Kujdestarë të hirit
1 Meqenëse Krishti vuajti në trup, atëherë duhet që edhe ju të armatoseni me të njëjtën mendësi, sepse ai që vuan në trup pushon së mëkatuari. 2 Që tani e tutje ta jetoni atë që ju ka mbetur nga jeta në trup jo sipas kënaqësive njerëzore, por sipas vullnetit të Perëndisë. 3 Mjaft kohë keni humbur duke jetuar sipas dëshirave të kombeve, duke jetuar në fëlligështi, në kënaqësi, në dehje, në darka të shfrenuara, në të pira e në idhujtari të neveritshme. 4 Tani atyre u duket çudi që ju nuk rendni më me ta në të njëjtin lumë poshtërsish dhe prandaj ju fyejnë. 5 Ata do t'i japin llogari atij që është gati për të gjykuar të gjallët e të vdekurit. 6 Për këtë arsye ungjilli iu shpall edhe të vdekurve, që të gjykohen sipas njerëzve në trup e të jetojnë sipas Perëndisë në shpirt.
7 Fundi i të gjitha gjërave është afër! Bëhuni të urtë e rrini zgjuar për lutje.
8 Para së gjithash, të keni dashuri të madhe për njëri-tjetrin, sepse dashuria mbulon shumë mëkate.
9 Jini mikpritës për njëri-tjetrin pa murmuritur.
10 Secili prej jush, si kujdestar i mirë i dhuntive të ndryshme të Perëndisë, ta përdorë dhuntinë e tij për t'u shërbyer të tjerëve. 11 Kush predikon, le të predikojë fjalët e Perëndisë dhe kush shërben, le të shërbejë sipas fuqisë që i jep Perëndia, që Perëndia të përlëvdohet në gjithçka nëpërmjet Jezu Krishtit, të cilit i përket lavdia e pushteti, në shekuj të shekujve! Amen!
Vuajtja e të krishterëve
12 Fort të dashur, mos u çuditni për sprovën e zjarrit nëpër të cilën po kaloni për t'u sprovuar, si të ishte diçka e jashtëzakonshme. 13 Por gëzohuni që jeni pjesëtarë të vuajtjeve të Krishtit, që edhe kur të shfaqet lavdia e tij, të gëzoheni e të ngazëlloheni.
14 Lum ju nëse ju tallin për shkak të emrit të Krishtit, sepse Shpirti i lavdisë dhe i Perëndisë prehet mbi ju . 15 Askush nga ju të mos vuajë si vrasës, vjedhës, keqbërës apo pse përzihet në punët e të tjerëve. 16 Nëse vuan si i krishterë, të mos ketë turp, por të përlëvdojë Perëndinë për këtë emër. 17 Erdhi koha që gjykimi të fillojë nga shtëpia e Perëndisë. Nëse fillon së pari me ne, si do të jetë fundi i atyre që nuk iu bindën ungjillit të Perëndisë?
18 Nëse i drejti
shpëton me vështirësi,
ç'do të ndodhë me të pafeun
e mëkatarin?
19 Ata që vuajnë sipas vullnetit të Perëndisë, le të bëjnë të mirën e le t'ia besojnë plotësisht shpirtin krijuesit besnik.
1 Passi pësoj pra Krishti ndë misht për ne, armatosi edhe ju me atë mendim; sepse ay që pësoj ndë misht, pushoj nga faji;
2 Për të shkuarë jetën’ e paskëndajme ndë misht, jo më ndë dëshërime njerëzish, po ndë dashurim të Perëndisë
3 Sepse mjaft është për ne koha e jetësë tonë që shkoj, se punuam dashurimin’ e kombevet, tuke ecurë ndë ndyrësira, ndë dëshërime, ndë të dejtura, ndë lodërti, ndë të pira, edhe ndë lutëje idhujsh të paudhë.
4 Edhe përandaj u vien çudi atyreve, se nuk’ ecëni bashkë me ata mb’ atë vërshimin’ të plankprishëjesë; edhe u vllasfimisnjënë juve;
5 Të cilëtë do t’i apënë fialë ati që është gati të gjukonjë të gjallë e të vdekurë.
6 Sepse për këtë punë u ungjillëzua ungjilli edhe te të vdekuritë, që të gjukonenë si njerës ndë misht, e të rronjënë ndë frymë si do Perëndia.
7 Edhe e pastajmeja e të gjithave u afërua; urtësohi pra, e rrini sgjuarë ndë të falurat.
8 Edhe përmbi të gjitha të doni fort njëri tiatrinë; sepse: “dashuria do të mbulonjë shumica fajesh.”
9 Bëhi njëri mbë tiatrin’ asish që duanë të huajëtë pa murmurim.
10 Gjithësecili sikundrë mori dhurëtinë, kështu le t’i shërbenjë njëri tiatrit, si kujdestarë të mirë të çdo farë hirit Perëndisë.
11 Ndë foltë ndonjë, le të flasë si fialë Perëndie; ndë shërbeftë ndonjë, le të shërbenjë si prej asaj fuqisë që i ep Perëndia, që të lavdonetë Perëndia mbë të gjitha me anë të Jisu Krishtit, mbë të cilin’ është lavdia edhe pushteti ndë jetët të jetëvet. Amin.
12 O të dashurë, mos u vinjë çudi juve për atë provimin’ e nxetë që u bë mbë ju për të ngarë, sikurse gjajti mbë ju ndonjë punë e çudiçëme;
13 Po gëzohi, sikundrë jeni piesëtarët’ pësimevet të Krishtit, që të gëzohi tuke gëzuarë edhe ndë të sbuluarët të lavdisë ati.
14 Ndë u shafshi për emërin’ e Krishtit, jeni të lumurë; sepse Fryma e lavdisë edhe e Perëndisë prëhetë mbë ju; pas atyreve vllasfimisetë, po pas jush lavdonetë.
15 Sepse asndonjë prej jush le të mos pësonjë si vrasës, a si viedhës, a si keqbërës, a si asi që vështron punërat’ e huaja;
16 Po ndë pësoftë si i Krështerë, le të mos ketë turp, po le të lavdonjë Perëndinë mbë këtë anë,
17 Sepse e harriu koha të nisetë gjyqi nga shtëpia e Perëndisë; edhe ndë u nistë më përpara nga ne, ç’do të jetë e pastajmeja e atyreve që s’bindenë mbë ungjillt të Perëndisë?
18 Edhe: “kur i drejti mezi shpëton, i pabesi edhe fajtori ku do të duketë?”
19 Andaj edhe ata që pësonjënë pas dashurimit Perëndisë, le t’apënë shpirtërat’ e tyre ndë dorë t’ati me të punuarë të mirë si mbë besëtarinë krietar.