Timoteu udhëton me Palin e Silën
1 Pali arriti në Derbë e pastaj edhe në Listër. Atje jetonte një dishepull me emrin Timote. Nëna e tij ishte judease që kishte besuar në Jezuin, ndërsa i ati ishte helen. 2 Për të flisnin mirë vëllezërit në Listër e në Ikon. 3 Pali deshi që Timoteu ta shoqëronte, prandaj e mori me vete dhe e rrethpreu për shkak të judenjve që jetonin në ato vende, sepse të gjithë e dinin se i ati ishte helen.
4 Ndërsa shkonin nga qyteti në qytet, i njoftonin njerëzit për vendimet që ishin marrë nga apostujt e pleqtë e kishës në Jerusalem dhe i porosisnin që t'i zbatonin. 5 Kështu kishat forcoheshin në besim dhe rriteshin në numër çdo ditë.
Vegimi me maqedonasin
6 Ata kaluan nëpër krahinën e Frigjisë e të Galatisë, sepse Shpirti i shenjtë ua kishte ndaluar ta predikonin fjalën e Perëndisë në Azi. 7 Kur arritën afër Misisë, u munduan të shkonin në Bitini, por Shpirti i Jezuit nuk i lejoi, 8 prandaj kaluan nëpër Misi e shkuan në Troadë.
9 Gjatë natës Pali pa një vegim. Përpara i qëndronte një maqedonas, që i lutej e i thoshte: «Eja në Maqedoni e na ndihmo!». 10 Kur pa këtë vegim, menjëherë u përpoqëm të shkonim në Maqedoni, të bindur se Perëndia na kishte thirrur t'ua shpallnim ungjillin atyre.
Kthimi në besim i Lidisë
11 Pastaj lundruam nga Troada drejt Samotrakës e të nesërmen për në Neapojë 12 dhe që aty në Filipi që është qyteti kryesor i asaj krahine të Maqedonisë dhe koloni romake. Ne u ndalëm në këtë qytet për disa ditë.
13 Ditën e shtunë dolëm jashtë portës së qytetit përgjatë lumit, ku mendonim se ishte vendi i zakonshëm për lutje. Atëherë u ulëm dhe u folëm grave që ishin mbledhur aty. 14 Një grua me emrin Lidia, që ishte kthyer në besimin e judenjve, po na dëgjonte. Ajo ishte nga qyteti i Tiatirës dhe tregtonte rroba të purpurta. Zoti ia hapi zemrën që të dëgjonte me vëmendje çfarë thoshte Pali. 15 Kur u pagëzua bashkë me ata të shtëpisë së saj, ajo na u lut: «Nëse mendoni se jam besimtare në Zotin, ejani e rrini në shtëpinë time». Dhe na detyroi të pranojmë.
Burgimi në Filipi
16 Një herë, kur po shkonim te vendi i lutjes, takuam një skllave që me anë të një shpirti të lig, parashikonte të ardhmen. Ajo u sillte shumë fitime zotërinjve të saj duke u treguar fatin njerëzve. 17 Kur po na ndiqte ne dhe Palin, bërtiste: «Këta njerëz janë shërbëtorë të Perëndisë së tejlartë e ju shpallin udhën e shpëtimit».
18 Ajo e bëri këtë gjë për shumë ditë, por Pali, i mërzitur nga kjo, iu kthye shpirtit të lig e i tha: «Në emër të Jezu Krishtit po të urdhëroj të dalësh prej saj». E shpirti i lig doli menjëherë.
19 Kur zotërinjtë e saj e panë se humbën shpresën për të fituar, i kapën Palin e Silën dhe i tërhoqën zvarrë në shesh përpara parisë së qytetit. 20 Kur i sollën para gjykatësve, thanë: «Këta njerëz po na bëjnë rrëmujë në qytet. Janë judenj 21 e po predikojnë doke që ne romakëve nuk na lejohet t'i mbajmë e t'i zbatojmë».
22 Atëherë turma u ngrit kundër tyre dhe gjykatësit urdhëruan që t'u shqyenin rrobat e t'i rrihnin me shkopinj. 23 Si i rrahën mirë e mirë, i futën në burg dhe e urdhëruan rojën e burgut t'i ruante me kujdes. 24 Ai i futi në qelinë më të thellë, sikurse e kishin urdhëruar, dhe ua lidhi këmbët në një zgjedhë druri.
25 Rreth mesnatës Pali e Sila po luteshin e po i këndonin himne Perëndisë, ndërsa të burgosurit i dëgjonin. 26 Papritur ra një tërmet aq i fuqishëm, saqë u drodhën themelet e burgut. Të gjitha dyert u hapën menjëherë dhe të gjithëve iu zgjidhën prangat.
27 Kur roja i burgut u zgjua dhe pa dyert e burgut të hapura, nxori shpatën e deshi të vriste veten, sepse mendoi se të burgosurit kishin ikur. 28 Por Pali thirri me zë të lartë: «Mos i bëj keq vetes, se jemi të gjithë këtu». 29 Roja i burgut kërkoi dritë, hyri brenda me vrap duke u dridhur dhe ra përmbys para Palit e Silës. 30 Pastaj i nxori jashtë e tha: «Zotërinj, ç'duhet të bëj, që të shpëtohem?». 31 Ata iu thanë: «Beso në Zotin Jezu e do të shpëtohesh ti dhe ata të shtëpisë sate». 32 Ata i predikuan fjalën e Zotit atij e të gjithëve atyre që ishin në shtëpinë e tij.
33 Po në atë orë të natës roja i mori e u lau plagët. Pastaj, pa u vonuar, u pagëzuan ai dhe tërë ata të shtëpisë së tij. 34 Ai i mori Palin e Silën në shtëpinë e tij, u shtroi për të ngrënë dhe u gëzua shumë bashkë me ata të shtëpisë së vet që kishin besuar në Perëndinë.
35 Kur erdhi mëngjesi, gjykatësit dërguan rojat për t'i thënë: «Liroji ata njerëz». 36 Roja i burgut e lajmëroi Palin e i tha: «Gjykatësit kanë çuar fjalë t'ju lirojmë, prandaj dilni e shkoni në paqe». 37 Por Pali u përgjigj: «Ata na kanë rrahur para të gjithëve pa na dënuar me gjyq ne, që jemi qytetarë romakë, e na kanë futur në burg. Tani dashkan të na nxjerrin nga burgu fshehurazi? Jo! Le të vijnë e të na nxjerrin ata vetë».
38 Rojat ua çuan këto fjalë gjykatësve, të cilët i zuri frika kur dëgjuan se ishin qytetarë romakë. 39 Atëherë erdhën e u kërkuan falje. Pastaj i nxorën nga burgu dhe u kërkuan që të largoheshin nga qyteti. 40 Pasi dolën nga burgu, Pali e Sila shkuan në shtëpinë e Lidisë. Aty u dhanë zemër vëllezërve dhe u nisën.
1 Edhe harriu ndë Dhervë e ndë Lystrë; edhe ja tek ishte atie një nxënës që qjuhej Timothe, i biri një gruajë Judheone besëtare, edhe nga i ati grek;
2 Për të cilinë epninë martiri të mirë vëllezëritë që ishinë ndë Lystrë e ndë Ikomi.
3 Këtë deshi Pavli që të dalë bashkë me atë; edhe si e mori, e rrethpreu, për punë të Judhenjet që ishinë ndëpër ato vënde, sepse të gjithë e njihninë tanë e ati se ishte Grek.
4 Edhe tuke shkuarë ndëpër qytetet, u lininë porosi atyre të ruanjënë dhogmatë që ishin’ urdhëruarë nga apostojt’ e nga pleqtë që ishinë ndë Jerusalim.
5 Qishatë pra forconëshinë ndë besët, edhe përdita shtoneshinë nga numëri.
6 Edhe passi shkuanë ndëpër Frygji ndëpër vëndin e Gallatisë, sepse u ndalnë nga Frym’ e Shënjtëruarë të leçisninë fialënë ndë Asi, erthnë ndë Mysi.
7 Edhe kërkuanë të venë ndë Vithyni, po Fryma nuk’ i la.
8 Edhe si shkuanë ndëpër Mysit, sbritnë ndë Troadhë.
9 Edhe Pavlit iu duk nd’ ëndërrë natënë, se një njeri Maqedhonas rrinte përpara ati e i lutej, tuke thënë: “Shko ndë Maqedhoni, e ndihna.”
10 Edhe posa pa ëndërrënë, përnjëherë kërkuam të vemi ndë Maqedhoni, sepse e muarm me mënt se Zoti po na thërret t’u apëm’ atyre zën’ e mirë.
11 Si lundruam pra nga Troadha, muarm udhënë drejtë për Samothrakë, edhe mbë të nesërmet për ndë Neapolë,
12 Edhe s’andejmi ndë Filippë, që është qytet i parë i asaj anësë Maqedhonisë, e përngulurë Romanësh ; edhe ndenjmë ca dit ndë këtë qytet.
13 Edhe ditën’ e shëtunë duallm jashtë qytetit afër lumit, aty ku e kishinë zakon të falenë, edhe ndenjëm, edhe flisim me gratë që ishinë mbëledhurë.
14 Edhe një grua që qjuhej Lydhi nga qyteti Thyatirësë, e cila shiste porfirëra, edhe druante Perëndinë, po dëgjonte; sepse Zoti i hapi zemrënë të mbanjë vesh se ç’fliste Pavli.
15 Edhe si u pagëzua ajo edhe shtëpi’ e asaj, na lutej, tuke thënë: “Ndë më paçi gjykuarë se jam besëtare te Zoti, hyni ndë shtëpit time, e rrini”; edhe na nguci.
16 Edhe neve kur po shkonimë për të falurë, poqi me ne një shërbëtore që kishte frymë Pythoni, e cila u epte shumë fitim të zotrëvet saj tuke rrëfyerë fatinë.
17 Ajo vate prapa Pavlit edhe neve, edhe bërtiste, tuke thënë: “Këta njerës janë shërbëtorët’ e Perëndisë lartë, që na dëftenjën’ udhën’ e shpëtimit.”
18 Edhe këtë e bënte për shumë dit. Edhe Pavli si u rëndua, u këthye e i tha frymësë: “Të urdhëronj mb’ emërit të Jisu Krishtit të dalç nga ajo.” Edhe dolli atë orë.
19 Edhe të zotërit’ e asaj kur panë se u dolli shpëresa e fitimit tyre, zunë Pavlin’ edhe Sillënë e i hoqnë ndë trekt te të parëtë.
20 Edhe si i prunë te të mëdhenjtë, thanë: “Këta njerës, tuke qënë Judhenj, përzienjënë qytetinë tënë.
21 Edhe mësonjënë zakone që s’ësht’ e udhësë t’i presëmë ne, as t’i bëjmë, sepse jemi Romanë.”
22 Edhe gjëndëja u sulnë mbi ata, edhe të mëdhenjt’ u grisnë rrobet’ atyre, e urdhëruanë t’i rrahënë me shkop.
23 Edhe si i bënë me shumë plagë, i vunë ndë burk, edhe porositnë ruajtësin’ e burgut t’i ruanjë me siguri;
24 I cili si mori të tillë porosi, i vuri ndë burkt të përbrëndëshim, e u shtrëngoj këmbëtë ndë drut.
25 Edhe ndë mesnatë Pavli edhe Silla faleshin’ e këndoninë lavdim Perëndisë; edhe të lidhurit’ u mbaninë vesh atyre.
26 Edhe papriturë u bë një tërmet i math, kaqë sa u tuntnë themelet’ e burgut, edhe përnjëherë u hapnë gjithë dyertë, edhe të gjithëve u sgjithnë hekuratë.
27 Edhe ruajtësi burgut kur u sgjua, edhe pa dyert’ e burgut hapurë, nxori thikënë, e donte të vriste vetëhen’ e ti, sepse kujtonte se iknë të lidhuritë.
28 Po Pavli thërriti me zë të math, tuke thënë: “Mos i bëj ndonjë të keqe vetëhesë sate; sepse të gjithë jemi këtu.”
29 Atëhere ay lypi dritë, e këceu brënda, edhe tuke dridhurë i ra ndër këmbë Pavlit edhe Sillësë.
30 Edhe si i nxori jashtë, e tha: “Zotërinj, ç’duhetë të bënj unë, që të shpëtonj?”
31 Edhe ata i thanë: “Besoi Zotit Jisu Krisht, edhe do të shpëtonjç ti edhe shtëpia jote.”
32 Edhe i folnë fialën’ e Zotit ati edhe gjith’ atyreve që ishinë ndë shtëpi t’ati.
33 Edhe ay i mori me vetëhe nd’ atë orë të natësë, e u lau atyre plagëtë; edhe përnjëherë u pagëzua ay edhe gjithë njerëzit’ e ti.
34 Edhe si i hipi sipër ndë shtëpi të ti, u vuri përpara truvezë, edhe u gëzua me gjithë shtëpinë, sepse i besoj Perëndisë.
35 Edhe si u gëdhi, të mëdhenjtë dërguan’ ushtëtorëtë, tuke thënë: “Lësho ata njerës.”
36 Edhe ruajtësi burgut i dha zë Pavlit për këto fialë, se: “Të mëdhenjtë kanë dërguarë që të lëshohi; tashi pra dilni, e shkoni ndë paqtim.”
37 Po Pavli u tha atyre: “Passi na rrahnë ndër sy të botësë pa gjykuarë, neve që jemi njerës Romanë, e na vunë ndë burk, edhe tashi na nxierrënë fshehurazi? Jo, po le të vinjënë vetë ata, e le të na nxierënë.”
38 Edhe ushtëtorët’ u dhanë zë të mëdhenjvet për këto fialë; edhe ata , kur dëgjuanë se janë Romanë u frikësuanë.
39 Edhe erthnë e u lutnë atyre, edhe si i nxuarnë, u luteshinë të dalënë nga qyteti.
40 Edhe ata si duallnë nga burgu, hynë ndë shtëpi të Lydhisë; edhe kur panë vëllezëritë, i ngushëlluan’ e iknë.