Vetëm Krishtin e kryqëzuar
1 Edhe unë, o vëllezër, kur erdha te ju për t'ju shpallur shestimin e fshehtë të Perëndisë, nuk erdha me fjalë të mëdha apo me urti të madhe. 2 Sepse e gjykova të drejtë që të mos ju mësoja asgjë tjetër, përveç Jezu Krishtit dhe madje, Jezu Krishtit të kryqëzuar.
3 Prandaj erdha te ju me dobësi, me frikë dhe me tmerr. 4 Fjalët e mia dhe predikimi im nuk u mbështetën në fjalë bindëse plot urti, por në dëftimin e Shpirtit dhe të fuqisë së Perëndisë, 5 që besimi juaj të mos mbështetet në urtinë njerëzore, por në fuqinë e Perëndisë.
Zbulesa nga Shpirti i shenjtë
6 Megjithatë ne u flasim për urti atyre që janë të pjekur shpirtërisht, por jo për urtinë e kësaj epoke e as për urtinë e prijësve të kësaj bote që shkojnë drejt shkatërrimit. 7 Ne flasim për urtinë e shestimit të Perëndisë, të fshehur për njerëzit, por që ai e kishte paracaktuar përpara kësaj jete, që ne të marrim pjesë në lavdinë e tij. 8 Asnjë nga prijësit e kësaj bote nuk e ka njohur këtë urti, sepse po ta njihnin, nuk do ta kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë. 9 Por, siç është shkruar:
ato gjëra
që syri nuk i pa
e veshi nuk i dëgjoi
dhe që nuk hynë
në zemrën e njeriut,
Perëndia i ka përgatitur
për ata që e duan.
10 Ndërsa neve Perëndia na i zbuloi nëpërmjet Shpirtit, sepse Shpirti shqyrton gjithçka, madje edhe vetë thellësitë e Perëndisë. 11 Kush i njeh të fshehtat e njeriut, përveç shpirtit të tij? Po kështu edhe të fshehtat e Perëndisë nuk i njeh askush, përveç Shpirtit të Perëndisë. 12 Ne nuk kemi marrë shpirtin e kësaj bote, por Shpirtin që vjen nga Perëndia, që të njohim ato që na janë dhuruar prej tij.
13 Këto që themi, nuk i kemi nga fjalë të mësuara me urti njerëzore, por nga fjalë të mësuara prej Shpirtit, duke ua shtjelluar gjërat shpirtërore atyre që kanë marrë Shpirtin e shenjtë. 14 Njeriu që nuk e ka marrë Shpirtin e shenjtë , nuk i pranon të vërtetat e Shpirtit të Perëndisë. I duken marrëzi e nuk mund t'i kuptojë, sepse ato duhet të gjykohen në mënyrë shpirtërore. 15 Ndërsa njeriu që e ka marrë Shpirtin e shenjtë, kupton gjithçka e askush nuk mund ta kuptojë gjykimin e tij,
16 sepse, kush i njohu mendimet e Zotit,
që t'i japë mend atij?
Por ne kemi mendjen e Krishtit.
1 Edhe unë, o vëllezër, kur erdha te ju, nukë erdha me lartësirë fiale a diturie, t’u dëftenj juve martirin’ e Perëndisë.
2 Sepse pashë me udhë të mos di tiatërë gjë ndër ju, veç Jisu Krishtinë, edhe këtë të kryqëzuarë.
3 Edhe un’ erdha te ju me dobësirë e me frikë e me shumë të dridhurë.
4 Edhe fiala ime e të leçituritë tim nuk’ u bë me fialë që të mbushnjë mëndëjenë prej diturisë njerëzet, po me të dëftyerë Fryme e fuqie;
5 Që të mos jetë besa juaj prej diturisë njerëzet, po prej fuqisë Perëndisë.
6 Edhe flasmë dituri ndër ata që janë të sosurë, po jo dituri të kësaj jete, as të urdhërtarëvet e kësaj jete, që prishenë;
7 Po flasmë dituri Perëndie me fshehësirë, atë diturin’ e fshehurë që urdhëroj Perëndia përpara jetëvet për lavdinë tonë;
8 Të cilënë nuk’e njohu asndonjë nga urdhërtarët’ e kësaj jete; sepse ndë e kishinë njohurë, nukë do të kishinë kryqëzuarë Zotin’ e lavdisë.
9 Po, sikundrë është shkruarë: “Ato që s’i pa sy, e s’i dëgjoj vesh, e s’hynë ndë zemërë të njeriut, të cilatë Perëndia i bëri gati për ata që e duan’ atë.”
10 Po Perëndia na i sbuloj me anë të Frymësë ti; sepse Fryma vëshgon të gjitha, edhe të thellat’ e Perëndisë.
11 Sepse cili prej njerëzish njeh punët’ e njeriut, përveç frymësë njeriut që është nd’ atë? Kështu edhe punët’ e Perëndisë asndonjë s’i njeh, përveç Frymësë Perëndisë.
12 Edhe neve s’kemi marrë frymën’ e botësë, po Frymënë që është nga Perëndia, që të njohëm’ ato që na ka falurë Perëndia.
13 Për ato edhe flasmë, jo me fialë të mësuara prej diturisë njerëzet, po me fialë të mësuara prej Frymësë Shënjtëruarë, tuke mbarasuarë punëra shpirtërishte me punëra shpirtërishte.
14 Po njeriu si shtësë nukë pret punërat’ e Frymësë Perëndisë; sepse janë marrësi për atë, edhe nukë munt t’i njohë ato ; sepse ato gjykonenë shpirtërisht.
15 Po njeriu i shpirtit i gjykon të gjitha e ay nukë gjykonet’ as prej ndonjërësë.
16 Sepse “cili e njohu mëndëjen’ e Zotit, që ta mësonjë atë?”, po neve kemi mëndëjen e Krishtit.