Ardhja e dijetarëve
1 Kur u lind Jezui në Betlehem të Judesë, në kohën kur ishte mbret Herodi, disa dijetarë erdhën nga lindja në Jerusalem 2 dhe pyetën: «Ku është mbreti i sapolindur i judenjve? Sepse pamë yllin e tij në lindje dhe erdhëm ta adhurojmë». 3 Kur e dëgjoi këtë mbreti Herod, u shqetësuan ai dhe tërë Jerusalemi. 4 Atëherë mblodhi të gjithë kryepriftërinjtë e shkruesit e popullit dhe i pyeti se ku duhej të lindte Krishti. 5 Ata i thanë: «Në Betlehem të Judesë, se kështu shkruan profeti:
6 e ti, Betlehem,
tokë e Judesë,
nuk je aspak më i vogli
ndër prijësit e Judesë,
sepse prej teje
do të lindë një prijës
që do të jetë bariu i popullit tim Izraelit ».
7 Atëherë Herodi thirri fshehurazi dijetarët dhe mori vesh prej tyre kohën e saktë se kur ishte shfaqur ylli. 8 Pastaj i nisi për në Betlehem e u tha: «Shkoni e pyesni me hollësi për fëmijën dhe kur ta gjeni, më lajmëroni që të vij edhe unë e ta adhuroj». 9 Pasi dëgjuan mbretin, u nisën. Dhe ja, ylli që kishin parë në lindje u printe derisa u ndal në vendin ku ishte fëmija. 10 Kur panë yllin, ata u gëzuan shumë. 11 Si hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marinë, nënën e tij, e ranë në gjunjë dhe e adhuruan. Pastaj hapën thesaret e tyre dhe i dhuruan ar, temjan e mirrë. 12 Të lajmëruar në ëndërr që të mos ktheheshin te Herodi, u kthyen në vendin e tyre nga një rrugë tjetër.
Ikja në Egjipt
13 Si u nisën dijetarët, engjëlli i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit e i tha: «Ngrihu, merre fëmijën e të ëmën, ik në Egjipt e rri atje derisa të të them unë, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë». 14 Ai u ngrit, mori fëmijën dhe të ëmën e u nis nëpër natë për në Egjipt. 15 Qëndroi atje derisa vdiq Herodi, që të përmbushej çfarë kishte thënë Zoti përmes profetit: nga Egjipti e thirra birin tim.
Vrasja e fëmijëve
16 Kur mori vesh se dijetarët e kishin mashtruar, Herodi u zemërua shumë dhe dërgoi të vrisnin në Betlehem e në mbarë atë krahinë të gjithë fëmijët meshkuj dy vjeç e poshtë, sipas kohës së saktë që kishte marrë vesh nga dijetarët. 17 Atëherë u përmbush çfarë kishte thënë profeti Jeremi:
18 u dëgjua një zë në Ramah,
vajtim e gjëmë e madhe.
Rakela vajton fëmijët e saj
dhe nuk do që ta ngushëllojnë,
sepse ata nuk janë më.
Kthimi nga Egjipti
19 Kur vdiq Herodi, një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit në Egjipt 20 e i tha: «Ngrihu, merr me vete fëmijën dhe të ëmën e nisu për në tokën e Izraelit, sepse ata që kërkonin jetën e fëmijës kanë vdekur». 21 Jozefi u ngrit, mori me vete fëmijën dhe të ëmën e u nis për në tokën e Izraelit. 22 Por, pati frikë të shkojë atje kur mori vesh se në Jude sundonte Arkelau në vend të Herodit, atit të tij. I lajmëruar në ëndërr, shkoi në krahinën e Galilesë 23 dhe u vendos në një qytet të quajtur Nazaret, që të përmbushej thënia e profetëve: «Do të quhet nazaretas».
1 Edhe Jisuj si lindi ndë Vithleemë të Judhesë, ndë dit të mbëretit Irodhit, ja ca magjishtarë nga të lindurit’ e diellit erthnë ndë Jerusalim, e thoshinë:
2 Ku është mbëret’ i Judhenjvet që ka lindurë? Sepse pam’ yllin’ e ati ndë të lindurit diellit, e erdhëm t’i falemi.
3 Edhe mbëreti Irodhi kur dëgjoj, u droth edhe gjithë Jerusalimi bashkë me atë.
4 Edhe si mbëlodhi gjithë krye-priftërit’ edhe shkronjësit’ e gjëndëjesë, pyeste të marrë vesh prej atyre, ku lint Krishti.
5 Edhe ata i thanë ati: Ndë Vithleemë të Judhesë, sepse kështu është shkruarë nga an’ e profitit:
6 “Edhe ti Vithleemë, dheu i Judhesë, nukë je fare e vogëlë ndër zotërinjt të Judhesë; sepse prej teje do të dalë një i parë, i cili do të kullosnjë llauzinë tim Israilnë”.
7 Atëhere Irodhi thirri fshehurazi magjishtarëtë, e mori vesh mirë nga ata kohën’ e yllit që ishte dukurë; edhe si i dërgoi ata ndë Vithleemë, tha:
8 Shkoni e vëshgoni mirë për dialënë; edhe si ta gjeni, m’ epni zë, që të vinj edhe un’ e t’i falem ati.
9 Edhe ata si dëgjuanë mbëretinë vanë; edhe ja ylli që panë ndë të lindurit diellit te shkonte përpara atyre, gjersa erdhi e qëndroj sipër tek ishte diali.
10 Edhe ata kur panë yllinë, u gëzuanë me gëzim të math fort.
11 Edhe si erthnë ndë shtëpit, gjetnë dialënë bashkë me t’ëmën’ e ti Marinë, edhe ranë mbë dhe e iu falnë ati, edhe si hapnë thesarët’ e tyre, i prunë ati dhurëti, ar’ e kënem e smyrnë.
12 Edhe si iu dëftye atyre nga Perëndia nd’ ëndërrë të mos këthenënë tek Irodhi, iknë e vanë nga një tiatër’ udhë ndë vënt të tyre.
13 Edhe passi iknë ata, ja një ëngjëll’ i Zotit tek i duketë nd’ ëndërrë Josifit, tuke thënë: Ngreu e merr me vetëhe dialën’ edhe t’ëmën’ e ati, edhe ik ndë Misirë; edhe rri atie gjer kur të të them tyj; sepse Irodhi do të kërkonjë dialënë që ta prishnjë.
14 Edhe ay u ngrit e mori me vetëhe dialën’ edhe t’ëmën’ e ati natënë, edhe iku ndë Misirë.
15 Edhe ndenji atie gjer mbë vdekëjet të Irodhit; që të mbushetë ç’është thënë nga Zoti me anë të profitit, që thotë: “Nga Misiri thirra tem bir.”
16 Atëhere Irodhi, kur pa se u gënjye nga Magjishtarëtë, u zemërua fort, edhe dërgoj e vrau gjithë dielmtë që ishinë ndë Vithleemë, e ndëpër gjithë sinoret’ e asaj, që mbë dy vieç e poshtë, pas kohësë që mori vesh mirë nga magjishtarëtë.
17 Atëhere u mbush ç’është thënë nga profiti Jeremi, që thotë:
18 “Zë u dëgjua ndë Rama, vajë e të qjarë e gjëmë shumë; Rahilla qjante dielmt’ e saj, edhe nukë donte të ngushullonej. sepse nukë janë.”
19 Edhe Irodhi si vdiq, ja ëngjëll’ i Zotit tek i duketë nd’ ëndërrë Josifit ndë Misirë, e i thotë:
20 Ngreu e merr me vetëhe dialën’ edhe t’ëmën’ e ati, edhe ecë ndë dhe të Israilit; sepse ata që kërkoninë jetën’ e dialit kanë vdekurë.
21 Edhe ay u ngrit e mori me vetëhe dialën’ edhe t’ëmën’ e ati, edhe erdhi ndë dhe të Israilit.
22 Po kur dëgjoj, se Arqellau mbëretëron ndë Judhet ndë vënt të Irodhit t’et, pat frikë të vejë atie; edhe si iu dëftye ati nga Perëndia nd’ ëndërrë, iku nd’ anët të Galilesë.
23 Edhe erdhi e nguli ndë një qytet që thuhetë Nazaret; që të mbushetë ç’është thënë nga profitëritë, se Nazoreas do të qjuhetë.