Pushteti i Jezuit
(Mt 21.23-27Mk 11.27-33)1 Një ditë, kur Jezui po mësonte njerëzit në tempull e po u shpallte të gjithëve ungjillin, erdhën kryepriftërinjtë, shkruesit dhe pleqtë 2 e i thanë: «Na thuaj, me ç'pushtet i bën këto gjëra? Kush ta ka dhënë këtë pushtet?». 3 Jezui u tha: «Edhe unë kam një pyetje për ju: më thoni, 4 pagëzimi i Gjonit vinte prej qiellit apo prej njerëzve?». 5 Atëherë ata i thanë njëri-tjetrit: «Po të themi “prej qiellit”, do të na thotë: “Pse nuk i besuat atij?”. 6 Po të themi “prej njerëzve”, populli do të na vrasë me gurë, sepse është i bindur se Gjoni ishte profet». 7 Prandaj iu përgjigjën: «Nuk e dimë prej nga vinte». 8 Dhe Jezui u tha: «As unë nuk ju them se me ç'pushtet i bëj këto gjëra».
Vreshti dhe vreshtarët
(Mt 21.33-46Mk 12.1-12)9 Jezui filloi t'i tregonte popullit këtë shëmbëlltyrë: «Një njeri mbolli një vresht, ua dha disa vreshtarëve me qira e u largua në një vend të huaj për një kohë të gjatë. 10 Kur erdhi koha e të vjelave, dërgoi një shërbëtor te vreshtarët që t'i jepnin pjesën e tij nga prodhimi i vreshtit, por vreshtarët e rrahën dhe e nisën duarzbrazët. 11 Pastaj dërgoi një shërbëtor tjetër. Edhe atë e rrahën, e shanë dhe e nisën duarzbrazët. 12 Përsëri dërgoi një të tretë, por edhe këtë e plagosën dhe e dëbuan. 13 Atëherë i zoti i vreshtit tha: “Çfarë të bëj? Do të dërgoj birin tim të dashur, se ndoshta për të do të kenë respekt”. 14 Por kur e panë të birin, vreshtarët i thanë njëri-tjetrit: “Ky është trashëgimtari. Ta vrasim e kështu trashëgimia bëhet e jona”. 15 Pastaj e dëbuan nga vreshti dhe e vranë.
Çfarë do t'u bëjë atyre i zoti i vreshtit? 16 Ai do të vijë e do t'i vrasë ata vreshtarë e do t'ua japë vreshtin të tjerëve». Kur e dëgjuan këtë gjë, njerëzit thanë: «Larg qoftë!». 17 Por Jezui hodhi sytë drejt tyre e tha: «Çfarë do të thotë ky Shkrim:
guri që ndërtuesit e hodhën tej,
u bë guri i qoshes?
18 Kushdo që bie mbi atë gur, do të bëhet copë dhe, nëse ai gur bie mbi ndonjërin, do ta copëtojë».
19 Shkruesit dhe kryepriftërinjtë e kuptuan që Jezui e kishte thënë këtë shëmbëlltyrë kundër tyre, prandaj donin ta kapnin që në atë çast, por kishin frikë nga populli.
Taksa e Cezarit
(Mt 22.15-22Mk 12.13-17)20 Dhe filluan ta vëzhgonin me kujdes Jezuin, prandaj i vunë spiunë që shtireshin sikur ishin njerëz të drejtë, me qëllim që ta zinin gabim në ndonjë fjalë dhe t'ia dorëzonin parisë e pushtetit të qeveritarit. 21 Ata e pyetën: «Mësues, ne e dimë se flet e mëson drejt dhe nuk ndikohesh nga njeri, por u mëson të tjerëve me vërtetësi udhën e Perëndisë. 22 A është e lejueshme t'i paguajmë taksa Cezarit apo jo?». 23 Por Jezui e kuptoi dinakërinë e tyre e u tha : 24 «Më tregoni një monedhë. Figurën dhe mbishkrimin e kujt mban kjo monedhë?». Ata i thanë: «Të Cezarit». 25 Jezui u tha: «Atëherë, jepini Cezarit ç'është e Cezarit dhe Perëndisë ç'është e Perëndisë».
26 Kështu, ata nuk mundën ta zinin në fjalë para popullit dhe, të mrekulluar me përgjigjen e tij, heshtën.
Çështja e ngjalljes
(Mt 22.23-33Mk 12.18-27)27 Atëherë erdhën te Jezui disa saducenj. Këta thonë se nuk ka ngjallje, 28 prandaj e pyetën: «Mësues, Moisiu na ka lënë të shkruar: nëse një njeriu i vdes vëllai dhe lë pas gruan pa fëmijë, ky duhet të martohet me gruan e ve për t'i dhënë trashëgimtarë të vëllait. 29 Na ishin shtatë vëllezër. I pari u martua e vdiq pa lënë fëmijë. 30 I dyti 31 e pastaj i treti u martuan me gruan e tij dhe që të shtatë nuk lanë fëmijë kur vdiqën. 32 Në fund vdiq edhe gruaja. 33 Pas ngjalljes, gruaja e kujt do të jetë ajo, meqenëse të shtatë e patën për grua?». 34 Jezui u tha: «Bijtë e kësaj bote martohen e martojnë, 35 por ata që janë vlerësuar të denjë t'i përkasin botës tjetër e të arrijnë ngjalljen prej të vdekurve, as martohen, as martojnë. 36 Ata as nuk mund të vdesin më, sepse janë si engjëjt dhe janë bij të Perëndisë, meqenëse janë bij të ngjalljes. 37 Edhe Moisiu e ka treguar se të vdekurit do të ngjallen kur, te shkurrja, e quan Zotin, Perëndi të Abrahamit, Perëndi të Isakut e Perëndi të Jakobit. 38 Pra, ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë jetojnë për Perëndinë». 39 Atëherë disa nga farisenjtë i thanë: «Mësues, fole mirë». 40 Dhe nuk guxonin ta pyesnin më.
Biri i Davidit
(Mt 22.41-46Mk 12.35-37)41 Pastaj Jezui u tha: «Si mund të thonë se Krishti është Biri i Davidit? 42 Davidi vetë thotë në librin e Psalmeve:
i tha Zoti, Zotit tim:
ulu në të djathtën time,
43 derisa t'i vë armiqtë e tu
si shtrojë e këmbëve të tua.
44 Nëse Davidi e quan Zot, si mund të jetë ai biri i tij?».
Qortimi për shkruesit
(Mt 23.1-36Mk 12.38-40Lk 11.37-54)45 Kur gjithë populli po dëgjonte, Jezui u tha dishepujve të vet: 46 «Ruhuni nga shkruesit, të cilëve u pëlqen të shëtisin me veshje të gjata e dëshirojnë t'i përshëndesin nëpër sheshe, të zënë vendet e para nëpër sinagoga dhe vendet e nderit nëpër festa. 47 Ata përlajnë gjithçka nga shtëpitë e vejushave e thonë lutje të gjata për t'u dukur. Kështu, ata do të marrin një dënim më të rëndë».
1 Edhe ndë një nga ato dit, ay lur po mësonte llauzë ndë hieroret, edhe epte zën’e mirë, kryeprifitërit’ edhe shkronjësitë bashkë me pleqt erdhë siprë ati.
2 Edhe i folnë, tuke thënë: “Na thuaj, me çfarë pushteti bën këto? Cili ësht’ ay që të ka dhënë këtë pushtet?”
3 Edhe ay u përgjeq e u tha atyre: “Edhe unë do t’u pyes juve një fialë, edhe më thoni:
4 Pagëzimi i Joannit prej qielli ishte, a prej njerëzish?”
5 Edhe ata mendoneshinë me vetëhe, tuke thënë, se: “Ndë thënçim: Prej qielli, do të thotë:
6 Përse s’i besuatë pra? Edhe ndë thënçim: Prej njerëzish, gjithë llauzi do të na rrahë me gurë, sepse u është mbushurë mëndëja, se Joanni është profit.”
7 Edhe u përgjeqnë, se nukë dinë nga ishte .
8 Edhe Jisuj u tha atyre: “As unë nuk’ u them juve me çfarë pushteti bënj këto.”
9 Pastaj zuri t’i thoshte llauzit këtë paravoli: “Një njeri mbolli një vështë, edhe e dha ndër bujq, edhe vate ndë dhe të huaj e ndenji atie mjaft kohë.
10 Edhe ndë kohët të pemëvet dërgoj një shërbëtuar te bujqitë, që t’i epinë prej pemësë vështit; po bujqit’ e rrahnë, edhe e dërguanë sbrazëtë.
11 Edhe përsëri dërgoj një tiatrë shërbëtuar; po ata edhe atë e rrahnë, edhe e turpëruanë, edhe e dërguanë sbrazëtë.
12 Edhe përsëri dërgoj një të tretë; po ata edhe këtë e bënë me plagë edhe e dbuanë.
13 Edhe i zoti vështit tha: “Ç’të bënj? Le të dërgonj tem bir të dashurinë; mbase, kur të shohënë këtë, do të kenë turp.”
14 Po bujqitë kur e panë atë, mendoneshinë me vete, tuke thënë: “Kyj është trashëgimtari; ejani, le ta vrasmë, që të na mbesë trashëgimi.”
15 Edhe e nxuarnë jashtë vështit, edhe e vranë. Ç’do t’u bënjë atyre i zoti vështit?
16 Do të vinjë e do t’i prishnjë këta bujqitë, edhe vështinë do t’ua apë të tierëve.” Po ata kur ndigjuanë, thanë: Qoftë lark!
17 Edhe ay shtyri sytë e u tha atyre: “Ç’është pra këjo që është shkruarë: “Atë gur që nuk’ e pëlqyen’ ata që ndërtonjënë, kyj u bë për krye cepi?”
18 Gjithëkush të bierë mbi atë gur do të copëtonetë; edhe mbi atë që të bierë, do t’e dërrmonjë.
19 Edhe kryepriftërit’ e shkronjësitë kërkuanë të vënë duartë mbi atë nd’ atë orë; po patnë frikë nga llauzi; sepse e muarrë vesh, se për ata e tha këtë paravoli.
20 Edhe ata si ruajtnë, dërguanë përgjonjës, që shtiheshinë se janë të drejtë, që ta zijnë me fialë për të dhënë ndë dorë të urdhërit, edhe ndë pushtet të qivernitarit.
21 Edhe e pyetnë, tuke thënë: “Mësonjës, e dimë se flet edhe mëson drejtë, edhe nuk’ i mban anë ndonjëu, po mëson udhën’ e Perëndisë me të vërtetë.
22 Ësht’ e udhësë t’i apëmë nave Qesarit pagë, apo jo?”
23 Edhe ay si mori vesh dinakërin’ e atyreve, u tha atyreve: “Përsë më gucitni?
24 Dëftemëni një dhinar. Fytyrën’ e kujt, edhe përmbishkronjën’ e kujt ka këjo ?” Edhe ata u përgjeqnë e thanë:
25 “Të Qesarit.” Edhe ay u tha atyre: “Epni pra Qesarit ato që janë të Qesarit, edhe Perëndisë ato që janë të Perëndisë.”
26 Edhe nukë muntnë t’e zijnë me fialë përpara llauzit; edhe u çuditnë për të përgjegjurit’ e ati, edhe s’bënë zë.
27 U afruan’ edhe disa prej Sadhuqenjet që flasënë kundrë, se s’ka të ngjallurë, edhe e pyetnë, tuke thënë:
28 “Mësonjës, Mojsiu na ka shkruarë: Ndë i vdektë ndonjëjt vëllaj që ka grua, edhe kyj të vdesë pa lënë djem, i vëllaj i ati të marrë gruanë, edhe të ngjallnjë farë për të vëllan’ e ti.
29 Ishinë pra shtatë vëllezërë; edhe i pari mori grua, edhe vdiq pa djem.
30 Edhe i dyti mori gruanë; edhe kyj vdiq pa djem.
31 Edhe i treti mori atë; kështu edhe të shtattë; edhe nukë lanë djem, edhe vdiqnë.
32 Edhe pas të gjithëve vdiq edhe gruaja.
33 Ndë të ngjallurit pra cilit nga këta do të jetë gruaja, sepse të shtattë e patnë atë grua.”
34 Edhe Jisuj u përgjeq e u tha atyre:
35 “Të bijt’ e kësaj jete martonjën’ edhe martonenë; po ata që bënenë të zotritë të fitonjën’ atë jetë, edhe të ngjalluritë prej së vdekurish, as martonjënë, as martonenë.
36 Sepse as të vdesënë nukë muntnjënë më; sepse janë posi ëngjëj; edhe janë të bijt’ e Perëndisë, kur janë të bijt’ e të ngjallurit.
37 Edhe se ngjallenë të vdekuritë, edhe Mojsiu e dëfteu ndë ferrët, kur thotë: Zot Perëndin’e Avraamit edhe Perëndin’ e Isaakut edhe Perëndin’ e Jakovit.
38 Sepse ay nuk’ është Perëndi të vdekurish, po të gjallësh; sepse të gjithë rronjënë nd’atë.”
39 Edhe disa nga shkronjësit’ u përgjeqnë, e thanë: “Mësonjës, mirë the.”
40 Edhe nukë kuxoninë t’e pyetinë më për ndonjë tiatrë gjë .
41 Edhe ay u tha atyre: “Qysh thonë, se Krishti ësht’ bir’ i Dhavidhit?
42 Edhe ay Dhavidhi vetë thotë ndë vivlit të psallmëvet: “I tha Zoti Zotit tim:
43 Rri prej së diathtësë sime, gjersa të vë arëmiqt’ e tu ndënëkëmbje të këmbëvet tua.”
44 Dhavidhi pra qjuan atë Zot, e qysh ësht’ i bir’ i ati?”
45 Edhe gjithë llauzi kur po ndigjonte, u tha nxënëset të ti:
46 “Ruhi nga shkronjësitë që duanë të ecënjënë të stolisurë, edhe duanë të përshëndetura ndëpër tregjet, edhe vëndet’ e parë ndëpër sinagogjit, edhe kryemësalla ndëpër darkat;
47 Të cilëtë hanë shtëpit’ e të vavet, tuke shtyrë shkajk se falenë shumë. Këta do të marrënë më teprë mundim.”