Gjuhët dhe profecia
1 Kërkoni që të fitoni dashurinë dhe dëshironi me zell dhuntitë shpirtërore, sidomos atë të profecisë. 2 Ai që flet gjuhë të panjohur, nuk flet me njerëzit, por me Perëndinë, sepse nuk e kupton askush. Me fuqinë e Shpirtit ai thotë gjëra të fshehta, 3 ndërsa ai që profetizon, u flet njerëzve me fjalë që rrisin shpirtërisht, nxisin e ngushëllojnë.
4 Ai që flet gjuhë të panjohur, ndihmon veten për t'u rritur në besim, ndërsa ai që profetizon, ndihmon kishën për t'u rritur në besim. 5 Do të doja që të gjithë ju të flisnit gjuhë të panjohura, por më shumë do të doja të profetizonit. Ai që profetizon është më i madh se ai që flet gjuhë të panjohura, vetëm nëse ky e shpjegon gjuhën që flet, që kjo të shërbejë për rritjen e kishës.
6 Nëse vij te ju, o vëllezër, duke folur në gjuhë të panjohura, çfarë dobie do të keni nëse nuk ju flas për ndonjë zbulesë, njohuri, profeci apo mësim? 7 Nëse veglat muzikore që nuk kanë shpirt, fyelli apo qestja, nuk japin tinguj të qartë, si do të dallohet melodia e fyellit nga e qestes? 8 Nëse trumbeta nuk lëshon tingull të qartë, kush do të bëhej gati për betejë?
9 Po ashtu edhe ju, nëse flisni fjalë të pakuptueshme, kush do t'i kuptonte fjalët tuaja? Ato do të ishin fjalë në erë! 10 Në botë ka larmi gjuhësh, por asnjëra nuk është pa kuptim. 11 Nëse nuk e kuptoj gjuhën që më flasin, do të jem i huaj për atë që më flet dhe ai do të jetë i huaj për mua. 12 Kështu edhe ju, meqë dëshironi shumë të keni dhunti shpirtërore, kërkoni që t'i keni me tepri për rritjen e kishës.
13 Prandaj, ai që flet gjuhë të panjohur, të lutet që të marrë edhe dhuntinë për ta shpjeguar. 14 Nëse lutem në gjuhë të panjohur, shpirti im lutet, por mendja ime nuk bashkëvepron. 15 Çfarë të bëj, atëherë? Do të lutem me shpirt, por do të lutem edhe me mendje. Do të këndoj himne me shpirt, por do të këndoj edhe me mendje.
16 Sepse, nëse ti e bekon Perëndinë me shpirt, si do t'i përgjigjet «Amen» falënderimit tënd dëgjuesi i thjeshtë i bashkësisë, përderisa nuk i kupton ato që thua? 17 Ti mund të bësh një lutje të bukur falënderimi, por tjetri nuk rritet në besim. 18 E falënderoj Perëndinë, sepse flas më shumë gjuhë të panjohura se të gjithë ju, 19 por në kishë dua të them pesë fjalë që kuptohen, që të tjerët të mësojnë më mirë, sesa dhjetë mijë fjalë në një gjuhë të panjohur.
20 Vëllezër, mos u bëni si fëmijë nga mendja. Jini si foshnja para së keqes, por të pjekur nga mendja. 21 Në ligj është shkruar:
«Këtij populli
do t'i flas me njerëz
që flasin gjuhë të tjera
dhe me gojën e të huajve,
por as kështu
nuk do të dëgjojnë », thotë Zoti.
22 Prandaj gjuhët nuk janë shenjë për ata që besojnë, por për ata që nuk besojnë, ndërsa profecia nuk është për ata që nuk besojnë, por për ata që besojnë. 23 Nëse mblidhet kisha në një vend e të gjithë flasin gjuhë të panjohura dhe po të hyjnë aty njerëz që nuk dinë ose që nuk besojnë, a nuk do të thonë se jeni marrosur? 24 Por nëse të gjithë do të profetizojnë dhe aty hyn ndonjë që nuk beson apo nuk di, atëherë ai do të ndihet i qortuar dhe i dënuar nga ato që dëgjon. 25 Të fshehtat e zemrës së tij do të shfaqen dhe duke rënë me fytyrë përdhe do të adhurojë Perëndinë e do të thotë: «Perëndia është me të vërtetë mes jush».
Gjithçka me rregull
26 Çfarë duhet bërë atëherë, o vëllezër? Kur të mblidheni së bashku, dikush mund të këndojë një himn, dikush mund të japë një mësim, dikush mund të ketë një zbulesë, dikush një gjuhë të panjohur dhe dikush një shpjegim të gjuhës. Të gjitha le të bëhen për rritjen shpirtërore të kishës. 27 Nëse dikush dëshiron të flasë në gjuhë të panjohur, le të flasin dy ose e shumta tre veta, njëri pas tjetrit, dhe njëri të shpjegojë. 28 Po të mos ketë ndonjë që mund të shpjegojë, atëherë ai që flet në gjuhë të panjohur të heshtë në kishë dhe të flasë me veten e me Perëndinë.
29 Nga profetët të flasin dy ose tre, ndërsa të tjerët të gjykojnë ato që thuhen. 30 Por nëse ndonjëri nga ata që rrinë ulur ka ndonjë zbulesë, atëherë ai që është duke folur, le të heshtë. 31 Një nga një të gjithë mund të profetizoni, që të mësojnë dhe të marrin zemër të gjithë. 32 Profetët duhet ta zotërojnë mirë dhuntinë që u është dhënë, 33 sepse Perëndia nuk është Perëndi trazirash, por paqeje.
Ashtu siç ndodh në të gjitha kishat e të shenjtëve, 34 gratë le të heshtin në kishë. Atyre nuk u lejohet të flasin, por duhet të nënshtrohen, siç thotë ligji. 35 Nëse duan të mësojnë ndonjë gjë, le të pyesin burrat e tyre në shtëpi, sepse është turp për gruan të flasë në kishë. 36 A thua doli nga ju fjala e Perëndisë, apo mbërriti vetëm te ju?
37 Nëse ndokush mendon se është profet apo njeri shpirtëror, ai duhet ta kuptojë se këto që ju shkruaj janë urdhërime të Zotit. 38 Kush nuk i pranon, të mos pranohet. 39 Kështu, vëllezërit e mi, kërkoni më shumë të profetizoni, por mos ndaloni të flitet në gjuhë të panjohura. 40 Gjithçka të bëhet siç ka hije dhe me rregull.
1 Ndiqni dashurinë; edhe lypni me zemërë të përvëluarë dhuratatë shpirtërishte, po më tepërë që të profitepsni.
2 Sepse ay që flet gjjuhë të huajë nuk’ u flet njerëzet, po Perëndisë; sepse asndonjë s’e dëgjon atë, po me shpirtin’ e ti flet fshehësira.
3 Po ay që profiteps, u flet njerëzet për ndërtesë e për mësim e për ngushullim.
4 Ay që flet gjjuhë të huajë ndërton vetëhen’ e ti; po ay që profiteps, ndërton qishënë.
5 Edhe dua të gjithë ju që të flisni gjjuhëra, po më tepërë që të profitepsni; sepse ay që profiteps është më i math se ay që flet gjjuhëra, veç ndë e këtheftë, që të marrë ndërtesë kisha.
6 Edhe ndashti, o vëllezër, ndë arthça tek ju tuke folurë gjjuhëra, çdobi do t’u bënj juve, ndë mos u folça juve a me të sbuluarë, a me të diturë, a me profiti a me mësim?
7 Edhe ato që s’kanë frymë e bënjënë zë, a fyell a qitharë, ndë mos bëfshinë zëra të shquara, si do të njihetë të rënët’ e fyellit, a të rënët’ e qitharësë?
8 Sepse, trumbeta ndë dhëntë zë që s’kupëtonetë, cili do të bënetë gati për luftë?
9 Kështu edhe ju, ndë mos dhënçi me anë të gjjuhësë ndë mos bëfshi një fialë që të ndihetë mirë, qysh do të kupëtonet’ ajo që flitetë? Sepse do të flisni nd’ erët.
10 Kan ndodhurë kaqë farë zërash ndë botët, edhe asndonjë nga ata s’është që s’kupëtonetë.
11 Ndë mos diça pra fuqin’ e zërit, do të jem një varvar tek ay që flas, edhe ay që flet, një varvar tek unë.
12 Kështu edhe ju, passi u përvëlonetë zemëra për dhuratatë shpirtërishte, lypni që të keni tepërë për ndërtesën’ e qishësë.
13 Përandaj ay që flet gjjuhë të huajë , le të faletë që të bënet’ i zoti ta këthenjë.
14 Sepse ndë u falça me gjjuhë të huajë , shpirti im faletë, po mëndëja ime është pa pemë.
15 Ç’duhetë pra? Do të falem me shpirtinë, e do të falem edhe me mëndëjenë; do të psall me shpirtinë, e do të psall edhe me mëndëjenë.
16 Sepse ndë bekofsh me shpirtinë, ay që rri ndë vënt të paditurit, qysh do të thotë Amin, kur fale ndersë ti, sepse ay nukë di se ç’thua.
17 Sepse ti fale ndërsë mirë, po tiatri nukë ndërtonetë.
18 I falem ndersë Perëndisë tim, se flas më shumë gjjuhëra se ju të gjithë.
19 Po unë dua të flas pesë fialë me mëndëjenë time ndë qishë, që të mësonj edhe të tierë, se dhietë mijë fialë me gjjuhë të huajë.
20 O vëllezër, mos bëhi çuna ndër mënt; po bëhi foshnje mbë të ligënë, e ndë mënt bëhi të kulluarë.
21 Është shkruarë ndë nomt: “Se me të tiera gjjuhëra, e me të tiera buzë, do t’i flas këti llauzi; po as kështu nukë do të më dëgjonjënë”, thotë Zoti.
22 Përandaj gjjuhëratë janë për shenjë, jo për ata që besonjënë, po për të pabesëtë; e profitia është jo për të pabesëtë, po për ata që besonjënë.
23 Ndë u mbëlethtë pra qisha mbë një vënt, edhe të gjithë të flasënë gjjuhëra të huaja, e të hynjënë njerës të paditurë a të pabesë, a s’do të thonë, se jeni të shkalluarë?
24 Po ndë profitepsshinë të gjithë, e të hynjë një i pabesë a i paditurë, e sbulonetë nga të gjithë, e gjykonetë nga të gjithë.
25 Edhe kështu të fshehurat’ e zemërës’ ati shpërfaqenë; edhe kështu do të bierë me faqe përmbys, e do t’i faletë Perëndisë, tuke rrëfyerë se me të vërtetë Perëndia qënëka ndër ju.
26 Ç’duhetë pra, o vëllezër? Kur të mbëlidheni, gjithësecili prej jush ka të psallura, ka mësim, ka gjjuhë, ka sbulesë, ka të kthyerë gjjuhërash , të gjitha le të bënenë për ndërtesë.
27 Ndë foltë ndonjë gjjuhë të huajë, le ta bënjënë këtë dy nga dy, a më të shumënë tre nga tre, edhe njëri pas tiatrit; edhe njëri le të këthenjë.
28 Po ndë mos qoftë kush të këthenjë, le të pushonjë ndë qishë, edhe le të flasë me vetëhen’ e ti e me Perëndinë.
29 E profitërë le të flasënë dy a tre, edhe të tierëtë le të shquanjënë.
30 Edhe ndë iu sbuloftë ndonjëj tiatri që rri, le të pushonjë i pari.
31 Sepse të gjithë munt të profitepsnjënë njëri pas tiatrit, që të nxënë të gjithë, edhe të ngushullonenë të gjithë.
32 Edhe frymat’ e profitëravet u unjënë kryetë profitërqavet.
33 Sepse Perëndia nuk’ ësht’ i të përzierit, po i paqtimit, sikundrë mbë gjithë qishat të shënjtorëvet.
34 Gratë tuaja le të pushonjënë ndë qishët, sepse ato s’kanë urdhër të flasënë, po të unjënë kryetë, sikundrë edhe nomi thotë.
35 Po ndë dashinë të nxënë gjë, le të pyesënë burrat’ e tyre ndë shtëpi; sepse është turp për gratë të flasënë ndë qishë.
36 Apo prej jush dolli fiala e Perëndisë? Apo mbë ju vetëm’ erdhi?
37 Ndë i duketë ndonjërit se është profit a njeriu i shpirtit, le të kupëtonjë ato që u shkruanj juve, sepse janë porosit’ e Zotit.
38 Po ndë qoftë ndonjë i paditurë, le të jetë i paditurë.
39 Përandaj, o vëllezër, kërkoni me zemërë të përvëluarë të profitepsni, edhe mos ndaloni të flasënë gjjuhëra.
40 Të gjitha le të bënenë sikundrë ka hije e me taks.