Mosbesimi i të vëllezërve
1 Pastaj Jezui vazhdoi të përshkonte Galilenë. Ai nuk donte të kalonte nëpër Jude, se judenjtë kërkonin ta vrisnin. 2 Po afronte festa e Kasolleve, një nga festat e judenjve, 3 dhe vëllezërit e vet i thanë: «Largohu prej këtej e shko në Jude, që edhe dishepujt e tu të shohin veprat që bën! 4 Kush kërkon të jetë i njohur, nuk i fsheh ato që bën. Nëse ti bën vepra të tilla, shfaqja veten botës!». 5 Në të vërtetë as vëllezërit e tij nuk besonin në të. 6 Atëherë Jezui u tha: «Koha ime nuk ka ardhur ende, ndërsa për ju çdo kohë është e përshtatshme. 7 Bota nuk mund t'ju urrejë ju, ndërsa mua më urren, sepse unë dëshmoj se veprat e saj janë të liga. 8 Ju, shkoni në festë! Unë nuk do të vij në këtë festë, sepse koha ime nuk ka ardhur ende». 9 U tha këto e qëndroi në Galile.
Në festën e Kasolleve
10 Pasi vëllezërit e tij shkuan në festë, shkoi edhe Jezui, jo haptas, por fshehurazi.
11 Judenjtë e kërkonin në festë dhe pyesnin: «Ku është ai?». 12 Nëpër turmë pëshpëritej shumë për të. Disa thoshin: «Është i mirë». Të tjerë thoshin: «Jo. Ai po mashtron turmën!», 13 por asnjë nuk fliste hapur për të, se kishin frikë nga judenjtë.
14 Nga mesi i festës Jezui shkoi në tempull e filloi të mësonte njerëzit. 15 Judenjtë habiteshin e thoshin: «Nga i njeh ky Shkrimet pa ia mësuar njeri?». 16 Jezui u përgjigj: «Mësimi im nuk është i imi, por i atij që më dërgoi. 17 Kush dëshiron të bëjë vullnetin e tij do ta kuptojë nëse mësimi im është prej Perëndisë apo nëse unë flas nga vetja ime. 18 Kush flet nga vetja kërkon lavdi për vete, ndërsa kush kërkon lavdinë e atij që e dërgoi, thotë të vërtetën dhe në të nuk ka gënjeshtër.
19 A nuk jua dha Moisiu ligjin? Megjithatë asnjë prej jush nuk e zbaton. Përse kërkoni të më vrisni?». 20 Turma iu përgjigj: «Ty të ka pushtuar djalli. Kush kërkon të të vrasë?». 21 Jezui u tha: «Një mrekulli bëra dhe u habitët të gjithë. 22 Moisiu ju dha rrethprerjen, e cila në të vërtetë nuk është dhënë nga Moisiu, por nga etërit, e megjithatë, ju e rrethpritni njeriun të shtunën. 23 Nëse një njeri rrethpritet të shtunën, që të mos shkelet ligji i Moisiut, përse zemëroheni me mua, se shërova tërësisht një njeri të shtunën? 24 Mos gjykoni nga pamja e jashtme, por gjykoni me drejtësi».
A është Jezui Krishti?
25 Disa nga Jerusalemi thoshin: «A nuk është ky ai që e kërkojnë për ta vrarë? 26 Ja, ai po flet lirisht e nuk i thonë gjë! A mos kanë pranuar me të vërtetë krerët se ky është Krishti? 27 Por ne e dimë nga është ky, ndërsa kur të vijë Krishti, askush nuk do ta dijë nga është».
28 Atëherë Jezui, ndërsa mësonte njerëzit në tempull, thirri: «Po, mua më njihni dhe e dini nga jam. Megjithatë unë nuk kam ardhur nga vetja ime, por ai që më dërgoi është i vërtetë dhe atë ju nuk e njihni. 29 Por unë e njoh atë, sepse vij prej tij dhe ai më dërgoi». 30 Atëherë kërkonin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të, se nuk i kishte ardhur ende koha.
31 Shumë nga turma besuan në Jezuin e thoshin: «A thua kur të vijë Krishti do të bëjë më shumë shenja se ky?».
Përpjekje për ta arrestuar
32 Farisenjtë dëgjuan se turma pëshpëriste këto gjëra për Jezuin, prandaj, së bashku me kryepriftërinjtë, dërguan roja për ta kapur. 33 Atëherë Jezui u tha: «Edhe për pak kohë jam me ju e pastaj do të shkoj tek ai që më dërgoi. 34 Do të më kërkoni e nuk do të më gjeni, sepse ju nuk mund të vini atje ku jam unë». 35 Judenjtë pyesnin njëri-tjetrin: «Ku ka ndër mend të shkojë ky, që ne nuk mund ta gjejmë? Mos ka ndër mend të shkojë te judenjtë e shpërndarë mes helenëve e të mësojë helenët? 36 Ç'do të thonë fjalët “do të më kërkoni e nuk do të më gjeni” dhe “ju nuk mund të vini atje ku jam unë”?».
Lumenj uji të gjallë
37 Ditën e fundit e më të madhen e festës, Jezui u ngrit në këmbë e thirri: «Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë! 38 Kush beson në mua, lumenj uji të gjallë do të rrjedhin nga brenda tij, siç ka thënë Shkrimi». 39 Këtë e tha për Shpirtin që do të merrnin ata që do të besonin në të. Shpirti nuk ishte dhënë ende, sepse Jezui ende nuk ishte ngritur në lavdi.
Shkak përçarjeje
40 Kur dëgjuan këto fjalë, disa njerëz nga turma thanë: «Ky është me të vërtetë profeti», 41 të tjerë thoshin: «Ky është Krishti», ndërsa të tjerë: «Vallë nga Galilea vjen Krishti? 42 A nuk ka thënë Shkrimi se Krishti vjen nga fara e Davidit e nga Betlehemi, fshati nga ishte Davidi?». 43 Kështu pati përçarje në turmë për shkak të Jezuit. 44 Disa prej tyre donin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të.
Mosbesimi i krerëve
45 Rojat u kthyen te kryepriftërinjtë e farisenjtë që i pyetën: «Përse nuk e sollët?». 46 Ata iu përgjigjën farisenjve: «Asnjeri nuk ka folur kështu ndonjëherë». 47 Farisenjtë u thanë: «Mos u mashtruat edhe ju? 48 A ka besuar në të ndonjë prej krerëve apo prej farisenjve? 49 Por kjo turmë që nuk e njeh ligjin është e mallkuar». 50 Nikodemi, njëri prej farisenjve, që kishte shkuar më parë te Jezui, tha: 51 «A e gjykon ligji ynë ndonjë njeri pa e dëgjuar më parë e pa marrë vesh se çfarë ka bërë?». 52 Ata iu përgjigjën: «Mos je edhe ti nga Galilea? Kërko e shiko se asnjë profet nuk vjen nga Galilea».
Gruaja që bëri tradhti bashkëshortore
53 Dhe secili shkoi në shtëpinë e vet.
1 Edhe pas këtyre Jisuj ecënte ndë Galilet, sepse s’donte të ecënte ndë Judhet, sepse Judhenjt’ kërkoninë ta vrasënë.
2 Edhe ishte afër’ e kremteja e Judhenjet, tëndë-ngrehëja.
3 Të vëllezërit’ e ati pra i thanë: “Sbrit prej këndej, edhe ecë ndë Judhet, që të shohën’ edhe nxënësit’ e tu punërat’ e tua që bën;
4 Sepse asndonjë s’bën gjë fshehurazi, edhe kërkon të shfaqet ay vetë. Ndë bën këto, shfaq vetëhenë tënde ndë botët.”
5 Sepse as të vëllezërit’ e ati nuk’ i besoninë.
6 Jisuj u thotë pra atyre: “Koha ime edhe s’ka ardhurë, po koha juaj është përherë gati.
7 Bota s’munt t’u ketë mëri juve; po mua më ka mëri, sepse unë martiris për atë, se punërat’ e asaj janë të liga.
8 Ju shkoni ndë këtë të kremte; unë (edhe) nukë vete ndë këtë të kremte, sepse koha ime edhe s’është mbushurë.”
9 Edhe si u tha atyre këto, mbeti ndë Galilet.
10 Edhe si hipnë të vëllezërit’ e ati, atëhere hipi edhe ay ndë të kremtenë, jo faqeza, po si fshehurazi.
11 Judhenjtë pra e kërkoninë ndë të kremtet, edhe thoshinë: “Ku ësht’ ay?”
12 Edhe ishte shumë murmuri ndër gjëndëjet për atë; ca thoshinë: se ësht’ i mirë; e të tierë thoshinë: “Jo; po gënjen gjëndëjenë.”
13 Po asndonjë nukë fliste përpara sysh për atë, nga frika e Judhenjet.
14 Edhe ndashti kur ishte përgjysëmë e kremteja, Jisuj hipi ndë hieroret, edhe mësonte.
15 Edhe Judhenjtë çuditeshinë, tuke thënë: “Qysh di kyj shkronja pa qënë mësuarë?”
16 Jisuj iu përgjeq atyre, e tha: “Mësimi im nuk’ ësht’ imi, po i ati që më ka dërguarë.
17 Ndë dashtë ndonjë të bënjë dashurimin’ e ati, do të njohë për mësimnë, nd’ është nga Perëndia, apo unë flas prej vetëhesë sime.
18 Ay që flet prej vetëhesë ti, kërkon lavdin’ e ti; po ay që kërkon lavdin’ e ati që e ka dërguarë, kyj ësht’ i vërtetë, edhe nukë ka shtrëmbëri tek ay.
19 A nuk’ u dha juve nominë Mojsiu? Edhe asnjë prej jush s’bën nominë. Përse kërkoni të më vrisni?”
20 Gjëndëja u përgjeq e tha: “Ke diallinë. Cili kërkon të të vrasë?”
21 Jisuj u përgjeq e u tha atyre: “Një punë bëra, edhe të gjithë çuditeni.
22 Përandaj Mojsiu u ka dhënë juve rrethpresëjenë, (jo se është nga Mojsiu, po nga atëritë) edhe për ditë të shëtunë rrethprisni njeri.
23 Ndë qoftë se rrethpritetë njeri për të shëtunë, që të mos prishetë nomi Mojsiut, mbë mua zemëroneni, sepse bëra të shëndoshë një njeri të tërë për të shëtunë?
24 Mos gjykoni për faqe, po gjykoni gjyqin’ e drejtë.”
25 Ca pra prej Jerosolimitëvet thoshinë: “Nuk’ është kyj që kërkonjënë të vrasënë?
26 Po na te po flet ndër sy, edhe s’i thonë asgjë. Mos e njohënë me të vërtetë të parëtë, se kyj është me të vërtetë Krishti?
27 Po këtë e dimë nga është; po kur vien Krishti, asndonjë s’e njeh nga është.”
28 Jisuj pra thërriti, tuke mësuarë ndë hieroret, edhe tha: “Edhe mua më dini, edhe nga jam e dini; edhe s’kam ardhurë prej vetiu, po ësht’ i vërtetë ay që më ka dërguarë, të cilinë ju nuk’ e dini;
29 Po un’ e di, sepse jam prej ati, edhe ay më dërgoj.”
30 Kërkoninë pra ta zënë; po asndonjë s’vuri dorënë mb’ atë, sepse edhe s’i kishte ardhur’ ora.
31 Edhe shumë vetë prej gjëndëjesë i besuanë, edhe thoshinë, se kur të vinjë Krishti, mos do të bënjë më shumë shënja se këto që bëri kyj?
32 Farisenjtë dëgjuanë gjëndëjenë se po murmurisinë këto për atë; edhe Farisenjt’ edhe kryepriftëritë dërguanë shërbëtorë që ta zënë.
33 Jisuj pra tha (atyre): “Edhe pak kohë jam bashkë me ju, edhe vete tek ay që më dërgoj.
34 Do të më kërkoni, e nukë do të më gjeni; edhe atie ku jam unë, ju s’munt të vini.”
35 Judhenjtë pra thanë me vetëhen’ e tyre: “Ku do të vejë kyj, që neve nukë do ta gjejmë? Mos do të vejë ndër ata që janë përndarë ndër Grekët, e të mësonjë Grekëtë?
36 Ç’është këjo fialë që tha: Do të më kërkoni, e nukë do të më gjeni? Edhe: Atie ku jam unë, ju s’munt të vini?”
37 Edhe ndë të pastajmenë ditë, të së madhesë ditësë së kremtesë, Jisuj qëndroj e thërriti, tuke thënë: “Kush të ketë et, le të vinjë tek unë, e le të pijë.
38 Ay që më beson mua, sikundrë tha shkronja, lumëra uji të gjallë do të rriedhënë nga barku i ati.”
39 (Edhe këtë e tha për Frymënë që kishinë për të marrë ata që t’i besoninë; sepse edhe s’ishte dhënë Frym’ e Shënjtëruarë, sepse Jisuj edhe s’ishte lavduruarë.)
40 Shumë vetë pra prej gjëndëjesë, kur dëgjuanë këtë fialë, thoshinë: “Kyj është me të vërtetë profiti.” Të tierë thoshinë: “Kyj është Krishti.”
41 Po të tierë thoshinë: “Sos vien Krishti nga Galilea.
42 Nukë tha shkronja, se Krishti vien nga far’ e Dhavidhit, edhe nga fshati Vithleemësë, andej nga ishte Davidhi?”
43 U bë pra një shqyerëje ndër gjëndëjet për atë.
44 Edhe ca prej atyreve doninë ta zënë; po asndonjë s’vuri duartë mb’ atë.
45 Erthnë pra shërbëtorëtë te kryepriftërit’ e te Farisenjtë, edhe ata u than’ atyre: “Përse s’e prutë?”
46 Shërbëtorëtë u përgjeqnë: “As kurrë ndonjëherë s’ka folurë njeri kështu, posi kyj njeri.”
47 Fariesnjtë pra u përgjeqnë atyre: “Mos u gënjyet’ edhe ju?
48 Sos i ka besuarë ndonjë prej të parëvet a prej Farisenjet?
49 Po këjo gjëndëje që s’njeh nomnë, janë të mallëkuarë.”
50 U thot’ atyre Nikodhimi (ay që pat ardhurë natënë tek ay, i cili ishte një prej atyre):
51 “Mos gjykon njerinë nomi ynë, pa dëgjuarë më përpara atë, e pa marrë vesh se ç’bën?”
52 U përgjeqnë e i thanë: “Mos je edhe ti nga Galilea? Vëshgo e shih, se profit nga Galilea nuk’ është ngriturë.”
53 Edhe gjithësecili vate ndë shtëpi të ti.