Engjëlli dhe libri i vogël
1 Pastaj pashë një engjëll tjetër të fortë që zbriste prej qiellit. Ai ishte i mbështjellë me re dhe në kokë kishte një ylber. Fytyra e tij ishte si dielli, ndërsa këmbët i kishte si shtylla zjarri. 2 Ai mbante në dorë një libër të vogël të hapur. Këmbën e djathtë e vuri mbi det, të majtën mbi tokë 3 dhe thirri me zë të fortë siç ulërin luani. Kur thirri engjëlli, gjëmuan edhe shtatë bubullimat.
4 Kur gjëmuan shtatë bubullimat, doja të shkruaja, por dëgjova një zë nga qielli që më tha: «Mbaji të fshehta ato që thanë shtatë bubullimat e mos i shkruaj».
5 Engjëlli që pashë të qëndronte mbi det e mbi tokë ngriti dorën e djathtë drejt qiellit 6 dhe u betua për atë që jeton në shekuj të shekujve, atë që bëri qiellin, tokën, detin dhe sa janë në to. Ai tha: «Nuk do të vonojnë 7 ditët kur engjëlli i shtatë do t'i bjerë trumbetës dhe atëherë do të përmbushet plani i fshehtë i Perëndisë sipas ungjillit që u dha profetëve, shërbëtorëve të tij».
8 Zëri që dëgjova prej qiellit më foli përsëri e më tha: «Shko dhe merr librin e hapur nga dora e engjëllit që qëndron mbi det e mbi tokë!».
9 Shkova tek engjëlli e i thashë të më jepte librin e vogël. Ai më tha: «Merre dhe gëlltite! Do të ta hidhërojë barkun, por në gojën tënde do të jetë i ëmbël si mjalti». 10 E mora librin e vogël nga dora e engjëllit dhe e gëlltita. Ishte i ëmbël si mjalti në gojën time, por kur e hëngra, m'u hidhërua barku.
11 Atëherë më thanë: «Duhet të profetizosh përsëri në shumë popuj, kombe, gjuhë dhe mbretër».
1 Edhe pashë një tiatër’ ëngjëll të fortë tuke sbriturë nga qielli, veshurë me re; edhe kishte ylverinë mbi kryet; edhe faqeja e ati posi dielli, edhe këmbët’ e ati posi shtylla ziarri.
2 Edhe kishte ndë dorë të ti një vivli të vogëlë hapurë; edhe vuri këmbën'’e ti të diathtënë mbi det, edhe të mëngjërënë mbi dhet.
3 Edhe bërtiti me zë të math posi leoni kur ulurin. Edhe kur bërtiti, folnë të shtatë bumbullimatë me zërat’ e tyre.
4 Edhe kur folnë të shtatë bumbullimatë (me zërat’ e tyre), kishnjam për të shkruarë; edhe dëgjova një zë nga qielli që (më) thoshte: “Vulos ato që folnë të shtatë bumbullimatë, edhe mos i shkruaj.”
5 Edhe ay ëngjëlli që pashë tuke ndenjurë mbi det edhe mbi dhet, ngriti dorën’ e ti mbë qiell,
6 Edhe bëri be për atë që rron ndë jetët të jetëvet, i cili krioj qiellin’ edhe sa janë nd’ atë, edhe dhenë edhe sa janë nd’ atë, edhe detinë edhe sa janë nd’ atë, se kohë nukë do të jetë më.
7 Po ndë dit të zërit ëngjëllit shtattë, kur do t’i bierë trumbetësë, atëhere do të mbaronetë mistiri i Perëndisë, sikundrë u dha zën’ e mirë shërbëtorëvet profitrëvet.
8 Edhe ay zëri që dëgjova nga qielli, përsëri fliste me mua, e thoshte: “Shko, e merr vivlin’ e vogëlë të hapurënë ndë dorë të ëngjëllit që ka ndenjurë mbi det e mbi dhet.”
9 Edhe vajta tek ëngjëlli, e i thashë: “Ep-më vivlinë e vogëlë.” Edhe ay më thotë: “Merre, edhe haje atë. Edhe do të hidhëronjë barkunë tënt, po ndë gojët tënde do të jet’ e ëmbëlë posi mialtë.”
10 Edhe mora vivlin e vogëlë nga dora e ëngjëllit, edhe e hëngra; edhe ishte ndë gojët time e ëmbëlë posi mialtë; edhe kur e hëngra atë, u hidhërua barku im.
11 Edhe më thotë: “Duhetë të profitepsç ti përsëri mbë shumë llauzëra e kombe e gluhëra e mbëretër.”