1 Shikoni ç'dashuri të madhe na ka dhënë Ati: të quhemi bij të Perëndisë. Dhe me të vërtetë jemi, prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e ka njohur as atë. 2 Fort të dashur, tani jemi bij të Perëndisë dhe nuk na është shfaqur ende se çfarë do të jemi, por dimë që kur të shfaqet Krishti, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim ashtu siç është. 3 Dhe kush ka këtë shpresë tek ai, bëhet i pastër, sikurse është i pastër ai.
4 Kush bën mëkat, shkel ligjin, sepse mëkati është shkelja e ligjit. 5 Ju e dini se Jezu Krishti u shfaq për të marrë mbi vete mëkatet dhe në të nuk ka mëkat. 6 Kush qëndron në të, nuk mëkaton. Kush mëkaton, nuk e ka parë dhe nuk e ka njohur atë.
7 Bijtë e mi, mos t'ju mashtrojë askush! Ai që bën drejtësinë është i drejtë, sikurse është i drejtë Jezu Krishti. 8 Ai që bën mëkat është nga djalli, sepse djalli mëkatoi që nga fillimi. Prandaj u shfaq Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit. 9 Kush ka lindur nga Perëndia, nuk bën mëkat, sepse fara e jetës së Perëndisë qëndron në të dhe nuk mund të mëkatojë, meqenëse ka lindur nga Perëndia. 10 Ja nga dallohen qartë bijtë e Perëndisë nga bijtë e djallit: kush nuk bën atë që është e drejtë dhe nuk do vëllanë e vet, nuk është nga Perëndia.
Duajeni njëri-tjetrin
11 Kjo është porosia që keni dëgjuar që nga fillimi: ta duam njëri-tjetrin, 12 jo si Kaini, që ishte nga i ligu dhe vrau vëllanë e vet. Dhe përse e vrau? Ngaqë veprat e tij ishin të liga, ndërsa veprat e vëllait të tij ishin të drejta. 13 Mos u habisni, vëllezër, nëse bota ju urren! 14 Ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë, sepse i duam vëllezërit. Ai që nuk ka dashuri mbetet në vdekje.
15 Kush urren vëllanë është njeri-vrasës dhe ju e dini se asnjë njeri-vrasës nuk ka më jetë të amshuar. 16 Ja si e njohëm dashurinë: Jezu Krishti dha jetën e tij për ne, prandaj edhe ne duhet të japim jetën për vëllezërit tanë. 17 Nëse dikush që ka të mirat e kësaj bote shikon vëllanë e vet në nevojë, por e ngurtëson zemrën ndaj tij, si mund të qëndrojë në të dashuria e Perëndisë? 18 Bijtë e mi, të mos duam me fjalë a me gojë, por me vepra dhe me të vërtetë.
Siguri para Perëndisë
19 Ja si do ta dimë se jemi nga e vërteta dhe zemra jonë do të ketë siguri para Perëndisë: 20 edhe nëse zemra na padit, Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe njeh gjithçka. 21 Fort të dashur, nëse zemra jonë nuk na dënon, kemi siguri para Perëndisë 22 dhe do të marrim prej tij ç'të kërkojmë, sepse zbatojmë urdhërimet e tij dhe bëjmë gjërat që i pëlqejnë atij. 23 Urdhërimi i tij është t'i besojmë emrit të Birit të tij Jezu Krisht dhe të duam njëri-tjetrin siç na urdhëroi ai. 24 Ai që zbaton urdhërimet e tij qëndron në Perëndinë dhe Perëndia në të. Nga kjo gjë ne dimë se Perëndia qëndron në ne: nga Shpirti që na dha.
1 Shihni çfarë dashurie na ka dhënë Ati, që të qjuhemi diemt’ e Perëndisë; përandaj bota nukë na njeh, sepse nuk’ e njohu atë.
2 Të dashurë, tashi jemi diemt’ e Perëndisë; po edhe nuk’ është shpërfaqurë se ç’do të jemi; po e dimë, se, kur të shpërfaqetë, do të jemi posi ay; sepse do ta shohëm’ atë sikundrë është.
3 Edhe kushdo që ka këtë shpëresë mb’ atë, pastron vetëhen’ e ti, sikundrë ay ësht’ i pastrë.
4 Kushdo që bën fajinë, bën edhe panominë; sepse faji është panomia.
5 Edhe e dini, se ay u shpërfaq, që të ngrerë fajetë tona; edhe faj nukë është tek ay.
6 Kushdo që mbet mb’atë, nukë fëjen; kushdo që fëjen, nuk’ e ka parë atë, as nuk’ e ka njohur’ atë.
7 Diemthit’ e mi , asndonjë le të mos u kobonjë juve; ay që bën drejtërinë, ësht’ i drejtë, sikundrë ay ësht’ i drejtë.
8 Ay që bën fajinë, është nga dialli; sepse dialli që përpara herësë fëjen. Përandaj u shpërfaq i Bir’ i Perëndisë, që të prishnjë punërat’ e diallit.
9 Ay që ka lindurë prej Perëndisë, nukë bën faj, sepse fara e ati mbet mb’ atë; edhe s’munt të fëjenjë, sepse ka lindurë prej Perëndisë.
10 Me këtë shquhenë diemt’ e Perëndisë, edhe diemt’ e diallit. Kushdo që nukë bën drejtëri, nuk’ është nga Perëndia, edhe ay që nukë do të vëllanë.
11 Sepse këjo është porosia që dëgjuatë që përpara herësë, të duamë njëri tiatrinë;
12 Jo sikundrë Kaini ishte prej të ligut, edhe theri të vëllanë. Edhe përse e theri atë? Sepse punërat’ e ati ishinë të liga, e ato të vëllat ishinë të drejta.
13 Mos çuditi, vëllezërit’ e mi, ndë u ka mëri juve bota.
14 Neve e dimë, se kemi sbriturë nga vdekëja ndë jetët, sepse duamë vëllezëritë; ay që nukë do vëllanë, mbet ndë vdekëjet.
15 Kushdo që i ka mëri të vëllat, është njeri-vrasës; edhe e dini se çdo njeri-vrasës s’ka jetë të pasosurë që nbet mbë vetëhet të ti.
16 Nga këjo njohëmë dashurin’ e Krishtit, se ay vuri jetën’ e ti për ne; edhe neve kemi detyrë të vëmë jetënë tonë për vëllezërit.
17 Po ay që të ketë të mirat’ e botësë, edhe të shohë të vëllanë që ka nevojë, edhe të mbyllnjë zemërën’ e ti nga të dhëmburitë, qysh mbet dashuria e Perëndisë tek ay?
18 Diemthit’ e mi, mos të duamë me fialë, as me gjjuhë, po me punë e me të vërtetë.
19 Edhe nga këjo njohëmë se jemi prej së vërtetësë, edhe do të sigurojmë zemratë tona përpara ati;
20 Sepse ndë na gjukoftë për të keq zemëra jonë, po Perëndia është më i math se zemëra jonë, edhe njeh të gjitha.
21 Të dashurë, ndë mos na gjukoftë për të keq zemëra jonë, kemi kuxim te Perëndia;
22 Edhe atë që të lypëjmë, e marrëmë nga ay; sepse ruajmë porosit’ e ati, edhe bëjmë të pëlqyeratë përpara ati.
23 Edhe këjo është porosia e ati, që të besojmë mb’emër të Birit ati Jisu Krishtit, edhe të duamë njëri tiatrinë, sikundrë na la porosi.
24 Edhe ay që ruan porosit’ e ati, mbet mb’ atë, edhe ay mbë këtë, edhe nga këjo e njohëmë se mbet ndër ne, nga Fryma që na dha.