Vejusha dhe gjykatësi
1 Pastaj Jezui u tha një shëmbëlltyrë për t'u treguar se duhet të luten gjithmonë, pa hequr dorë.
2 Ai u tha: «Në një qytet ishte një gjykatës që nuk e druante Perëndinë e as kishte respekt për njerëzit. 3 Në atë qytet gjendej edhe një vejushë që shkonte tek ai e i thoshte: “Më jep të drejtë para kundërshtarit tim!”. 4 Për njëfarë kohe ai nuk donte, por pastaj tha me vete: “Edhe pse nuk e druaj Perëndinë e as kam respekt për njerëzit, 5 meqë kjo vejushë po më shqetëson, do t'ia jap të drejtën, se përndryshe, duke ardhur pareshtur, do të më bëjë ta humb durimin”».
6 E Zoti tha: «Dëgjoni çfarë thotë gjykatësi i padrejtë. 7 Po Perëndia, a nuk do të vendosë drejtësi për të zgjedhurit e tij që e thërrasin ditë e natë? A do të vonohet t'i ndihmojë? 8 Unë po ju them se ai do të vendosë shpejt drejtësi. Por prapëseprapë, kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë ende besim në tokë?».
Fariseu dhe tagrambledhësi
9 Edhe disave që e mbanin veten si të drejtë dhe përçmonin të tjerët, Jezui u tregoi këtë shëmbëlltyrë: 10 «Dy njerëz shkuan për t'u lutur në tempull. Njëri ishte farise, tjetri tagrambledhës. 11 Fariseu rrinte në këmbë e lutej duke thënë me vete: “Perëndi, unë të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, vjedhës, i padrejtë, burrë që bën tradhti bashkëshortore apo si ky tagrambledhës. 12 Unë agjëroj dy herë në javë dhe jap të dhjetën e gjithë të ardhurave të mia”. 13 Ndërsa tagrambledhësi që rrinte larg e nuk guxonte as të ngrinte sytë drejt qiellit, godiste gjoksin e thoshte: “Perëndi, ki mëshirë për mua mëkatarin!”.
14 Unë po ju them: ky njeri e jo fariseu u kthye në shtëpi i bërë i drejtë nga Perëndia. Sepse kush e lartëson vetveten, do të përulet dhe kush e përul vetveten, do të lartësohet».
Bekimi i fëmijëve
(Mt 19.13-15Mk 10.13-16)15 Disa njerëz sillnin foshnjat te Jezui, që ai t'i prekte, por kur i shihnin, dishepujt i ndalonin. 16 Atëherë Jezui i thirri fëmijët pranë vetes e tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos i pengoni, sepse mbretëria e Perëndisë u përket atyre që janë si ata. 17 Me të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë në të».
Njeriu i pasur
(Mt 19.16-30Mk 10.17-31)18 Një nga krerët e judenjve e pyeti: «Mësues i mirë, ç'duhet të bëj që të trashëgoj jetën e amshuar?». 19 Jezui i tha: «Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç Perëndisë. 20 Ti i njeh urdhërimet: mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vrit, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, ndero atin tënd e nënën tënde! ». 21 Atëherë ai i tha: «Të gjitha këto i kam bërë që nga rinia ime». 22 Kur e dëgjoi këtë, Jezui i tha: «Të mungon vetëm një gjë: shit gjithçka që ke, jepua të varfërve e do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!». 23 Por kur i dëgjoi këto, ai u trishtua, se ishte shumë i pasur.
24 Jezui pa se ai u trishtua, prandaj tha: «Sa e vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë! 25 Është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë». 26 Ata që po e dëgjonin e pyetën: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?». 27 Jezui u përgjigj: «Ajo që është e pamundur për njerëzit, është e mundur për Perëndinë».
28 Atëherë Pjetri i tha: «Ja, ne lamë gjithçka kishim dhe erdhëm pas teje». 29 Dhe Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se askush nga ata që kanë lënë shtëpi a grua, vëllezër a fëmijë për shkakun e mbretërisë së Perëndisë, 30 nuk do të mbetet pa marrë shumë më tepër në këtë kohë dhe do të marrë jetën e amshuar në botën tjetër».
Paralajmërimi sërish i Pashkës
(Mt 20.17-19Mk 10.32-34)31 Jezui i mori mënjanë të dymbëdhjetët e u tha: «Po shkojmë në Jerusalem dhe gjithçka që shkruan profetët për Birin e njeriut do të përmbushet. 32 Ai do t'u dorëzohet kombeve që do ta tallin, do ta shajnë e do ta pështyjnë 33 dhe, pasi ta kenë fshikulluar, do ta vrasin, por ditën e tretë ai do të ngjallet». 34 Ata nuk kuptuan asgjë, sepse ajo që u tha Jezui ishte e fshehtë për ta dhe nuk e morën vesh çfarë tha.
Shërimi i lypësit të verbër
(Mt 20.29-34Mk 10.46-52)35 Ndërsa Jezui po i afrohej Jerikosë, një i verbër rrinte ulur ndanë udhës e lypte. 36 Kur dëgjoi se po kalonte një turmë, pyeti se çfarë po ndodhte. 37 Ata i thanë: «Po kalon Jezui i Nazaretit». 38 Atëherë ai thirri me zë të lartë: «Jezu, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!». 39 Ata që ecnin përpara e urdhëruan të heshtte, por ai thirri edhe më fort: «Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!». 40 Jezui ndaloi e urdhëroi t'i sillnin të verbrin. Kur ai u afrua, Jezui e pyeti: 41 «Çfarë dëshiron të bëj për ty?». Ai i tha: «Zot, dua të shoh përsëri!». 42 Dhe Jezui i tha: «Shih përsëri! Besimi yt të shpëtoi». 43 Atij iu kthye menjëherë shikimi e shkoi pas Jezuit, duke përlëvduar Perëndinë. Të gjithë ata që e panë, lavdëruan Perëndinë.
1 U thoshte atyre edhe një paravoli, se duhetë të falenë përherë, edhe të mos lodhenë, tuke thënë:
2 “Ishte një gjykatës ndë një qytet, që s’kishte frikë Perëndisë, edhe s’kishte turp nga njeri.
3 Ishte edhe një e ve nd’atë qytet; edhe vinte tek ay, tuke thënë: “Bëmë gjyqnë që kam me kundrëgjyqësinë.”
4 Edhe ay për shumë kohë nukë donte; po pastaj tha me vetëhe: “Po edhe ndë qoftë se s’i kam frikë Perëndisë, edhe s’kam turp nga njeri,
5 Pak së paku, sepse ajo gruaja e ve më rëndon, le t’ia bënj gjyqnë, që të mos vinjë përherë e të më çajë kryetë.”
6 Edhe Zoti tha: “Ndigjoni ç’thotë gjykatës’ i paudhë.
7 Po Perëndia a nukë do të bënjë gjyqn’ e të sgjedhurëvet ti, që thërresënë tek ay nat’ e ditë, ndonëse bën zëmërën e gjerë për ata?
8 Po u them juve, se do t’u bënjë gjyqnë atyre për së shpejti. Po kur të vinjë i biri njeriut, vallë do t’e gjenjë besënë mbi dhet?”
9 Edhe u tha këtë paravoli atyre që shpëreninë mbë vetëhen’ e tyre, se janë të drejtë, edhe nuk’ i zijnë për gjë të tierëtë,
10 “Dy njerës hipnë ndë hieroret, që të faleshinë, njëri ishte Farise edhe tiatri kumerqar.
11 Fariseu ndenji e falej ndër vetëhe të ti, tuke thënë këto fialë : O Perëndi, të falem ndersë, se nukë jam posi njerëzit’ e tierë, rrëmbenjës, të paudhë, kurvarë, a edhe posi kyj kumerqar.
12 Agjëronj dy herë ndë javët, ap të dhietënë nga gjithë sa kam.”
13 Edhe kumerqari kishte ndenjurë prej së largu e nukë donte as sytë të ngrij përpietë ndë qiell, po rrihte kraharorin’ e ti, tuke thënë: O Perëndi, ndëje mua fajtorinë.
14 Po u them juve, se kyj u këthye ndë shtëpit të ti më i drejtë se ay; sepse kushdo që ngre lart vetëhen’ e ti, do të përungjetë, edhe ay që përungj vetëhenë e ti, do të ngrihetë lart.”
15 Edhe i prunë edhe foshnjetë që t’i zinte me dorë; edhe nxënësitë kur panë, i qërtuanë.
16 Po Jisuj si i thërriti përanë, tha: “Liri çunat’e vegjëlë të vinjënë tek unë, edhe mos i ndalni, sepse të këtillëve është mbëretëri’ e Perëndisë.
17 Vërte po u them juve, se Ay që të mos presë mbëretërin’ e Perëndisë posi një çun të vogëlë, nuk do të hynjë nd’ atë.”
18 Edhe një i parë e pyeti, tuke thënë: “Mësonjës i mirë, ç’të bënj që të trashëgonj jetën’ e pasosurë?” Edhe Jisuj i tha:
19 “Ç’më thua i mirë? Asnjë nuk’ ësht’ i mirë, përveç një Perëndie.
20 I di porositë: “Mos kurvëronjç. Mos vraç. Mos viethç. Mos apç martiri të rreme. Ndero tët at’ e tët ëmë.”
21 Edhe ay tha: “Të gjitha këto i kam ruajturë që mbë të rit tim.”
22 Edhe Jisuj, kur ndigjoj këto, i tha: “Edhe një punë të mbetetë; shit gjithë ç’ke, edhe i ndaj ndëpër të vobegjit, edhe do të kesh thesar ndë qiell; edhe eja, e ngjitmu prapa.”
23 Po ay kur ndigjoj këto, u hidhërua, sepse ishte fort i pasurë.
24 Edhe Jisuj kur pa, se u hidhërua, tha: “Sa me të vështirë do të hynjënë ndë mbëretërit të Perëndisë ata që kanë gjë!
25 Sepse më kollaj është të hynjë kamilla ndëpër vrimët të gjylpërësë, se i pasuri të hynjë ndë mbëretërit të Perëndisë.”
26 Edhe ata që ndigjuanë thanë: “E kush munt të shpëtonjë?”
27 Edhe ay tha: “Ato punë që s’munt të bënenë prej njerëzish, munt të bënenë prej Perëndisë.”
28 Edhe Pietri tha: “Na neve te lam të gjitha, edhe të erthmë pas.”
29 Edhe ay u tha atyre: “Me të vërtetë po u them juve, se nuk’ është ndonjë që la shtëpi, a përint, a vëllezërë, a grua, a djem, për punë të mbëretërisë Perëndisë,
30 Që të mos trashëgonjë për një shumë ndë këtë kohë, edhe ndë jetët që vien jetën’ e pasosurë.”
31 Pastaj ay mori mbë-nj’-anë të dy-mbë-dhietëtë, e u tha atyre: “Na tek po hipëjmë ndë Jerusalim, edhe gjithë sa janë shkruarë me anë të profitëvet për të birin’ e njeriut do të mbaronenë;
32 Sepse do t’ epetë ndër duar të kombevet, e do të përqeshetë, e do të shahetë, e do të pshtyhetë ndër sy.
33 Edhe si ta frushkullonjënë do t’e vrasënë; edhe të tretënë ditë do të ngjalletë.”
34 Po ata nukë muarnë vesh asnjë nga këto fialë ; edhe këjo fialë ishte fshehurë nga ata, edhe nukë merrinë vesh ato që u thuheshin’ atyre.
35 Edhe ay kur u afrua ndë Jeriho, një i verburë po rrinte përanë udhësë tuke lypurë.
36 Edhe kur ndigjoj gjëndjenë tuke shkuarë, pyeste: “Ç’është këjo?”
37 Edhe i dëftyenë, se po shkon Jisu Nazoreasi.
38 Edhe ay thirri, tuke thënë: “Jisu, bir’ i Dhavidhit, përdëllemë.”
39 Edhe ata që shkoninë përpara e qërtoninë që të mos bënte zë; po ay shumë më teprë thërriste: “Bir’ i Dhavidhit, përdhëllëmë.”
40 Edhe Jisuj qëndroj, edhe urdhëroj t’e bijnë tek ay; edhe ay si u afrua, e pyeti, tuke thënë:
41 “Ç’do të të bënj?” Edhe ay i tha: “Zot, të hap syt’ e të shoh.”
42 Edhe Jisuj i tha: “Hap sytë e shih; besa jote të shpëtoj.”
43 Edhe sakaqëherash hapi syt’ e pa, edhe i vinte prapa tuke lavduruarë Perëndinë; edhe gjithë llauzi kur pa, i dha lavdi Perëndisë.