Shërimi i një të sëmuri
1 Pjetri e Gjoni po shkonin në tempull në kohën e lutjes, në orën tre pasdite. 2 Çdo ditë njerëzit sillnin aty një burrë të çalë që nga lindja dhe e vendosnin te dera e tempullit që quhet «e Bukura», për të lypur lëmoshë nga njerëzit që hynin në tempull.
3 Kur pa Pjetrin e Gjonin tek po hynin në tempull, ai u lypi lëmoshë. 4 Pjetri, së bashku me Gjonin, ia ngulën sytë e i thanë: «Na shiko!». 5 Ai i pa me vëmendje duke pritur të merrte ndonjë gjë prej tyre, 6 por Pjetri i tha: «Unë nuk kam as argjend e as ar, por atë që kam po ta jap: në emër të Jezu Krishtit të Nazaretit, ngrihu dhe ec!». 7 Pastaj i kapi dorën e djathtë, e ngriti dhe menjëherë të çalit iu forcuan këmbët e kyçet. 8 Ai brofi më këmbë dhe shkoi e hyri në tempull së bashku me ta, duke ecur, duke kërcyer e duke lavdëruar Perëndinë. 9 I gjithë populli e pa duke ecur e duke lavdëruar Perëndinë. 10 Ata e njohën se ishte ai që rrinte ulur te «Dera e Bukur» e tempullit për të lypur lëmoshë dhe mbetën të habitur e të mahnitur nga ajo që i kishte ndodhur të çalit.
Fjala e Pjetrit në tempull
11 Meqë ai ishte kapur pas Pjetrit e Gjonit, i gjithë populli, i mrekulluar, u mblodh pranë tyre nën atë që quhet «Portiku i Solomonit». 12 Kur i pa, Pjetri iu drejtua popullit kështu: «Burra izraelitë, pse çuditeni për këtë gjë? Pse na shihni sikur ta kishim bërë të ecte me fuqinë a me përkushtimin tonë ndaj Zotit? 13 Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit, Perëndia i etërve tanë, e përlëvdoi Jezuin, Birin e vet, të cilin ju e dorëzuat dhe e mohuat para Pilatit, megjithëse ai kishte vendosur ta lironte. 14 Ju mohuat të Shenjtin e të Drejtin dhe kërkuat të falej vrasësi. 15 Ju vratë Jetëdhënësin, të cilin Perëndia e ngjalli prej të vdekurve e për këtë ne jemi dëshmitarë. 16 Ju e njihni këtë të çalë që shihni. Ai besoi në emër të Jezuit dhe kjo e forcoi. Besimi që vjen prej Jezuit i dha atij këtë shërim të plotë para jush të gjithëve.
17 E tani, vëllezër, e di se keni vepruar nga padija, sikurse bënë edhe krerët tuaj. 18 Perëndia përmbushi kështu atë që kishte paralajmëruar ai vetë përmes gjithë profetëve, se Krishti do të vuante. 19 Prandaj pendohuni e kthehuni që t'ju shlyhen mëkatet, 20 që të vijë koha kur Zoti do t'ju përtërijë me praninë e tij, duke ju dërguar Krishtin Jezu që e kishte caktuar për ju që më parë. 21 Ai duhet të rrijë në qiell deri në kohën e përtëritjes së të gjitha gjërave, siç e ka lajmëruar Perëndia përmes profetëve të tij të shenjtë, që prej shumë kohësh.
22 Moisiu ka thënë : Zoti, Perëndia juaj, do të nxjerrë prej jush, mes vëllezërve tuaj, një profet si unë. Dëgjojeni për gjithçka që do t'ju thotë! 23 Kushdo që nuk do ta dëgjojë atë profet, do të shfaroset prej popullit. 24 Dhe të gjithë profetët, të gjithë ata që kanë folur, që nga Samueli e deri te të tjerët pas tij, i kanë paralajmëruar këto ditë. 25 Ju jeni bijtë e profetëve e të besëlidhjes që Perëndia u ka dhënë etërve tuaj kur i tha Abrahamit: nëpërmjet pasardhësit tënd do të bekohen të gjithë popujt e tokës.
26 Kur Perëndia e ngjalli Birin e vet, e dërgoi së pari te ju, që t'ju bekonte, duke larguar secilin prej jush nga ligësitë e veta».
1 Edhe Pietri e Joanni po hipninë bashkë ndë hieroret, mbë të nëntën’ orën’ e të falurit.
2 Edhe një njeri që ishte i çalë që nga barku i s’ëmësë, mbahej mbë krah , të cilin’ e vininë përdita ndë derët të hieroresë që thuhet’ e Bukurë, të lypënjë elejmosinë nga ata që hyninë ndë hieroret.
3 Ay kur pa Pietrin’ edhe Joanninë se do të hyninë ndë hieroret, lypte të marrë elejmosinë nga ata .
4 Edhe Pietri shtyri sytë mb’ atë bashkë me Joanninë, e tha: “Vështrona.”
5 Edhe ay vështronte ata me kujdes, tuke shpëryerë të marrë ndonjë gjë sent nga ata.
6 Atëhere Pietri tha: “Argjënt edhe ar nukë kam; po atë që kam, këtë të ap tyj: Mb’emërit të Jisu Krishtit Nazoreasit, ngreu edhe ecë.”
7 Edhe si e kapi prej dorësë diathtë e ngriti; edhe përnjëherë iu forcuanë shojet’ e këmbëvet edhe nyejet.
8 Edhe si këceu përpjetë, qëndroj mbë këmbë edhe ecënte; edhe hyri bashkë me ata ndë hieroret, tuke ecur’ e tuke këcyer’ e tuke lavduarë Perëndinë.
9 Edhe gjithë llauzi e pa atë tuke ecur’ e tuke lavduarë Perëndinë.
10 Sepse e njihnin’ atë, se kyj ishte ay që rrinte mbë derët të Bukurë të hieroresë për elejmosinë; edhe u çuditnë për këtë punë që i gjau ati.
11 Edhe ay [i çali që u shërua] kur po mbante Pietrin’ edhe Joanninë, gjithë llauzi rruthnë pas atyreve ndë kamaret që qjuhet’ e Sollomonit, tuke habiturë.
12 Edhe Pietri kur pa, i u përgjeq llauzit:
“O burra Israilitë, përse çuditeni për këtë punë ? Apo përse shtini sytë mbë ne, sikurse e kemi bërë ne këtë të ecënjë prej fuqisë tonë, a prej besësë tonë ?
13 Perëndia i Avraamit edhe i Isaakut edhe i Jakovit, Perëndia i atërëvet tënë, lavdoj dialin’ e ti Jisunë, të cilinë ju e dhatë ndër duar, edhe e mohuatë faqe Pillatit, kur ay e pa t’ udhësë ta lëshonjë.
14 Po ju mohuatë shënjtinë edhe të drejtinë, edhe lyptë ndë vënt t’ati t’u falë juve një njeri gjakëtuar.
15 Edhe vratë kryet’ e jetësë, të cilinë Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, për të cilinë ne jemi martirë.
16 Edhe me anë të besësë mb’ emërit t’ati, këtë që shihni edhe e njihni, emëri i ati e forcoj; edhe ajo besë nga an’ e ati i dha ati këtë shëndet përpara gjithë jush.
17 Edhe ndashti, o vëllezër, e di se e punuatë këtë nga e paditura, sikundrë edhe të parëtë tuaj.
18 Po Perëndia sa tha që përpara me anë të gojësë gjithë profitërëvet ti, se Krishti kishte për të pësuarë, kështu i mbushi.
19 Pendohi pra edhe këthehi, që t’u shuhenë fajetë tuaja, kur të vinjënë kohërat’ e të prëjturit nga faqeja e Zotit,
20 Edhe ay do të dërgonjë Jisu Krishtinë, që është leçiturë që përpara te ju;
21 Të cilinë duhet ta presë qielli gjer mb’ ato kohëra që të vinjënë mbë vënt gjith’ ato që foli Perëndia që jetën e parë me anë të gojësë gjithë shënjtorëvet ti profitërëvet.
22 [Sepse] Mojsiu u tha atërvet tanë , se: “Zoti Perëndia juaj do t’u ngrerë juve një profit nga vëllezëritë tuaj, posi mua; ati i dëgjoni mbë të gjitha sa që t’u flasë juve.
23 Edhe çdo shpirt që të mos i dëgjonjë ati profiti, do të shuhetë nga llauzi”.
24 – Edhe gjithë profitëritë që nga Samuili e paskëtaj sa folnë, dhanë zë (që përpara) edhe për këto dit.
25 Ju jeni bijt’ e profitërëvet, edhe të dhiatësë që vuri Perëndia ndërmest atërëvet tënë, tuke thënë Avraamit: “Edhe ndë farët tënde do të bekonenë gjithë kombet’ e dheut”.
26 Te ju përpara Perëndia, si ngjalli dialin’ e ti [Jisunë], e dërgoj që t’u bekonjë juve, kur të këthehetë gjithë-secili prej jush nga ligësiratë tuaja.”