Ngjallja e Krishtit
1 Vëllezër, dua t'ju kujtoj ungjillin që ju kam predikuar, të cilin e keni pranuar dhe në të cilin qëndroni. 2 Nëpërmjet tij shpëtoheni, nëse e ruani siç jua kam predikuar, përndryshe keni besuar kot.
3 Para së gjithash ju kam shpallur të vërtetën
që m'u dha edhe mua,
se Krishti,
sipas Shkrimeve,
vdiq për mëkatet tona,
4 u varros
dhe u ngjall ditën e tretë,
po sipas Shkrimeve.
5 Ai iu shfaq Kefës
dhe pastaj të dymbëdhjetëve.
6 Pastaj iu shfaq njëherësh
mbi pesëqind vëllezërve,
nga të cilët disa kanë vdekur,
por shumica jeton ende.
7 Më pas iu shfaq Jakobit
e pastaj të gjithë apostujve.
8 Në fund, m'u shfaq edhe mua, dështakut. 9 Unë jam më i vogli i apostujve dhe nuk jam i denjë as të quhem apostull, sepse e kam përndjekur kishën e Perëndisë, 10 por me hirin e Perëndisë jam ai që jam dhe hiri i tij për mua nuk ka shkuar kot. Unë jam munduar më shumë se të gjithë ata, jo unë vetë, por hiri i Perëndisë bashkë me mua. 11 Edhe unë, edhe ata, këtë kemi predikuar dhe këtë keni besuar edhe ju.
Ngjallja e të vdekurve
12 Nëse predikojmë se Krishti u ngjall prej të vdekurve, si mund të thonë disa prej jush se të vdekurit nuk do të ngjallen? 13 Nëse të vdekurit nuk do të ngjallen, atëherë nuk është ngjallur as Krishti. 14 Nëse Krishti nuk është ngjallur, atëherë edhe predikimi ynë është i kotë, edhe besimi juaj është i kotë. 15 Kështu, qenkemi dëshmitarë të rremë të Perëndisë, sepse dëshmojmë kundër tij dhe themi se ka ngjallur Krishtin, të cilin nuk e paska ngjallur, po të jetë se të vdekurit nuk u ngjallkan.
16 Nëse nuk ngjallen të vdekurit, atëherë nuk është ngjallur as Krishti. 17 Nëse Krishti nuk është ngjallur, atëherë besimi juaj është i kotë dhe ju jeni ende në mëkatet tuaja. 18 Atëherë kanë humbur edhe ata që kanë vdekur e kanë besuar në Krishtin. 19 Nëse shpresojmë në Krishtin vetëm për këtë jetë, atëherë jemi njerëzit më të mjerë.
20 Por tani Krishti është ngjallur prej të vdekurve dhe u bë risia e ngjalljes së të vdekurve. 21 Ashtu siç erdhi vdekja nëpërmjet një njeriu, ashtu erdhi edhe ngjallja e të vdekurve nëpërmjet një njeriu. 22 Ashtu siç vdesin të gjithë njerëzit për shkak të lidhjes me Adamin, ashtu do të marrin jetë të gjithë për shkak të lidhjes me Krishtin. 23 Secili sipas radhës: në fillim Krishti dhe pastaj, kur ai të kthehet, të gjithë ata që janë të tijët. 24 Pastaj do të vijë fundi, kur Krishti t'ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë dhe Atit, pasi të ketë shkatërruar çdo sundim, pushtet e fuqi.
25 Ai duhet të mbretërojë derisa t'i nënshtrojë nën këmbë të gjithë armiqtë. 26 Armiku i fundit që do të shkatërrohet do të jetë vdekja. 27 Se gjithçka e nënshtroi nën këmbët e tij. Kur u tha «iu nënshtrua gjithçka», do të thotë gjithçka, përveç Perëndisë që bëri që Krishtit t'i nënshtrohet gjithçka. 28 Kur gjithçka t'i jetë nënshtruar Krishtit, atëherë edhe vetë Biri do t'i nënshtrohet Perëndisë që bëri t'i nënshtrohet atij gjithçka, që Perëndia të jetë gjithçka në të gjithë.
29 Nëse nuk është kështu, përse disa pagëzohen për të vdekurit? Nëse qenka e vërtetë se të vdekurit nuk do të ngjallen, atëherë përse pagëzohen disa për ta? 30 Përse e vëmë edhe ne veten në rrezik në çdo çast? 31 Unë ndeshem me vdekjen çdo ditë, o vëllezër, dhe këtë e them nga krenaria që kam për ju, falë Krishtit Jezu, Zotit tonë. 32 Nëse në Efes qenkam ndeshur me bishat për arsye njerëzore, ç'dobi më solli kjo? Nëse të vdekurit nuk ngjallen, atëherë:
le të hamë e le të pimë,
se nesër do të vdesim.
33 Mos u mashtroni:
shoqëritë e këqija
prishin doket e mira.
34 Ejani në vete e mos mëkatoni, se disa prej jush nuk e njohin Perëndinë dhe këtë e them për turpin tuaj.
Trupi në ngjallje
35 Dikush do të thotë: «Si do të ngjallen të vdekurit? Çfarë trupi do të kenë?». 36 O i marrë! Fara që mbjell në arë, nuk merr jetë po nuk vdiq më parë. 37 Ti nuk mbjell trupin që do të ketë bima në të ardhmen, por një kokërr të zhveshur gruri ose të ndonjë fare tjetër. 38 Pastaj trupin ia jep Perëndia, ashtu siç dëshiron, dhe çdo farë ka trupin e vet. 39 Jo çdo trup është i njëjtë me një trup tjetër. Tjetër është trupi i njeriut, tjetër trupi i kafshëve, tjetër trupi i shpendëve dhe tjetër ai i peshqve. 40 Ka trupa qiellorë, ashtu siç ka edhe trupa tokësorë. Tjetër është shkëlqimi i trupave qiellorë dhe tjetër shkëlqimi i trupave tokësorë. 41 Tjetër është shkëlqimi i diellit, tjetër shkëlqimi i hënës dhe tjetër shkëlqimi i yjeve, sepse ylli nga ylli ndryshon në shkëlqim.
42 Kështu ndodh edhe me ngjalljen e të vdekurve: trupi mbillet në kalbje e ngjallet në moskalbje, 43 mbillet në çnderim e ngjallet në lavdi, mbillet në dobësi e ngjallet në fuqi, 44 mbillet trup tokësor e ngjallet trup shpirtëror. Ashtu siç ka trup tokësor, ka edhe trup shpirtëror.
45 Prandaj është shkruar: njeriu i parë, Adami, u bë qenie tokësore, ndërsa Adami i fundit, Krishti, u bë shpirti që jep jetë. 46 Nuk ishte njeriu shpirtëror i pari, por ai tokësor. Njeriu shpirtëror erdhi më pas. 47 Njeriu i parë u bë nga dheu dhe është lëndor, ndërsa njeriu i dytë erdhi nga qielli. 48 Ashtu siç është njeriu i bërë nga dheu, ashtu janë edhe lëndorët, dhe, ashtu siç është njeriu që erdhi nga qielli, ashtu janë edhe qiellorët. 49 Ashtu siç jemi në përngjasim me njeriun lëndor, do të jemi edhe në përngjasim me njeriun qiellor.
50 Ja se ç'dua të them, o vëllezër: njerëzit prej mishi dhe prej gjaku nuk mund ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë e as kalbja nuk mund të trashëgojë moskalbjen. 51 Po ju them një të fshehtë: nuk do të vdesim të gjithë, por të gjithë do të shndërrohemi. 52 Në çast, sa hap e mbyll sytë, kur të bjerë trumbeta e fundit, të vdekurit do të ngjallen në moskalbje, ndërsa ne do të shndërrohemi. 53 Sepse ky trup i kalbshëm duhet të veshë moskalbjen dhe ky trup i vdekshëm duhet të veshë pavdekësinë. 54 Kur ky trup i kalbshëm të ketë veshur moskalbjen dhe ky trup i vdekshëm të ketë veshur pavdekësinë, atëherë do të shkojë në vend fjala e shkruar:
vdekja u përpi nga fitorja.
55 O vdekje, ku është fitorja jote?
O vdekje, ku është thumbi yt?
56 Thumbi i vdekjes është mëkati, ndërsa fuqia e mëkatit është ligji.
57 Por le të falënderojmë Perëndinë që na dha fitoren nëpërmjet Zotit tonë, Jezu Krishtit. 58 Kështu, o vëllezër të dashur, qëndroni të fortë e të palëkundur dhe përparoni përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj për Zotin nuk do të shkojë dëm.
1 Edhe ndashti , o vëllezër, u dëftenj juve ungjillinë, që ungjillëzova juve, të cilin’ edhe e muartë, edhe qëndroni mb’ atë
2 Edhe shpëtoni me anë t’ati, ndë e mbajçi fialënë, sikundrë ua ungjillëzova juve, veç ndë paçi besuarë kot.
3 Sepse u dhashë juve më përpara atë që mora edhe unë, se Krishti vdiq për fajetë tëna, pas shkronjave.
4 Edhe se u kall ndë varrt, edhe se u ngjall të tretënë ditë, pas shkronjavet.
5 Edhe se iu duk Qifajt, pastaj të dy mbëdhietëvet.
6 Pastaj u duk më tepërë se mbë pesë qint vëllezër me njëherë, e nga ata më të shumëtë rronjënë gjer sot, e ca kanë fjeturë.
7 Pastaj iu duk Jakovit, pastaj gjith’ apostojvet.
8 Edhe më pastaj nga të gjithë u duk edhe tek unë, posi mbë një të dështuarë.
9 Sepse unë jam më i vogëli i apostojvet, që s’jam i zoti të qjuhem apostol, sepse ndoqa qishën’ e Perëndisë.
10 Po me hirin’ e Perëndisë jam ç’jam; edhe hiri i ati që m’u dha nuk’ u bë i kotë, po u munduash më tepërë se ata të gjithë; po jo unë, po hiri i Perëndisë që është bashkë me mua.
11 A unë pra, a ata, kështu leçismë, edhe kështu besuatë.
12 Edhe ndë leçitetë Krishti se u ngjall prej së vdekurish, qysh ca vetë ndër ju thonë, se s’ka të ngjallurë të vdekurish?
13 Edhe ndë mos qoftë të ngjallurë të vdekurish, as Krishti nuk’ u ngjall;
14 Edhe Krishti ndë mos u ngjall, vallë të leçituritë tënë ësht ’ i kotë, edhe besa juaj ësht’ e kotë;
15 E u gjëntkëshim qënkemi edhe martirë të rrem të Perëndisë, sepse martirisëm për Perëndinë, se ngjalli Krishtinë; të cilinë nuk’ e pasëka ngjallurë, ndë qoftë kështu se nukë ngjallenë të vdekuri.
16 Sepse ndë mos ngjallenë të vdekurë, as Krishti nuk’ u ngjall.
17 Po ndë mos u ngjall Krishti, besa juaj ësht ’ e kotë; edhe jeni po ndë fajet tuaja.
18 Vall’ edhe ata që vdiqnë mbë Krishtinë janë të humburë.
19 Ndë shpërefshimë mbë Krishtinë vetëmë mbë këtë jetë, jemi më të mjerë se të gjithë njerëzitë.
20 Po ndashti Krishti u ngjall prej së vdekurish; edhe u bë pem’ e parë e atyreve që kanë vdekurë.
21 Sepse sikundrë vdekëja erdhi nga njeriu, kështu edhe të ngjalluritë prej së vdekurish është nga njeriu.
22 Sepse sikundrë të gjithë vdesënë mbë Adhaminë, kështu edhe të gjithë do të marrënë jetë mbë Krishtinë.
23 Po gjithësecili ndë radhët të ti; Krishti është pem’ e parë, pastaj sa janë të Krishtit, mbë të ardhurit t’ati për së dyti.
24 Pastaj do të jetë e pastajmeja, kur të apë mbëretërinë n’ dorë të Perëndisë edhe Atit; kur të prishnjë çdo parësi e çdo pushtet e fuqi.
25 Sepse duhetë të mbëretëronjë ay, gjersa të vërë gjith’ arëmiqtë ndënë këmbët t’atia;
26 I pastajmi arëmik që do të prishetë është vdekëja.
27 Sepse “të gjitha i vuri poshtë ndënë këmbët t’atia”; edhe kur të thotë, se të gjitha janë vënë poshtë, kupëtonetë se veç ati që ia vuri të gjitha.
28 Edhe kur t’i unjënë kryetë ati të gjitha, atëhere edhe Biri vetë do t’i unjë kryetë ati që vuri poshtë të gjitha, që të jetë Perëndia të gjitha mbë të gjithë.
29 Sepse çdo të bënjën’ ata që janë pagëzuarë për të vdekuritë, ndë qoftë se me të vërtetë nukë ngjallenë të vdekuritë, përse edhe pagëzonenë për të vdekuritë?
30 Përse rrezikojm’ edhe neve mbë çdo orë?
31 Përditë vdes, bënj be mbë të mburrituritë tuaj që kam mbë Zotinë tënë Jisu Krishtinë.
32 Të flas si njeri, ndë lëftova me bisha ndë Efesë, çdobi kam, ndë qoftë se nukë ngjallenë të vdekuritë? “Le të hamë e le të pimë; sepse nesër vdesëmë”.
33 Mos gënjehi; sepse “Ligjëratat’ liga prishnjënë zakonet e mirë”.
34 Sgjohi mbë të drejtënë, e mos fëjeni, sepse ca vetë nuk’ e njohnë Perëndinë; për turp uaj po ua them këtë.
35 Po do të thotë ndonjë: Qysh ngjallenë të vdekuritë? Edhe me çfarë trupi vinjënë?
36 O i marrë, atë që mbiell ti, nukë merr jetë, ndë mos vdektë.
37 Edhe atë që mbiell, nukë mbiellatë trupinë që do të bënetë, po një koqe gruri të sveshurë, ndë qoftë, a ndonjë tiatërë farë.
38 Po Perëndia i ep trup si të dojë, edhe gjithësecilësë farë trupin’ e saj.
39 Çdo trup nuk’ është një trup; po tiatër’ është trup njerëzish, e tiatërë trup bagëtish, e tiatërë pishqesh, e tiatërë shpesësh.
40 Janë edhe trupëra qielli, edhe trupëra dheu; po tiatër’ është lavdia e atyreve të qiellit, e tiatër’ e atyreve të dheut.
41 Tiatër’ është lavida e diellit, e tiatërë lavdia e hënësë, e tiatërë lavdia e yjevet; sepse ylli nga ylli ndan ndë lavdi.
42 Kështu edhe të ngjallurittë prej së vdekurish: mbilletë ndë prishëje, e ngrihetë ndë paprishëje;
43 Mbilletë e panderëshime, e ngrihetë ndë lavdi; mbilletë ndë dobësirë, e ngrihetë ndë fuqi;
44 Mbilletë trup shtëse, e ngrihetë trup shpirti. Ka trup shtëse, ka edhe trup shpirti.
45 Kështu ësht’ edhe shkruarë: I pari njeri, Adhami, “qe bërë frym’ e gjallë;” i pastajmi Adham, shpirt që ep jetë.
46 Edhe nuk’ u bë më përpara ajo e shpirtit, po ajo e shtësësë, pastaj e shpirtit.
47 Njeriu i parë është prej dheut, i balttë; njeriu i dytë është Zoti prej qielli.
48 Si ësht’ i baltti, kësish janë edhe të balttëtë; edhe si është qiellori, kësish janë edhe qiellorëtë.
49 Edhe sikundrë veshmë ikonën’ e të balttit, do të veshmë edhe ikonën’ e qiellorit.
50 Edhe këtë e them, o vëllezër, se mish edhe gjak s’munt të trashëgonjë mbëretërin’ e Perëndisë, as prishëja trashëgon paprishëjenë.
51 Ja tek po u them juve një fshehësirë: të gjithë nukë do të flemë, po të gjithë do të ndërronemi,
52 Përnjëherë, sa hap e mbyll sytë, ndë trumbetë të pastajme; sepse do të bierë trumbeta, edhe të vdekuritë do të ngjallenë të paprishurë, edhe neve do të ndërronemi.
53 Sepse kyj trup që prishetë duhetë të veshnjë paprishëjenë, edhe kyj trup që vdes duhetë të veshnjë pavdekëjenë.
54 Edhe kyj trup që prishetë kur të veshnjë paprishjenë, edhe kyj trup që vdes kur të veshnjë pavdekëjenjë, atëhere do të bënetë fiala që është shkruarë: “U përpi vdekëja nga vitoreja”.
55 “Ku është, o vdekëje, thumbi yt? Ku është , o varr, vitoreja jote?”
56 Edhe thumbi i vdekëjesë është faji; edhe fuqia e fajit është nomi.
57 Po falemi ndersë Perëndisë që na dha vitorenë me anë të Zotit tënë Jisu Krisht.
58 Përëndaj, o vëllezërit’ e mi të dashurë, qëndroni e mos patundi, tuke tepruarë përherë ndë punë të Zotit, sepse e dini se mundimi juaj nuk’ është i kotë te Zoti.