1 Pastaj më tregoi lumin e ujit të jetës, që shkëlqente si kristal e buronte nga froni i Perëndisë dhe i Qengjit. 2 Në mes të sheshit të qytetit, në të dyja anët e lumit ishte pema e jetës, që jep dymbëdhjetë fryte, nga një në çdo muaj, ndërsa gjethet e saj shërbejnë për shërimin e kombeve.
3 Nuk do të ketë më asnjë mallkim, por atje do të jetë froni i Perëndisë dhe i Qengjit dhe shërbëtorët e tij do ta adhurojnë. 4 Do të shohin fytyrën e Perëndisë dhe emrin e tij do ta kenë të shkruar në ballë. 5 Nuk do të ketë më natë dhe nuk do të kenë nevojë as për dritën e pishtarit e as për dritën e diellit, sepse do t'i ndriçojë Zoti Perëndi dhe do të mbretërojnë në shekuj të shekujve.
Ardhja e Krishtit
6 Pastaj engjëlli më tha: «Këto fjalë janë të besueshme e të vërteta. Zoti Perëndi, frymëzuesi i profetëve, dërgoi engjëllin e vet t'u tregojë shërbëtorëve të tij gjërat që duhet të ndodhin së shpejti. 7 “Ja ku po vij shpejt!”, thotë Jezui. Lum ai që zbaton fjalët profetike të këtij libri!».
8 Unë, Gjoni, i pashë dhe i dëgjova këto gjëra. Kur mbarova së dëgjuari e së pari, rashë përmbys para këmbëve të engjëllit që m'i tregoi, për ta adhuruar atë. 9 Por ai më tha: «Mos! Unë jam shërbëtor si ti, si vëllezërit e tu profetë dhe si ata që zbatojnë fjalët e këtij libri. Adhuro Perëndinë!». 10 Pastaj më tha: «Mos i mbaj të fshehta fjalët profetike të këtij libri, se koha e tyre është afër. 11 I padrejti le të vazhdojë të jetë i padrejtë dhe i ndoturi, i ndotur. I drejti le të vazhdojë të jetë i drejtë dhe i shenjti, të shenjtërohet».
12 «Ja ku po vij shpejt!», thotë Jezui. «Me vete kam shpërblimin që do t'i jap secilit sipas veprave të tij. 13 Unë jam Alfa e Omega, i pari e i fundit, fillimi e mbarimi.
14 Lum ata që i lajnë rrobat e veta , se do të kenë të drejtë të hanë nga pema e jetës e të hyjnë në qytet nga portat. 15 Jashtë janë qentë, magjistarët, kurvarët, vrasësit, idhujtarët dhe të gjithë ata që e duan dhe e vënë në zbatim gënjeshtrën.
16 Unë, Jezui, ju kam dërguar engjëllin tim për t'ju dëshmuar këto gjëra nëpër kisha. Unë jam rrënja dhe fisi i Davidit, jam ylli i shndritshëm i mëngjesit».
17 Shpirti dhe nusja thonë: «Eja!».
Edhe kush dëgjon, le të thotë: «Eja!».
Kush ka etje, le të vijë. Kush dëshiron, le të marrë falas ujin e jetës.
18 Unë, Gjoni, po u them të gjithë atyre që dëgjojnë fjalët profetike të këtij libri, se kush u shton ndonjë gjë atyre, edhe Perëndia do t'i shtojë atij plagët që shkruhen në këtë libër. 19 Atij që heq ndonjë gjë nga fjalët profetike të këtij libri, Perëndia do t'ia heqë pjesën nga pema e jetës dhe nga qyteti i shenjtë, që përshkruhen në këtë libër.
20 Ai që i dëshmon këto, thotë: «Po, po vij shpejt».
Amen! Eja Zoti Jezu!
21 Hiri i Zotit Jezu qoftë me të gjithë!
1 Edhe më dëftoj një lum (të këthiellëtë) me ujë të jetësë, të shkëlqyershëm posi krystall, që dilte prej fronit Perëndisë edhe prej Qëngjit.
2 Ndë mest të udhësë qytetesë, edhe mb’ at’ anë e mbë kët’ anë lumit, ishte druri i jetësë, që bën dy-mbë-dhietë pemë, çdo muaj bën pemën’ e ti; edhe fletat’ e drurit janë për shërimin e kombevet.
3 Edhe çdo mallëkim nukë do të jetë më: edhe froni i Perëndisë edhe i Qëngjit do të jetë nd’ atë; edhe shërbëtorët’ e ati, do ta lusnjënë.
4 Edhe do të shohënë faqen’ e ati, edhe emëri i ati do të jetë ndë ballërat t’atyreve.
5 Edhe nata nukë do të jetë atie. Edhe s’ka nevolë për kandile për dritë dielli, sepse Zoti Perëndi i ndrit ata; edhe do të mbëretëronjënë ndë jetët të jetëvet.
6 Edhe më tha: “Këto fialë janë të besuara edhe të vërteta. Edhe Zoti Perëndia i profitërëvet shënjtëruarë, dërgoj ëngjëllin’ e tij, që t’u dëftonjë shërbëtorëvet ti sa duhenë të bënenë për së shpejti. –
7 Ja te vinj shpejt; lum ay që ruan fialët’ e profitisë kësaj vivlie.”
8 Edhe unë Joanni jam ay që pashë këto, edhe që dëgjova; edhe kur dëgjova edhe pashë, rashë t’i falem përpara këmbëvet ati ëngjëllit që më dëftente këto.
9 Edhe ay më thotë: “Vështro mos bënjç këtë ; sepse jam shërbëtuar shoqi yt, edhe i vëllezëret tu profitërëvet, edhe i atyreve që ruanjënë fialët’ e kësaj vivlie; po faliu Perëndisë.”
10 Edhe më thotë: “Mos vulosç fialët’ e profitisë kësaj vivlie; sepse koha është afërë.
11 Ay që bën dëm, le të bënjë dëm edhe më; edhe ay që ësht’ i shgërryerë, le të shgërrynet’ edhe më; edhe i drejti le të dalë i drejtë edhe më; edhe i shënjtëruari le të shënjtëronet’ edhe më.
12 Edhe ja te vinj shpejt; edhe paga ime është bashkë me mua, që t’ia paguanj gjithësecilit sikundrë do të jetë pun’ e ati.
13 Unë jam Allfa edhe Omega, e nisura edhe e mbaruara, i pari edhe i pastajmi.
14 Lum ata që bënjënë porosit’ e ati, që të kenë pushtet mbi drurin’ e jetësë, edhe të hynjënë ndëpër portat ndë qytet.
15 Edhe jashtë janë qënt’ e magjistarët’ e kurvarët’ e vrasësit’ e idhullatrëtë, edhe gjithëkush që do e që bën gënjeshtrënë.
16 Unë Jisuj dërgova ëngjëllinë tim të martirisnjë te ju për këto mbë qishat; unë jam rrënja edhe fara e Dhavidhit, yll i ndriçëm edhe i mëngjesit.
17 Edhe Fryma edhe nuseja thonë: Eja; edhe ay që dëgjon, le të thotë: Eja; edhe ay që ka et, le të vinjë; edhe ay që do, le të marrë dhurëti ujët’ e jetësë.”
18 (Sepse) ap martiri mbë gjithësecilinë që dëgjon fialët’ e profitisë kësaj vivlie. Ndë shtoftë ndonjë njeri mbë këto, Perëndia do t’i shtonjë ati plagëtë që janë shkruarë ndë këtë vivli.
19 Edhe ndë heqtë ndonjë njeri nga fialët e vivlisë kësaj profitie, Perëndia do të heqnjë piesën’ e ati nga vivlia e jetësë, edhe nga qyteteteja e shënjtëruarë, edhe nga ato që janë shkruarë ndë këtë vivli.
20 Edhe ay që martiris për këto thotë: Po vinj shpejt, Amin. Po, eja, o Zoti Jisu.
21 Hiri i Zotit tënë Jisu Krishtit qoftë bashkë me ju të gjithë. Amin.
FUNDI,EDHE ZOTI PASTË LAVDI.