Të ftuarit në dasmë
(Lk 14.15-24)
1 Jezui filloi t'u fliste përsëri me shëmbëlltyra: 2 «Mbretëria e qiejve i ngjan mbretit që bëri dasmë për të birin. 3 Ai dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur ata që ishin ftuar në dasmë, por këta nuk donin të vinin. 4 Përsëri dërgoi shërbëtorë të tjerë e u tha: “U thoni të ftuarve se gostia është gati. Demat e bagëtitë e majme i kam therur dhe gjithçka është përgatitur. Ejani në dasmë”. 5 Por këta nuk u vunë vesh e shkuan kush në arën e vet e kush për punët e veta, 6 ndërsa të ftuarit e tjerë i kapën shërbëtorët, i rrahën dhe i vranë. 7 Mbreti u zemërua dhe dërgoi ushtarët e vet, që i vranë ata vrasës dhe i vunë zjarrin qytetit të tyre. 8 Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: “Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë, 9 prandaj dilni nëpër udhëkryqe e ftoni në dasmë këdo që të gjeni”. 10 Shërbëtorët dolën nëpër rrugë dhe mblodhën të gjithë ata që gjetën, të këqij e të mirë. Kështu dhoma e dasmës u mbush plot. 11 Por, kur hyri për të parë të ftuarit, mbreti pa një njeri që nuk ishte i veshur si për dasmë 12 e i tha: “Mik, si ke hyrë këtu pa rrobën e dasmës?”. Ai nuk e hapi gojën. 13 Pastaj mbreti u tha shërbëtorëve: “Lidheni këmbë e duar e hidheni përjashta në errësirë. Atje do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh”.
14 Shumë janë të thirrur, por pak të zgjedhur».
Taksa e Cezarit
(Mk 12.13-17Lk 20.20-26)
15 Pastaj farisenjtë shkuan e u këshilluan si ta zinin Jezuin në kurth për ndonjë fjalë. 16 Kështu dërguan te Jezui dishepujt e tyre dhe disa herodianë që i thanë: «Mësues, e dimë se je i vërtetë dhe se u mëson të tjerëve me vërtetësi udhën e Perëndisë, pa pyetur për njeri e pa u ndikuar nga askush. 17 Na thuaj, pra, çfarë mendon, a është e lejueshme t'i paguhen taksat Cezarit, apo jo?». 18 Por Jezui, duke e njohur ligësinë e tyre, u tha: «Përse më vini në provë, o hipokritë? 19 Ma tregoni monedhën e taksës». Ata i sollën një monedhë. 20 Jezui u tha: «E kujt është kjo figurë e ky mbishkrim?». 21 Ata i thanë: «Të Cezarit». Atëherë Jezui u tha: «Jepini, pra, Cezarit ç'është e Cezarit dhe Perëndisë ç'është e Perëndisë». 22 Kur e dëgjuan këtë, ata u mrekulluan. Pastaj e lanë Jezuin dhe ikën që andej.
Diskutimi për ngjalljen
(Mk 12.18-27Lk 20.27-40)
23 Po atë ditë erdhën te Jezui disa saducenj. Këta thonë se nuk ka ngjallje, prandaj e pyetën: 24 «Mësues, Moisiu ka thënë: nëse një njeri vdes pa lënë fëmijë, vëllai i tij duhet të martohet me të venë për t'i dhënë trashëgimtarë të vëllait. 25 Na ishin shtatë vëllezër. I pari u martua, vdiq pa lënë fëmijë dhe i la të venë vëllait të vet. 26 Kështu ndodhi me të dytin, të tretin, e deri te i shtati. 27 Pas të gjithëve vdiq edhe gruaja. 28 Pas ngjalljes, gruaja e cilit prej të shtatëve do të jetë ajo, meqenëse të gjithë e patën për grua?». 29 Por Jezui u përgjigj: «Gaboheni, se nuk njihni as Shkrimet, as fuqinë e Perëndisë. 30 Pas ngjalljes njerëzit as nuk do të martohen, as nuk do të martojnë, por do të jenë si engjëjt në qiell. 31 Për sa i përket ngjalljes së të vdekurve, a nuk e keni lexuar çfarë ju ka thënë Perëndia: 32 unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit. Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve».
33 Dhe turmat mahniteshin kur dëgjonin mësimin e tij.
Urdhërimi i madh
(Mk 12.28-34Lk 10.25-28)
34 Kur dëgjuan se Jezui ua kishte mbyllur gojën saducenjve, farisenjtë u mblodhën 35 dhe njëri prej tyre, një mësues i ligjit, e pyeti për ta zënë në kurth: 36 «Mësues, cili është urdhërimi më i madh i ligjit?». 37 Jezui i tha: «Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde. 38 Ky është urdhërimi më i madh dhe i pari. 39 Dhe urdhërimi i dytë, i ngjashëm me këtë, është: duaje të afërtin si veten. 40 Nga këto dy urdhërime varen tërë ligji dhe profetët».
Biri i Davidit
(Mk 12.35-37Lk 20.41-44)
41 Ndërsa farisenjtë ishin të mbledhur së bashku, Jezui i pyeti: 42 «Çfarë mendoni për Krishtin? Biri i kujt është?». Ata i thanë: «Biri i Davidit». 43 Jezui u tha: «Si vallë, Davidi përmes Shpirtit e quan atë Zot kur thotë:
44 i tha Zoti Zotit tim:
ulu në të djathtën time
derisa t'i vë armiqtë e tu
nën këmbët e tua.
45 Nëse Davidi e quan Krishtin Zot, si mund të jetë ai Biri i Davidit?». 46 Askush nuk mundi t'i përgjigjej qoftë edhe me një fjalë. Që nga ajo ditë askush nuk guxoi ta pyeste më.
1 Edhe Jisuj u përgjeq përsëri e u tha atyre me paravolia, tuke thënë:
2 “Mbëretëri’ e qiejevet gjan me një njeri mbëret, i cili bëri dasmë për të birr’ e ti;
3 Edhe dërgoj shërbëtorët’ e ti të thërresën’ ata që qenë ftuarë ndë dasmët, po nukë deshnë të vinjënë.
4 Përsëri dërgoj të tierë shërbëtorë, tuke thënë: Thoni atyre që janë ftuarë: Ja tek bëra gati drekënë time; qet’ e mi edhe berrat’ e ushqyerë janë therurë; edhe të gjitha janë gati, ejani ndë dasmë.
5 Po ata përtuan’ e shkuanë, njëri nd’ arë të ti, e tietëri ndë tregëti të ti.
6 Edhe të tierëtë zunë shërbëtorët’ e ati, e i shanë, e i vranë.
7 Po mbëreti ku dëgjoj u zëmërua; edhe dërgoj ushtërin’ e ti, edhe prishi ata gjaksorëtë, edhe dogji qytetin’ e atyre.
8 Atëhere u thotë shërbëtorëvet të ti: “Dasma është gati, po ata që qenë ftuarë nuk’ ishinë të vëjeturë.
9 Shkoni pra ndëpër të dalurat të udhëvet, edhe sa të gjeni, i ftoni ndë dasmët.”
10 Edhe ata shërbëtorëtë duallnë ndëpër udhët, e mbëlothnë gjithë sa gjetnë, të liq e të mirë; edhe dasma u mbush me njerës që rrinë ndë mësallët.
11 Edhe mbëreti kur hyri të shohë ata që rrinë ndë mësallë, pa atie një njeri që s’kishte veshurë rrobe dasme.
12 Edhe i thot’ ati: “Mik, si hyre këtu pa pasurë rrobe dasme?” Po ay mbëçeli gojënë.
13 Atëhere mbëreti u tha punëtorëvet: “Lidheni atë prej këmbësh e prej duarësh, edhe ngrineni, edhe e hithni nd’ errësirët të përjashtëme; atie do të jetë të qjarët’ e të kërcëlliturit’ e dhëmbëvet.
14 Sepse shumë vetë janë të thirrurë, po të pakë të sgjedhurë.”
15 Atëhere Farisejtë van’ e bënë këshillë, si ta zënë ndë lak me fialë.
16 Edhe dërgonjënë tek ay nxënësit’e tyre bashkë me Irodhianët, tuke thënë: “Mësonjës, e dimë se je i vërtetë, edhe mëson udhën’ e Perëndisë me të vërtetë, edhe nukë do të dish as për ndonjë gjë, sepse nukë vë re mbë faqe njerëzish.
17 Thuajna pra: Ç’të duketë? Është e udhësë t’i apëmë pagesë Qesarit, apo jo?
18 Po Jisuj si njohu diallësin’e atyre, tha: “Ç’më ngisni, ipokritërë?
19 Dëftemëni monedhën’e pagesësë.” Edhe ata i prunë një dinar.
20 Edhe ay u thot’ atyre: “E kujt është këjo fytyrë, edhe këjo përmbishkronjë?
21 Ata i thanë: “E Qesarit.” Atëhere u thot’ atyre: Lani pra Qesarit ç’janë të Qesarit, edhe Perëndisë ç’janë të Perëndisë.”
22 Edhe ata kur dëgjuanë u çuditnë; edhe e lan’ atë, e iknë.
23 Nd’ atë ditë i erthnë përanë Sadhdhuqejtë, të cilëtë thonë se nukë ka të ngjallurë; edhe e pyetnë, tuke thënë:
24 “Mësonjës, Mojsiu tha: “Ndë vdektë ndonjë pa pasurë bij, i vëllaj do të martonetë me gruan’e ati”, edhe do t’i ngjallnjë farë të vëllajt ti.
25 Edhe ishinë ndër ne shtatë vëllezërë; edhe i pari si u martua, vdiq; edhe passi nukë kishte bir, ia la gruan’ e ti të vëllajt ti.
26 Kështu edhe i dyti, edhe i treti, gjer mbë të shtatë.
27 Edhe më pastaj nga të gjithë vdiq edhe gruaja.
28 Mbë të ngjallurit pra, cili nga këta të shtatë do ta ketë grua? Sepse të gjith’ e patnë marrë atë.”
29 Edhe Jisuj u përgjeq e u tha atyre: “Jeni gënjyerë, passi s’dini shkronjat’, as fuqin’e Perëndisë.
30 Sepse mbë të ngjallurit as martonenë, as martonjënë, po janë posi ëngjëjt’ e Perëndisë ndë qiell.
31 Edhe për të ngjallurit’ e të vdekurëvet, a s’keni kënduarë, ç’u është thënë juve prej Perëndisë, kur thotë:
32 ”Unë jam Perëndia i Avraamit, edhe Perëndia i Isaakut, edhe Perëndia i Jakovit?” Perëndia nuk’ është Perëndi të vdekurish, po të gjallësh.
33 Edhe gjëndëja kur dëgjuanë, tmeroneshinë për mësimin’ e ati.
34 Po Farisejtë kur dëgjuanë se u mbëçeli gojënë Sadhdhuqevet, u mbëlothnë bashkë,
35 Edhe një nomtar nga ata e pyeti tuke ngar’ atë, e tuke thënë:
36 “Mësonjës, cila porosi ësht ’ e madhe ndë nomt?”
37 Edhe Jisuj i tha ati: “Të duaç Zotinë Perëndinë tënt me gjithë zemërënë tënde, edhe me gjithë shpirtinë tënt, edhe me gjithë mëndëjenë tënde”.
38 Këjo është porosi e parë edhe e madhe.
39 Edhe e dyta që është sinjënjë me atë është: “Të duaç të afërminë tënt posi vetëhenë tënde.”
40 Gjithë nomi edhe profitëritë varenë mbë këto dy porosia.”
41 Edhe tek ishinë mbëledhurë Farisejtë, Jisuj i pyeti, tuke thënë:
42 “Ç’u duketë juve për Krishtinë? I biri kujt është?”
43 I thonë: “I Dhavidhit.” U thot’ atyre: “Qysh pra Dhavidhi me Frymë e qjuan atë Zot, tuke thënë:
44 “I tha Zoti Zotit tim: Rri mbë të diathtët time, gjersa të vë arëmiqt’e tu ndënëkëmbie të këmbëvet tua”.
45 Ndë qoftë pra se Dhavidhi e qjuan Zot, si ësht’ i biri ati?”
46 Edhe asndonjë nukë munt t’i përgjigjej ndonjë fialë; as nukë kuxoj ndonjë që mb’ atë ditë ta pyesë atë më.