Përshëndetje
1 Unë, Pali, i burgosur për Krishtin Jezu dhe vëlla Timoteu, po i shkruajmë Filemonit të dashur e bashkëpunëtorit tonë, 2 Apfisë, motrës sonë, Arkipit, bashkëluftëtarit tonë dhe kishës që mblidhet në shtëpinë tënde: 3 hiri dhe paqja nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht, qofshin me ju.
Dashuria dhe besimi i Filemonit
4 E falënderoj Perëndinë tim gjithmonë kur të kujtoj në lutjet e mia, 5 sepse po dëgjoj për dashurinë tënde për të gjithë të shenjtët dhe për besimin që ke në Zotin Jezu Krisht. 6 I lutem Perëndisë që besimi që na bashkon të jetë i gjallë në ty, për të njohur çdo gjë të mirë që kemi e që na çon drejt Krishtit. 7 Dashuria jote, o vëlla, më ka gëzuar shumë e më ka ngushëlluar, sepse zemrat e të shenjtëve janë përtërirë përmes teje.
Përgjërim për Onesimin
8 Prandaj, edhe pse për shkak të Krishtit kam liri të plotë të të urdhëroj ç'duhet të bësh, 9 parapëlqej të të kërkoj diçka në emër të dashurisë. Unë Pali, i plakur, por tani edhe i burgosur për Krishtin Jezu, 10 të lutem për Onesimin, birin tim në Jezu Krishtin, që e ktheva në besimin tonë kur isha në pranga. 11 Onesimi, që dikur ishte i padobishëm për ty, tani është i dobishëm edhe për ty, edhe për mua.
12 Dhe ja ku po ta kthej atë që është vetë zemra ime . 13 Unë doja ta mbaja atë pranë vetes, që të më shërbente në vendin tënd ndërsa jam në pranga për shkak të ungjillit. 14 Por nuk desha të bëja asgjë pa dijeninë tënde, që vepra jote e mirë të mos bëhet si me detyrim, por të jetë e vullnetshme.
15 Ai ndoshta u nda nga ti për pak kohë, që ta kesh atë përjetësisht, 16 jo më si skllav, por më tepër se skllav: ta kesh si vëlla të dashur. Ai është shumë i dashur për mua, por aq më tepër duhet të jetë për ty, qoftë si njeri, qoftë si vëlla në Zotin.
17 Prandaj, nëse më ke mik, pranoje atë siç do të më prisje mua. 18 Nëse të ka bërë ndonjë dëm, apo nëse të detyrohet për ndonjë gjë, m'i ngarko mua. 19 Unë, Pali, po të shkruaj me dorën time se do të ta shlyej unë vetë detyrimin; për të mos thënë se ti më detyrohesh vetë jetën tënde. 20 Po vëlla, për hir të Zotit, ma bëj këtë nder! Ma përtëri zemrën për hir të Krishtit!
21 Të shkrova se kam besim se do të më dëgjosh dhe e di se do të bësh edhe më shumë se këto që po të them. 22 Në të njëjtën kohë përgatit edhe një dhomë për mua, pasi shpresoj se përmes lutjeve tuaja do të kthehem te ju.
Përshëndetjet e fundit
23 Të përshëndet Epafrai, i burgosur bashkë me mua për Krishtin Jezu. 24 Të përshëndesin edhe Marku, Aristarku, Dema e Luka, bashkëpunëtorët e mi.
25 Hiri i Zotit Jezu Krisht qoftë me shpirtin tuaj!
1 Pavli, i lidhuri i Jisu Krishtit, edhe Timotheu vëllaj, mbë Filimonë të dashurin’ edhe punëtorinë shokunë tënë,
2 Edhe mbë Apfinë të dashurë, edhe mbë Arhippinë ushtëtorinë shokunë tënë, edhe mbë qishënë ndë shtëpi tënde;
3 Qoftë mbë ju hir edhe paqtim prej Perëndisë, Atit tënë, edhe prej Zotit Jisu Krisht.
4 I falem ndersë Perëndisë tim, tuke prurë ndër mënt tyj përherë ndë të falurat të mia,
5 Sepse dëgjonj për dashurinë tënde edhe për besënë që ke mbë Zotinë Jisu, edhe mbë gjithë shënjtorëtë;
6 Që të bënetë me punë piesa e besësë sate mbë të njohurit çdo farë të mire që është ndër ju mbë Jisu Kishtinë.
7 Sepse kemi shumë gëzim edhe ngushullim për dashurinë tënde, sepse zemërat’ e shënjtorëvet janë prejturë për tyj, o vëlla.
8 Përandaj, ndonëse kam shumë sy e faqe mbë Krishtinë të urdhëronj ty për atë që duhetë,
9 Po për dashurinë më shumë lutem, tuke qenë i tilli, si Pavli plak, po ndashti edhe i lidhuri i Jisu Krishtit.
10 Të lutem për birinë tim Onisiminë, që më lindi ndër të lidhurat’ e mia,
11 I cili njëherë qe i pavëjyerë te ti, po ndashti ësht’ i vëjyerë për tyj edhe për mua, të cilinë e dërgova përsëri.
12 Edhe ti prite atë, dua me thënë zemrënë time.
13 Unë desha ta mbaj atë përanë vetëhesë sime, që të më shërbenjë ndë vënt tënt, ndë hekurat lidhurat të ungjillit;
14 Po nukë desha të bënj gjë pa mëndëjene tënde, që të mos bënet’ e mira jote nga nevoja, po nga të dashuritë.
15 Sepse mbase përandaj u nda për këtë herë, që ta kesh atë për gjithë jetënë;
16 Jo më si shërbëtuar, po më tepërë se shërbëtuar, vëlla të dashurë, më fort tek unë, edhe sa më shumë te ti si mbë punë të mishit edhe të Zotit.
17 Ndë më ke pra piesëtar, prite atë posi mua.
18 Edhe ndë qoftë se të ka bërë ndonjë punë paudhë, a të ka ndonjë detyrë, këtë numëroje mbi mua.
19 Unë Pavli shkrova me dorënë time, unë kam për të larë; që të mos të them, se më ke detyrë edhe vetëhenë tënde.
20 Po, o vëlla, makar të marr prej teje unë këtë të mirë mbë Zotinë; prej zemrënë time mbë Zotinë.
21 Tuke pasurë shpëresë për dëgjuarjenë tënde, shkrova te ti, sepse e di se do të bënjç edhe më tepërë se ç’them.
22 Me gjithë këto bëmë gati edhe vënt për të ndnjurë, sepse shpërenj se me anë të faluravet tuaja do t’epem dhurëti te ju.
23 Të falenë me shëndet Epafrau robi shoqi im mbë Jisu Krishtinë,
24 Marku, Aristarku, Dhimasi, Lluka, punëtorëtë shokët’ e mi.
Hiri i Zotit tënë Jisu Krishtit qoftë bashkë me frymënë tuaj. Amin.