Shërbesa për kombet
1 Për këtë arsye unë, Pali, i burgosuri i Krishtit Jezu për ju kombet, i lutem Perëndisë. 2 Me siguri ju keni dëgjuar për hirin që më ka dhënë Perëndia për t'ju shërbyer juve 3 dhe për shestimin e tij të fshehtë që ma ka bërë të njohur me anë të një zbulese. Për këtë ju kam shkruar shkurtimisht edhe më parë. 4 Kur t'i lexoni ato që ju shkrova do të mund të kuptoni sesa thellë e njoh të fshehtën për Krishtin 5 që nuk iu bë e njohur njerëzve të breznive të shkuara. Por tani Perëndia përmes Shpirtit, ia zbuloi këtë apostujve e profetëve të tij të shenjtë: 6 përmes ungjillit kombet do të bëhen bashkëtrashëgimtarë me judenjtë, gjymtyrë të një trupi dhe bashkëpjesëtarë të premtimit të Perëndisë përmes Krishtit Jezu.
7 Unë u bëra shërbëtor i këtij ungjilli falë hirit që m'u dhurua nga Perëndia e që m'u dha falë veprimit të fuqisë së tij. 8 Mua, më të voglit nga të gjithë të shenjtët, m'u dha ky hir për t'u predikuar kombeve pasuritë e pahulumtueshme të Krishtit 9 dhe për të nxjerrë në dritë sesi Perëndia që krijoi gjithçka do të vinte në jetë shestimin e tij që e kishte mbajtur të fshehur prej shekujsh. 10 Kështu tani, nëpërmjet kishës, sundimtarëve e pushteteve në vendet qiellore u bëhet e njohur urtia e shumëfishtë e Perëndisë.
11 Këtë Perëndia e bëri sipas qëllimit të tij të amshuar që ai e përmbushi përmes Krishtit Jezu, Zotit tonë. 12 Të bashkuar me Krishtin dhe përmes besimit në të, mund t'i afrohemi Perëndisë me liri e siguri të plotë. 13 Prandaj ju lutem të mos dëshpëroheni prej vuajtjeve që po kaloj për ju, përkundrazi ta keni për nder.
Njohja e dashurisë së Krishtit
14 Prandaj unë bie në gjunjë para Atit , 15 prej të cilit merr jetë çdo krijesë në qiej e në tokë. 16 Perëndia ju dhëntë, sipas pasurive të lavdisë së tij e përmes Shpirtit të tij, ju bëftë më të fortë shpirtërisht . 17 Krishti banoftë në zemrat tuaja përmes besimit, në mënyrë që të rrënjosur e të themeluar në dashuri, 18 të mund të kuptoni bashkë me të gjithë të shenjtët se cila është gjerësia, gjatësia, lartësia e thellësia 19 e dashurisë së Krishtit. Lutem që të njihni dashurinë e Krishtit, e cila tejkalon çdo dije, që të mbusheni me gjithë plotësinë e Perëndisë.
20 Perëndisë, që mund të bëjë shumë më tepër sesa gjithçka që i kërkojmë ose mendojmë, falë fuqisë që vepron në ne, 21 atij i qoftë lavdia përmes kishës e përmes Krishtit Jezu për të gjitha breznitë, në shekuj të shekujve! Amen!
1 Për këtë punë unë Pavli jam i lidhuri i Jisu Krishtit për ju kombet,
2 Sepse dëgjuatë qiverin’ e hirit Perëndisë që m’u dha për ju,
3 Se me të sbuluarë ma bëri të njohurë atë fshehtësirënë (sikundrë u shkrova juve përpara me pak fialë ;
4 Që atë tuke kënduarë munt të kupëtoni mëndëjenë time ndë fshehësirët të Krishtit);
5 Që s’qe njohurë ndë brezat të tierë te të bijt’ të njerëzëvet, sikundrë ndashti u sbulua me anë të Frymësë tek apostojt’ edhe te profitërit’ e ati të shënjtëruarëtë;
6 Që të jenë kombetë trashëgimtarë bashkë e me një trup e me një piesë mbë të zotuarët t’ati mbë Krishtinë me anë të ungjillit;
7 Të cilit un’ iu bëshë shërbëtuar pas dhurëtisë hirit Perëndisë, që m’u dha pas vepërimit fuqisë ati.
8 Mua më të vogëlit gjithë shënjtorëvet m’u dha ay hirë, që të ungjillëzonj ndër kombet pasëjen’ e Krishtit që s’i gjëndetë gjurma,
9 Edhe që të ndriçonj të gjithë, cila është shoqëria e fshehësirësë që qe fshehurë nga jetëtë te Perëndia që ndërtoj të gjitha (me anë të Jisu Krishtit)
10 Që të njihetë ndashti me anë të qishësë dituria e Perëndisë, që është me shumë lara tek urdhërat’ e te pushtetetë ndë qielloret.
11 Pas asaj këshillësë lashtë që bëri mbë Jisu Krishtinë, Zotinë tënë;
12 Me anë t’ ati kemi kuxim edhe të hyrë me shpëresë prej besës’ ati.
13 - Përandaj u lutem juve mos likshtohi për shtrëngimet’ e mi që kam për ju, e cila është lavdia juaj.
14 Për këtë punë unj gjunjt’ e mi te Ati i Zotit tënë Jisu Krishtit,
15 prej të cilit qjuhetë çdo atëri që është ndë qiejet e mbë dhet,
16 Që t’u apë juve pas pasëjesë lavdisë ti, të forcohi ndë fuqi me anë të Frymës’ ati mbë njerin’e përbrënçim;
17 Që të rrijë Krishti ndë zemërat tuaja me anë të besësë,
18 Zënë rrënjë e themelisurë ndë dashuri, që të muntni të kupëtoni bashkë me gjithë shënjtorët, ç’është të gjërët’ e të gjatëtë, e të thellët’ e të lartëtë,
19 Edhe të njihni atë dashurin’ e Krishtit që kapërxen mëndëjenë, që të mbusheni me gjithë të mbushurit’ e Perëndisë.
20 Edhe mb’atë që munt të bënjë tepërë së tepërmi për gjithë sa kërkojm’ a mendojmë, pas asaj fuqisë që vepëronetë ndër,
21 Mb’atë qoftë lavdia ndë qishët me anë të Jisu Krishtit, mbë gjithë brezat të jetësë jetëvet. Amin.