1 O vëllezër, sa për kohën dhe për orën se kur do të ndodhin këto gjëra, nuk keni nevojë t'ju shkruaj, 2 pasi ju vetë e dini mirë se Dita e Zotit do të vijë siç vjen vjedhësi natën. 3 Kur t'ju thonë: «kemi paqe dhe siguri», atëherë mbi ta do të bjerë papritur shkatërrimi. Ata nuk do t'i shpëtojnë dot dhe do të vuajnë si gruaja në dhimbjet e lindjes.
4 Por ju, o vëllezër, nuk jeni në errësirë që ajo ditë t'ju zërë në befasi, si vjedhësi; 5 ju të gjithë jeni bij të dritës dhe bij të ditës. Ne nuk jemi as të natës, as të errësirës. 6 Prandaj të mos flemë si të tjerët, por të vigjilojmë dhe të jemi të kthjellët. 7 Sepse ata që flenë, flenë natën dhe ata që dehen, dehen natën. 8 Por ne, meqenëse jemi të ditës, le të jemi të kthjellët, duke veshur besimin dhe dashurinë si parzmore dhe shpresën e shpëtimit si përkrenare.
9 Perëndia nuk na caktoi të vuajmë zemërimin e madh, por na caktoi të marrim shpëtimin përmes Zotit tonë Jezu Krisht, 10 i cili vdiq për ne. Kështu, kur të vijë ai, edhe nëse vigjilojmë, edhe nëse jemi duke fjetur, do të jetojmë bashkë me të. 11 Prandaj ngushëlloni dhe ndihmoni njëri-tjetrin për t'u rritur në besim, sikurse edhe po bëni.
Porositë e fundit
12 Tani, o vëllezër, ju lutemi t'i vlerësoni ata që Zoti i ka ngarkuar për të qenë drejtuesit tuaj, që ju shërbejnë me mund dhe që ju këshillojnë. 13 Çmojini dhe nderojini me dashuri për punën që bëjnë. Jetoni në paqe mes jush. 14 O vëllezër, ju bëjmë thirrje t'i qortoni ata që nuk jetojnë siç duhet, t'i ngushëlloni zemërlëshuarit, t'i ndihmoni të dobëtit në besim dhe të jeni të duruar me të gjithë. 15 Kini mendjen se mos ndokush ia kthen dikujt të keqen me të keqe. Gjithmonë kërkoni të mirën për njëri-tjetrin dhe për të gjithë.
16 Gëzohuni gjithmonë. 17 Lutuni pa pushim. 18 Falënderoni për çdo gjë, sepse ky është vullneti i Perëndisë për ju përmes Krishtit Jezu.
19 Mos e shuani Shpirtin. 20 Mos i përbuzni profecitë. 21 Shqyrtoni çdo gjë, mbani atë që është e mirë. 22 Hiqni dorë nga çdo lloj ligësie.
23 Vetë Perëndia i paqes ju shenjtëroftë plotësisht dhe gjithë qenia juaj, shpirt, mendje e trup qoftë e paqortueshme kur të vijë Zoti ynë Jezu Krisht. 24 Perëndia që ju thirri është besnik dhe do ta bëjë atë që ka thënë.
25 Vëllezër, lutuni edhe për ne.
26 Përshëndetni të gjithë vëllezërit me puthje të shenjtë.
27 Ju përbetohem në emër të Zotit, që kjo letër t'u lexohet të gjithë vëllezërve .
28 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju!
1 Edhe për motet’ e për kohërat, o vëllezër, nukë keni nevojë t’u shkruanj juve;
2 Sepse ju e dini fort mirë, se dita e Zotit, posi viedhësi natënë, kështu vien.
3 Sepse kur thonë: Paqtim edhe siguri, atëhere vien mbi ata humbëje e paprirurë, posi të dhëmburat’ e gruasë me barrë; edhe nukë do të shpëtonjënë.
4 Po ju, o vëllezër, nukë jeni ndë errësirë, që t’ua harrinjë ajo ditë posi viedhës.
5 Të gjithë ju jeni bij drite e bij dite; nukë jemi të natësë, as të errësirësë.
6 Le të mos flemë pra sikundrë edhe të tierëtë, po le të rrimë squarë, edhe le të jemi të esullë.
7 Sepse ata që flenë, natënë flenë; edhe ata që dehenë, natënë dehenë;
8 Po ne, pasi jemi të ditësë, le të jemi esullë, e le të veshëmë thurakën’ e besës’ e të dashurisë, edhe për përkrenarenë shpëresën’ e shpëtimit.
9 Sepse Perëndia nukë na ka urdhëruarë për zemërim, po për fitimin’ e shpëtimit, me anë të Zotit tënë Jisu Krishtit,
10 Që vdiq për ne, që të rrojmë bashkë me atë, a kur rrimë squarë jemi, a kur flemë,.
11 Përëndaj ngushulloni njëri tiatrinë, edhe ndërtoni njëri tiatrinë, sikundrë edhe bëni.
12 Edhe u lutemi juve, o vëllezër, t’i dini ata që mundonenë ndër ju, e rrinë mbi kryet tuaj mbë Zotinë, e u mësonjënë juve;
13 Edhe i nderoni ata me më tepërë dashuri për punën’ e atyreve. Kini paqtim ndërmest tuaj.
14 Edhe u lutemi juve, o vëllezër, mësoni të prapëtë, ngushulloni zemër-pakëtë, u ndihni të sëmurëvet, kini zemërë të gjerë mbë të gjithë.
15 Vështroni se mos i bënjë ndonjë tiatrit keq për të keq; po kërkoni përherë të mirënë edhe te njëri tiatri, edhe te të gjithë.
16 Përherë gëzohi.
17 Pa pushim fali.
18 Për çdo gjë epni të falurë ndersë; sepse kyj është dashurimi i Perëndisë te ju mbë Jisu Krishtinë.
19 Mos shuani Frymënë.
20 Mos hithni poshtë profiti.
21 Provoni të gjitha, mbani të mirënë.
22 Hiqni dorë prej çdo farë së lige.
23 Edhe vetë Perëndia i paqtimit u shënjtëroftë juve të tërë; edhe u ruajt’ e tërë fryma juaj, edhe shpirti, edhe mishi, pa palavi ndë të ardhurit Zotit tënë Jisu Krisht.
24 Besëtar ësht’ ay që u thërret juve, i cili edhe do ta bënjë.
25 O vëllezër, fali për ne.
26 Përshëndetni gjithë vëllezëritë me të puthurë të shënjtëruarë.
27 U ve mbë be juve mbë Zotinë, të këndonetë karta mbë gjithë vëllezërit’ e shënjtëruarë.
28 Hiri i Zotit tënë Jisu Krishtit qoftë bashkë me ju. Amin.