Pranimi i Palit
1 Pas katërmbëdhjetë vjetësh shkova sërish në Jerusalem me Barnabën e mora me vete edhe Titin. 2 Shkova se kështu më tha Perëndia në një zbulesë dhe u shtjellova ungjillin që predikoj ndër kombet, veçanërisht njerëzve më të shquar, që të mos shkonte kot mundi që kam bërë e po bëj për ju .
3 Edhe Titi, që ishte me mua, megjithëse helen, nuk u detyrua të rrethpritej, 4 pavarësisht vëllezërve të rremë e tinëzarë që kishin hyrë vjedhurazi për të përgjuar lirinë, që kemi përmes Krishtit Jezu, e për të na robëruar. 5 Ne nuk iu nënshtruam këtyre as për një çast, me qëllim që e vërteta e ungjillit të mbetej me ju.
6 Ata që e mbanin veten si më të rëndësishëm, e unë nuk dua t'ia di çfarë ishin, se Perëndia nuk gjykon sipas pamjes së jashtme, nuk i shtuan asgjë predikimit tim. 7 Përkundrazi, ata e kishin parë se ungjilli për të parrethprerët m'u besua mua, sikurse Pjetrit iu besua ungjilli për të rrethprerët. 8 Ai që e bëri Pjetrin apostull për të rrethprerët, më bëri edhe mua apostull për kombet.
9 Jakobi, Pjetri e Gjoni, që njiheshin si shtylla të besimit, duke e njohur hirin që më ishte dhënë, na shtrënguan dorën në shenjë miqësie mua dhe Barnabës, që ne të shkonim ndër kombet e ata ndër të rrethprerët. 10 Veçse na kërkuan të kujtoheshim për të varfrit e tyre, gjë që e kam bërë me këmbëngulje.
Pali qorton Pjetrin
11 Por, kur erdhi Pjetri në Antioki, unë e kundërshtova më sy, sepse ishte për t'u qortuar. 12 Para se të vinin disa njerëz nga ana e Jakobit, Pjetri hante bashkë me besimtarë nga kombet, ndërsa, kur erdhën ata, u tërhoq e u nda veçmas prej frikës nga besimtarët e rrethprerë. 13 Edhe judenjtë e tjerë shtireshin bashkë me të, aq sa edhe Barnaba u gënjye nga hipokrizia e tyre. 14 Kur pashë se ata nuk jetonin drejt sipas së vërtetës së ungjillit, i thashë Pjetrit para të gjithëve: «Nëse ti, që je jude, sillesh si kombet e jo si jude, si mund t'i detyrosh besimtarët nga kombet të sillen si judenj?».
Shpëtimi përmes besimit
15 Ne vetë, që jemi lindur judenj dhe nuk jemi nga kombet mëkatare, 16 e dimë se njeriu nuk bëhet i drejtë nga veprat që kërkon ligji, por vetëm përmes besimit në Jezu Krishtin. Prandaj edhe besuam në Krishtin Jezu, që të bëhemi të drejtë nga besimi në Krishtin e jo nga veprat që kërkon ligji, sepse askush nuk do të bëhet i drejtë nga veprat e ligjit.
17 Nëse ne, që kërkojmë të bëhemi të drejtë përmes Krishtit, del se jemi mëkatarë si të tjerët, mos vallë Krishti i shërben mëkatit? Larg qoftë! 18 Po të ndërtoja sërish këto gjëra, që i rrëzova, unë do të isha bërë vetë shkelës i ligjit. 19 Kështu, përmes ligjit jam i vdekur për ligjin, që të jetoj për Perëndinë. Jam kryqëzuar me Krishtin 20 e nuk jetoj më unë, por Krishti jeton në mua. Këtë jetë, që tani jetoj në trup njerëzor, e jetoj me besim në Birin e Perëndisë, i cili më deshi e dha veten për mua. 21 Unë nuk e mohoj hirin e Perëndisë, sepse, në u bëka i drejtë njeriu përmes ligjit, atëherë Krishti paska vdekur më kot.
1 Pastaj pas katrë-mbë-dhietë vieç përsëri hipa ndë Jerusalim bashkë me Varnavënë, si mora me vetëhe edhe Titonë.
2 Edhe hipa pas sbulesësëPerëndisë, edhe u dëfteva atyreve atë ungjillinë që leçis ndër kombet, po më tepërë ndër ata, që dukeshinë më të nderëshim, se mos breth, a brodha mbë të kotë.
3 Po as Titua që qe bashkë me mua, ndonëse ishte Grek, u shtrëngua të rrethpritetë;
4 Edhe këjo për vëllezër të rrem futurë viedhazë, të cilëtë hynë fshehura të përgjonjënë të liruarëtë tënë që kemi mbë Jisu Krishtinë, që të na bënjënë shërbëtorë.
5 Atyreve as për një orë s’u unjëm kryetë t’u dëgjojmë, që të mbësë te ju e vërteta e ungjillit.
6 Po për ata që u dukej se diç janë, sido që të ishinë, s’kam kujdes fare; Perëndia s’vë re nbë faqe të njeriut; sepse ata që u dukej se diç janë nukë shtuanë gjë tek unë;
7 Po kundrë kësaj, kur panë se m’u zu besë të më epet’ ungjilli i parrethpresëjesë, sikundrë Pietrit ungjilli i rrethpresjesë;
8 (Sepse ay që vepëroj mbë Pietrinë që ta dërgonjë te të rrethprerëtë, vepëroj edhe mbë mua të më dërgonjë ndër kombet.)
9 Edhe si e njohnë hirinë që m’u dha, Jakovi e Qifaj e Joanni, ata që dukeshinë se ishinë shtylla, më dhanë mua edhe Varnavësë duart’ e diathta për shenjë të shoqërisë, që neve të vemi ndër kombet, e ata ndër të rrethprerët.
10 Vetëmë na porositnë të kujtojmë të vobeqtë; edhe këtë punë u nxitova ta bënj.
11 Edhe kur erdhi Pietri ndë Antiohi, i dolla kundrë ati faqe për faqe, sepse ishte për të qërtuarë;
12 Sepse pa ardhurë ca vetë nga Jakovi, hante bashkë me kombetë; po kur erthnë, hiqej edhe ndante veç vetëhen’ e ti; sepse kishte frikë ata që ishinë nga rrethpresëja.
13 Edhe bashkë me atë u hoqnë veç edhe Judhenjt’ e tierë, kaqë sa edhe Varnava u hoq ndë ipokrisi t’atyreve.
14 Po kur pashë unë, se s’ecënjënë drejtë ndë të vërtetën’ e ungjillit, i thashë Pietrit përpara të gjithëve: Ndë qoftë se ti tuke qënë Judhe rron posi kombetë, e jo posi Judhenjtë, përse ngut kombetë të rronjënë posi Judhenjtë?
15 Neve që jemi nga fisi Judhenj edhe jo prej kombesh fajtorë,
16 Tuke diturë, se s’del i drejtë njeri nga punërat’ e nomit, veç me anë të besësë Jisu Krishtit, edhe neve i besuam Jisu Krishtit, që të dalëmë të drejtë prej besësë Krishtit, e jo prej punëravet nomit; sepse asndonjë njeri s’ka për të dalë i drejtë nga punërat’ e nomit.
17 Po ndë qoftë se, tuke kërkuarë të dalëmë të drejtë mbë Krishtinë, u gjëndëm edhe neve fajtorë, vallë Krishti qënëka shërbëtor’ i fajit? Qoftë lark.
18 Sepse ndë ndërtofsha përsëri ato që prisha, bënj vetëhenë time porosi-prishës.
19 Sepse unë me anë të nomit vdiqa ndë nom, që të rronj mbë Perëndinë.
20 U kryqëzuashë bashkë me Krishtinë; edhe unë më s’rronj, po Krishti rron tek unë; edhe ajo që rronj unë ndashti ndë misht, rronj ndë besë të Birit Perëndisë, i cili më deshi edhe dha ndër duar vetëhen’ e ti për mua.
21 Nukë heth poshtë hirin’ e Perëndisë; sepse ndë qoftë drejtëria me anë të nomit, vallë Krishti vdiq mbë kot.