1 Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur, që ju kujtoj me mall e që jeni gëzimi e kurora ime, qëndroni të fortë në Zotin, o fort të dashur.
Porosi të ndryshme
2 U bëj thirrje Evodisë e Sintikës që, me njëra-tjetrën, të jenë të një mendje në Zotin. 3 Të lutem edhe ty, o miku im i vërtetë, t'i ndihmosh ato, se kanë luftuar krah meje për ungjillin së bashku me Klementin dhe bashkëpunëtorët e mi të tjerë, emrat e të cilëve janë në librin e jetës.
4 Gëzohuni gjithnjë në Zotin. Përsëri po ju them: gëzohuni! 5 Zemërbutësia juaj le t'u bëhet e njohur të gjithë njerëzve. Zoti është afër. 6 Mos u shqetësoni për asgjë, por për çdo gjë drejtojani kërkesat tuaja Perëndisë me lutje, me përgjërime e me falënderime. 7 Paqja e Perëndisë, që shkon përtej zgjuarsisë së mendjes njerëzore, do të ruajë zemrat dhe mendimet tuaja, që të jenë pranë Krishtit Jezu.
8 Së fundi, vëllezër, kini në mendje të gjitha sa janë të vërteta, sa janë të ndershme, sa janë të drejta, sa janë të dëlira, sa janë të dashura, të gjitha sa kanë emër të mirë, sa janë të virtytshme dhe sa janë të denja për t'u lavdëruar. 9 Bëni gjithçka që keni mësuar e keni marrë prej meje dhe që keni dëgjuar e keni parë në mua. Perëndia i paqes do të jetë me ju.
Mirënjohje për dhuratën
10 U gëzova shumë në Zotin që tani më në fund e rigjallëruat përkujdesjen tuaj për mua. Në të vërtetë ju e kishit në mendje, por nuk ju ishte dhënë rasti ta tregonit. 11 Nuk e them këtë se jam në nevojë, sepse unë kam mësuar të jem i kënaqur në çdo rrethanë. 12 Unë e di çfarë do të thotë të jesh në nevojë dhe e di çfarë do të thotë të kesh me tepri. Në çdo rrethanë e në çdo gjë jam mësuar edhe të jem i ngopur, edhe të kem uri; edhe të kem me tepri, edhe të jem në nevojë. 13 Unë mund të bëj gjithçka përmes Krishtit që më forcon.
14 Megjithatë, ju bëtë mirë që m'u gjendët pranë në vështirësitë e mia.
15 Ju, o filipianë, e dini se kur fillova të predikoj ungjillin, pasi u largova nga Maqedonia, asnjë kishë, përveç jush, nuk më ndihmoi me të holla. 16 Në të vërtetë edhe kur gjendesha në Selanik, jo një, por dy herë, ju më dërguat ndihmë kur isha në nevojë. 17 Unë nuk po kërkoj dhuratë nga ju, por po kërkoj të shoh frytet e zemërgjerësisë suaj që janë për dobinë tuaj.
18 Unë kam gjithçka dhe më tepron. Kam gjithë të mirat, pasi mora nga Epafroditi çfarë më kishit dërguar ju, një aromë erëmirë, një fli e pranueshme, e pëlqyeshme për Perëndinë. 19 Perëndia im do të plotësojë përmes Krishtit Jezu çdo nevojë tuajën, sipas pasurive të tij të lavdishme. 20 Perëndisë dhe Atit tonë i qoftë lavdia, në shekuj të shekujve! Amen!
Përshëndetjet e fundit
21 Përshëndetni të gjithë të shenjtët në emër të Krishtit Jezu.
Vëllezërit që janë me mua ju përshëndesin.
22 Ju përshëndesin të gjithë të shenjtët, sidomos ata të shtëpisë së Cezarit.
23 Hiri i Zotit Jezu Krisht qoftë me shpirtin tuaj.
1 Përandaj, vëllezërit’ e mi të dashur edhe të mallëngjyerë, gëzimi edhe kurora ime, kështu qëndroni mbë Zotinë, o të dashurë.
2 I lutem Evodhisë, i lutem edhe Syntyqësë, kështu të keni ndër mënt mbë Zotinë.
3 Edhe të lutem edhe tyj, o shoku i thieshtë, ndihu atyreve, të cilat u munduanë bashkë me mua ndë ungjillt, edhe bashkë me Klimentin’ edhe me të tierëtë punëtorëtë shokët’ e mi, të cilëvet emëratë janë ndë vivli të jetësë.
4 Gëzohi përherë mbë Zotinë; përsëri do të them: Gëzohi.
5 Butësira juaj le të njihetë prej gjithë njerëzish.
6 Zoti ësht’ afërë. Mos kini kujdes as për ndonjë gjë; po kurdo le të njihenë kërkuarëjetë tuaja te Perëndia me të falurë ndersë nga të falurit’ e nga të luturitë.
7 Edhe paqtimi i Perëndisë që kapërxen çdo mëndëje, do të ruanjë zemëratë tuaja edhe mendimetë tuaj me anë të Jisu Krishtit.
8 Përandaj, o vëllezër, sa janë të vërteta, sa janë të hijeshime, sa janë të drejta, sa janë të qëruara, sa janë të dashura, sa janë me zë të mirë, ndë qoftë ndonjë punë e mirë, edhe ndë qoftë ndonjë lavdurim, mendoni këto.
9 Edhe gjith’ ato që nxutë, edhe muartë, edhe dëgjuatë, edhe patë tek unë, këto punoni; edhe Perëndia i paqtimit do të jetë bashkë me ju.
10 Edhe u gëzuashë me të madhet mbë Zotinë, se ndashti përsëri dëftyetë të lulëzuarë kujdesinë që keni për mua; edhe për atë kishitë kujdes, po s’kishitë nge.
11 Jo se them këtë nga të mbeturitë; sepse unë jam mësuarë të kem paq, ato që kam.
12 Di të përunjem, di edhe të tepronj; gjithëkudo e mbë të gjitha jam mësuarë, edhe të nginjem edhe të kem uri, edhe të më tepronjën’ edhe të më shterënë.
13 Të gjitha munt t’i bënj me anë ati [Krishtit] që më ep fuqi.
14 Po bëtë mirë që m’u bëtë shokë ndë shtrëngim tim.
15 Edhe ju e dini, o Filippianë, se kur u zu fill ungjilli, kur dolla nga Maqedhonia, asndonjë qishë nukë m’u bë shoqe për dhënëje e për marrje, veç ju vetëmë;
16 Sepse edhe ndë Thessalonikë një herë edhe dy herë më dërguatë për nevojënë t’iue.
17 Jo se kërkonj të dhënëtë; po kërkonj pemënë që është shumuarë për llogari tuaj.
18 Po i kam të gjitha, edhe më tepronjënë; jam mbushurë, se prita prej Epafrodhitit ato që më kishitë dërguarë ju, erë të mirë, kurban të priturë, të pëlqyerë te Perëndia.
19 Edhe Perëndia im ka për të mbushurë gjithë nevojënë tuaj pas pasëjesë ti ndë lavdi, me anë të Jisu Krishtit.
20 Edhe mbë Perëndinë edhe Atinë tënë qoftë lavdi ndë jetët të jetëvet. Amin.
21 Falni me shëndet çdo shënjti mbë Jisu Krishtinë. U falenë me shëndet vëllezëritë që janë bashkë me mua.
22 U falenë juve me shëndet gjithë shënjtorëtë, po më fort ata që janë nga shtëpia e Qesarit.
23 Hiri i Zotit tënë Jisu Krishtit qoftë bashkë me ju gjithë ju. Amin.