Lutja e Jezuit
1 Si tha këto, Jezui ngriti sytë drejt qiellit e tha: «O Atë, erdhi ora. Përlëvdoje Birin tënd që edhe Biri të të përlëvdojë ty. 2 Ti i ke dhënë pushtet mbi çdo njeri, në mënyrë që edhe ai t'u japë jetën e amshuar të gjithë atyre që ti i ke dhënë. 3 Kjo është jeta e amshuar: të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe Jezu Krishtin që dërgove. 4 Unë të kam përlëvduar mbi tokë duke kryer veprën që më dhe të bëj. 5 E tani, më përlëvdo ti, o Atë, në praninë tënde, me lavdinë që kisha pranë teje, përpara se të bëhej bota.
6 Emrin tënd ua shfaqa njerëzve që ti më dhe nga kjo botë. Ishin të tutë, ti m'i ke dhënë dhe e kanë mbajtur fjalën tënde. 7 Tani ata e dinë se gjithçka që më ke dhënë është prej teje, 8 sepse fjalët që më dhe mua ua dhashë atyre. Ata i pranuan, kuptuan se unë kam dalë me të vërtetë prej teje dhe besuan se ti më dërgove. 9 Unë po lutem për ta. Nuk po lutem për botën, por për ata që më ke dhënë, sepse janë të tutë. 10 Gjithçka e imja është e jotja dhe gjithçka e jotja është e imja dhe në ta jam përlëvduar.
11 Unë nuk jam më në botë. Ata janë në botë, ndërsa unë po vij te ti. O Atë i shenjtë, ruaji në emrin tënd, në emrin që më dhe mua, që të jenë një, sikurse ne. 12 Kur isha me ta , i ruaja në emrin tënd, në emrin që ti më dhe. I mbrojta dhe asnjë prej tyre nuk humbi, përveç birit të humbjes që të përmbushet Shkrimi.
13 Tani po vij te ti dhe këto gjëra i them në botë, që ta kenë të plotë gëzimin tim në veten e tyre. 14 Unë u dhashë atyre fjalën tënde dhe bota i urreu, sepse ata nuk janë nga bota, sikurse dhe unë nuk jam nga bota.
15 Nuk të kërkoj t'i heqësh nga bota, por t'i ruash nga i ligu. 16 Ata nuk janë nga bota, sikurse dhe unë nuk jam nga bota. 17 Shenjtëroji me të vërtetën; fjala jote është e vërteta. 18 Sikurse ti më dërgove mua në botë, ashtu edhe unë i dërgova ata në botë. 19 Unë e shenjtëroj veten time për ta, që edhe ata të jenë të shenjtëruar me të vërtetën.
20 Nuk të lutem vetëm për ta, por edhe për ata që do të besojnë në mua nëpërmjet fjalës së tyre, 21 kështu që të gjithë të jenë një. Sikurse ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty, edhe ata të jenë në ne, që bota të besojë se ti më ke dërguar.
22 Unë u dhashë atyre lavdinë që ti më dhe, që të jenë një sikurse edhe ne jemi një. 23 Unë jam në ta e ti në mua, që të jenë plotësisht një, që bota të kuptojë se ti më dërgove dhe se i ke dashur ata ashtu siç më ke dashur edhe mua.
24 O Atë, dua që atje ku jam unë, të jenë me mua edhe ata që më ke dhënë, që të shohin lavdinë time, që ti ma ke dhënë, sepse më ke dashur përpara se të krijohej bota. 25 O Atë i drejtë, bota nuk të njohu, por unë të kam njohur dhe këta e dinë se ti më dërgove. 26 Ua kam bërë të njohur emrin tënd dhe do ta bëj të njohur, që dashuria me të cilën më ke dashur mua të jetë në ta, sikurse dhe unë jam në ta».
1 Këto foli Jisuj; pastaj ngriti syt’ e ti ndë qiell, e tha:
2 “Atë, erdhi ora; lavdo tët Bir, që të të lavdonjë edhe yt Bir. Sikundrë i dhe pushtet mbë çdo mish, që t’u apë jetën e pasosurë gjith’ atyreve që ia ke dhënë.
3 Edhe këjo është jet’ e pasosur, që të njohënë tyj të vetëminë të vërtetinë Perëndi, edhe Jisu Krishtinë që dërgove.
4 Unë të lavdurova mbi dhet; atë punë që më dhe të bënj e mbarova.
5 Edhe ndashti lavdomë ti, o Atë, afërë teje, me atë lavdinë që pata përanë teje përpara se të bënej bota.
6 Emërinë tënt ua dëfteva atyre njerëzet që më dhe prej botësë. Të tutë ishinë, edhe m’i dhe, edhe ruajtnë fialënë tënde.
7 Ndashti e njohnë se gjithë sa më ke dhënë janë prej teje;
8 Sepse ato fialë që më dhe, ua dhashë atyre; edhe ata i muarnë, edhe e njohnë me të vërtetë se dolla prej teje; edhe besuanë se ti më dërgove.
9 Unë lutem për ata; nukë lutem për botënë, po për ata që më dhe; sepse janë të tutë.
10 Edhe gjithë të miatë janë të tuatë, edhe të tuatë janë të miatë; edhe u lavduaçë nd’ato.
11 Edhe nukë jam më ndë botët, po këta janë ndë botët, edhe unë po vinj te ti. At’ i shënjtëruarë, ruaji mb’ emërit t’ënt ata që më dhe, që të jenë një sikundrë neve.
12 Kur ishnjam bashkë me ata ndë botët, un’ i ruanjam mb’ emërit t’ënt; ata që më dhe i ruajta, edhe asndonjë nga ata s’humbi, veç i biri humbëjesë, që të mbushetë shkronja.
13 Edhe ndashti po vinj te ti, edhe flas këto ndë botët, që të kenë gëzimnë tim plot ndë vetëhet të tyre.
14 Un’ u dhash’ atyre fialënë tënde; edhe bota i mori mëri, sepse nukë janë nga bota, sikundrë unë nukë jam nga bota.
15 Nukë të lutem t’i ngresh ata nga bota, po t’i ruanjç nga i ligu.
16 Nukë janë nga bota, sikundrë unë nukë jam nga bota.
17 Shënjtëroi ata ndë të vërtetënë tënde, fiala jote ësht’ e vërteta.
18 Sikundrë më dërgove mua te bota, edhe un’ i dërgova ata te bota.
19 Edhe unë shënjtëronj vetëhenë time për ata, që të jen’ edhe ata të shënjtëruarë ndë të vërtetënë.
20 Edhe nukë të lutem vetëmë për këta, po edhe për ata që do të më besonjënë me anë të fialës’ atyreve,
21 Që të gjithë të jenë një, sikundrë ti, o Atë, je tek unë, edhe unë te ti, edhe ata të jenë një te neve, që të besonjë bota se ti më dërgove.
22 Edhe un’ u dhash’ atyre atë lavdinë që më dhe, që të jenë një, sikundrë edhe neve jemi një.
23 Unë tek ata, edhe ti tek unë, që të jenë të sosurë mbë një, edhe bota ta njohë se ti më dërgove, edhe i deshe ata sikundrë më deshe mua.
24 O Atë, dua të jenë bashkë me mua atie ku jam unë edhe ata më dhe; që të vështronjën’ atë lavdinë time, që më ke dhënë, sepse më deshe para se të ngrihej bota.
25 O At’ i drejtë, edhe bota nukë të njohu, po unë të njoha, edhe këta e njohnë se ti më dërgove.
26 Edhe u dëfteva atyre emërinë tënt, edhe do ta dëftenj, që të jetë ndër ata ajo dashuri, me të cilënë më deshe, edhe unë tek ata.”