Thesari në enë balte
1 Prandaj nuk ligështohemi, sepse Perëndia na e dha këtë shërbesë prej mëshirës së tij. 2 Ne i kemi mohuar gjërat e fshehta e të turpshme. Nuk jetojmë me dinakëri dhe nuk e shtrembërojmë fjalën e Perëndisë. Përkundrazi, ne e shfaqim të vërtetën dhe kështu e dorëzojmë veten para gjykimit të njerëzve e para Perëndisë. 3 Edhe po të jetë i mbuluar ungjilli ynë, është i mbuluar për ata që shkojnë në humbje.
4 Atyre që nuk besojnë, ua ka verbuar mendjen perëndia i kësaj bote, i cili nuk i lejon të shohin dritën e ungjillit të lavdisë së Krishtit që është shëmbëllim i Perëndisë. 5 Në të vërtetë, ne nuk predikojmë veten tonë, por Jezu Krishtin Zot, dhe e quajmë veten shërbëtorët tuaj për hir të Jezuit. 6 Sepse Perëndia ka thënë: «Le të ndriçojë drita në errësirë!». Ai i ka ndriçuar zemrat tona për të na dhënë dritë, që të njohim lavdinë e Perëndisë në fytyrën e Jezu Krishtit.
7 Por ne i mbajmë këto thesare brenda vetes si në enë balte, që të duket qartë se kjo fuqi madhështore vjen prej Perëndisë e jo prej nesh. 8 Megjithëse na mundojnë nga çdo anë, nuk ligështohemi. Jemi të pështjelluar, por nuk dëshpërohemi. 9 Na përndjekin, por Perëndia nuk na braktis. Na kanë hedhur tej, por nuk kemi marrë fund. 10 Ne mbartim gjithmonë në trupin tonë vdekjen e Jezuit, që edhe jeta e tij të bëhet e dukshme në trupin tonë. 11 Ne vërtetë jemi gjallë, por në çdo çast i dorëzohemi vdekjes për hir të Jezuit, që edhe jeta e tij të bëhet e dukshme në trupin tonë të vdekshëm. 12 Kështu, ne na kërcënon vdekja, ndërsa ju fitoni jetën.
13 Por ne kemi të njëjtin shpirt të besimit, sikurse është shkruar: besova, prandaj fola. Edhe ne besojmë, prandaj flasim, 14 sepse e dimë se ai që e ngjalli Zotin Jezu, do të na ngjallë edhe ne me Jezuin e bashkë me ju do të na paraqesë para vetes. 15 Gjithçka bëhet për ju, në mënyrë që sa më shumë njerëz të pranojnë hirin e Perëndisë dhe ta falënderojnë gjithnjë e më shumë atë e t'i japin lavdi.
Jetojmë përmes besimit
16 Prandaj nuk ligështohemi. Megjithëse së jashtmi shkojmë drejt kalbjes, nga brenda përtërihemi dita-ditës. 17 Ky pikëllim i lehtë që po kalojmë tani po na përgatit për një lavdi të pashoqe, të begatë e të amshuar. 18 Ne nuk jemi përqendruar te gjërat që duken, por tek ato që nuk duken, sepse gjërat e dukshme janë të përkohshme, ndërsa të padukshmet janë të amshuara.
1 Përandaj tuke pasurë këtë shërbesë, sikundrë u përdëllyem, s’lodhemi.
2 Po mohuam të fshehurat’ e turpërisë, e s’ecëjmë me dinakëri, as nukë prishmë fialën’ e Perëndisë me kobim, po me të shpërfaqurit’ e së vërtetësë ndorëzojmë vetëhenë tonë mbë çdo ndërgjegjëje njerëzish, përpara Perëndisë.
3 Edhe ndë qoftë se është ungjilli ynë mbuluarë, është mbuluarë për ata që janë të humburë;
4 Sepse Perëndia i kësaj jetë u verboj mendimet’ atyreve që s’besonjënë, që të mos ndriçonjë mb’ ata drita e ungjillit lavdisë Krishtit, i cili është shëmbëlles’ e Perëndisë.
5 Sepse s’leçismë vetëhenë tonë, po Zotinë Jisu Krisht, edhe vetëhenë tonë shërbërtorëtë tuaj për Jisunë.
6 Sepse ay Perënduia që tha të ndriçonjë dritë nga errësira, ay ndriçoj ndë zemërat tona, për të ndriturit’ e së njohurësë lavdisë Perëndisë ndë faqet të Jisu Krishtit.
7 Edhe kemi këtë thesar ndë enë të baltta, që të jetë tepërica e fuqisë nga Perëndia, edhe jo nga ne.
8 Mbë çdo gjë acaronemi, po nukë shtrëngonemi; jemi të ngatëruarë, po s’na hiqetë shpëresa;
9 Ndiqemi, po nukë jemi të lënë; jemi të hedhurë poshtë, po s’jemi të humburë.
10 Kurdo biemë rreth vdekëjen’ e (Zotit) Jisu mbë trupinë tënë, që të shpërfaqet’ edhe jeta e Jisujt mbë trup tënë.
11 Sepse neve që rrojmë gjithënjë epemi mbë vdekëje për Krishtinë, që të shpërfaqet’ edhe jeta e Jisujt ndë misht tënë të morçëminë.
12 Kaqë sa vdekëja punonetë mbë ne, e jeta mbë ju.
13 Edhe tuke pasurë po atë frymën’ e besësë, pas të shkruarit: “Besova, përandaj fola”, dhe neve besojmë, përandaj edhe flasmë.
14 Tuke diturë, se ay që ngjalli Zotinë Jisu, do të na ngjallë edhe neve me anë të Jisujt, edhe do të na nxierrë përpara ati bashkë me ju.
15 Sepse të gjitha janë për ju, që ay hiri i tepërë të tepronjë mbë lavdin’ e Perëndisë për të faluritë ndersë më të shumëvet.
16 Përandaj s’lodhemi; sepse ndonëse ay njeriu që është përjashta nesh prishetë, po ay që është përbrënda përtërihetë dita për ditë.
17 Sepse shtrëngimi ynë i lehëtë që është për pak kohë punon për ne tepër së tepërmi një lavdi të rëndë të pasosurë.
18 Sepse neve nukë shtiemë sytë mb’ ato që shihenë, po mb’ ato që nukë shihenë; sepse ato që shihenë janë për pak kohë, po ato që nukë shihenë janë të pasosura.