1 Dua të them se, për aq kohë sa trashëgimtari është i mitur, nuk dallon fare nga skllavi, ndonëse është pronari i gjithçkaje. 2 Ai është nën kujdestarë e mbikëqyrës deri në kohën e caktuar nga i ati. 3 Po ashtu edhe ne, kur ishim të mitur, kemi qenë skllevër të parimeve të botës. 4 Por, kur erdhi koha e caktuar, Perëndia dërgoi Birin e tij. Ai lindi nga një grua dhe iu nënshtrua ligjit, 5 për të shpenguar ata që ishin nën ligj e që ne të birësohemi. 6 Duke qenë se jeni bij të tij, Perëndia dërgoi në zemrat tona Shpirtin e Birit të vet, që thërret: «Abba, o Atë!». 7 Prandaj, ti nuk je më skllav, por bir. Nëse je bir, je edhe trashëgimtar përmes Perëndisë .
Shqetësimi i Palit
8 Dikur, kur nuk e njihnit Perëndinë, u shërbenit idhujve që prej natyre nuk janë perëndi. 9 Tani që e keni njohur Perëndinë, ose më mirë të them, se Perëndia ju njohu ju, si ktheheni përsëri te këto parime të dobëta e mjerane për t'u shërbyer sërish atyre? 10 Ju mbani si të kremte disa ditë, muaj, stinë e vite. 11 Kam frikë se u mundova më kot për ju.
12 Po ju lutem, o vëllezër, bëhuni si unë, sepse edhe unë jam bërë si ju. Ju nuk më keni bërë asnjë të keqe. 13 Ju e dini se herën e parë, që ju predikova ungjillin, lëngoja në trup. 14 Megjithëse lëngata ime në trup ishte sprovë për ju, ju nuk më përbuzët, as nuk më patët neveri, por më pranuat si engjëllin e Perëndisë, si Krishtin Jezu. 15 Ku shkoi gëzimi juaj? Unë dëshmoj se, po të kishte qenë e mundur, ju do t'i kishit nxjerrë edhe sytë tuaj për të m'i dhënë mua. 16 Tani qenkam bërë armiku juaj pse po ju them të vërtetën?
17 Ata tregohen të zellshëm me ju, por jo për mirë, madje dëshirojnë t'ju shkëpusin, që pastaj ju të jeni të zellshëm me ta. 18 Është mirë që të jeni gjithmonë të zellshëm për të mirën e jo vetëm kur jam unë me ju. 19 Bijtë e mi, unë po kaloj për ju të njëjtat dhimbje si gruaja gjatë lindjes, derisa Krishti të marrë trajtë në ju. 20 Do të doja të isha pranë jush tani e të flisja ndryshe, se nuk di ç'të bëj më me ju.
Hagara dhe Sara
21 Më thoni ju, që doni të jeni nën ligj, a nuk e dëgjoni ligjin? 22 Shkrimi thotë se Abrahami pati dy bij, një prej skllaves e një prej të lirës. 23 Biri i skllaves lindi prej mishit, ndërsa biri i së lirës përmes premtimit të Perëndisë.
24 Këto gjëra kanë tjetër kuptim. Dy gratë janë dy besëlidhje. Njëra, ajo prej malit Sinai që lind për skllavërim, është Hagara. 25 Hagara, domethënë mali i Sinait në Arabi, përkon me Jerusalemin e sotëm, që është në skllavëri bashkë me bijtë e vet. 26 Ndërsa gruaja e lirë përfaqëson Jerusalemin qiellor dhe është nëna jonë.
27 Shkrimi thotë:
ngazëllohu ti shterpë,
ti që nuk lind,
kërce e bërtit nga gëzimi
ti që s'pate dhimbjet e lindjes,
se bijtë e të braktisurës
do të jenë më të shumtë
se të asaj që ka burrë.
28 Ju, vëllezër, jeni bij të premtimit të Perëndisë, sikurse Isaku. 29 Edhe tani ndodh si atëherë, kur ai që lindi prej mishit, përndoqi atë që kishte lindur përmes Shpirtit. 30 Por çfarë thotë Shkrimi? Dëboje skllaven me të birin, pasi biri i skllaves nuk mund të jetë trashëgimtar bashkë me birin e së lirës. 31 Kështu pra, vëllezër, ne nuk jemi bijtë e skllaves, por bijtë e së lirës.
1 Edhe them, sa kohë trashëgimtari është foshnjë, s’ndan nga shërbëtori, ndonëse ësht’ i zoti të gjithavet;
2 Po është ndënë kujdestarë e ndënë qivernitarë, gjer mb’atë kohë që ësht’ urdhëruarë nga i ati.
3 Kështu edhe neve, kur ishim foshnje, ishim bërë shërbëtorë ndënë stihiat të botësë;
4 Po kur erdhi të mbushurit’e kohësë, Perëndia dërgoj të Birinë, që lindi prej gruasë, edhe që qe ndënë nom,
5 që të shpërblenjë ata që ishinë ndënë nom, që të marrënë birërinë.
6 Edhe sepse jeni bij, Perëndia dërgoj Frymën’ e të Birit ndë zemërat tuaja, që thërret: Avva, o Atë.
S 7 Përandaj nukë je me shërbëtuar, po bir; edhe ndë je bir, je edhe trashëgimtar i Perëndisë me anë të Krishtit.
8 Po atëhere, passi s’njihnitë Perëndinë, u punuat’ atyre përëndiravet që s’janë nga fisi;
9 Po ndashti, passi njohtë Perëndinë, e me thënë më mirë u njohtë prej Perëndisë, qysh këthehi përsëri mbë të dobat edhe të vobegat stihia, që doni t’u punoni atyre përsëri si përpara?
10 Vini re dit, e muaj, e kohëra, e viet.
11 Kam frikë për ju, mos u munduashë kot për ju.
12 Bëhi posi unë, sepse edhe unë jam posi ju, o vëllezër; u lutem juve, s’më keni bërë ndonjë gjë të ligë.
13 Edhe e dini, se përpara ungjillëzova te ju me dobësirë mishi.
14 Edhe s’bëtë për asgjë ngasjenë time që ishte ndë misht tim, as e hodhët teje, po më prittë si ëngjëll Perëndie, si Jisu Krishtinë.
15 Cila pra ishte të lumëzuarëtë juaj? Sepse martiris për ju, se ndë munt të bënej do të nxiritë sytë tuaj e të m’i epitë mua.
16 Arëmiku juaj u bëshë pra, se them të vërtetënë?
17 Dëftenjënë zemërë të përvëluarë te ju, po jo të mirë; po duanë që t’u mbyllënë jashtë juve, që të keni zemërë të përvëluarë për ata.
18 Po është mirë që të keni zemërë të përvëluarë përherë mbë të mirët, e jo vetëmë kur të afërë jush.
19 Dielmthit’ e mi, përsëri kam të dhëmbura piellëje për ju, gjersa të formonetë ndër ju Krishti;
20 Edhe donjam të ishnjam afërë jush ndashti, edhe të ndërronjam zënë tim, sepse vras mëndëjenë për ju.
21 Pa më thoni, ju që doni të jeni ndënë nom, a s’dëgjoni nomnë?
22 Sepse është shkruarë, se Avraami pat dy bij; një prej shërbëtoresë, e një prej së lirësë.
23 Po ay që pat lindurë prej shërbëtoresë, lindi pas mishit; e ay që pat lindurë prej së lirësë, lindi me anë të zotuarësë.
24 Këto punë janë të aligorisura, sepse këtu janë dy dhiatatë; njëra nga mali i Sinajt, që piell për skllavëri, e cila ësht’ Agara.
25 (Sepse Agara është mali i Sinajt nd’Aravi, e është sinjënjë me Jerusalimën e soçëme; edhe është ndë skllavëri bashkë me të bijtë).
26 Po Jerusalimeja e lartë ësht’ e lirë, e cila është mëma jonë të gjithëve.
27 Sepse është shkruarë: “Gëzohu ti, o shterbë që nukë piell; nxir zë e bërtit ti që nukë ke të dhëmbura piellëje; sepse dielmt’e shkretëtirësë janë më shumë se dielmt’ e asaj që ka burr”.
28 Edhe neve, o vëllezër, jemi dielmt’ e së zotuarësë, posi Isaaku.
29 Po sikundrë atëhere ay që lindi pas mishit, ndiqte atë që kishte lindurë pas frymësë, kështu ësht’ edhe ndashti.
30 Po ç’thotë shkronja? “Nxir jashtë shërbëtoren’ edhe të birinë; sepse i bir’ i shërbëtoresë s’ka për të marrë trashëgim bashkë me të birin’ e të së lirësë.”
31 Nukë jemi pra, o vëllezër, bijt’ e shërbëtoresë, po të së lirësë.