Jezui dhe e shtuna
(Mk 2.23-28Lk 6.1-5)
1 Një të shtunë Jezui po ecte përmes një fushe me grurë. Dishepujt e tij ishin të uritur e filluan të këpusnin kallinj gruri e të hanin. 2 Por, kur farisenjtë e panë këtë gjë, i thanë Jezuit: «Ja, dishepujt e tu po bëjnë çka nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën». 3 Jezui u tha: «A nuk e keni lexuar çfarë bëri Davidi kur e mori uria, atë dhe ata që ishin me të? 4 Sesi hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e kushtimit që nuk lejohej t'i hante as ai e as ata që ishin me të, por vetëm priftërinjtë? 5 Apo, nuk e keni lexuar në ligj sesi priftërinjtë ditën e shtunë e thyejnë ligjin e së shtunës në tempull dhe janë të pafajshëm? 6 Por unë po ju them se këtu është dikush më i madh se tempulli. 7 Dhe po ta kishit ditur se çfarë do të thotë: dëshiroj mëshirën e jo flijimin, nuk do të kishit dënuar të pafajshmit. 8 Biri i njeriut është Zot i të shtunës».
Njeriu me dorë të tharë
(Mk 3.1-6Lk 6.6-11)
9 Jezui u largua që andej dhe hyri në sinagogën e tyre. 10 Aty gjendej një njeri që e kishte dorën të tharë. Atëherë, që të mund ta padisnin, ata e pyetën: «A është e lejueshme të shërosh të shtunave?». 11 Por Jezui u tha: «Kush nga ju, po t'i binte në gropë një dele ditën e shtunë, nuk do ta kapte e ta nxirrte? 12 Sa herë më shumë vlen një njeri se një dele? Prandaj është e lejueshme të bësh mirë të shtunën». 13 Pastaj i tha atij njeriu: «Shtrije dorën!». Ai e shtriu dhe ajo u shërua tërësisht si tjetra. 14 Atëherë farisenjtë dolën përjashta dhe u këshilluan me njëri-tjetrin që ta vrisnin.
Shërbëtori i zgjedhur
15 Kur e mori vesh këtë gjë, Jezui u largua që andej. Turma të mëdha e ndoqën pas e ai i shëroi të gjithë të sëmurët 16 dhe i urdhëroi rreptësisht që të mos u tregonin të tjerëve për të. 17 Kjo ndodhi që të përmbushej çfarë qe thënë përmes profetit Isai:
18 ja shërbëtori që unë kam zgjedhur,
i dashuri im,
me të cilin shpirti im është i kënaqur.
Tek ai do të vë Shpirtin tim
dhe ai do t'u shpallë drejtësinë kombeve.
19 Nuk do të ankohet,
as do të bërtasë.
Askush nuk do ta dëgjojë në rrugë
zërin e tij.
20 Nuk do ta thyejë
kallamin e shkelur
e as do ta shuajë
flakëzën që nxjerr tym,
derisa të ngadhënjejë e drejta.
21 E në emrin e tij
do të shpresojnë kombet.
Jezui dhe Beelzebuli
(Mk 3.20-30Lk 11.14-23Lk 12.10)
22 Pastaj i sollën një shurdhmemec të verbër, të pushtuar nga djalli. Jezui e shëroi dhe ai filloi të fliste e të shikonte. 23 Të gjithë njerëzit u mahnitën e thanë: «A mos është ky Biri i Davidit?». 24 Por kur e dëgjuan këtë gjë, farisenjtë thanë: «Ky i dëbon djajtë vetëm me fuqinë e Beelzebulit, kryetarit të djajve». 25 Jezui, që i njihte mendimet e tyre, u tha: «Çdo mbretëri e përçarë shkretohet dhe asnjë qytet a shtëpi që është e përçarë nuk mund të qëndrojë në këmbë. 26 Nëse Satani dëbon Satanin, do të thotë se është i përçarë. E si mund të qëndrojë, atëherë, mbretëria e tij? 27 Nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Beelzebulit, me ndihmën e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Prandaj këta do të jenë gjykatësit tuaj. 28 Por, nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Shpirtit të Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur te ju. 29 Si mund të hyjë dikush në shtëpinë e një njeriu të fortë e ta plaçkitë, pa e lidhur më parë të fortin? Vetëm atëherë mund t'ia plaçkitë shtëpinë.
30 Kush nuk është me mua, është kundër meje. Kush nuk mbledh me mua, shpërndan. 31 Prandaj po ju them se njerëzve do t'u falet çdo mëkat e fyerje ndaj Perëndisë, por nuk do t'u falet fyerja ndaj Shpirtit. 32 Kushdo që thotë një fjalë kundër Birit të njeriut, do të falet, por ai që flet kundër Shpirtit të shenjtë, nuk do të falet as në këtë jetë e as në jetën që vjen».
Pema njihet nga frytet
(Lk 6.43-45)
33 «Po të jetë pema e mirë, do të merrni fryte të mira. Po të jetë pema e kalbur, do të merrni fryte të këqija, sepse pema njihet nga frytet që jep. 34 Pjellë nepërkash! E si mund të flisni mirë nëse jeni të këqij? Ç'ka zemra, nxjerr goja. 35 Njeriu i mirë nxjerr të mira nga thesari i tij i mirë dhe njeriu i keq nxjerr të këqija nga thesari i tij i keq. 36 Unë po ju them se në ditën e gjykimit njerëzit do të përgjigjen për çdo fjalë të kotë që do të thonë, 37 se nga fjalët tuaja do të bëheni të drejtë e nga fjalët tuaja do të dënoheni».
Një shenjë
(Mk 8.11-12Lk 11.29-32)
38 Pastaj disa shkrues e farisenj i thanë: «Mësues, duam të shohim një shenjë prej teje». 39 Por ai u përgjigj: «Kjo brezni e ligë dhe e pafe kërkon shenjë, por asaj nuk do t'i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së profetit Jona. 40 Ashtu si Jonai ndenji tri ditë e tri net në barkun e peshkut të madh, kështu do të rrijë edhe Biri i njeriut tri ditë e tri net në zemër të tokës. 41 Banorët e Ninivës do të ngjallen në ditën e gjykimit bashkë me këtë brezni e do ta dënojnë atë, sepse ata u penduan pas predikimit të Jonait. Dhe ja, këtu është dikush më i madh se Jonai. 42 Mbretëresha e Jugut do të ngjallet në ditën e gjykimit bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojë atë, se ajo erdhi nga fundi i dheut për të dëgjuar urtinë e Solomonit. Dhe ja, këtu është dikush më i madh se Solomoni».
Kthimi i shpirtit të ndyrë
(Lk 11.24-26)
43 «Kur del nga njeriu, shpirti i ndyrë endet nëpër vende pa ujë duke kërkuar prehje, por nuk gjen. 44 Atëherë thotë: “Do të kthehem te shtëpia ime, prej nga dola”. Kur vjen, e gjen shtëpinë të zbrazët, të pastruar e të zbukuruar. 45 Pastaj shkon e sjell me vete shtatë shpirtra të tjerë më të këqij se vetja dhe hyjnë e banojnë aty. Kështu, gjendja e fundit e atij njeriu bëhet më e keqe se e mëparshmja. Kështu do t'i ndodhë edhe kësaj breznie të ligë».
E ëma dhe vëllezërit
(Mk 3.31-35Lk 8.19-21)
46 Ndërsa Jezui po u fliste ende turmave, përjashta prisnin e ëma dhe vëllezërit e tij që kërkonin të flisnin me të. 47 Dikush i tha: «Nëna jote dhe vëllezërit e tu janë përjashta e duan të flasin me ty». 48 Por Jezui iu përgjigj: «Kush është nëna ime e kush janë vëllezërit e mi?». 49 Pastaj shtriu dorën drejt dishepujve e tha: «Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi. 50 Kushdo që bën vullnetin e Atit tim, që është në qiej, është vëllai im, motra ime e nëna ime».
1 Nd’atë kohë Jisuj shkonte ndëpër të mbiella për ditë të shëtunash; edhe nxënësëvet ti u erdhi uri, edhe zunë të shkoqinë kallëza, e të hanë.
2 Edhe Farisenjtë kur panë i than’ati: Ja nxënësit’e tu te bënjën’ atë që nuk’ ësht’e udhësë ta bënjënë për të shëtunë.
3 Po ay u tha atyre: :Nukë keni kënduarë ç’bëri Dhavidhi, kur i erdhi uri ati edhe atyre që ishinë bashkë me atë?
4 Qysh hyri ndë shtëpit të Perëndisë, edhe hëngri bukët’e parëvënëjesë, që ato nuk’ ishte e udhësë t’i hajë ay, as ata që ishinë bashkë me atë, po priftëritë vetëmë?
5 Apo nukë keni kënduarë ndë nomt, se për ditë të shëtunash priftëritë pëgërinë të shëtunënë ndë hieroret, edhe janë të pafajë?
6 Edhe po u them juve, se këtu është një më i math se hieroreja.
7 Edhe ta kishitë diturë ç’është: “Dua përdëllim, e jo kurban”, nukë do t’i kishit bërë fajtorë të pafajëtë.
8 Sepse i bir’ i njeriut ësht’i zoti [edhe] së shëtunësë.”
9 Edhe si iku andej, erdhi ndë sinagogjit t’atyre.
10 Edhe ja tek ishte një njeri që kishte dorënë të tharë; edhe e pyetnë atë, tuke thënë: “Nd’ësht’e udhësë të shëronjë njeri për të shëtuna?”, që ta përflisnin’ atë.
11 Edhe ay u tha atyre: “Cili njeri nga ju do të jet’ ay, që do të ketë një dele, edhe ndë rëntë kjo ndë gropë për ditë të shëtunash, nukë do ta zërë e ta ngrerë atë?
12 Sa më tepërë pra ndan njeriu nga deleja! Përandaj ësht’ e udhësë të bënjë mirë njeriu për të shëtuna.”
13 Atëhere i thotë njeriut: “Shtri dorënë tënde”. Edhe ay e shtriti, edhe u bë e shëndoshë posi tiatëra.
14 Po Farisenjtë duallnë e bënë këshillë kundrë ati, që ta prishnjënë.
15 Po Jisuj si e kupëtoj, iku andej; edhe i vanë pas ati shumë gjëndëje, edhe i shëroj ata të gjithë.
16 Edhe i porositi ata shtrënguarë, të mos ta dëftejn’ atë;
17 Që të mbushetë ç’është thënë nga profiti Isaj, që thotë:
18 “Ja shërbëtori im që e sgjodha, i dashuri im, që e pëlqeu shpirti im; do të vë Frymënë time mb’ atë, edhe do të dëftenjë gjyq mbë kombet.
19 Nukë do të bënjë fialë, as nukë do të bërtasë; as nukë do të dëgjonjë ndonjë zën’ e ati ndëpër rrugat.
20 Kallam të thyerë nukë do të shqyenjë, edhe li të ndezurë ndër vetëhe nukë do të shuanjë, gjersa të bierë gjyqinë ndë mundëje.
21 Edhe kombetë do të shpërenjënë mb’emërit t’ati”.
22 Atëhere i prunë ati një të diallosurë, të verbur’ edhe shurth; edhe e shëroj atë, kaqë sa i verburi edhe shurdhi fliste edhe shihte.
23 Edhe gjithe gjëndëja habiteshin’ e thoshinë: Mos është kyj i bir’ i Dhavidhit?
24 Po Farisenjtë kur dëgjuanë thanë: Kyj nukë nxier diajtë, veç me anë të Veelzevulit, të parit diajvet.
25 Edhe Jisuj si njohu mendimet’e atyreve, u tha atyre: “Çdo mbëretëri ndë u ndaftë kundrë vetëhesë saj, shkretonetë; edhe çdo qytet a shtëpi ndë u ndaftë kundrë vetëhesë saj, nukë do të qëndronjë.
26 Edhe Satanaj ndë nxiertë Satananë, u nda kundrë vetëhesë ti; qysh do të qëndronjë pra mbëretëri’ e ati?
27 Edhe ndë qoftë se unë nxier diajtë me anë të Veelzevulit, bijtë tuaj me ç’anë i nxierrënë? Përandaj ata do të jenë gjyqtarëtë tuaj.
28 Po ndë qoftë se unë nxier diajtë me anë të Frymësë Perëndisë, vallë arriu mbë ju mbëretëri’ e Perëndisë.
29 A qysh munt të hynjë ndonjë ndë shtëpit të fortit, e të rrëmbenjë enët’e ati, ndë mos lithtë më përpara të fortinë, edhe atëhere do të rrëmbenjë shtëpin’e ati?
30 Ay që nuk’ është bashkë me mua, është kundrë meje; edhe ay që nukë mbëleth bashkë me mua, përndan.
31 Përandaj u them juve, se : Çdo faj e çdo vllasfimi do t’u ndëjenetë njerëzëvet; po vllasfimia kundrë Frymësë Shënjtëruarë nukë do t’u ndëjenetë njerëzëvet.
32 Edhe ati që të thotë fialë kundrë të Birit njeriut, do t’i ndëjenetë; po ati që të thotë fialë kundrë Frymësë Shënjtëruarë, nukë do t’i ndëjenetë as mbë këtë jetë, as mb’atë që vien.
33 A bëni drunë të mirë, edhe pemën’ e asaj të mirë; a bëni drunë të ligë, edhe pemën’ e asaj të ligë; sepse druja njihetë nga pema.
34 Këlysh nepërkash, qysh munt të flisni të mira, tuke qënë të liq? Sepse goja flet nga tepëric’e zëmrësë.
35 Njeriu i mirë nxier të miratë nga thesar’ i mirë i zëmrësë; edhe njeriu i lik nxier të liga nga thesar’ i lik.
36 Edhe po u them juve, se çdo fialë të ngeshime ndë e folshinë njerëzitë, do t’apënë fialë për atë ndë ditë të gjyqit.
37 Sepse nga fialët’e tua do të dalç i drejtë, edhe nga fialët’e tua do të gjykonesh për i lik.”
38 Atëhere u përgjeqnë ca nga shkronjësit’e nga Farisenjtë, tuke thënë: Mësonjës, duamë të shohëmë shenjë prej teje.
39 Edhe ay u përgjeq, e u tha atyre: “Brez’ i lik edhe kurvar lypën shenjë; edhe shenjë nukë do t’i epet’ ati, përveç shenjësë profitit Jona.
40 Sepse sikundrë Jonaj ishte ndë barkut të bishësë tri dit e tri net, kështu do të jetë edhe i bir’i njeriut ndë zëmërët të dheut tri dit e tri net.
41 Burra Ninevitë do të ngjallenë ndë ditë të gjyqit bashkë me këtë bres, edhe do ta gjykonjënë për të lik; sepse u penduanë ndë të leçiturit të Jonajt; edhe ja këtu tek është më tepërë nga Jonaj.
42 Mbëretëresh’ e Anësë Mesditësë do të ngjalletë bashkë me këtë bres ndë ditë të gjyqit, edhe do ta gjykonjë për të lik; sepse erdhi nga anët’e fundit dheut të dëgjonjë diturin’e Sollomonit; edhe ja këtu tek është më tepërë se Sollomoni.
43 Edhe frym’ e pëgërë kur del nga njeriu, shkon ndëpër vënde të paujë, tuke kërkuarë të prejturë, e nukë gjen.
44 Atëhere thotë: Le të këthenem ndë shëpit time, andej nga dolla. Edhe si vien, e gjen atë sbrazëtë, fshirë e stolisurë.
45 Atëhere vete e merr me vetëhe shtatë fryma të tiera më të liga se vetëhen’e saj, edhe hynjën’ e rrinë atie; edhe të pastajmet’ e ati njeriu bënenë më të këqia se të paratë. Kështu do të jet’ edhe mbë këtë bres të lik.
46 Edhe ay kur ishte po tuke folurë gjëndëjesë, ja e ëma edhe të vëllezërit’ e ati te po rrininë jashtë, e kërkoninë të flisninë me atë.
47 Atëhere një njeri i tha ati: Ja jot ëmë edhe t’ët vëllezërë te po rrinë jashtë, e kërkonjënë të flasënë me tyj.
48 Po ay u përgjeq e i tha ati që tha këtë : “Cila është im më, edhe cilëtë janë tem vëllezërë?”
49 Edhe shtriti dorën’e ti mbi nxënësit’e ti, e tha: “Ja im më edhe tem vëllezërë.
50 Sepse kush të bënjë dashurimin’e tim Eti që është ndë qiejet, ay më është vëlla e motër’e mëmë”.