1 Pastaj dëgjova në qiell një si zë të lartë turme të madhe që tha:
«Aleluja!
Shpëtimi, lavdia e fuqia
i përkasin Perëndisë tonë,
2 se gjykimet e tij janë të vërteta e të drejta.
Ai e gjykoi laviren e madhe
që e çoi tokën në shthurje me kurvërinë e saj
dhe mori shpagim për gjakun e shërbëtorëve të tij
të vrarë nga duart e saj».
3 Pastaj thanë përsëri:
«Aleluja!
Tymi i shkrumbimit të saj ngjitet lart,
në shekuj të shekujve».
4 Atëherë të njëzet e katër pleqtë e të katër gjallesat ranë përmbys dhe adhuruan Perëndinë që rri ulur në fron duke thënë:
«Amen! Aleluja!».
Dasma e Qengjit
5 Pastaj nga froni doli një zë që tha:
«Lëvdoni Perëndinë tonë
të gjithë ju shërbëtorët e tij
dhe ju që e druani,
të mëdhenj e të vegjël».
6 Dëgjova edhe një si zë turme të madhe, posi ushtimë detesh e bubullimash të forta që tha:
«Aleluja!
Mbretëroi Zoti,
Perëndia ynë i gjithëpushtetshëm.
7 Le të gëzohemi e të ngazëllehemi,
le t'i japim lavdi atij,
se erdhi dasma e Qengjit
dhe nusja është bërë gati».
8 Asaj i dhanë për të veshur
një rrobë të ndritshme prej liri të pastër.
Kjo rrobë përfaqëson veprat e drejta të të shenjtëve.
9 Pastaj engjëlli më tha: «Shkruaj: lum ata që janë ftuar në darkën e dasmës së Qengjit». Dhe shtoi: «Këto janë fjalët e vërteta të Perëndisë».
10 Unë rashë përmbys para këmbëve të tij për ta adhuruar, ndërsa ai më tha: «Mos! Unë jam shërbëtor si ti dhe si vëllezërit e tu që ruajnë dëshminë e Jezuit. Adhuro Perëndinë!». Dhe dëshmia e Jezuit është shpirti i profecisë.
Kalorësi me kalin e bardhë
11 Pastaj pashë qiellin të hapur dhe një kalë të bardhë. Kalorësi quhej «Besimtar dhe i Vërtetë». Ai gjykon e lufton me drejtësi. 12 Sytë e tij ishin si flakë zjarri, ndërsa mbi kokë mbante shumë kurora të vogla. Ai kishte të shkruar një emër që nuk e dinte askush përveç tij. 13 Ishte i veshur me rroba të ngjyera në gjak dhe mbante emrin «Fjala e Perëndisë». 14 Pas tij vinin ushtritë e qiellit, hipur mbi kuaj të bardhë dhe veshur me rroba të ndritshme prej liri të pastër. 15 Nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë, me të cilën do të mposhtë kombet. Ai do t'i sundojë me skeptër të hekurt dhe do ta shtrydhë rrushin në vozën e verës së zemërimit të tmerrshëm të Perëndisë së gjithëpushtetshëm. 16 Mbi rrobë dhe mbi kofshë kishte të shkruar emrin «Mbreti i mbretërve dhe Zoti i zotërve».
17 Pastaj pashë një engjëll që qëndronte në diell. Ai u foli me zë të fortë të gjithë shpendëve që fluturonin në mes të qiellit: «Ejani e mblidhuni në darkën e madhe të Perëndisë, 18 që të hani mish mbretërish, prijësish ushtarakë e të fortësh, mish kuajsh e kalorësish, mishin e të gjithë njerëzve, të lirë e skllevër, të vegjël e të mëdhenj».
19 Atëherë pashë bishën dhe mbretërit e tokës me ushtritë e tyre që ishin mbledhur për të luftuar kundër atij që rrinte mbi kalë dhe ushtrisë së tij. 20 Bisha u kap dhe bashkë me të edhe profeti i rremë që në prani të saj bënte shenja, me të cilat mashtronte ata që kishin marrë damkën e bishës dhe që kishin adhuruar shëmbëlltyrën e saj. Pastaj, që të dy u hodhën të gjallë në liqenin e zjarrtë që digjet me squfur. 21 Të tjerët u vranë nga shpata që dilte nga goja e kalorësit dhe të gjithë shpendët u ngopën me mishin e tyre.
1 Edhe pastaj dëgjova posi një zë të math shumë gjëndëje ndë qiell, që thoshte: “Allilluja, shpëtimi e lavdia e nderi e fuqia qoftë mbë (Zotinë) Perëndinë tënë;
2 Se gjyqet e ati janë të vërteta e të drejta, sepse gjukoj kurvën’ e madhe që prishi dhenë me kurvërin’ e saj, edhe mori shpagim prej dorës’ asaj për gjakun’ e shërbëtorëvet ti.”
3 Edhe për së dyti thanë: “Allilluja.” Edhe tymi asaj hipën ndë jetët të jetëvet.
4 Edhe ranë të njëzet e katrë pleqtë, edhe të katrë shtësëtë, e iu falnë Perëndisë që rrinte mbë front, tuke thënë: “Amin. Allilluja.”
5 Edhe dolli një zë nga froni tuke thënë: “Lavdoni Perëndinë tënë, gjithë shërbëtorët’ e ati, edhe ata që i kanë frikë ati, edhe të vogjil’ e të mëdhenj.”
6 Edhe dëgjova posi një zë shumë gjëndëje, edhe posi një zë shumë ujërash, edhe posi një zë bumbullimash të forta, që thoshinë: “Allilluja; se mbëretëroj Zoti, Perëndia Gjithëpushtetësi.
7 Le të gëzonemi, e le të gasmonemi, e le t’i apëmë lavdi ati, sepse erdhi dasma e Qëngjit, edhe gruaja e ati bëri gati vetëhen’ e saj.
8 Edhe iu dha asaj që të vishetë me vishnje të pastrë e të ndriturë; sepse vishnjeja është drejtëriat’ e shënjtorëvet.”
9 Edhe më thotë: “Shkruaj: Lum ata që janë ftuarë ndë dasmët të Qëngjit. Edhe më thotë: “Këto janë fialët’ e vërteta të Perëndisë.”
10 Edhe rashë ndër këmbë t’ati që t’i falem; edhe ay më thotë: “Vështro, mos bënjç këtë ; sepse unë jam një shërbëtuar shoqi yt edhe i vëllezëret tu që kanë martirin’ e Jisujt; po faliu Perëndisë; sepse martiria e Jisujt është fryma e profitisë.”
11 Edhe pashë qiellinë hapurë, edhe ja një kal i bardhë, edhe ay që rrinte mb’ atë kluhej Besëtar edhe i Vërtetë, edhe gjukon e lëfton me drejtëri.
12 Edhe syt’ e ati ishinë posi flakë ziarri, edhe mbi kryet t’ati kishte shumë kurora; edhe kishte shkruarë një emër, të cilinë asndonjë s’di veç ati.
13 Edhe ishte veshurë me një rrobe ngjyerë ndë gjak; edhe emëri ati kluhetë Fiala e Perëndisë.
14 Edhe ushtëriatë që ishinë ndë qiell, i vininë prapa ati hipurë mbi kuaj të bardhë, e veshurë me vishnje të bardhë edhe të pastrë.
15 Edhe prej gojës’s’ati dilte një shpatë e prehtë, që t’u bierë kombevet me atë; edhe ay “do t’i kullosnjë ata me shkop të hekurtë”; edhe ay shkel tirën’ e verësë zemërimit edhe mërisë Perëndisë Gjithëpushtetësit.
16 Edhe mbi rrobet e mbi kofshët të ti ka të shkruarë emërinë: Mbëret i mbëretëret, edhe Zot i zotëravet.
17 Edhe pashë një ëngjëll që rrinte ndë qiellt; edhe thërriti me zë të math, e u tha gjithë shpesëvet që fluturonjënë ndë mes të qiellit: “Ejani edhe mbëlidhi ndë darkët të Perëndisë math,
18 Që të hani mishra mbëretërish, e mishra urdhërmilësash, e mishra të fortësh, e mishra kuajsh, edhe atyre që janë ndenjurë mb’ ata, edhe mishra çdo farë njerëzish të lirë e shërbëtorë, edhe të vogjëlish e të mëdhenjsh.”
19 Edhe pashë bishënë edhe mbëretërit’ e dheut, edhe ushtëriat’ e atyreve mbëledhurë, që të bënjënë luftë me atë që rrinte mbi kalt, edhe me ushtërin’ e ati.
20 Edhe u zu bisha, edhe bashkë me atë profiti gënjeshtar, ay që bëri shenjetë përpara asaj, me të cilatë kuboj ata që muarnë shenjën’ e bishësë, edhe ata që iu falnë ikonës’ asaj; të dy u hothnë të gjallë ndë lëqer të ziarrit që digjetë me squfur.
21 Edhe të tierët’ u vranë me shpatën’ e ati që rrinte mbi kalt, e cila dilte prej gojës’ati; edhe gjithë shpesët’ u nginjnë nga mishrat’ e atyreve.