Adhurimi qiellor
1 Pastaj pashë një derë të hapur në qiell dhe zëri, që kisha dëgjuar më parë të më fliste si trumbetë, më tha: «Ngjitu këtu lart! Do të të tregoj ato që duhet të ndodhin më pas». 2 U rrëmbeva menjëherë nga Shpirti. Atje në qiell ndodhej një fron dhe mbi fron rrinte ulur dikush 3 që i ngjante nga pamja një guri diaspri e sardi. Fronin e rrethonte një ylber që ngjante nga pamja me gur smeraldi.
4 Rreth e qark fronit kishte njëzet e katër frone. Mbi këto frone rrinin ulur njëzet e katër pleq veshur me të bardha e me kurora të arta në kokë. 5 Nga froni dilnin vetëtima, zëra e bubullima. Para tij digjeshin shtatë shandanë të ndezur që janë shtatë shpirtrat e Perëndisë. 6 Para fronit ishte diçka si det i qelqtë që ngjante si kristal.
Në qendër, rreth e rrotull fronit ndodheshin katër gjallesa plot me sy para e prapa. 7 Gjallesa e parë ngjante me një luan, e dyta me një viç, e treta e kishte fytyrën si fytyrë njeriu, ndërsa e katërta ngjante me një shqiponjë në fluturim. 8 Secila prej të katër gjallesave kishte nga gjashtë krahë. Përreth e nga brenda ishin plot me sy e nuk pushonin as ditën e as natën së thëni:
«I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë
është Zoti, Perëndia i gjithëpushtetshëm,
ai që ishte, që është e që po vjen».
9 Ndërkohë që gjallesat lëvdonin, nderonin e falënderonin atë që rrinte ulur mbi fron, atë që jeton në shekuj të shekujve, 10 të njëzet e katër pleqtë binin përmbys para atij që rrinte ulur mbi fron dhe adhuronin atë që jeton në shekuj të shekujve, hidhnin kurorat e tyre para fronit dhe thoshin:
11 «I denjë je ti, Zoti e Perëndia ynë,
të marrësh lavdinë, nderimin e fuqinë,
sepse ti ke krijuar gjithçka
dhe me vullnetin tënd u bë e u krijua gjithçka».
1 Pastaj pashë, e ja një der’ e hapurë ndë qiell; edhe zëri i parë, që dëgjova, posi zë trumbete që fliste bashkë me mua, e thoshte: “Hip këtu, edhe do të të dëftenj sa duhetë të bënenë paskëtaj.”
2 Edhe përnjëherë qeshë ndë frymë, edhe ja tek ishte një fron ndë qiellt, edhe mbi front ishte ndënjurë një .
3 Edhe ay që rrinte gjante mbë të parët posi gur jaspidhe edhe sardhine; edhe ishte një ylver rreth fronit që gjante mbë të parët posi smaragdhinë.
4 Edhe përqark shkëmbit ishinë njëzet e katrë frone; edhe mbë fronet (pashë) ndenjurë të njëzet e katrë pleqtë, veshurë me rrobe të bardha; edhe kishinë mbi krerët të tyre kurora t’ arta.
5 Edhe dilinë nga froni vetëtima e bumbullima e zëra. Edhe përpara fronit ishinë shtatë
llambadhe ziarri ndezurë, të cilatë janë të shtatë frymat e Perëndisë.
6 Edhe përpara fronit ishte një det qelqeje që gjante posi akull; edhe ndë mes të fronit, edhe rreth fronit katrë shtësë, që ishinë plot me sy përpara e prapa.
7 Edhe shtës’ e parë gjante posi leon, edhe shtës’ e dytë gjante posi viç, edhe shtës’e tretë e kishtë faqenë posi njeri, edhe shtës’ e katrëtë gjante posi shqiponjë që fluturon.
8 Edhe të katrë shtësëtë kishinë gjithësecila veç e veç nga gjashtë fletë përqark, edhe përbrenda ishinë plot me sy; edhe nukë kanë të prëjturë dit’ e natë tuke thënë: “Shënjt, shënjt, shënjt është Zoti, Perëndi Gjithëpushtetësi”, ay që ishte edhe që ësht’ edhe që vien.
9 Edhe shtësëtë kur t’ apënë lavdi e nder e të falurë ndersë ati që ka ndenjurë mbë front, që rron ndë jetët të jetëvet,
10 Të njëzet e katrë pleqtë do t’i bienë përpara ati që është ndenjurë mbë front, edhe do t’i falen’ ati që rron ndë jetët të jetëvet, edhe do të vënë kurorat’ e tyre përpara fronit, tuke thënë:
11 I vëlyerë je, o Zot, të març lavdin’ e nderin’ e fuqinë; sepse ti i kriove të gjitha, edhe për dashuriminë tënt janë, edhe u kriuanë.