Delja e humbur
(Mt 18.12-14)1 Të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët po i afroheshin Jezuit për ta dëgjuar. 2 Farisenjtë dhe shkruesit murmurisnin e thoshin: «Ky pranuaka mëkatarët e ha me ta». 3 Atëherë Jezui u tregoi këtë shëmbëlltyrë: 4 «Cili nga ju, nëse ka njëqind dele e njëra prej tyre i humb, nuk i lë të nëntëdhjetenëntat në shkretëtirë për të kërkuar atë që ka humbur, derisa ta gjejë? 5 Dhe, kur e gjen, e ngarkon mbi shpatulla i gëzuar. 6 Pasi kthehet në shtëpi, mbledh miqtë e vet e të afërmit e u thotë: “Gëzohuni me mua, se e gjeta delen që më kishte humbur”. 7 Unë po ju them se kështu ndodh edhe në qiell. Aty ka më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtë që nuk kanë nevojë të pendohen».
Monedha e humbur
8 «Ose, përsëri, nëse një grua ka dhjetë monedha argjendi dhe njëra i humb, a nuk shkon e ndez një kandil për të ndriçuar shtëpinë, që të kërkojë me kujdes derisa ta gjejë? 9 E pasi e ka gjetur, thërret shoqet e saj e fqinjat e u thotë: “Gëzohuni me mua, se e gjeta monedhën që më kishte humbur”. 10 Unë po ju them: kështu gëzohen edhe engjëjt e Perëndisë për një mëkatar që pendohet».
Djali plëngprishës
11 Pastaj Jezui tha: «Një njeri kishte dy djem. 12 Më i vogli i tha të atit: “Atë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon”. Kështu i ati ua ndau pasurinë djemve.
13 Pas pak ditësh më vonë djali i vogël mblodhi gjithçka kishte e shkoi në një vend të largët. Atje e çoi dëm pasurinë duke jetuar pa kokëçarje. 14 Dhe si shpenzoi gjithçka, në atë vend ra një zi e madhe buke dhe ai filloi të mbetej pa gjë. 15 Atëherë shkoi e gjeti punë te njëri nga qytetarët e atij vendi dhe ky e dërgoi në ara që të ruante derrat. 16 Atje do të kishte dashur shumë të ushqehej me lendet që hanin derrat, por askush nuk ia jepte. 17 Si erdhi në vete, tha: “Shumë nga punëtorët e tim eti kanë bukë e u tepron, ndërsa unë këtu po vdes urie. 18 Do të çohem, do të shkoj tek im atë e do t'i them: atë, kam mëkatuar kundër qiellit e para teje. 19 Nuk jam më i denjë të quhem biri yt. Më mbaj si një nga punëtorët e tu”.
20 Kështu u nis e shkoi tek i ati. Por ndërsa ishte ende larg, i ati e pa dhe ndjeu dhembshuri për të. Vrapoi, e mbështolli në krahët e tij dhe e puthi. 21 Atëherë i biri i tha: “Atë, kam mëkatuar kundër qiellit e para teje. Nuk jam më i denjë të quhem biri yt”. 22 Por i ati u tha shërbëtorëve: “Sillni shpejt rrobën më të mirë e vishjani. Vërjani unazën në gisht e sandalet në këmbë. 23 Merrni viçin e majmë e thereni. Le të hamë e të bëjmë festë, 24 se ky biri im kishte vdekur e u ngjall, kishte humbur e u gjet!”. Dhe filluan të festonin.
25 Djali i tij më i madh gjendej në arë. Kur erdhi e iu afrua shtëpisë, dëgjoi muzikë e valle. 26 Atëherë thirri njërin nga shërbëtorët dhe e pyeti se çfarë po ndodhte. 27 Ai iu përgjigj: “Vëllai yt është këtu dhe yt atë theri viçin e majmë, se ai është kthyer shëndoshë e mirë”. 28 Atëherë ai u zemërua e nuk pranoi të hynte. I ati doli përjashta për t'iu lutur, 29 por ai iu përgjigj: “Unë kam punuar si një shërbëtor gjatë gjithë këtyre viteve për ty e nuk të kam thyer asnjë urdhër, megjithatë ti nuk më ke dhënë as edhe një kec që të bëj festë me miqtë e mi. 30 Ndërsa kur u kthye yt bir, ai që e prishi pasurinë tënde me lavire, ti there për të viçin e majmë”. 31 Por i ati i tha: “Bir, ti je gjithmonë me mua e gjithçka që kam unë është edhe jotja. 32 Por ne duhet të festojmë e të gëzohemi, se vëllai yt kishte vdekur e u kthye në jetë, kishte humbur e u gjet”».
1 Edhe gjithë kumerqarët’ e fajtorëtë i afruanë, që t’e ndigjoninë.
2 Edhe Farisenjt’ e shkronjësitë murmurisinë, tuke thënë, se: “Kyj pret fajtorë, edhe ha bashkë me ata.”
3 Edhe ay u tha atyre këtë paravoli, tuke thënë:
4 “Cili njeri ësht’ ay prej jush që të ketë një qint dhën, edhe ndë humptë një prej atyreve, nukë lë të nëntë-dhiet’ e nëntatë ndë shkretëtirët, edhe vete të kërkonjë atë që ka humburë, gjersa t’e gjenjë?
5 Edhe si t’e gjenjë, e merr mbë krahët të ti tuke gëzuarë.
6 Edhe kur vien ndë shtëpit, thërret miqt’ edhe fëqinjtë, e u thotë atyre: Gëzohi bashkë me mua, se gjeta delenë time që pat humburë.
7 Po u them juve, se kështu do të jetë gëzim ndë qiell për një fajtuar që pendonetë, se për nëntë-dhiet’e nëntë të drejtë, të cilëtë s’kanë nevojë për pendim.
8 A cila grua ësht’ ajo që ka dhietë dhrahmi, ndë i humptë një dhrahmi, nukë ndes kandilenë, edhe fshin shtëpinë, edhe kërkon me kujdes, gjersa t’e gjenjë?
9 Edhe si ta gjenjë, thërret miqeshat’ e fëqinjatë, tuke thënë: Gëzohi bashkë me mua, se gjeta dhrahminë që humba.
10 Kështu, po u them juve, bënetë gëzim përpara ëngjëjet Perëndisë për një fajtuar që pendonetë.”
11 Përsëri tha:
12 “Një njeri kishte dy bij; edhe më i vogëli nga ata i tha t’et: Atë, epmë piesën’ e gjësë që më bie për të marrë. Edhe ay u ndau atyre gjënë.
13 Edhe pas pak diç më i vogëli bir mbëlodhi gjithë se ç’pat, edhe iku ndë dhe të huaj mbë një vënt të largë; edhe atie shpërndau gjën’ e ti tuke shkuarë jetë si plankprishës.
14 Edhe ay si prishi të gjitha, u bë një zi e madhe mb’ atë vënt, edhe ay zuri të mos kishte më .
15 Atëhere vate e u ngjit pas një qytetari t’ati vëndi; edhe ay e dërgoj nd’arë të ti të kullotte derratë.
16 Edhe dëshëronte të mbushte barkun’ e ti me harupe që haninë derratë; po asndonjë nuk’ i epte.
17 Edhe ay si erdhi ndë vetëhe të ti, tha: Sa punëtorëve të tim et u tepronjënë bukë, e unë po humbas nga uria!
18 Do të ngrihem e do të vete tek im atë, edhe do t’i them: O atë, fëjeva ndë qiell edhe përpara teje.
19 Edhe nukë jam më i vëjyerë të qjuhem biri yt; më bën posi një nga punëtorët’ e tu.
20 Edhe u ngrit e erdhi tek i ati. Edhe ay kur ishte edhe lark, i ati e pa, edhe i erdhi keq, edhe u sul e ra mbi qafët t’ati, edhe e puthi.
21 Edhe i biri i tha: O Atë, fëjeva ndë qiell edhe përpara teje, edhe nukë jam më i vëjyerë të qjuhem biri yt.
22 Po i ati u tha shërbëtorëvet të ti: Nxirni jashtë stolin’ e parë, edhe ia vishni, edhe i viri unazë ndë dorët, edhe këpucë ndë këmbët.
23 Edhe bini viçin’e ushqyerë, edhe thereni, edhe le të ham’ e të gëzonemi;
24 Sepse kyj im bir qed i vdekurë, e u ngjall përsëri, edhe qe i humburë, e u gjënt.
25 Edhe zunë të gëzoneshinë. Edhe i biri ati më i madhi ishte nd’arë; edhe kur erdhi e u afrua ndë shtëpi, ndigjoj kënk’ e valle.
26 Edhe thirri një nga shërbëtorëtë, edhe e pyeste ç’janë këto punë .
27 Edhe ay i tha, se: Ka ardhur’ yt vëlla; edhe yt atë theri viçin’ e ushqyerë, sepse e priti të shëndoshë.
28 Edhe ay u zëmërua, edhe nukë donte të hynte brënda . I ati pra dolli, e i lutej.
29 Edhe ay u përgjeq e i tha t’et: Na te po të shërbenj kaqë viet, edhe asnjë herë nukë dolla nga urdhëri yt; edhe kurrë nukë më dhe një kec, që të gëzonem bashkë me miqt’ e mi.
30 Po kur erdhi kyj yt bir që hëngri gjënë bashkë me kurvatë, i there viçin’ e ushqyerë.
31 Edhe ay i tha: O dialë, ti je përherë bashkë me mua, edhe gjithë të miatë janë të tuatë;
32 Edhe duhej të gëzoneshim’ e të ngazëlloneshim, sepse kyj yt vëlla qe i vdekurë, e u ngjall përsëri; edhe qe i humburë, e u gjënt.”