Gjykimi i drejtë i Perëndisë
1 Ti, o njeri, që gjykon të tjerët, kushdo qofsh, nuk ke asnjë shfajësim. Duke gjykuar tjetrin, dënon vetveten, sepse ti që gjykon, bën të njëjtat gjëra. 2 Ne e dimë se gjykimi i Perëndisë për ata që bëjnë këto gjëra është sipas së vërtetës. 3 A mendon se do t'i shpëtosh gjykimit të Perëndisë, o njeri, që gjykon ata që bëjnë të njëjtat gjëra që i bën edhe ti? 4 Apo i përçmon pasuritë e mirësisë, të durimit dhe zemërgjerësisë së Perëndisë pa e ditur se mirësia e tij të çon në pendim?
5 Por me ashpërsinë tënde dhe me zemrën e papenduar po i përgatit vetes një zemërim të madh për ditën kur Perëndia do të zbulojë zemërimin dhe gjykimin e tij të drejtë. 6 Perëndia do ta shpërblejë çdonjërin sipas veprave të veta. 7 Atyre që me durim kërkojnë lavdi, nder e pavdekësi në vepra të mira, do t'u japë jetën e amshuar, 8 ndërsa ata që janë kryeneçë e nuk i binden së vërtetës, por i binden padrejtësisë, i pret zemërimi e tërbimi i Perëndisë. 9 Për çdo qenie njerëzore që bën ligësi do të ketë mundim e ankth, së pari për judeun, por edhe për helenin. 10 Por për këdo që bën të mirën, do të ketë lavdi, nder e paqe, së pari për judeun, por edhe për helenin. 11 Sepse Perëndia nuk është i njëanshëm.
12 Të gjithë ata që kanë mëkatuar pa e njohur ligjin, nuk do të ndëshkohen sipas këtij ligji, ndërsa të gjithë ata që kanë mëkatuar duke e njohur ligjin, do të gjykohen sipas tij. 13 Të drejtë para Perëndisë nuk janë ata që e dëgjojnë ligjin, por ata që e zbatojnë atë.
14 Kur kombet që nuk e kanë ligjin, zbatojnë vetvetiu çfarë thotë ligji, megjithëse nuk e kanë ligjin, ato veprojnë si ta kishin atë brenda vetes së tyre. 15 Me këtë ata tregojnë se urdhërimet e ligjit janë të shkruara në zemrat e tyre, gjë për të cilën dëshmon edhe ndërgjegjja e tyre, edhe mendimet e tyre të brendshme, që herë i akuzojnë për faj e herë i shfajësojnë. 16 Kjo do të dalë në dritë ditën kur Perëndia do të gjykojë të fshehtat e njerëzve përmes Krishtit Jezu, siç e pohon ungjilli që predikoj unë.
Judenjtë dhe ligji i Moisiut
17 Çfarë të themi për ty që e quan veten jude? Ti mbështetesh te ligji e mburresh me Perëndinë, 18 e njeh vullnetin e tij dhe ligji të ka mësuar të dallosh të mirën. 19 Ti je i bindur se je udhëheqës i të verbërve e dritë për ata që janë në errësirë, 20 edukator i të panxënëve e mësues i të miturve në besim, sepse në ligj ke dijen e plotë dhe gjithë të vërtetën.
21 Ti, pra, që mëson të tjerët, nuk mëson dot veten? Ti që predikon se nuk duhet vjedhur, vjedh? 22 Ti që thua se nuk duhet bërë tradhti bashkëshortore, bën tradhti bashkëshortore? Ti që ke neveri idhujt, plaçkit tempuj? 23 Ti që mburresh me ligjin, çnderon Perëndinë duke e shkelur këtë ligj? 24 Sepse, siç është shkruar: për shkakun tuaj emri i Perëndisë shahet ndër kombe.
25 Rrethprerja është e dobishme nëse ti zbaton ligjin, por nëse je shkelës i tij, rrethprerja jote nuk vlen . 26 Prandaj, nëse i parrethpreri respekton urdhërimet e ligjit, a nuk do t'ia njohë atij Perëndia parrethprerjen si rrethprerje? 27 Ai që është i parrethprerë, por e zbaton ligjin, do të të gjykojë ty, që, megjithëse je i rrethprerë dhe e ke të shkruar ligjin, je shkelës i këtij ligji.
28 Sepse jude i vërtetë nuk është ai që duket i tillë së jashtmi dhe rrethprerja nuk është diçka e jashtme apo trupore, 29 por jude i vërtetë është ai që është i tillë së brendshmi. Rrethprerja e vërtetë është ajo e zemrës, që bëhet në Shpirt e jo në shkronjë. Lavdia e judeut të vërtetë nuk vjen nga njerëzit, por nga Perëndia.
1 Përandaj s’munt t’ ap ç’fialë, o njeri, cilido je ti që gjykon; sepse për atë punë që gjykon tiatrinë, gjykon vetëhenë tënde për të keq; sepse ti që gjykon, punon ato punëra .
2 Edhe e dimë, se gjyqi i Perëndisë është me të vërtetë kundrë atyreve që punonjënë të tilla punëra .
3 E mendon këtë ti, o njeri, që gjykon ata që punonjënë të tilla punëra , edhe bën ato, se ke për të shpëtuarë nga gjyqi i Perëndisë?
4 Apo bën për asgjë pasëjen'’ e së mirës’ ati e të durimit e të zëmrësë gjërë, edhe nuk’ e di, se e mira e Perëndisë të bie ty ndë pendim?
5 Po për ashpërimnë tënt, edhe për zëmërën’ e papenduarë mbëledh zemërim mbë vetëhenë tënde ndë ditët të zemëratës’ edhe të sbulesësë gjyqit drejtë të Perëndisë,
6 I cili do t’ia paguanjë gjithësecilit pas punëvet ati.
7 Atyreve që kërkonjënë lavdi e nderë e pavdierëje me durim për punë të mirë, do t’u apë jetë të pasosurë.
8 E mb’ ata që qartonjënë, edhe nuk’ i dëgjonjënë të vërtetësë, po i dëgjonjënë të shtrëmbëtësë, do të jetë zemëratë e mëri,
9 Acarim edhe shtrëngim mbë çdo shpirt njeriu që punon të ligënë mbë Judhenë më përpara edhe mbë Ellininë.
10 Po lavdi e nderë e paqtim do të jetë mbë cilinëdo që punon të mirënë, mbë Judhenë më përpara edhe mbë Ellininë.
11 Sepse te Perëndia s’ka të mbajtur’ anë;
12 Sepse gjithë sa fëjyenë pa nom, edhe do të vdirenë pa nom; edhe gjithë sa fëjyenë ndë nom, do të gjykonenë me mom,
13 (Sepse nukë janë të drejtë përanë Perëndisë ata që i mbanjënë vesh nomit, po ata që punonjënë nominë do të dalënë të drejtë.
14 Sepse kur gjëntarëtë që s’kanë nom, punonjënë punët’ e nomit pas fisit, këta ndonëse s’kanë nom, janë vetë nom ndë vetëhet të tyre;
15 Të cilëtë dëftenjënë punën’ e nomit shkruarë ndë zemërat të tyre, sepse ndërgjegjëja e atyreve martiris bashkë me ata, edhe mendimetë ndërmest atyreve përflasënë a apënë fialë njëri për tiatërinë).
16 Mb’atë ditë, kur do të gjykonjë Perëndia të fshehurat’ e njerëzet me anë të Jisu Krishtit, pas ungjillit tim.
17 Na ti që qjuhe Judhe, edhe prëhe mbë nomt, e mburre mbë Perëndinë,
18 Edhe njeh dashurimin’ e ati , edhe shquan ato që ndanjënë, sepse je mësuarë nga nomi;
19 Edhe kujton vetëhenë tënde, se je udhëheqësi të verbërvet, drit’ e atyreve që janë ndë errësirë,
20 Stërvitës i të marrëvet, mësonjës i foshnjevet, ese ke formën’ e së njohurësë, edhe së vërtetësë ndë nomt.
21 Ti pra që mëson tiatrinë, nuk’ mëson vetëhenë t’ënde? Ti që leçit të mos viedhënë, vieth?
22 Ti që thua të mos kurvëronjënë, kurvëron? Ti që ke të ndyrë nga idhollatë, vieth gjë qishe?
23 Ti që mburre mbë nomt, çpërnderon Perëndinë tuke shkelurë nominë?
24 Sepse “emëri i Perëndisë vllasfimisetë ndër kombet për punë tuaj”, sikundrë është shkruarë.
25 Sepse rrethpresëja bën dobi, ndë punofsh nominë; po ndë shkelç mominë, rrethpresëja jote u bë parrethpresëje.
26 Ay pra që nuk’ është rrethprerë ndë ruajtë porosit’ e nomit, a nukë do të qjuhetë të parrethprerët’ e ati rrethpresëje?
27 Edhe ay që është prej fisit i parrethprerë e punon nominë, nukë do të të gjykonjë tyj që ke shkronjën’ e nomit edhe rrethpresëjenë, e shkel nominë?
28 Sepse nuk’ është Judhe ay që duketë për faqe, as rrethpresëja ndë misht që është për faqe.
29 Po ay që është ndë të fshehurë Judhe, edhe rrethpresëje ësht’ ajo e zëmrësë, që është ndë frymët e jo ndë shkronjët, të cilit nderi nuk’ është prej njerëzish, po prej Perëndisë.