë më tepërë se dymbëdhietë dit, që kur se hipa ndë Jerusalim që të falem.
12 Edhe as ndë hieroret më gjetnë tuke kuvënduarë me ndonjë njeri , a tuke ngriturë mbë këmbë gjëndëjenë, as ndëpër sinagogjit, as ndë qytet.
13 As munt të provonjënë ato fialë që më përflasënë ndashti.
14 Po rrëfenj këtë të ti, se pas udhësë, që këta i thonë eresi, kështu lus Perëndin’ e atërëvet mi, tuke besuarë gjith’ atyre që janë shkruarë ndë nomt edhe ndë profitërit.
15 Edhe kam shpëresë mbë Perëndinë, të cilën’ edhe këta vetë e presënë, se do të bënetë të ngjallurë prej së vdekurish, të drejtëve e të shtrëmbërve.
16 Edhe për këtë unë po mundoj vetëhenë time, që të kem përherë ndërgjegjëje pa faj te Perëndia edhete njerëzitë.
17 Edhe tashi pas shumë vieç erdha t’i bënj elejmosina kombit tim, edhe të bie dhurata.
18 Edhe ndër mest këtyreve ca Judhenj nga Asia më gjetnë qëruarë ndë hieroret, jo me gjëndëje, as me trazyrë;
19 Të cilëtë duhej të dilinë përpara teje e të më përflisninë, ndë kishinë gjë kundrë meje.
20 A këta vetë le të thonë, ndë paçinë gjeturë ndojë të shtrëmbëtë tek unë, kur dolla përpara bashkëndenjëjesë,
21 Veç ndë qoftë për këtë zë vetëmë, që thërrita tuke ndenjurë ndër mest atyreve, se: Unë po gjykonem prej jush sot për të ngjalluritë prej së vdekurish.”
22 Edhe Filiku (si dëgjoj këto), urdhëroj të vinjënjë një ditë tiatërë, sepse i dinte fort mirë punërat’ e kësaj udhe, edhe tha: “Kur të sbresë Lysia kryemijësi, do të marr vesh mirë punëratë tuaja.”
23 Edhe urdhëroj kryeqindësinë të ruhetë Pavli, edhe të ketë të prëjturë, edhe të mos ndalë ndonjë prej të tijvet t’i shërbenjënë, a të vinjënë tek ay.
24 Edhe pas ca ditsh erdhi Filiku bashkë me gruan’ e ti Dhrusillënë, që ishtë Judheonjë, dërgoj e thërriti Pavlinë, edhe dëgjoj nga ay për besën’ e Krishtit.
25 Edhe ay kur po fliste për drejtëri e për të përmbajturit’ e vetëhesë, edhe për gjyqinë që ka për të ardhurë, Filikut i hyri frikë, e u përgjeq: “Tashi shko, edhe kur të kem kohë, do të dërgonj të të thërres prapë.”
26 Edhe shpërente, se Pavli do t’i epte asprë, që ta lëshonjë; përandaj dërgonte edhe e thërriste dëndurë, edhe fliste më atë.
27 Po passi u mbushnë dy viet, Porqiu Fisti erdhi ndë këmbët të Filikut; edhe Filiku donte t’u bënjë ëndënë Judhenjet, e la Pavlinë lidhurë.