1 Kështu vendosa të mos kthehem te ju, që të mos trishtoheni përsëri. 2 Nëse unë ju trishtoj, nga kush pres të marr gëzim, nga ata që kam trishtuar? 3 Ju shkrova kështu me qëllim që, kur të vija, të mos trishtohesha nga ata që duhej të më gëzonin. Unë jam i bindur se, kur gëzohem unë, gëzoheni edhe ju të gjithë. 4 Ju shkrova me pikëllim të madh, me ankth në zemër e me lot, jo për t'ju trishtuar, por që të njihni dashurinë e madhe që kam për ju.
Falja e fajtorit
5 Nëse dikush ka trishtuar dikë, nuk më ka trishtuar mua, por deri diku, pa e tepruar, të gjithë ju. 6 Këtij njeriu i mjafton dënimi që mori nga shumica, 7 prandaj ju, përkundrazi, duhet ta falni e ta ngushëlloni, që të mos e pushtojë një trishtim më i madh. 8 Kështu, ju porosis që të tregoni dashuri ndaj tij.
9 Prandaj ju shkrova, që t'ju vija në provë e të shihja a bindeni në gjithçka. 10 Atij që do t'i falni ndonjë faj, ia fal edhe unë. Prandaj edhe unë, kur kam falur ndonjë faj, nëse më është dashur të fal, këtë e kam bërë për ju para Krishtit, 11 që të mos dalë i fituar Satani. Ne i njohim mirë synimet e tij.
Pali në Troadë
12 Kur arrita në Troadë për të shpallur ungjillin e Krishtit, megjithëse Zoti më hapi një derë për të predikuar, 13 nuk kisha prehje në shpirt, se nuk gjeta aty Titin, vëllanë tim. Atëherë u ndava prej tyre dhe shkova në Maqedoni.
14 Por i qofsha falë Perëndisë që na bën gjithmonë ngadhënjimtarë përmes Krishtit dhe që, përmes nesh, përhap njohjen e Krishtit si aromë të këndshme në çdo vend. 15 Ne jemi aroma e këndshme e Krishtit, që i kushtohet Perëndisë dhe përhapet ndër ata që shpëtohen dhe ndër ata që shkojnë në humbje. 16 Për këta të fundit është aromë vdekjeje dhe çon në vdekje, ndërsa për të tjerët është aromë jete dhe çon në jetë.
Kush është i aftë ta përmbushë këtë detyrë? 17 Ne nuk jemi si shumë të tjerë që bëjnë tregti me fjalën e Perëndisë, por flasim me sinqeritet para Perëndisë, si të dërguar prej tij përmes Krishtit.
1 Edhe e gjykova këtë me vetëhenë time, që të mos vinj përsëri te ju me hidhërim.
2 Sepse unë ndë u hidhërofsha juve, e cili ësht’ ay që më gëzon, veç ay që hidhëronetë prej meje?
3 Edhe u shkrova juve këtë, që, kur të vinj, të mos kem hidhërim nga ata që duhej të kishnjam gëzim; tuke pasurë shpëresë mbë gjithë ju, se gëzimi im është juaji të gjithëve.
4 Sepse prej shumë shtrëngimi e acarimi të zemërësë u shkrova juve me shumë lot, jo që të hidhëroneni, po që të njihni dashurinë që kam me të tepërë mbë ju.
5 Edhe ndë pastë hidhëruarë ndonjë, s’më ka hidhëruarë mua, po mbënjanë më ka hidhëruarë , që të mos u rëndonj juve të gjithë.
6 Mjaft është për të tillinë njeri kyj qërtim që u bë prej më të shumëvet.
7 Kaqë sa përkundrë duhetë më tepër t’ia falni atë, edhe ta ngushulloni atë, që të mos përpihet’ i tilli njeri nga hidhërimi i tepërë.
8 Përandaj u lutem juve t’i dëfteni ati dashuri.
9 Sepse përandaj u shkrova juve, që të njoh provënë tuaj, ndë jeni të dëgjuarshim mbë të gjitha.
10 Edhe ati që t’ia falni, ia fal edhe unë; sepse ndë ia kam falur’ unë ndonjërit, kujdo që t’ia kem falurë, për ju e kam bërë këtë , përpara Krishtit, që të mos tepronjë fuqia e Satanajt përmbi ne;
11 Sepse e dimë se ç’ka ndër mënt ay.
12 Edhe kur erdha ndë Troadhë të leçis ungjillin’ e Krishtit, edhe m’u hap një derë për Zotinë, s’pata të prëjturë ndë shpirt tim, sepse nukë gjeta Titonë vëllanë tim.
13 Po si i lashë me shëndet ata, dolla e vajta ndë Maqedhoni.
14 Po falemi ndersë Perëndisë që na bën të thiramvefsmë kurdo me anë të Krishtit, edhe çpërfaq mbë çdo vënt erën’e mirë e të njohurit ati me anë tënë.
15 Sepse er’ e mirë e Krishtit jemi neve te Perëndia mb’ ata që shpëtonjën’ edhe mb’ ata që humbasënë.
16 Për këta neve jemi erë vdekëje për vdekëje, e për ata erë jete për jetë. E cili ësht’ i zoti për këto punë ?
17 Sepse neve s’jemi si të shumëtë, që shesënë me kobim fialën’ e Perëndisë, po si nga zemër’ e këthiellëtë, po si nga an’ e Perëndisë, flasmë për Krishtinë përpara Perëndisë.