Përshëndetje
1 Unë Jakobi, shërbëtor i Perëndisë dhe i Zotit Jezu Krisht, përshëndes dymbëdhjetë fiset e shpërndara nëpër botë.
Besimi e urtia
2 Vëllezërit e mi, gëzohuni kur ndeshni tundime të ndryshme, 3 sepse ju e dini se sprova e besimit tuaj sjell durimin. 4 Kini durim deri në fund, që të jeni të përsosur, të plotë dhe pa asnjë të metë.
5 Nëse dikujt nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia dhe ai do t'i japë, sepse Perëndia u jep të gjithëve me zemërgjerësi dhe pa përçmim, 6 por le të kërkojë me besim dhe pa dyshuar. Kush dyshon, i ngjan valës së detit, që e ngre era dhe pastaj e përplas. 7 Ky njeri të mos pandehë se do të marrë ndonjë gjë nga Zoti, 8 sepse është njeri me dy mendje dhe i paqëndrueshëm në gjithçka që bën .
Varfëria e pasuria
9 Vëllai i varfër le të krenohet, se do ta lartësojë Perëndia, 10 ndërsa vëllai i pasur se do ta përulë. I pasuri do të shkojë si lulja e barit. 11 Dielli lind dhe nxehtësia e tij e than barin. Lulja e barit vyshket dhe bukuria i zhduket. Kështu do të vyshket edhe i pasuri në gjërat që bën.
Sprova e tundime
12 Lum ai njeri që duron tundimet, sepse, pasi të ketë kaluar sprovën, do të marrë kurorën e jetës, të cilën Perëndia ua premtoi atyre që e duan.
13 Askush, kur tundohet, të mos thotë: «Jam tunduar nga Perëndia». Perëndia nuk tundohet nga e keqja dhe nuk tundon askënd. 14 Secili tundohet nga lakmia e vet, që e josh dhe e mashtron. 15 Kur lakmia mbarset, pjell mëkatin, ndërsa mëkati që kryhet sjell vdekjen.
16 Vëllezërit e mi të dashur, mos u mashtroni! 17 Çdo e mirë që na është dhënë dhe çdo dhuratë e përsosur vjen nga lart dhe zbret nga Ati i dritave qiellore. Perëndia nuk ndryshon dhe nuk lë hije ndryshimi. 18 Prej vullnetit të tij na dha jetë me anë të fjalës të së vërtetës, që ne të jemi fryti i parë i krijesave të tij.
Dëgjimi e zbatimi i fjalës
19 Vëllezërit e mi të dashur, dijeni se çdo njeri duhet të jetë i gatshëm për të dëgjuar, i ngadaltë për të folur dhe i ngadaltë në zemërim. 20 Zemërimi i njeriut nuk kryen drejtësinë e Perëndisë. 21 Prandaj hidhni tej çdo ndyrësi e çdo ligësi tjetër dhe me përulësi pranoni fjalën që Perëndia ka mbjellë ndër ju, fjalë e cila mund t'ju shpëtojë shpirtrat.
22 Bëhuni zbatues të fjalës dhe jo vetëm dëgjues që gënjejnë veten. 23 Sepse nëse dikush është vetëm dëgjues i fjalës dhe jo zbatues i saj, ai i ngjan një njeriu që e shikon fytyrën e tij të vërtetë në pasqyrë, 24 por pasi shihet, ikën e menjëherë harron sesi ishte. 25 Ndërsa ai që e shikon me kujdes ligjin e përsosur të lirisë dhe ngulmon në të, ai që nuk mbetet vetëm një dëgjues që harron, por zbatues i tij, do të jetë i lum në gjithçka që bën.
26 Kush mendon se është fetar dhe nuk i vë fre gjuhës, mashtron veten dhe feja e tij është e kotë. 27 Feja e pastër dhe e panjollë para Perëndisë dhe Atit është kjo: përkujdesja për jetimët e vejushat që janë në vështirësi dhe ruajtja e vetes të pastër nga bota.
1 Jakovi, shërbëtori i Perëndisë edhe i Zotit Jisu Krisht, mbë të dy-mbë-dhietë faratë që janë përndarë, fal me shëndet.
2 Kujtoni për gëzim, o vëllezër, kur bini mbë çdo farë ngasjesh;
3 Tuke diturë, se provimi i besësë tuaj punon durim.
4 Edhe durimi le të ketë punë të kulluarë, që të jeni të kulluar’ edhe të tërë, pa qënë të mbeturë as mbë ndonjë gjë.
5 Edhe ndë iu shtertë dituri ndonjërit prej jush, le të lypënjë prej Perëndisë që u ep të gjithëve pa kurcim, e nukë qërton; edhe dot’ i epet’ ati.
6 Po le të lypënjë me besë, pa qënë me mëndëje; sepse ay që është me dy mëndëje i gjan valësë detit, që tundetë nga erëa edhe përpiqetë.
7 Sepse ay njeri le të mos kujtonjë, se do të marrë gjë nga Zoti.
8 Njeriu me dy mëndëje ësht ’ i paqëndruarshim mbë gjith’ udhët’ e tia.
9 Le të mburretë pra vëllaj i unjëtë ndë të lartët të ti;
10 E i pasuri ndë të unjëtë të ti: sepse do të shkonjë posi luleja e barit.
11 Sepse lindi dielli bashk me vapënë, edhe thau barinë, edhe luleja e ati ra, edhe bukuria e faqes’ ati humbi; kështu edhe i pasuri do të fyshketë ndë udhë të tia.
12 Lum ay njeri që duron ngasëje; sepse si të provonetë, do të marrë kurorën’ e jetësë, që ua ka zotuarë Zoti atyreve që e duanë.
13 Kur ngitetë ndonjë, le të mos thotë, se: Ngitem nga Perëndia, - sepse Perëndia nukë munt të ngitetë nga të ligatë, edhe ay nukë nget asndonjë.
14 Po gjithësecili ngitetë tuke hequr’ e tuke kobuarë vetëhen’ e ti prej dëshërimit ti .
15 Pastaj dëshërimi, si të mbarsetë, piell fajinë, edhe faji, si të bënetë, piell vdekëjenë.
16 Mos koboni, o vëllezërit’ e mi të dashurë.
17 Çdo dhënëje e mirë, edhe çdo dhurëti e tghieshtë, është prej së lari, edhe sbret nga Ati i dritavet, mbë të cilinë s’ka të ndërruarë a hie të këmbimi.
18 Prej dashurimit ti na polli me fialën’ e së vërtetësë, që të jemi një pemë e parë e ndërtesavet ati.
19 Përandaj o vëllezërit’ e mi të dashurë, çdo njeri le të jetë i shpejtë mbë të dëgjuarët, i mënuarë mbë të folurit, i mënuarë mbë zemërim;
20 Sepse zemërimi i njeriut nukë punon drejtërin’e Perëndisë.
21 Përandaj, si të hithni tej çdo ndyrësi e të tepëruarët’ e së ligësë, pritni me butësirë fialënë që ka birë ndër ju, e cila munt të shpëtonjë shpirtëratë tuaj.
22 Edhe bëhi asish që e bënjënë fialënë, e jo vetëm’ asish që e dëgjonjënë, tuke gënjyerë vetëhenë tuaj.
23 Sepse kush dëgjon fialën’ e nuk’ e bën, kyj i gjan një njeriu që shikon faqen’ e ti të fismenë ndë pasqyrët.
24 Sepse e shikoj vetëhen’ e ti, edhe iku, edhe përnjëherë e harroj kush ishte.
25 Po ay që unjet’ e shikon ndë nom të thieshtë të së lirësë, edhe qëndron mb’ atë , kyj si të bënetë jo asi që dëgjon e harron, po asi që bën punënë, kyj do të jet’ i lumurë ndë punët të ti.
26 Ndë i duketë ndonjërit ndër ju se ësht’ i feshim, edhe s’i vë fre gjjuhësë ti, po kobon zemërën’ e ti, feja e këti ësht’ e kotë.
27 Fe e këthiellët’ edhe e papugërë përanë Përëndisë edhe Atit është këjo. Të vështronjë të varfër’ e gra të va ndë shtrëngimt t’atyre, të ruanjë vetëhen’ e ti të pazhyerë nga bota.