Profetët dhe mësuesit e rremë
(Jd 4-13)
1 Në popull ka pasur edhe profetë të rremë, ashtu si edhe mes jush do të ketë mësues të rremë. Ata do të fusin fshehurazi mësime të cunguara, rrënimtare, e do të mohojnë edhe të Zotin që i bleu. Kështu do të tërheqin mbi vete një shkatërrim të shpejtë. 2 Shumë njerëz do të ndjekin fëlligështitë e tyre dhe për shkak të tyre udha e së vërtetës do të shahet. 3 Nga lakmia për para, ata do t'ju mashtrojnë me fjalë të sajuara. Por gjykimi i tyre, i vendosur qëmoti, nuk do të vonojë dhe shkatërrimi i tyre nuk do të dremisë.
4 Perëndia nuk kurseu as engjëjt që mëkatuan, por i hodhi në humnerat e skëterrës, ku ruhen të lidhur me pranga në errësirë për ditën e gjykimit. 5 Ai nuk kurseu as botën e lashtë, por kur solli përmbytjen mbi botën e të pafeve, shpëtoi vetëm Noeun, vetë i tetë, predikuesin e drejtësisë.
6 Dënoi me shkatërrim edhe qytetet e Sodomës dhe Gomorrës, duke i bërë hi dhe i bëri shembull për ata që në të ardhmen do të jetonin pa besim. 7 Por shpëtoi Lotin e drejtë, i cili vuante nga sjellja e fëlligësht e të pafeve. 8 Ky i drejtë jetonte mes tyre dhe shpirti i tij i drejtë mundohej dita-ditës kur shikonte me sy dhe dëgjonte me veshë veprat e tyre të paudha.
9 Zoti di t'i shpëtojë nga tundimi ata që i janë përkushtuar atij dhe di t'i ruajë të padrejtët që të ndëshkohen ditën e gjykimit, 10 sidomos ata që shkojnë pas lakmive të epsheve trupore dhe përbuzin pushtetin e Perëndisë. Ata janë të paturpshëm, përbuzës dhe njerëz që nuk kanë frikë të fyejnë fuqitë e lavdishme qiellore, 11 ndërsa engjëjt që janë më të mëdhenj për nga forca dhe pushteti nuk sjellin para Zotit gjykime fyese kundër tyre. 12 Por ata janë pa mend, si kafshët që lindin për t'u kapur e për t'u therur. Ata flasin keq për gjërat që nuk i dinë dhe do të shkatërrohen po ashtu si kafshët; 13 do të marrin shpagimin e padrejtësisë. Ata e kanë për kënaqësi kur e kalojnë ditën në shthurje. Është njollë e turp që ata të marrin pjesë në darkat tuaja kur vazhdojnë ende të kënaqen në mashtrimet e tyre. 14 Sytë i kanë plot dëshirë për të bërë tradhti bashkëshortore dhe nuk pushojnë së mëkatuari. Mashtrojnë shpirtrat e paqëndrueshëm, zemrën e kanë të stërvitur për lakmi dhe janë bij mallkimi. 15 Ata e lanë udhën e drejtë dhe u mashtruan e shkuan pas udhës së Balaamit, birit të Bosorit, që donte të fitonte duke bërë padrejtësi. 16 Por ai u ndëshkua për paudhësinë e tij, sepse kafsha pa gojë foli si njeri dhe e pengoi marrëzinë e profetit. 17 Këta janë burime pa ujë dhe re që shtyhen nga era, për të cilët është ruajtur terri i errësirës. 18 Me fjalë të fryra e të kota bëjnë për vete me anë të kënaqësive trupore dhe me anë të fëlligështive ata që sapo kishin shpëtuar prej atyre që jetojnë në mashtrim. 19 U premtojnë liri kur ata vetë janë skllevër të prishjes, sepse njeriu bëhet skllav i atij që e mposht.
20 Nëse ata që u larguan nga ndyrësitë e botës nëpërmjet njohjes së Zotit dhe të shpëtimtarit tonë Jezu Krisht ngatërrohen përsëri me këto gjëra dhe mposhten nga ato, atëherë gjendja e tyre e fundit bëhet më e keqe se e para. 21 Do të ishte më mirë për ta të mos e kishin njohur udhën e drejtësisë, sesa pasi e njohën, ta braktisin urdhërimin e shenjtë që iu dha. 22 Këtu ndodh si te ajo fjala e urtë dhe e vërtetë:
«Qeni u kthye
në të vjellat e veta »
dhe:
«Dosa e larë u kthye
të zhgërryhet sërish në llucë».
1 Po ishin edhe profitërë të rrem ndër llauzinë, sikundrë edhe ndër ju do të jenë mësonjësa të rrem, të cilëtë do të fusënë fshehurazi eresia humbëje, tuke mohuar’ atë edhe Zotërinë që i bleu ata, edhe tuke hequrë pas vetëhesë tyre humbëje të shpejtë.
2 Edhe shumë vetë do të venë pas humbëjes’ atyreve, që nga ata do të vllasfimiset’ udha e së vërtetësë.
3 Edhe për lakëmim do të bënjënë tregjeti prej jush me fialë të shpifura; gjykimi i atyreve që moti nukë mënon, edhe humbëja e atyreve nukë flë.
4 Sepse Perëndia ndë mos kurseu ëngjëjtë që fëjyenë, po i hodhi ndë tartar lidhurë me hekura errësire, e i dha të ruhenë për gjyq.
5 Edhe nukë kurseu botën’ e vietërë, po pruri përmbytëje ndë botët të pabesëvet, edhe ruajti Noenë vetin’ i tettë, leçitësin e drejtërisë.
6 Edhe gjykoj për të prishurë qytetet’ e Sodhomës’ e të Gomorësë, edhe i bëri hi, edhe vuri shëmbëllesë mb’ata që kanë për të punuarë pa besë.
7 Edhe shpëtoj Llotin’ e drejtë që shtrëngonej prej jetësë ndyrë të panomëvet;
8 (Sepse kyj i drejti, tuke ndenjurë ndërmest atyreve, ditë për ditë mundonte shpirtin’ e drejtë nga të parët’ e nga të dëgjuarët’ e punëravet pa nom.)
9 Di Zoti të shpëtonjë besëtarëtë nga të ngarëtë, e të ruanjë të shtrembëtëtë për ditën’ e gjyqit që të mundonenë;
10 Edhe më fort ata që venë prapa mishit me dëshërim ndyrësire, edhe bënjënë për asgjë urdhërinë; janë kuximtarë, asish që duanë vetëmë vetëhen’ e tyre, s’kanë frikë tuke vllasfimisurë lavduarshëmitë.
11 Kur ëngjëjtë që janë më të mëdhenj ndë forcatë e ndë fuqi nukë bienë gjykim vllasfimie kundrë atyreve përpara Zotit,
12 Po këta posi shtësë pa mënt bërë nga fisi, që kanë lindurë për të zënë e për të prishurë, vllasfimisnjënë për punëra që nuk’ i dinë, edhe do të prishenë ndë prishëjet të tyre, edhe do të marrënë pagën’ e së shtrëmbëtësë.
13 Të cilëtë kujtonjënë për gëzim të kënaqurit’ e përditëshim; janë të shgërryer’ e të fulliqurë; gëzonenë ndë kobimet të tyre, kur han’ e pinë bashkë me ju;
14 Kanë sytë plot me kurvëri, edhe që nukë pushonjënë nga faji; kobonjënë shpirtëra të paforcuarë, kanë zemërë të stërviturë ndë lakëmime, janë diemt’ e mallëkimit.
15 Lanë udhën’ e drejtë, edhe u kobuanë, e vanë pas udhësë Vallaamit, të birit Vosorit, që deshi pagën’ e së shtrembëtësë.
16 Po u qërtua për panomin’ e ti; sepse kafsha pa gojë foli me zë njeriu, e ndaloj marrësin’ e profitit.
17 Këta janë kronj pa ujë, re që shtyhenë prej erësë fortë, për ata është ruajtur’ errësir’ e zezë për gjithë jetënë.
18 Sepse tuke folurë fialë shumë të mëdha të kotësirësë, kobonjënë me dëshërimet’ e mishit e me ndyrësirat’ ata që vërtet shpëtuanë nga ata që e shkoninë jetënë ndë kobim;
19 Tuke zotuar’ atyreve të lirë, që ata vetë janë shërbëtorët’ e prishëjesë; sepse prej ati që të mundetë ndonjë, ati i bënetë shërbëtuar.
20 Sepse ata që shpëtuanë nga të ndragurat’ e botësë me anë të së njohurësë Zotit edhe Shpëtimtarit Jisu Krisht, ndë u ngatërrofshinë përsëri mbë këto, edhe të mundenë, u bënë të pastajmet’ e atyre më të këqia se të paratë.
21 Sepse më mirë ishte për ata të mos e kishinë njohur’ udhën’ e drejtërisë, se si e njohnë, të këthenenë nga porosia e shënjtëruarë që u la mb’ ata.
22 Edhe gjajti mb’ ata ajo parimia e vërtetë: “Qëni u këthye mbë të viellë të ti”, edhe: “Dosa si u la u shkarxye ndë llucët”.