Përshëndetjet
1 Po ju lë nën kujdes motrën tonë Febën që shërben në kishën e Kenkresë. 2 Pranojeni në emër të Zotit, siç u ka hije të shenjtëve dhe qëndrojini përkrah në çdo gjë që të ketë nevojë për ju, sepse ajo ka ndihmuar shumë veta dhe më ka ndihmuar edhe mua.
3 Përshëndetni bashkëpunëtorët e mi në veprën e Krishtit Jezu, Priskën e Akuilin, 4 që vunë kokën e tyre në rrezik për jetën time. Ata i falënderoj jo vetëm unë, por edhe të gjitha kishat e kombeve. 5 Përshëndetni edhe kishën që mblidhet në shtëpinë e tyre.
Përshëndetni mikun tim të dashur Epenetin që është fryti i parë për Krishtin në Azi . 6 Përshëndetni Marinë që u mundua shumë për ju.
7 Përshëndetni kushërinjtë e mi Andronikun e Junën që kanë qenë në burg me mua e shquhen ndër apostuj. Në të vërtetë, ata kanë besuar në Krishtin përpara meje.
8 Përshëndetni Ampliatin, mikun tim të dashur në Zotin.
9 Përshëndetni bashkëpunëtorin tonë në Krishtin, Urbanin dhe mikun tim të dashur Stakun.
10 Përshëndetni Apelin që është i sprovuar për Krishtin.
Përshëndetni ata të shtëpisë së Aristobulit.
11 Përshëndetni kushëririn tim Herodionin.
Përshëndetni ata të shtëpisë së Narcisit që besojnë në Zotin.
12 Përshëndetni Trifenën e Trifozën që mundohen për Zotin.
Përshëndetni Persidën e dashur që është munduar shumë për Zotin.
13 Përshëndetni Rufin, të zgjedhurin nga Zoti dhe nënën e tij, që e kam si nënë edhe unë.
14 Përshëndetni Asinkritin, Flegontin, Hermesin, Patrobin, Hermasin e vëllezërit që janë me ta.
15 Përshëndetni Filologun e Julian, Nereun e motrën e tij, Olimpin dhe të gjithë të shenjtët që janë me ta.
16 Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë.
Të gjitha kishat e Krishtit ju përshëndesin.
17 Po ju bëj thirrje, o vëllezër, të ruheni nga ata që shkaktojnë përçarje dhe bëhen pengesë, në kundërshtim me mësimin që keni marrë. Largohuni prej tyre. 18 Njerëz të tillë nuk i shërbejnë Zotit tonë Krisht, por barkut të tyre. Përmes fjalëve të bukura e lajkave ata mashtrojnë zemrat e të paditurve. 19 Ngazëlloj me ju pasi të gjithë kanë dëgjuar për bindjen tuaj ndaj Zotit. Dua që të jeni të urtë për të bërë të mirën, por të pastër përballë së keqes. 20 Perëndia i paqes do ta shtypë së shpejti Satanin nën këmbët tuaja. Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju!
21 Ju përshëndesin bashkëpunëtori im Timoteu dhe kushërinjtë e mi Luci, Jasoni e Sosipatri.
22 Ju përshëndes në emër të Zotit unë, Terti, që po shkruaj këtë letër.
23-24 Ju përshëndet Gaji, mikpritësi im dhe i gjithë kishës. Ju përshëndet Erasti, thesarmbajtësi i qytetit dhe vëlla Kuarti .
Përlëvdimi
25 Qoftë i lavdëruar Perëndia që ka pushtetin t'ju forcojë në besim me ungjillin që predikoj unë për Jezu Krishtin, sipas zbulesës së shestimit të fshehtë të Perëndisë. Ky shestim ka qenë ruajtur në heshtje që prej shumë shekujsh, 26 ndërsa tani u shfaq e iu bë i njohur të gjitha kombeve përmes Shkrimeve profetike, sipas urdhrit të Perëndisë së amshuar për t'i bërë ato t'i binden e t'i besojnë Perëndisë.
27 Të vetmit Perëndi të urtë i qoftë lavdia në amshim, përmes Jezu Krishtit! Amen!
1 Edhe u ndorëzonj juve Fivënë, motërënë tonë, që është shërbëtoreja e qishësë ndë Qenkre;
2 Që ta prisni mbë Zotinë sikundrë vëjen për shënjtorët, edhe t’i ndihni asaj për çdo gjë që të ketë nevojë prej jush; sepse edhe ajo u ka ndihurë shumë vetëve, edhe mua vetë.
3 U faleni me shëndet Prisqillës’ edhe Aqyllësë, punëtorëvet shokëvet mi mbë Jisu Krishtinë,
4 (Të cilëtë vunë qafën’ e tyre ndë thikët për jetënë time; atyreve nuk’ i falem ndersë unë vetëmë, po edhe gjithë qishat’ e kombevet).
5 I faleni me shëndet edhe qishësë që është ndë shtëpi t’ atyreve. I faleni me shëndet Epainetit të dashurit tim, i cili është pem’ e parë e Ahaisë mbë Krishtinë.
6 I faleni me shëndet Mariamësë, e cila u mundua shumë për ne.
7 U faleni me shëndet Andhronikut edhe Junisë, fisravet mi edhe ropravet shokëvet mi, të cilëtë janë të shënuarshim ndër apostojt, të cilët’ ishinë mbë Krishtin’ edhe më përpara se unë.
8 I faleni me shëndet Ampliut, të dashurit tim mbë Zonë.
9 I faleni me shëndet Urvanit punëtorit shokut tënë mbë Krishtinë, edhe Staqiut të dashurit tim.
10 I faleni me shëndet Apelliut të provuarit mbë Krishtinë. U faleni me shëndet atyreve që janë prej shtëpisë Aristovullit.
11 I faleni me shëndet Irodhionit fisit tim. U faleni me shëndet atyreve që janë prej shtëpisë Narqissit, që janë mbë Zonë.
12 U faleni me shëndet Tryfajnës’ edhe Tryfosësë, që mundonenë mbë Zotinë. I faleni me shëndet Persidhësë së dashurësë, e cila u mundua shumë mbë Zotinë.
13 I faleni me shëndet Rufit të sgjedhurit mbë Zotinë, edhe s’ëmës’ ati, edhe s’imesë.
14 U faleni me shëndet Asynkritit, Flegontit, Ermajt, Patrovit, Ermiut, edhe vëllezëret që janë bashkë me ata.
15 U faleni me shëndet Fillollogut edhe Julisë, Nireut edhe së motërës’ ati, edhe Olimpaut, edhe gjithë shënjtorëvet që janë bashkë me ata.
16 I faleni me shëndet njëri tiatërit me të puthura të shënjtëruara. U falenë me shëndet juve qishat’ e Krishtit.
17 Edhe u lutem juve, o vëllezër, të hapni sytë nga ata që bënjënë të ndara e skandhali kundrë ati mësimit që keni nxënë ju, edhe shtëmëngi nga ata.
18 Sepse të tillë nuk’ i shërbenjënë Zotit tënë [Jisu] Krishtit, po barkut tyre; edhe me fialë të ëmbëla e me fialë të mira gënjenjënë zemërat’ e atyeve që s’kanë të ligë.
19 Se të dëgjuarëtë tuaj e harriti mbë të gjithë. Sa për ju pra, gëzonem; edhe dua të jeni të diturë mbë të mirënë, e të miturë mbë të ligënë.
20 Edhe Perëndia i paqtimit do të dërmonjë Satananë ndënë këmbët tuaja për së shpejti. Hiri i Zotit tënë Jisu Krishtit qoftë bashkë me ju. (Amin).
21 U falenë me shëndet Timotheu punëtori shoku im, edhe Lluqiu e Jasoni e Sosipatri, fisrat’ e mi.
22 U falem me shëndet mbë Zotinë unë Tertiu që shkrova kartënë.
23 U faletë me shëndet Gaiu, i cili më ka priturë mua edhe gjithë qishënë ndë shtëpi. U faletë me shëndet Erasti kujdestari i qytetit, edhe Kuarti vëllaj.
24 Hiri i Zotit tënë Jisu Krishtit qoftë bashkë me gjithë ju. Amin.
25 Edhe mb’ atë që munt t’u forconjë juve pas ungjillit tim, edhe pas të leçiturit Jisu Krishtit, pas sbulesës’ asaj fshehësirësë që qe pushuarë motesh,
26 Edhe ndashti u shpërfaq prej shkronjavet profitvet, pas urdhërit Perëndisë të jetëshëmit, edhe u njoh mbë gjithë kombet për të dëgjuarët’ e besësë;
27 Mbë të vetëminë të diturinë Perëndi qoftë lavdi me anë të Jisu Krishtit për gjithë jetët. Amin.